Addison, IL USA, 11. 05. 2016: Protokolli i Korfuzit, i 17 majit 1914, i njohu qeverisë greke, me firmën e kolonel Tomsonit, dy krahinat e Jugut të Shqipërisë, të Korçës dhe të Gjirokastrës një lloj autonomie që përfshinte një administratë më vehte, një xhandarmëri lokale, të njhej greqishtja si gjuhë e vetme, në shkollat dhe në organet gjyqsore do të ishte e barabartë me gjuhen shqipe. Ky ishte “Shteti brënda shtetit” që “Protokolli i Korfuzit” mori vulën si “Protokoll Turpi”. Ky Protokoll u krijua brenda trupit të “Shqipërisë Londineze”. Firmëtarët e protokollit famëkeq të Korfuzit ishin: përfaqësuesi anglez Sir Harry Lamb, përfaqësuesi gjerman Bigel, përfaqësuesi austro-hungarez Kral Sahtain, përfaqësuesi francez Krazefski, përfaqësuesi rus Petrof, përfaqësuesi italian Lauro. Përfaqësuesi i Princ Vidit, kolonel Tomsoni si dhe Mejdi Frashëri, dhe përfaqësuesi i Greqisë Zografos dhe Karapanos. Protokolli i Korfuzit i 14-tës, ishte kazmë ndaj tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Mbi të gjitha me ndihmën e Mejdi Frashërit, Esat Pashës, Ludovik Tomsonit etj., arriti të krijoje artificialisht “Vorio-Epirin” si “shtet grek brenda shtetit shqiptar”. (Marrë nga gazeta elektronike “ILYRIA” 11-5-2015.) Synimi i fqinjëve tanë, ishte që dy krahinat Jugore Korçë e Gjirokastër të shpalleshin si “shtet autonom” i Verio-Epirit dhe të veçoheshin nga Shqipëria. Më tej do të ishte e lehtë bashkimi me Greqinë. Kufiri i Shqipërisë është njohur më 29 korrik 1913, në Londër nga përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha.
Në shtetin shqiptar të Kosovës, rrezikohet t’i shkëputet rreth 25% e territorit të saj. Kështu po krijohet edhe aty “Shteti brënda shtetit”. Sipas marrëveshjes (“Zajednicën”) realisht defakto, bën ndarjen politike, ekonomike, juridike, policore, administrative, territoriale dhe konstituive të komunave serbe nga shteti i Kosovës. Këto janë qeveritë tradhtare shqiptare, që nacionalizmi do t’i ndëshkojë.
Pashiçi, përfaqësues i Serbisë në forumet e Europës fliste: “ja të shuhet Shqipëria, ja të bëhet sa më e vogël dhe e paaftë për të jetuar”. Ndërsa ish presidenti i Greqisë, Stefanopullos, thotë: “…shqiptarët do të përsheshen të gjithë midis nesh dhe Serbisë së madhe (sepse janë njerëz pa troje.” (Athinë, 23 – 12 – 1999).
Fqinjët tanë Jugorë patën frikë, nga bashkimi i katër vilajeteve dhe marrja nën mbrojtje të ndonjërës nga Fuqitë e Mëdha të kohës. Greqia nxitoi të armatosë ushtrinë dhe organizoi bandat famëkeqe të quajtura “Kompani të shenjta” me hajdutë dhe kriminelë të lëshuar prej burgjeve dhe i dërgoi në krahinat e Korçës dhe të Gjirokastrës për t’a shkatërruar e kthyer vendin në zjarr e gjak. Shpalli gjithashtu mobilizimin e përgjithshëm, për ortodoksët shqiptarë, të cilët i shikonte si “të vetët”. Por atdhetarët nuk pranuan të tradhtonin vendin e tyre. Pat edhe nga ata, që u familjarizuan me kriminelet dhe bënë lodrën e grekut si në qarkun e Korçës dhe në Përmet, Delvinë, Gjirokastër, Himarë etj. Ata formuan banda të rrezikshme kundër popullsisë myslimane dhe e shkelen vendin me zjarr e me hekur.
