Pashtriku.org, 05. 05. 2016: Kohë më parë në Zvicër janë arrestuar dy ish ushtarë të UÇK-së me kërkesën e Serbisë drejtuar Interpolit. Autoritet zvicerane janë para vendimit, gjithashtu me kërkesë të Serbisë t’i ekstradojë të arrestuarit në Serbi gjë që është e kundërligjshme dhe jonormale aq më parë që lufta nuk ishte bërë në territorin e Serbisë kurse gjykatat serbe, si një shtet tjetër dhe i disponuar armiqësisht ndaj Kosovës nuk kanë jurisdikcion mbi veprat eventuale të kryera në Kosovë. Këtë jurisdikcion e ka pasur vetëm Tribunali i Hagës kurse gjykatat në Serbi nuk kanë mandat ndërkombëtar kështu që autoritetet zvicerane, me ekstradimin eventual të shtetasve të Kosovës në Serbi i marrin pasojat e mundshme për fatin e të arrestuarve sepse, në rrethanat aktuale as që mund të flitet për një gjykim të drejtë dhe të pandikuar politikisht nëse e kemi parasysh qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës të cilën nuk e pranon si shtet kurse UÇK-në e trajton si organizatë terroriste.
Autoritetet zvicerane, nëse vendosin që të arrestuarit t’i ekstradojnë, duhet t’ua dorëzojnë autoriteteve kosovare. Me arrestimin e ish ushtarëve, drejtuesve të UÇK-së dhe politikanëve që kanë qenë pjesë e UÇK-së, me kërkesën e Serbisë , shtetet që po e bëjnë arrestimin po i amnistojnë krimet e Serbisë në Kosovë dhe po i zbatojnë standardet e dyfishta, po kërkojnë arrestimin e shqiptarëve të dyshuar për krime lufte kurse po këmbëngulin në lirimin e serbëve të dyshuar për krime lufte siç ishte rasti i gjeneralit Bojoviq i cili kishte përgjegjësi të lartë komanduese , politike dhe ushtarake dhe të cilin autoritetet kosovare, pas ndërhyrjes së Serbisë dhe ndërkombëtarëve u detyruan ta lirojnë. Ndërkombëtarët është dashur ta detyrojnë Serbinë që ata policë, paramilitarë dhe ushtarë serbë që kanë kryer krime lufte në Kosovë , t’u dorëzohen autoriteteve kosovare e jo siç janë duke vepruar deri më tani. Pa ballafaqim ligjor me ata që kanë kryer krime lufte , pavarësisht përkatësisë etnike, nuk mund të ketë stabilizim të situatës dhe përafrim të popujve e lëre më pajtim i cili, mbështetur në rrethana aktuale del të jetë mision i pamundur. KMDLNj ka kërkuar dhe kërkon drejtësi për viktimat të cilët nuk i ndanë në baza etnike dhe përgjegjësi për planifikuesit, udhëheqësit dhe zbatuesit e krimeve gjithashtu duke mos i ndarë në baza etnike!
Shërbimi për Informim i KMDLNJ’së
Prishtinë, 3 maj 2016