SADRI RAMABAJA: REPUBLIKA SI PENG

Prishtinë, 21. 04. 2015 – Për gjëmën që i kanë bërë bandat e PDLDK-së Repubikës, në sheshet e Prishtinës, të shtunën që lamë pas, do të duhej të ishin mbi 100.000 qytetarë. Por, ku janë burimet e apatisë politike, mungesës së veprimit qytetarë në Kosovën tashmë të lirë nga Serbia? Përse gjithë kjo mungesë e ndjeshmërisë sociale?
– Në memorien historike të këtij vendi, gjithësesi do të mbesin të stivuara, si në arkivat e sofistikuara të historisë, të bëmat dhe të pabërat e politikës. Analizat e gjertanishme të lindjes së pseudopluralizmit organizativ e politik në Kosovë, tregojnë se ajo ishte kryesisht pjellë e taktikës së faktorit të jashtëm në bashkëpunim me përfaqësuesit e ish-nomenklaturës politike të Kosovës që i shërbeu Beogradit, për mbajtjen në jetë të statuskuosë në Kosovë. Rrjedhimisht ky lloj i organizimit në dekadën e fundit të shek. XX-të, ishte faktor determinues i dobësimit të rezistencës dhe unitetit kombëtar. Ndërkaq, në aspektin ideologjik, ekzistimi i aq shumë subjekteve politike në gjendje pushtimi dhe lufte, ishte jo vetëm në kundërshtim me teoritë politike që e trajtonin Kosovën si koloni e fundit në Evropë, por edhe me praktikën çlirimtare gjithandej ku po luftohej për liri dhe demokraci.