Më 13 shkurt 1914, Fuqitë e Mëdha, ia kujtuan edhe nje here qeverisë greke se duhej të lironte tokat e Shqipërisë, deri në fund të marsit 1914, dhe se vetëm atëherë mund të merreshin parasysh kërkesat e saja në lidhje me ishujt e Egjeut. Më 2 mars 1914, hyri në qytet xhandarmeria shqiptare dhe u vendos një administratë e varur prej KNK. Kjo ishte vetëm një dredhi e qeveris greke, për t’ju treguar Fuqive të Mëdha se po “e tërhiqte ushtrinë e rregullt”. Greket inskenuan një “lëvizje popullore” që u vetëquajt “Qeveria autonome Vorio-epirote’, nën kryesin e Zografit. Por forcat ushtarake, ua lanë vendin “Legjioneve të shenjta”, “Batalione të shenjta”, apo Kompanive të Shenjta” që u bënë tmerri i Shqipërisë së Jugut, nga kontigjente “kokëkrisurish”nga Kreta me kriminelë të lëshuar nga burgjet. Nga ana tjetër, kish përgatitur shpalljen e autonomisë së Epirit të Veriut” dhe hedhjen në veprim të “kompanive e batalioneve të shenjta”, që paraqiteshin si “forcë Vorio-epirote”. Më 2 mars 1914 u thirr kongresi Vorio-Epirot në Gjirokastër, ngjarje kjo, disa ditë para ardhjes së Vidit në Durrës. Greket shfrytëzonin një pakicë ortodokse, të paguar dhe të detyruar, që të shërbenin si një mbulesë e fshehur prapa kriminelëve të sjellë nga Kreta. Qëllimi ishte të lidhnin me “autonominë” që synonin në Korçë, Gjirokastër dhe Himarë. Pas dështimit në Korçë, shpallën në Gjirokastër Republikën autonome të qeverisë së “Epirit të Veriut”, e cila jetoi 253 ditë, që ishin ditë tmerri dhe masakrash për popullsinë e Jugut të Shqipërisë. Në Himarë, majori i ushtrisë greke, Spiro Spiromilo, shpalli autonomin krahinore me shtatë fshatra dhe synonte ta zgjeronte rrethin e fshatrave me autonomi qeveritare më vete në 18 fshatra. Struktura ushtarake greke e viteve 1913-1914, kreu veprimet më antishqiptare me kompanitë e batalionet e shënjta të përbërë nga kriminelë “Andartë”, të cilët masakruan Jugun e Shqipërisë, duke argumentuar se nuk pranonin vendimin e Evropës për “lënien jashtë Greqisë, të Korçës dhe Gjirokastrës”
Pas bisedimeve ndërmjet KNK dhe përfaqësuesve “Vorio-Epirotë”, nga 10 maji deri më 17 maj 1914, përfunduan me “Protokollin e Korfuzit” të nënshkruar më 17-5-1914 në hotelin “Orea Elvetia”. Protokolli i “udhëheqësve” shqiptarë, grekë e ndërkombëtarë, mori vulën si “Protokolli i turpit”, sepse Shqipërin e Jugut ia falte mbretërisë greke. Këta ishin arkitektët evropianë që treguam më lartë: Nga Shqipëria, Kolonel Tomsoni, Mehdi Frashëri dhe Greqisë Zografos, Karapanos. Megjithatë 40.000 ushtarë dhe andartë kryen masakra të pashembullta në qytete dhe fshatra të Korçës, Përmetit, Gjirokastrës, Sarandës, Labërisë etj. Çetat e armatosura shqiptare u dhanë një mësim historik masakrave të andartëve grekë në betejën e Skërficës, në Senicë, Balshaj, Vergo, Kopaçez, Palavli, Rusan të Delvinës, Fushbardhë, Zhulat, Kapariel, Golem, Shkallë të Zezë, Shtepëz, në Kodrat e Humelicës, Cepo, Kodrat Shehe në Çepunë, nën Kolonjë, në Grykën e Borshit, në Kallarat, në Lajthizë të Gusmarit etj. Lufta vazhdoi në Kurvelesh, në Kendrevicë e në gjithë zonat labe për mbrojtjen e truallit arbëror. Protokolli i Korfuzit ishte një MARREVESHJE TURPI, që dogji Jugun e Shqipërisë dhe dëshmitë janë tepër tronditëse, Masakrat e Paramithisë, më 27 mars 1913 që u bënë fill pas pushtimit të Janinës më 5 mars 1913, ku u vranë 72 udhëheqës të Çamërisë, masakra e Panaritit, në janarin e 1914 në fshatin Panarit , si hakmarrje për ngritjen e flamurit kombëtar ku u therën mbi 400 burra, gra, fëmijë e pleq. 300 burra nga Panariti e Grabocka u keqtrajtuan dhunshëm në Karakoll, më 25 shkurtt 1914 , në Paçom e Kuqan fëmijët që kishin mbetur në fshat u therën, gjithsej 75 vetë, Në Hormovë u vranë 217 vetë në mars të 1914. Dëmi total i masakrës se andartëve dhe ushtarëve grekë në Jug të Shqipërisë ishte katastrofik: 2500 të vrarë, 400 fshatra të djegura, mbi 200 milion franga ari dëme.
Opinioni publik ndërkombëtar sidomos ai britanik: “Miqtë e Shqipërisë”u indinjuan nga veprimi i Greqisë, protestuan deputetët, Anglezë, Amerikanë si Fred Williams, mikja e shqiptarëve Edith Durham etj. Nga ana tjetër, Zografi bënte të njohur se “As Greqia as Fuqitë e Mëdha nuk kishin të drejtë të ndërhynin në punët e brendshme (të shtetit brenda shtetit të Shqipërisë) “shtetit hije” të “Epirit të Veriut”, duke kërkuar nga KNK (Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit), që të mos lejonte forcat shqiptare të shkelnin “kufijtë e këtij shteti”. Por kur Princ Wilhelm Vidi zbriti në Durrës, më 7 mars 1914, kryeqytet u zgjodh Durrësi. Më 17 mars, u zgjodh qeveria, nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit. Ndërsa Tradhtari Esad Pasha, shtiu në dorë dy ministri, të Luftës dhe të brendshme. Kjo ndodhi, se Vidi nuk e njihte abientin dhe nuk u garantua nga Fuqitë e Mëdha për çlirimin e gjithë tokës shqiptare prej ushtrisë greke. Sipas Konferencës së Londrës, 29 korrik 1913, Statuti parashikonte, që Shqipëria të shpallej principatë kushtetutore, sovrane e trashëgimore, nën garancinë e gjashtë Fuqive të Mëdha që siguronin paprekshmërinë e tokës shqiptare me kufijtë e caktuar etj. Koloneli Hollandez Thomson, i ngarkuar si komisar për krahinën e Jugut, shkoi në Korfuz, ku pati një bisedë me Karapanon, iu premtoi grekëve disa “të drejta të veçanta” për popullsinë e “Epirit të Veriut”. Por Qeveria e Durrësit, nuk i pranoi këto lëshime dhe u tregua kundër çdo forme autonomie për krahinat e jugut. Ndonëse Tomsoni shkoi shumë larg në premtime, duke pranuar autonominë e dy krahinave të Korçës dhe të Gjirokastrës, të cilat do të mbanin lidhje thjesht formale me Shqipërinë. Ushtria greke ishte tërhequr nga Korça, më 1mars 1914, sa për të mashtruar Fuqitë e Mëdha, në të vërtetë kishin lënë forca të fshehura brenda në qytet dhe në fshatra, kishin lënë në spital gjoja ushtarë të sëmurë, në kishën e Mitropolisë kishin fshehur armë. Korça u pushtua prapë natën e 2 prillit 1914. Por befasia e grekëve u demaskua dhe u shkatërrua nga xhandarmëria shqiptare, nën komandën e majorit holandez G. Snellen, u thyen forcat armike. Ky guxim iu dha zëmër shqiptarëve të cilët u ngritën me shumicë, të udhëhequr nga Themistokli Gërmenji dhe Sali Butka. Qeveria e Turhan Pashë Përmetit përgatiti 10.000 vullnetare në ndihmë të luftëtarëve të Jugut. Por ministri i luftës Esat Pash Toptani i sabotoi dhe nuk arritën në destinacion se ai kishte miqësi me grekët. Fatin e vendit e kishin marrë në dorë kapedanët e vendit si Sulo Beqiri, Çerçiz Topulli, Halil Sulo, Selam Musai. Nga Amerika Bajo Topulli i këndonte Muharrem Rushitit: “Prite prite Kurvelesh, / se të vjen në ndihmë petriti. /Çami Muharrem Rushiti.” Roli i kolonel Tomsonit mbeti në hije gjatë dhe pas gjithë masakrave që ndodhën në të gjithë Jugun e Shqipërisë.
Tomsoni shkoi në Korfuz më 13 mars 1914 dhe takoi Karapanon, me atributet e ministrit të jashtëm Vorio-epirot, i cili tejkaloi të drejtat e tij dhe premtoi autonomi qeverisë së Zografit. Kjo ishte një tradhti e interesave shqiptare. (Dr. G. T. Goslinga, në librin “Holandezët në Shqipëri.”). Shteti grek në këtë periudhe ka qenë “kanakari”i përkëdhelur i Antantës dhe i Bllokut Qendror. Më 24-4-1914, Fuqitë e Mëdha joshën kryeministrin grek, Venizellosin me lëshime “Verioepirotëve”, deri në pranim të rishikimit të kufirit greko-shqiptar, në favor të Greqisë. Më 5 maj 1914, qeveria e Turhan Pashës, nga presioni ia besoi KNK-së zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-grek. Bisedimet filluan më 10 maj dhe përfunduan më 17 maj 1914, nën firmat e Tomsonit dhe të Mehdi Frashërit dhe Tomsoni hyri në bisedime me të ashtuquajturin përfaqësues të “Vorio-Epirotëve”. Në bisedime u pranua “Protokolli i Korfuzit”, ku me këtë dokument do të njihej “shteti brenda shtetit”. Ushtaraku Holandez, kishte tejkaluar kufirin e veprimit të tij ligjor, kishte hedhur bazat e një akti fatal, për fatet e shtetit të ri shqiptar. Vajtimi i “kolonelit hero” do të behej nga fqinjët pas vrasjes së tij, kur Tomsoni u bë viktimë e rivalitetit të huaj në Shqipëri. Ai nuk pranoi të luftonte në frontin e Jugut kundra grekut. Tomsoni ndërhyri si “diplomat” pa diplomaci në luftën e brendshme politike të shtetit të ri shqiptar, në dëm të forcave të kryesuara të kapedanëve dhe të frymëzuara nga Ismail Qemali. Vlerësimet e shtypit grek në prill dhe në maj 1914 flasin qartë. Absurde, sepse një personalitet nuk mund ta vajtonin për bëmat e tij, në mars qershor të vitit 1914, edhe shqiptarët edhe grekët! Historiografia duhet të merret në konsideratë me referenca historike të Kristo Floqit, Gazmend Shpuzës, Vasil Dilos etj.
Diplomati Ferdinando Salleo shkruan: “Komisioni ndërkombëtar, i ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha dhe mbështetur nga italo-austriakët, vijoi negociatat me autoritetet greke më 17 maj 1914 me “Dispozitat e Korfuzit”, të cilat do t’u parashtroheshin kryeqyteteve Evropiane, që lipsej të garantonin vënien e tyre në jetë. Në të vërtetë, miratimi erdhi më 2 korrik 1914 “Dispozitat” konfirmuan: domosdoshmërinë e tërheqjes së plotë të grekëve nga Shqipëria”. Kështu “u largua shteti grek nga brenda shtetit Shqiptar” që i shkaktoi dhimbje të vdekjeve dhe shkatërrimit. Armstrongu shkruan: “Protokolli i Korfuzit” ose “Protokolli i turpit”. Ndërsa Sir Harry Lamb thotë: “nuk bazohej në asnjë të vërtetë historike prandaj, logjikisht, duhej hedhur në shportën e plehrave”.
Për afër gjysmë shekulli të diktaturës komuniste, “kur greku donte duart në Shqipëri, Enver Hoxha ia priste duart”. Një spiun grek u fut në Shqipëri për të zbuluar depot e armatimit, ky u kap nga sigurimi i shtetit. Në bisedë me Kryeministrin Mehmet Shehu i thotë: “Unë ta çoj për t’i parë depot e armëve, por t’i thoni mbretit tuaj, nëse dëshiron t’i këmbejmë Athinën me Kavajën jam dakort.” Avancojmë me të quajtur “demokraci”. Qeveritarët dhe Akademikët e Shqipërisë dhe të Kosovës, me zemërgjerësinë e tyre, kanë lejuar të krijojnë “Shtet brenda shtetit” në favor të serbo-grekëve. Kësaj i thonë tradheti e madhe. Prandaj vetëm nacionalizmi do ta shpëtojë Shqipërinë. Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri i cili shkruan: “Tirana zyrtare tha” / Për neve Greqia rroftë, / se në dorë ajo na ka. / Për të hyrë në Evropë, / Janullatosin e ka Emisar,/ jeta ju shtoftë! Guvernator jo shaka, / Guvernatori rroftë e qoftë! / Kryqin grek në qafë e mba, / Ndaj dhe ne ia puthim fort, / Se kështu hije na ka, / Çamëria u harroftë. (internet 3 maj 2016). Më 19 prill 2013, para tre vjetësh, u nënshkrua marrëveshja e parë për bashkësinë e komunave serbe në Kosovë nga dy ish kryeministrat, Thaçi i Kosovës dhe Daçiq i Serbisë, e cila u pasua pastaj me nënshkrimin për të dytën herë edhe të dy kryeministrave të tjerë. Mustafa dhe Vuçiq. Fatkeqësi historike e politikës dhe i politikanëve tanë në marrëdhënie me fqinjët tanë në dëm të interesave kombëtare. Marrëveshja që mundëson krijimin e bashkësisë së komunave Serbe në Kosovë. Në fakt vetë fjala bashkësi, përmban unifikimin etnik, territorial, juridik dhe vetadministrimin e tyre prej serbeve, që do të thotë, një autonomi e fshehtë dhe në perspektivë, një republikë serbe brenda në Kosovë me kalimin e kohës së kësaj “Bashkësie” serbe për bashkimin e saj me shtetin e Serbisë nesër, ose duke krijuar në realitet një “shtet brenda shtetit” në dëm të interesit kombëtar shqiptar dhe të sovranitetit të Kosovës. Prandaj duhet të anullohet, jo vetëm si një marrëveshje në dëm të interesave kombëtare, por dhe antikushtetuese. Aktualisht rezistenca dhe kundërshtimi i kësaj marrëveshje të nënshkruar mes qeverisë së Prishtinës dhe asaj të Beogradit, nga opozita politike në Kosovë, është e drejtë dhe në kohë, sepse nesër, do të ishte shumë vonë dhe nuk mund të ndreqet ajo dhe pasojat e së cilës do të acaroheshin në dem të interesave të Kosovës. Ashtu si dështoi “Protokolli i Korfuzit” nga qëndresa e shqiptarëve, ashtu do të dështojë edhe kjo marrëveshje, si edhe ajo e caktimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, falë rezistencës së qytetareve të Kosovës dhe opozitës politike atje. Marrëveshja bie në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës. Realisht kjo bën ndarje politike, ekonomike, juridike policore, administrative, territoriale, dhe konstituive të komunave serbe në Kosovë, atëherë ç’farë arriti lufta çlirimtare e popullit shqiptar të Kosovës, kur rrezikohet t’i shkëputet rreth 25% e territorit të saj, se atje ku ka dhe vetëm një serb të quhet Serbi?… Atje ku ka dhe një grek të quhet Greqi?…. Këta janë fqinjët tonë. Shumica e serbeve në Kosovë janë kolonë. Ka pasur raste në Kosove, të vdekurin serb e kanë nxjerrë nga varri Kosovarët, duke i shkruar: “çoje në vendin tënd!”, prandaj kolonët janë shtyrë me forcë në Kosovë. (“ILLYRIA” 11-maj 2015)
Ah! Vendi im … / të varfërit po të braktisin… / Të pasurit po të shesin… / Shartohet kombi, / Traditat vdesin… / Të poshtrit qeverisin… / Të diturit pinë ekspres… / Bërtasin veç varret. / Shqipëria po vdes… Dhe fqinjët zënë vend në “Shtet brenda shtetit”. (Internet 3 maj 2016).
Rasim Bebo, Addison, IL USA, maj 2016