Kukës, 01. 09. 2012 – (Reagim për librin: “Duart e Përgjakura (Kirurgu në luftë)” të autorit Craig Jurisevic) – Ndoshta i vonuar, lexova librin e Jurisheviçit lindur në Adelaide të Australisë, por me gjak e gen sllav. Në librin e tij, i ashtuquajturi “Doktor kirurg” Jurisheviç, për rreth 50 ditë qëndrimi në Shqipëri, në Prill e Maj 1999, në shërbim të misionit të tij të dyshimit, evokuan para lexuesve dhe opinionit publik ndërkombëtar pathollogjinë e tij antishqiptare duke i vesh asaj një “mal” me shpifje e gënjeshtra. Duke qenë se në periudhën (për të cilën Jurisheviçi anatemon në librin e tij) unë kam qenë dëshmitari kryesor me detyrën e Drejtorit të Televizionit të Kukësit dhe gazetarit primar i kudo ndodhur, në ngjarjet e eksodit të kosovarëve e luftës së UÇK-së. Për hir të së vërtetës jam i obliguar të reagoj në organet mediatike dhe ato të drejtësisë, mbi të pavërtetat, gënjeshtrat dhe shpifjet e tij.
E deklaroj që në krye të këtij reagimi se, Jurisheviçi në gjithë ”historinë“ që paraqet në librin e tij, nuk mund të gjejë as edhe një dëshmitar të vetëm nga qytetarët e Kukësit, nga ish’ushtarët e UÇK-së nga ish’gazetarët ndërkombëtarë, nga ish’punonjësit e organizatave humanitare ndërkombëtare dhe gjithë kosovarët buajtës në Kukës.
Për të qenë korrekt me lexuesin e librit të Jurisheviçit, informoj publikun se, gjatë periudhës: Prill-Maj 1999 kam ndjekur me vëmendje të madhe gjithë historikun e eksodit kosovar duke filmuar në terren ditën dhe natën me tri kamera televizive dhe sot në arkivin e TV-Kukësit gjenden mbi 350 orë filmime.
Deklaroj me përgjegjësi të plotë, në këto filmime nuk kam hasë, asnjë nga rastet ekstreme që autori Jurisheviç i paraqet në libër. Gjithashtu pohoj se në pamjet filmike që disponojmë në arkivin tonë të televizionit, janë të ekspozuar të gjithë vullnetarët ndërkombëtar dhe vetëm “hija e natës”, flokëverdhi Jurisheviç nuk figuron i filmuar.
Pashtrik, Maj 1999: Craig Jurisevic (bjondi) nga e majta, duke pirë birra në prapavijën e frontit në Pashtrik!
…………………………………………………..
Duke analizuar librin enigmatik; ”Duart e Përgjakura“ – kirurgu në luftë – përvoja dhe intuita e gazetarit më thotë; Zoti Kraig Jurisheviç është një monstër shumë larg kodit të Hipokratit për cilësitë e mjekut human”.
Nëse libri i tij lexohet me vëmendje, ai zotëron aftësi të veçanta në fushën ushatrake dhe të një eksperti vëzhgues ushtarak por, kurrësesi cilësitë e njeriut human dhe mjekut kirurg.
Në gjykimin tim, – Kraig Jurisheviç, misionin e tij mister me prapavijë antishqiptare e sabotuese të luftës heroike të UÇK-së, kërkon ta mbulojë me bluzën e bardhë dhe ta “shesë” si veprimtari patriotike internacionaliste”!
Jurisheviçi, gjithë mllefin e tij antishqiptar e ngjyros me nota shoviniste, me idenë; ”Me një gur të vrasë dy kangurë“ I sulet me tërbim identitetit tonë kombëtar duke “argumentuar“ se; ky komb është pa identitet, pa kulturë, pa traditë e zakone, se qytetarët e tij po “hanë” njëri-tjetrin, se në Shqipëri ka vetëm banda të armatosura dhe shteti është vetë “Mafia” – ku në vend të kafes pihet vetëm drogë!
Dr. Jurisheviç, në librin tuaj, ju kërkoni ta mitizoni vehten tuaj, si një “Hero“ që paskeni kontribuar në një vend shumë të “rrezikshëm” dhe jeni kërcënuar disa herë me humbjen e jetës!
Çudi! Çudi e madhe për rastin tuaj!
Në kohën e eksodit të madh dhe të pashembullt në Kukës, kanë qenë prezent me mijëra gazetarë dhe aktivistë të shoqatave prestigjoze ndërkombëtare. Deri në këtë minut që po shkruaj këto rradhë, asnjëri nga këta, nuk ka shprehur dyshimin më të vogël, se i është rrezikuar jeta!
Jeni rast i vacantë Dr.Jurisheviç që frikësoheni se keni qenë objekt i eliminimit fizik. Një shprehje e urtë popullore shqiptare thotë: “Asnjëherë nuk bie rrufeja në nevojtore.“
Përse frikësoheshe ti Jurisheviç? Ta them unë të vërtetën: – Ti mor djalë në flokë të verdha e ke pasë mizën nën kësule (kapuç) sepse, nëpërmjet emrit të kirurgut “vullnetar” (gjithnjë me gjykimin tim) ke pasë të ngarkuara të tjera detyrime (për të cilat edhe je paguar shtrenjtë) për të sabotuar veprimtarinë e UÇK-së dhe për të shtuar rradhët e viktimave të ushtarëve të saj. Kjo është vatra e frikës tuaj!
Përpara se të argumentoj dyshimet dhe argumentimet e mia në kontekst të librit tuaj, për opinionin e gjerë, kombëtar e ndërkombëtar, në veçanti për lexuesit e librit tuaj dhe botuesit e Koha-Prishtinë, për hir të së vërtetës, jam i obliguar të parashtroj argumentat dhe faktet analitike që përgënjeshtrojnë librin e Jurisheviçit.
Lufta çlirimtare në Kosovë, ka filluar që në vitin 1996.
Organizimet e para të formacioneve luftarake dhe të rezistencës antiserbe, lindën si nevojë e domosdoshme e rritjes së ndërgjegjes kombëtare të popullit të Kosovës kundra okupatorit shekullor serbo-sllav. Grupimi i të gjitha formacioneve të vogla luftarake të mbarë Kosovës, u bë me datën 28 Nëntor 1997 në Drenicë, ku u krijua UÇK-ja (Ushtria Çlirimtare e Kosovës) me Adem Jasharin.
Propaganda e Sllobodan Millosheviçit, përkohësisht, zuri vend në disa qarqe politike europerëndimore, për ta etiketuar UÇK-në, si një organizate “terroriste dhe fondamentaliste”. Ushtrimi i terrorit fashist dhe veprimet kriminale të policisë sekrete serbe e paramilitarëve të Arkanit ndaj popullsisë civile të Kosovës, masakrat si ajo e Reçakut, tronditën të gjithë opinionin ndërkombëtar, sigurisht me këtë rast zgjuan nga “gjumi “ edhe politikanët e “fjetur” europianë.
Verifikimet në terren nga faktori ndërkombëtar për ushtrimin e dhunës, terrorin dhe genocidin antishqiptar, i bindi të gjitha qarqet politike Europiane dhe SHBA-në, se në shekullin e XX në qendër të Ballkanit, po rilind një shtet i tipit nazist.
UÇK-ja, në Kosovë, u verifikua dhe u shpall e vetmja forcë politiko-ushtarake, e vendosur për mbrojtjen e popullit të saj nëpërmjet luftës së armatosur.
Ishte faktori UÇK që ngriti në këmbë popullin e Kosovës, të gjithë popullin shqiptar dhe të gjithë diasporën shqiptare në luftën kundra së keqes më të madhe që “mbiu“ në qendër të Europës me në krye, diktatorin Sllobodan Millosheviç.
Dhuna dhe terrori i ushtruar në Kosovë nga ideologjia e shovinizmit serbo-madhë, bashkoi gjithë komuntitetin ndërkombëtar për t’ju kundërvenë makinerisë ushtarake të Sllobodan Millosheviçit. NATO, në përkrahje të UÇK-se, e detyroi ‘’Kasapin e Ballkanit”, të fshihet në ”guvat e errëta” të Beogradit.
* * *
Eksodi i madh i Kosovarëve që nisi në mars të vitit 1999, ishte një shëmtirë e patolerueshme e organizuar nga qarqet shoviniste serbo-madhe.
Në detyrën e drejtuesit të TV-Kukësit dhe të gazetarit informues, duke respektuar me shumë korrektësi, të gjitha ngjarjet, ndodhitë gjatë eksodit, kam qenë shumë i vëmendshëm të fiksoj në kamer të gjithë kronologjinë e pritjes dhe përcjelljen e kosovarëve. Kam ndjekur me vëmendje gjithë përkushtimin e madh patriotik të ushtarëve të UÇK-së dhe përgatitjen e tyre profesionale-ushtarake.
Libri ‘’Duart e Përgjakura’’ i mbushur me shpifje, trillime dhe gënjeshtra, sipas gjykimit tim, ka vërtetësi në titull sepse ”Dr. Jurisheviç” i ka përgjakur duart e tij në krime të qëllimshme që ka kryer ndaj kosovarëve në nevojë, ndaj ushtarëve të UÇK-së e ndoshta më gjerë ku ka shkelur këmba e tij në vatrat e luftrave!
‘’Duart e Përgjakura”, veç të tjerave synojnë t’i përcjellin opinionit botëror, mesazhin: Kosovarët gjatë eksodit, ikën nga vatrat e tyre sepse ishin mërzitur me Sllobodan Millosheviçin, por më pas ranë në ferrin e “kanibalëve të shqiptarëve të Shqipërisë”!
Dr. Jurisheviç, t’i mendove se duke përcjellë këtë mesazh, nuk do të paragjykohesh si një ekzemplar i tipit serbo-shovinist, duke u kamufluar me disa superlative që shprehni në librin tuaj gjoja “dhimbjen“ e madhe që ndjeni për kosovarët nga tragjedia që u shkakton politika e Sllobodan Millosheviçit.
Për këtë fakt, as më pak as më shumë, nuk kishit alibi tjetër për tu shprehur ndryshe, sepse i tillë ishte realiteti dhe opinioni mbarëbotëror. Mjeshtria juaj keqdashëse, është shprehur edhe artistikisht në libër, për të kundërvënë shqiptarët e Kosovës me ata të Shqipërisë.
Më poshtë me argumentat dhe fakte bindëse, dua të informoj lexuesit e librit tuaj për të gjitha të pavërtetat çfarë keni shkruar të zezën mbi të bardhë.
Jurisheviç, ju, që nga zbritja në Aeroportin e Rinasit dhe deri në mbërritjen në Tiranë, në një interval kohor prej dy orësh, me tregimin, analizën dhe konkluzionet që nxirrni, tradhëtoni veten tuaj. Me pak vëmendje çdo lexues i librit “Duart e Përgjakura’’ e kupton se misioni juaj në Shqipëri nuk është human. Në intervalin kohor prej dy orësh ju përpiqeni të bëni “ekspertizën” e racës shqiptare duke u paraqitur si një vëzhgues i mprehtë i terrenit dhe gjendjes sociale, ekonomike dhe shpirtërore shqiptare.
Në fakt pohimet tua të pavërteta, përputhen me propagandën shekullore të shovinistëve sllavë, për ta ekspozuar kombin shqiptar të pavetëqeverisshëm dhe vendin e tyre të banuar me njerëz ”barbarë”!
Në hapin e parë në Aeroportin e Rinasit dhe më pas në Tiranë, ju bën përshtypje, era e rëndë e djersës së njerëzve, ju neverit pamja e jashtme dhe veshja e tyre, ju përzihen zorrët e barkut nga rruga e keqe, nga ushqimet e këqia, nga ajri i keq, nga lokalet e dritat, nga njerëzit e armatosur që mund të të vrasin në rrugë, e dokrra të tjera!
Sigurisht, krahasuar me Adelaiden tuaj ku ju keni lindur dhe jeni rritur, Shqipëria ime është mbrapa zhvillimit të standarteve që pretendon. Ju, nuk kuptoni ose bëni të “paditurin’’, se vendlindja juaj, është ndërtuar mbi eshtrat e miliona skllevërve, ndërsa vendi im, ende vazhdon të kurojë plagët që i kanë shkaktuar stërgjyshërit tu.
Sipas rrëfimit tuaj, në më pak se një orë qëndrimi në Tiranë, ju u ballafaquat, në çdo rrugë e rrugicë me banda të armatosura që vrisnin njerëz të pafajshëm. Mesazhi juaj është: ”Në Shqipëri nuk ka shtet dhe Qeverisje! – Mjerë kosovarët, ku janë duke ardhë”!
Dr. Jurisheviç, fantazia jote del përtej kufijve të imagjinatës. Një fantazi me theks të fortë antishqiptar. Kjo fantazi e mbushur me gënjeshtra dhe shpifje, del më e theksuar për ato që keni shkruar gjatë qëndrimit tuaj në qytetin e Kukësit dhe si i infiltruar në rradhët e UÇK-së.
Sa për sqarim të lexuesve të librit të Craig Jurisheviçit ‘’Duart e Përgjakura‘’, ’qyteti i Kukësit, si rrallë në historinë botërore, hapi dyert e tij dhe ndau copën e bukës, ndau shtratin dhe veshjen me 700.000 shqiptarë të dëbuar nga junta fashiste e Sllobodan Millosheviçit. Në këtë qytet me një hapësirë më pak se 100 hektarë, për dy muaj rrjesht, banonin 10 veta në 100 metra katror hapësirë.
Në fillimet e para të eksodit, çdo familje kuksiane mbajti në gjirin e saj mbi 30 kosovarë.
Gjatë kohës së eksodit, në qytetin e Kukësit nuk ka pasë asnjë të shtënë me armë zjarri, asnjë të plagosur ose të vrarë. Në asnjë rast, nuk ka pasë ndalime në rrugë, por edhe pre e politikës ultranacionaliste shovene serbo-sllave.
Që nga fillimi i muajit Prill dhe deri në ditët e para të muajit Qershor 1999, në qytetin e Kukësit ditën dhe natën kanë qenë të atashuar me dhjetra agjenci prestigjoze mediatike, me qindra gazetarë, mjekë, vëzhgues e politikanë e organizata humanitare. Në asnjë rast, as edhe një individ nga këta, nuk kanë shprehur as më të voglin dyshim për mikpritjen dhe bujarinë kuksiane. Përkundrazi, ata kanë promovuar, simpatinë dhe respektin më të thellë për këtë komunitet, për intelektualët e tij dhe gjithë drejtuesit e pushtetit vendor. Edhe ata kanë shkruar artikuj gazetash, kanë përcjellë informacione direkte nga Kukësi, kanë botuar libra etj., por ndryshe nga ti, ’Dr.Jurisheviç, ata kanë thenë të vërtetën! Të gjithë së bashku, duke respektuar sedrën e tyre profesionale, sinqeritetin dhe realitetin që kanë përjetuar në Kukës, u bënë iniciatorët e parë në propozimin që qytetit të Kukësit t’i akordohet çmimi “Nobel’’ për paqe.
Dr. Jurisheviç, në gjykimin tim jeni një specialist shumë i djallëzuar për të kryer shërbime inteligjente, duke u kamufluar me bluzën e bardhë të mjekut. Këtë konkluzion unë e nxjerr nga leximi në mes rrjeshtave të librit tuaj ”Duart e Përgjakura”.
Pasi hapa dhe studiova gjithe arkivin filmik të TV-Kukësit dhe nuk e pashë asnjë sekuencë fytyrën tënde dhe as gënjeshtrat tua të vatrës së ‘’Djallit’’, bëra kontakte direkte gojore me personelin e spitalit të Kukësit dhe shfletova gjithë dokumentacionin shumë të saktë të këtij spitali për periudhën Prill-Qershor 1999.
Kolektivi i spitalit më konfirmoi një zëri: ”Djali enigmatik flokëverdhë“ në spitalin e Kukësit është paraqitur vetëm një herë duke u prezantuar si kirurg. Ai nuk ka kryer asnjë ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e Kukësit”!
Duke shfletuar të gjitha kartelat e të shtruarve dhe të operuarve në këtë spital, asgjëkundi nuk del emri i ‘Dr. Kraig Jurisheviçit’.
Dr. Jurisheviç, në librin tuaj famëkeq, keni thurur shumë gënjeshtra dhe insinuata ndaj spitalit të Kukësit dhe personelit të tij të mrekullueshëm.
Në periudhën kur ju ishit në Kukës, dopingjet dhe drogat nuk kanë qenë të njohura, jo më të përdoren nga personeli mjekësor dhe kuksjanët.
Droga prodhohet dhe tregtohet aty ku ju keni vendlindjen tuaj. Ajo transportohet nëpërmjet bagazheve e çantave tuaja.