LDK- produkt i skenarëve jashtë Kosovës
Shikuar nga këndi teorik (politiko-juridik) i organizimit të shtetit dhe i organizimit të pluralizmit politik, ushtrimi i veprimtarisë legale nga ana e subjekteve politike pa ekzistimin e Kuvendit të Kosovës, legjitimonte de fakto njohjen e sovranitetit të Serbisë mbi territorin e Kosovës. Ndërkaq, lejimi i veprimtarisë legale politike, nënkuptonte koketim (kolaborim) me pushtuesin. (Krahaso kolaborimin e disa forcave politike të ashtuquajtura të djathta në epokën e pushtimit nazist në gjithë hemisferën e Evropës Juglindore, përfshi edhe atë të të ashtuquajturës Shqipëri e madhe).
Që të jetë absurdi politik edhe më i madhë, shumë nga këto subjekte, ndërkaq LDK në mënyrë më specifike, thirreshin në tezën e legaliteit, duke u bazuar në faktin se ishin të regjistruara të organet e pushtuesit – Ministria e Drejtësisë në Beograd!
Mënyra e veprimtarisë së LDK-së dhe raportet e saj me Serbinë përgjatë gjithë asaj dekade, ndikuan dukshëm në spostimin e vëmendjes së popullit nga çështja qenësore për çlirim, në çështjen e interesit individual, grupor e partiak, duke i mbivendosur këto interesa mbi interesin kombëtar! Ky instalim i moralit të dyfishtë në politikë, e zhveshi deri në absurd politikën si teori dhe praktikë nga etika.
Prandaj,do shtruar edhe sot pyetjen që kërkon pegjigje pa ekuivoke nga shkenca shqiptare: ky lloj organizimi a ishte rezultat i skenarëve të bërë në laboratorët jashtë Kosovës, apo produkt i vetëdijes dhe i nevojës së organizimit kombëtar?!
Rrjedhimisht, konkluzioni se LDK-ja që nga themelimi, por sidomos prej vitit 1995 (Dejtoni), e tutje, ishte angazhuar kryekëput në shërbim të procesit antihistorik, ruajtjen e statuskuosë, që rezultoi me shkatërrimin e sistemit arsimor (mbylljen e tij në shtëpi private) dhe me shpërlarjen e trurit… sot, duke studjuar me vëmendje këtë apati politike, sidomos mungesën e ndjeshmërisë sociale, duket mëse logjik.
Ndërkaq veprimi i strukturave drejtuese të LDK-së pas luftës, është konform interesave të skenarëve që kishin sjellë në jetë LDK-në, por edhe i klaneve të saj të ndërlidhur me krimin ordiner dhe me qarqet politike të interesuara të ruajnë tutje status kuonë nën UNMIK-un, respektivisht nën EULEX-in.
Në dobi të kësaj teze, shkon edhe bashkëpunimi i saj i fshehur dhe i hapur me PDK dhe segmentet e inkriminuara të saj.
PDK- zëvendësim sui generis i LDK-së së viteve ‘90-ta
Ata që kishin bërë puç brenda LPK-së (qershor 1998) dhe në kulmin e luftës futën nën kontroll UÇK (natyrisht me ndihmën e segmenteve të inkriminuara të Shtetit Shqiptar, parasëgjithash kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar), nuk do të ishte e logjikshme të pritej që të angazhoheshin pas luftës në procesin e ndërtimit dhe prosperimit të Republikës.
Këto struktura, për njohësit e rrethanave politke brenda ilegales, tashmë është e qartë, me kohë (së paku që nga Konferenca e Rambujesë), ishin vënë plotësisht në shërbim të agjendës së huaj për Kosovën. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe çarmatimi aq i përshpejtuar i UÇK-së, tërheqja nga Veriu, pregaditja e terrenit për nënshtrimin e plotë të Kuvendit duke miratuar formimin e Gjykatës Speciale si akt antihistorik dhe krejtësisht i padrejtë e politik etj.
Por, e kësaj natyre është edhe loja deri në absurd me asetet ekonomike të vendit (rasti morbid me FERONIKLIN, Rrjetin energjetik…), pranimi deri në nënshtrim për ndërlidhje koalicionesh me LDK-në (që kishte shprehur gadishmëri për të nënshkruar madje edhe variantin e parë të marrveshjes së Rambujesë, që do të mund ta shndërronte Kosovën në një rezervat modern indianësh në Evropë!)dhe sot madje edhe me Listën Serbe, gjithnjë duke pas parasysh mbetjen me çdo çmim në pushtet.
Kulmi i krejt këtij veprimi antikushtetues e antikombëtar i krerëve të PDK-së do të kurorëzohet me nënshkrimin e Marrveshjes së 19 prillit 2013. Me atë rast do t’i hapet rrugë bashkëqeverisjes së Kosovës me Beogradin. Kjo marrveshje duket se na rikthen në kujtesë tezën e shumëproklamuar të Rugovës mbi të ashtuquajturin projekt politik për një Kosovë të hapur për Serbinë dhe Shqipërinë! A nuk është ky zëvendësim sui generis i LDK-së përmes PDK-së që do t’i shpjerë tutje skenarët politik për të cilët qe krijuar LDK-ja, qofshin ata edhe të korrektuar?!
Qeveria e brishtë – mbështetet në forcën e pushtetit
Çfardo përpjekje serioze për ta larguar nga skena politike këtë bandë tashmë të bashkuar, do të has në rezistencë të përqëndruar. Reagimi në unison i Mustafës dhe Thaçit në raport me protestën e 18 prillit të organizuar nga opozita nën moton për shkapjen e shtetit, ishte sinjali më i mirë për ndjeshmërinë e saj.
Përqëndrimi i njësive speciale të Policisë gjoja në mbrojtje të institucioneve dhe orkestrimi i antipropagandës për të friksuar qytetarët për ditë të tëra, ishte pasqyra më reale e frikës që ndjen kjo bandë nga çfrdo ndryshimi politik të mundshëm, respektivisht nga humbja e pushtetit.
Bllokimi pothuajse i plotë i mediave për ta pasqyruar protestën në çfardo forme profesionale, ishte edhe një dëshmi shtesë për panikun që kishte kapluar qeverinë.
Një Televizion privat – servis i qeverisë, shkonte deri në absurd, sa lajmin e fillonte me shënimin: Policia sot nuk pati punë! Ndërkaqë vetë Institucioni i Policisë u shndërrua në instrument propagandues të qeverisë!
Nuk ishte e rastësishme që protesta gjeti vlerësim shumë më real në mediat e jashtme, se sa në mediat e kontrolluara nga kjo qeveri.
Opozita e bashkuar në këtë protestë, kësaj radhe, dëshmoi sa pjekuri politike po aq edhe pragmatizëm politik. Ndryshimet që i duhen Republikës nuk janë të mundshme pa një bashkim të gjerë. Shih për këtë, çfardo vërejtjesh që artikulohen tashmë nga tabori i analistëve oborrtar apo të ashtuquajtur puristë pedantë, shpjejnë ujë në mullirin e konsorciumit PDK&LDK.
Kjo qeveri, sadoqë ka shumicën parlamentare, pra pavarësisht diktaturës së numrave, edhe me këtë rast u dëshmua tejet e brishtë. Ajo bazohet, shih për këtë, vetëm në forcën e pushtetit.
Sërish koha është e idealistëve
Bashkarisht, këto dy forca – LDK dhe PDK, çfardo hetimi serioz në një shtet të së drejtës, do t’ i kualifikonte si banda të organizuara. Ato,sot, sa më gjatë që janë në krye të piramidës shtetërore, defunksionalizojnë çdo segment të saj, meqë Republikën vazhdojnë ta trajtojnë si peng. Në fakt koalicioni mes PDK-sëdhe LDK-së, duke e trajtuar Repubikën si peng, gjithnjë e më shumë e bën atë më të brishtë, duke e futur në terrenin e Shtetit në dështim, rrjedhimisht do ta shtyjë në kalendra greke bashkimin. Këto politika më në fund prodhuan ekzodin e pothuajse 100.000 qytetarëve të kësaj Republike, që duket se ju është vrarë shpresa.
Vallë,a nuk është ky projekti i Beogradit?
Që të gjitha projektet politike të formatit të kryevlerës politike me emrin shtet, kanë nevojë për idealistë eprofesionistë, ndërkaq ata të formatit të vogël, kanë nevojë të dyfishtë për këto shtresa.
Është detyrë imediate e idealistëve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme, kudo që janë, brenda hapësirës shqiptare, e veçmas e atyre në mërgatë (Perendim), sërish të riorganizohen dhe t’i hyjnë procesit të çlirimit dhe funksionalizimit të Republikës, gjithnjë në funksion të bashkimit.

– Kontakti me autorin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura