New York, 6. 6. 2016: (Në përgjigje Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi) – Kohë më parë në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi u botuan disa komente për shqiptarët në këtë vend. Ato komente ishin tendencioze absurde dhe absolutisht të papranueshme. Trillimet e tyre për shqiptarët në Mal të Zi janë në kundërshtim të plotë me shkencën dhe artin, sepse aty nuk ka as shkencë as art. Është një sajesë qëllimkeqe dhe komentet e tilla janë qesharake për një institucion kaq të lartë shkencor dhe artistik. Politikanët, gazetarët dhe analistët shqiptarë të Malit të Zi reaguan dukshëm ndaj atyre komenteve të papranueshme dhe antishkencore. Shqiptarët në Mal të Zi janë autokton ashtu siç janë indianët vendas të Amerikës. Për autoktoninë e tyre kanë shkruar historianët, dhe poetët e kohës Antike të Mesjetes dhe më vonë. Mjaftojnë studimet dhe botimet e Millan Shufllajit. Por ata pseudohistorianë duan ta mbulojnë diellin me shosh, që është diçka e pamundur.
Sipas autorit, filozofit dhe disidentit të njohur malazez Millovan Gjillash, Mark Milani është dijetari dhe autori i dytë më i madh i Malit të Zi pas Peter Petroviq Njegoshit. Mark Milani ka shkruar shumë për shqiptarët. Vepra e tij letrare më e njohur është “Shëmbuj Burrërie dhe Trimërie – Jeta dhe Zakonet e Shqiptarëve”. Kjo vepër është përkthyer në gjuhën shqipe nga Pjetër Lucaj dhe është botuar në Podgoricë në vitin 2001. Në asnjë shkrim të Mark Milanit nuk flitet për shqiptarizimin e malazezëve ose të sllavëve tjerë në këtë vend. Sikur të kishte ndodhur një fenomen i tillë Mark Milani do të kishte shkruar për këtë çështje.
Mark Milani 1833 – 1901
Bëhet pyetja vallë ata që e përpiluan këtë pjesë për shqiptarët a ishin në dijeni për këtë vepër të madhe të Mark Milanit dhe pse nuk i morën parasysh temat shumë mirë të shtjelluara të këtij këtij autori me famë në Mal të Zi?
Historia tregon se Mark Milani ishte ballafaquar shumë herë, bile edhe në fronte të luftës kundër shqiptarëve, por në fund e kishte thënë të vërtetën, siç ka thënë Gjergj Fishta: ”Kija gjakun por folja hakun”. Në vazhdim mund të lexoni vetëm një koment të shkurtër të Mark Milanit për shqiptarët marrë nga vepra e tij: “Shëmbuj Burrërie e Trimërie, Jeta dhe Zakonet e Shqiptarëve”.
MARK MILANI:
“Më ka pushtuar aq shumë smundja, sa që nuk jam në gjëndje të vazhdoj me shembujt e tillë shqiptarë. Megjithatë dua të tregoj çfarë është e domosdoshme. Puno o serb, o vëlla, me shqiptarët se do të fitosh! Trokit në dyert e tyre dhe ato do të hapen. Puno me besnikëri dhe vetëmohim! Mos u mbështet në shkathtësinë tënde dhe as në thjeshtësinë e tyre duke menduar se mund t’i mashtrosh lehtë! Ata nuk duhet ta kuptojnë se punon më tepër për nderin dhe lavdinë e tënde se sa të tyre! Nuk guxon që t’u japësh shkas për t’i ngulur mbi ty njëmijë shikime për t’i zbuluar dredhitë dhe të metat e tua. Ata janë popull i thjeshtë, dhe kur të shohin tek ti të vërtetën e pastërt, hidhen bashkë me ty në flakë dhe në ujë!”…
Siç thashë, për fat të keq, smundja nuk më lejon të vazhdoj më tej tregimin.
Ndërsa bashkëshortja e Mark Milanit-Stefa Milani po në këtë vepër i drejtohet lexuesit me këto fjale:
STEFA MILANI:
“Bashkëshorti im i ndjerë Mark Milani Popoviq, vojovodë i Malit të Zi, u lind dhe u rrit në fqinjësi me shqiptarët. Jetoi me ta në miqësi dhe harmoni deri në vdekje, kështu që ka pasur mjaft raste që nga afër të depërtojë në thellësinë e shpirtit të tyre, të njihet gjithanshëm me vetitë dhe jetën e atij populli në çdo pikëpamje. Duke parë tek shqiptarët një popull trim, të ndershëm dhe heroik, bashkëshorti im i adhuroi shqiptarët me tërë forcën e shpirtit të vet. Nga ana tjetër duke menduar mbi përparimin dhe të ardhmen e popullit serb, është bindur se interesat e serbëve dhe të shqiptarëve janë të ngjajshme dhe se në mirëkuptimin dhe harmonin reciproke qëndron shpëtimi dhe përparimi i të dy popujëve. Duke qënë në efektet shpëtimprurëse të kësaj ideje, ai gjatë tërë jetësë se vet ka punuar dhe është përpjekur për njohjen më të mirë reciproke dhe për një afrim më të madh ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, kështu që në disa raste jetike u gjetën krah për krah pjesëtarët e të dy popujëve martirë në mbrojtjen e interesave të përbashkëta. Veprimtaria e përbashkët me shqiptarët ka qënë për Markun e ndjerë, program politik gjatë jetës, dhe amanete politike pas vdekjes, siç theksoi bashkëvendasi i tij , zotëri Mihaillo Vukceviq me rastin e botimit të kësaj vepre. Që të përfitonte sa më shumë serbë të shkolluar në favor të idesë së vet, në veçanti nga mesi i brezit të ri, pak para vdekjes së vet e shkroi veprën “Jeta dhe Zakonet e Shqiptarëve”. Në mënyrë që serbi të njihet me anët e mira të këtij populli trim dhe krenar dhe për shumçka i afërt me popullin serb, duke kërkuar që të bashkohet me të në luftë kundër armikut të përbashkët”.
Pse autorët e Fjalorit Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi nuk e morën parasysh këtë vepër të Mark Milanit prej pothuajse 310 faqesh dhe shumë vepra të tjera shkencore për autoktoninë e shqiptarëve në atë vend. Nuk jemi në dijeni nëse kanë reaguar Akademia e Shkencave e Shqipërise dhe e Kosovës. Nëse jo është detyrë e tyre shkencore dhe morale që ta shpjegojnë këtë çështje njëherë e përgjithmonë.