Sa për të shuar kureshtjen e lexuesve të librit ”Duar të Përgjakura’’ dhe për të treguar punën vetmohuese të personelit shëndetësor të spitalit të Kukësit në periudhën Prill-Maj 1999, po ekspozoj shifrat zyrtare:
– Në Kukës, në spitalin civil ‘’Meriman Braha” janë kryer 147.244 vizita mjekësore.
– Janë shtruar 270 operacione të rënda dhe kanë vdekur vetëm tre vetë.
Në maternitetin e Kukësit:
– Janë vizituar 3850 gra, janë shtruar për mjekim 465 gra dhe kanë lindur 351 fëmijë. Asnjë fëmijë i vdekur në maternitet.
E, kush mund të realizojë një heroizëm të tillë nga një personel mjekësor prej 72 vetash, përveç kuksianëve që t’i dr. Jurisheviç, i ke anatemuar dhe denigruar në librin tuaj famëkeq.
Dr. Jurisheviç, në rrëfimet e librit tuaj , ’’Duart e Përgjakura – kirurgu në luftë”, duke e lexuar me vëmendje, çfarë keni nxirë, mbi letrën e bardhë, më bën përshtypje një fakt: Juve gjendeni prezent gjithnjë në ato raste, ku ka viktima dhe të vrarë. Sipas tregimeve tua, një pjesë e të vrarëve kanë mbetur në duart tua!
Çështjen e prezencës tuaj, në vendngjarjen e viktimave të luftës, për të gjithë opinionin ndërkombëtar dhe lexuesve të librit tuaj, do ta shpjegojë dhe argumentojë nëpërmjet këtij shkrimi.
Ju vini nga një vend, që ka një histori të mbushur me ngjarje shumë të dhimbshme por edhe të gëzueshme! Në mendimin tim, njolla më e pashlyeshme për vendin tënd, është ajo e strehimit të kriminelëve të luftës së dytë botërore. Intuita e gazetarit më thotë: ’’atje janë strehuar edhe të gjithë kriminelët e luftës në Jugosllavi’’, të cilët janë bërë burim i frymëzimit tuaj për librin: ’’Duart e Përgjakura’’.
Dr. Jurisheviç, gjithnjë në gjykimin tim, juve jeni një person shumë i specializuar (veç fushës ushtarake), në artin e prekjes të ndjenjave njerëzore.
Në librin tuaj, ekspozon disa “fakte” tërësisht të pavërteta. ”Fakte” që sensibilizojnë opinionin publik për “vrasjen e fëmijëve”, për “Kanibalizëm” në ngrënien e një lopë në oborrin e spitalit të Kukësit, për lënien e një kufome të një bariu në mëshirën e Korbave etj.
Me cilin komb, kërkon të krijosh poshtërsi ti, Jurisheviç pjellë e genit antishqiptar?!
Shqiptarët, asnjëherë nuk kanë vrarë fëmijët e vet, asnjëherë nuk kanë ngrënë kërma, asnjëherë nuk i kanë lënë njerëzit e tyre t’i hanë korbat.
Mos e eksporto rracën tënde tek shqiptarët Dr. Jurisheviç. Shpifjet dhe gënjeshtrat e tua, janë aq të pavërteta edhe me kolorin nacional-shoviniste serbo-madhe.
Pohimet tua se: ”Kosovarët e vdekur në Kukës, janë varrosur në gropa të përbashkëta”, janë deklarime djallëzore që synojnë të hedhin paralele në mes varrezave masive të Sllobodan Milosheviçit në Kosovë dhe shqiptarëve të Shqipërisë.
Në respekt të lexuesit të librit tënd plot shpifje dhe gënjeshtra, më poshtë po pasqyroj statistikën e plotë zyrtare të vdekurve shqiptarë të dëbuar nga Kosova:
– Gjatë periudhës së krizës kosovare në Kukës ka pasë gjithsej 170 persona të vdekur, kryesisht nga shkaqe natyrale. Varrimi i tyre është bërë në varrezat e qytetit të Kukësit me të gjitha ceremonitë mortore dhe të organizuar e të mbikqyrura nga një komision funeralesh dhe Prokuroria e Kukësit.
Eshtrat e të vdekurve, pas çlirimit të Kosovës janë tërhequr nga familjarët dhe të afërmit e tyre me dokumentacionin e parë.
Libri juaj “Duart e Përgjakura “, i mbushur me shpifje dhe të pavërteta, improvizon skena të llahtarshme në të cilat paskeni qenë prezent dhe paskeni përjetuar, ”dhimbje” të madhe!
E deklaroj me përgjegjësi të plotë, në asnjë rast, ushtria serbe, nuk ka bombarduar fshatrat brenda kufirit shqiptar. Në asnjë rast dhe në asnjë fshat kufitar, nuk jane vrarë me dhjetra civilë, gra e fëmijë, siç thotë Jurisheviçi, në fshatin Qarr e Letaj, ku të ketë dhënë ndihmë mjekësore gjatë udhëtimit të tij për në rrethin e Tropojës.
Absolutisht, nuk është i vërtetë deklarimi i Jurisheviçit se refugjatët e dëbuar nga Kosova, janë vrarë nga snajperat serbë para hyrjes në Shqipëri në pikën e kalimit të Morinit. Sllobodan Millosheviçi, nuk ishte aq budalla që të urdhëronte bombardimet në territorin shqiptar dhe aq më pak, vrasjet e refugjatëve kosovarë në pikën e kalimit kufitar në sytë e qindra gazetarëve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë. Ai ka vrarë dhe masakruar me mijëra kosovarë brenda dhe në thellësi të Kosovës.
Është e vërtetë se ushtria serbe në disa raste ka përdorë artilerinë e saj, por zonat ku janë hedhur predhat në kufirin shqiptar dhe diku në thellësi, kanë qenë territore të shtigjeve të kalimit të forcave dhe armatimit të UÇK-së. Gjithashtu, artileria serbe është përdorur për bombardimin e dy transmetuesve televiziv të TV-Kukësit, në Pogaj e Qafën e Prushit. Predha artilerie të mbushura me mina antipersonel janë hedhur në të gjithë vijën kufitare me Shqipërinë si dhe në thellësi të territorit të Kukësit deri në 20 km, në qendrat e grumbullimit të stërvitjes së ushtarëve të UÇK-së.
Dr. Jurisheviç e lexoj librin tuaj me shumë qetësi, megjithatë me shumë mundim gjej forca ta përmbaj veten përpara atyre gënjeshtrave dhe shpifjeve që keni sajuar.
Insinuatat tuaja për veprimtarinë ‘’mafioze’’ të qeverisë shqiptare dhe asaj vendore të cilat gjoja kanë “lënë në mëshirën e fatit” refugjatët kosovarë është një paradoks i një mendje skizofrenike të një individi të quajtur Kraig Jurisheviç. Për fatin e keq të Jurisheviçit, i gjithë eksodi i madh kosovar është i incizuar nga qindra agjenci prestigjoze ndërkombëtare.
Incizimet dhe pohimet e tyre evidentojnë përkushtimin e jashtëzakonshëm të qeverisë shqiptare dhe organeve të pushtetit vendor për tu ardhur në ndihmë kosovarëve.
Kukësin dhe vendbanimet e përkohshme të refugjateve kosovarë, i kanë vizituar për çdo ditë, veç përfaqësuesit të qeverisë qendrore, drejtuesit e organizatave humanitare ndërkombëtare, por edhe shumë personalitete të rendësishme botërore si; Kofi Anan, Sadako Ogata, Maximo D’Alema, Tony Bler, Wesli Klrak, Skalfaro etj.
Përballë vëzhgimeve dhe deklarimeve të këtyre figurave madhore, zëri juaj, Dr.Jurisheviç, është një zë ‘’kanguri’’ i vetmuar në shkretëtirat australiane.
Frika për “pasigurinë“ e jetës tuaj të cilën e shprehni, që në zbritjen në Aeroportin e Rinasit, deri në momentin e largimit nga Kukësi është e motivuar.
Në mendimin tim, duke qenë se ishit ngarkuar me të tjera misione, juve ju bënte “bishti hije” dhe nga ana tjetër, ju doni të paraqitni veten tuaj, si një “hero” që bën “çudira” në një vend të humbur dhe me njerëz të “egër”! Jo, dr.Jurisheviç, në asnjë rast heronjtë e vërtetë nuk jetojnë me ndjenjën e frikës. Trimëria dhe frika nuk bashkëjetojnë në ndërgjegjen e qenieve njerëzore.
Duke jetuar gjithnjë me stresin e frikës Dr. Jurisheviç, në librin e tij ndërton një skenar sikur kampet e akomodimit të refugjatëve kosovarë, do të bombardohen nga çasti në çast prej ushtrisë serbe!
Si ekspert i mirëfilltë ushtarak, Jurisheviçi e di mirë se Sllobodan Milloshevici, nuk do ta bënte atë gafë të madhe sepse më pas, do të duhej të përballej me të gjitha shtetet demokratike botërore në një konflikt të armatosur. Jurisheviçi e dinte gjithashtu (se për të njëjtat arsye), Millosheviçi nuk do të guxonte të sulmonte dhe cënonte integritetin e Shqipërisë. Gënjeshtrat që fabrikon Jurisheviçi për këto dy çështje, synojnë për të mbuluar, veprimtarinë e tij të dyshuar gjatë infiltrimit në rradhët e UÇK-së.
Ti, dr.Jurisheviç, falë përvojës tuaj penetruese në zonat e konflikteve ushtarake, bëre ç’bëre dhe arrite qëllimin për tu infiltruar në rradhët e UÇK-së.
Vetë Komandant Misini, tashmë e ndjen përgjegjësinë e madhe morale për atë gabim të madh që ka bërë duke ju ofruar besë dhe miqësi shqiptare.
Nëse keni sadopak vërtetësi në zhgarravinat e librit tuaj, ju duhet t’i kërkoni një ballafaqim publik komandant Misinit, për vërtetësinë e ngjarjeve në Helshan. Në të kundërt, jam i bindur se komandant Misini edhe po të futeni në “vrimën e miut”, do t’ju gjejë për të dëshmuar mbi të vërtetën dhe çfarë keni pohuar në librin tuaj.
I veshur me kamuflazhin e “mjekut human”, në librin tuaj të mashtrimit të madh, kërkoni të krijoni imazhin bindës se: UÇK-ja ishte një organizatë “terroriste fondamentaliste”. Ishte një organizatë e “ç’organizuar“ pa motiv dhe ideal kombëtar, ishte një “tullumbace” i lëshuar mbi Kosovë nga faktorët e jashtëm ndërkombëtar, armiq të Serbise të cilët synojnë të marrin në qafë rininë kosovare.
Përpara se t’ju shpjegoj dhe argumentoj kundrathëniet tuaja, dëshiroj t’ju rikujtoj historinë: Populli shqiptar ndër shekuj, në asnjë rast nuk ka bërë luftë për të pushtuar popujt e tjerë në truallin e tyre. Stërgjyshërit, gjyshërit dhe pinjollët e sotëm të rracës tënde, për mëse pesë shekuj, invazionin, pushtimin dhe genocidin, e kanë ushtruar mbi shqiptarët.
Ka qenë ndjenja e lartë patriotike atdhedashëse dhe urrejtja e madhe ndaj pushtuesit, që na ka ndarë në shqiptarëve nga ju sllavëve. Ndaj, nga e gjithë përvoja e hidhur historike, UÇK-ja përshpejtoi vetëorganizimin e popullit të Kosovës në rezistencën e armatosur kundra regjimit shtypës dhe makinerisë ushtarake serbe.
Në këto rrethana, e para në frontin e luftës u rrjeshtua rinia kosovare shqiptare të Shqipërisë dhe diaspora shqiptare të cilët me plot dëshirë, vullnet dhe moral kombëtar u bashkangjitën me formacionet ushtarake duke krijuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ata nuk ishin njerëz të gënjyer për tu bërë “mish për top”, as edhe nuk erdhën në frontin e luftës për të bërë “Teatrin e Kukullave” siç pretendon t’i paraqesë autori i librit.
Edhe pse të rinj në moshë, ushtarët e UÇK-së dhe komanadantët e tyre janë trajnuar në mënyrë më profesionale (para se të shkonin në frontin e luftës), për artin e luftës, për luftën guerile dhe frontale etj, nga ekspertët dhe komandantët më të specializuar shqiptarë. Një pjesë e këtyre komandantëve, kanë qenë në krye të formacioneve ushtarake dhe për asnjë rast nuk i kanë braktisur ushtarët e tyre të dashur në llogoret e luftës siç pretendon të njollos figurën e komandanteve të UÇK-së “Kobra” australiane.
Shija e hidhur që krijon te lexuesit libri ”Duart e Përgjakura“, nuk shmang edhe dyshimin e ligjshëm për autorin e tij si një antishqiptar i tërbuar dhe bashkëpunëtor i afërt i Sllobodan Millosheviçit. Për të tillë njerëz kishte shumë nevojë ushtria dhe forcat paramilitare serbe. Informacionet sekrete mbi dislokimin në terren të forcave të UÇK-së, e në veçanti, u duhej një njeri me titullin “kirurg”, për t’i çuar në botën e përtejme të gjithë ushtarët e plagosur të UÇK-së.
Duke marrë shkas nga sa citova me sipër, u bëj thirrje vëllazërore të gjithe personave të përmendur në librin e Kraig Jurisheviçit, të gjithë individëve që kanë pasë kontakt me të të lëshojnë deklaratën personale mbi veprën dhe veprimtarinë e tij.
Ndërkohë, ftoj Prokuroren e Përgjithshme dhe Avokatin e Shtetit Shqiptar, të hapë sa më parë padinë penale ndaj fallsifikatorit të fakteve, shpifësit, gënjeshtarit dhe veprimtaritë me paramendim në dëm të interesave tona kombëtare dhe të gjithë popullit shqiptar.
Me intuitën e gazetarit, jam thellësisht i bindur se libri “Duart e Përgjakura – Kirurgu në luftë” është shkruar dhe promovuar nga qarqet shoviniste serbomadhe të Beogradit, ndërsa; “kirurgu” Jurisheviç ka prodhuar vetëm koperinën e tij.
Dr. Jurisheviç përsa keni baltosur dhe keni ngritë një “mal” me gënjeshtra, nuk e besoj, se kur të vijë dita juaj e gjykimit mund t’ju vijnë në ndihmë, ”vullnetarët “ siç kërkon t’i paraqesësh ti; as mjeku Ylber Vata, as Milaim Cengu, as mjeku Hysni Hoxha e komandant Alia, por edhe as dr. Erik Fosse!
Në CV-in tuaj, ju zoti Jurisheviç prezantoheni si kirurg në Adelaide dhe ligjërues i lartë në Universitetin e Adelaides!
E them me bindjen e patundur nëse komuniteti i Adelaides do të hulumtonte karakterin dhe veprimtarinë tuaj, me siguri do t’ju përzinte nga territori i saj.
Do të përpiqem të lidhem me Universitetin e Adelaides, për t’i treguar të vërtetën e veprimtarisë dhe karakterin e Jurisheviçit.
* * *
Së fundi dua të shpreh disa fjalë për Botuesin “Koha” në Prishtinë.
Duke respektuar përpjekjet tuaja për zhvillimin e biznesit të lirë në shtetin e pavarur të Kosovës të krijuar nga lufta heroike e UÇK-së jam në mospajtim me ju!
Në rastin e botimit të këtij libri me karakter thellësisht antishqiptar, i cili synon të njollosë dhe denigrojë karakterin e shqiptarit, besën, bujarinë, moralin, burrërinë e mbi të gjitha trimërinë dhe patriotizmin për atdheun dhe flamurin kombëtar.
Esenca e librit që ju keni botuar (veç të tjerave) synon të mohojë rolin vendimtar të faktorit të brendshëm të popullit të Kosovës dhe UÇK-së në çlirimin e Kosovës.
Janë me dhjetra shtëpi botuese në disa vende të botës që kanë botuar studime dhe libra, të cilat veç pasqyrimit të realitetit kanë shprehur respektin e thellë për rezistencën e popullit të Kosovës për organizimin, disiplinën dhe heroizmin e UÇK-së.
Nëse mospjesëmarrja juaj në rradhët e UÇK-së, ishte një dobësi (dhe preferuat luftën ta ndiqni nga hotel Grandi), tani që keni marrë lirinë e pamerituar nga pjesa e popullit të Kosovës, nuk duhet tëy shprehni kaq hapur xhelozinë duke i shërbyer deformimit të historisë çlirimtare të Kosovës!
*) Autori është Drejtor i TV – Kukësit
…………………………………………………..
“Kulla e Qëndresës” në Kukës – simbolizon golgotën shqiptare të vitit 1999 dhe hapjen e dyerve nga vëllezërit tanë për mijëra familje shqiptare që u dëbuan me dhunë nga vatrat e tyre stërgjyshore!
……………………………………………………..
(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)