MEHMET HAJRIZI: VISARI, HILMIU DHE LABINOTI ISHIN PJESË E ORTEKUT TE UÇK’ës

 Prishtinë, 7. 6. 2016: (Fjalë në Akademinë përkujtimore për dëshmorët Visar e Labinot Krasniqi dhe Hilmi Hoti – Prishtinë, më 6 qershor 2016)
Të nderuara familje të dëshmorëve
Të nderuar veteranë të Luftës dhe të Lëvizjes Kombëtare
Zonja dhe zotërinj

Në këtë përvjetor të pesëmbëdhjetë të rënies së dëshmorëve, Visar e Labinot Krasniqi dhe Hilmi Hoti, ndjejmë peshën e dhembjes, por edhe krenarinë e ligjshme për bijtë tanë të pavdekshëm.
Këta luftëtarë trima rridhnin nga familje patriotike dhe bujare, përfaqësuese të trimërisë dhe burrërisë shqiptare. Në Njësitin e parë Operativ “Lumi” të UÇK-së në Malishevë, jo rastësisht ndodheshin pjesëtarë të familjeve të këtyre dëshmorëve, si Imer, Gani, Skënder, Adem Krasniqi, Skënder e Enver Hoti, të gjithë nga Carralluka, pastaj Ismet Krasniqi, nga Drenoci, etj. Me riorganizimin e UÇK-së, Njësiti Operativ “Lumi” përbënte bërthamën e Brigadës 122 “Imer Krasniqi” në trevën e Malishevës.

Dëshmorët tanë u rritën në odat tradicionale shqiptare, ku këndoheshin këngë kreshnike e patriotike, aq shumë të kultivuara në Llapushë nga rapsodë të njohur, por edhe ku ligjërohej historia e lavdishme e qëndresa shekullore e popullit shqiptar. Në këto oda të mikpritjes e të bujarisë kishin hyrë burra të mençur të kombit e luftëtarë të lirisë, duke lënë aty frymën e edukimit patriotik e të shpirtit luftarak.
Llapusha e vogël i ka dhënë burra të mëdhenj Lëvizjes Kombëtare dhe dëshmorë të shumtë Atdheut, si Sadik Rama, Ymer e Rifat Berisha, Kajtaz Ramadani, Kadri Minushi, Selman Bani etj. Gjatë Luftës së UÇK-së nga kjo krahinë ranë me armë në dorë, Mujë Krasniqi, Xhevë Krasniqi-Lladrovci , Hamdi Berisha dhe mbi njëqind dëshmorë të tjerë që nuk do të vdesin kurrë.
Visari, Hilmiu dhe Labinoti ishin pjesë e ortekut të quajtur UÇK, i cili sa vinte dhe rritej, për të mos u ndalur, betejë pas beteje, që nga malet e Kosovës, drejt viseve shqiptare të Luginës së Preshevës e në Maqedoni.
Të nderuar të pranishëm
Shkaqet e Luftës së vitit 2001 në Maqedoni ishin mohimi i të drejtave të shqiptarëve të atjeshëm, diskriminimi në mënyrë sistematike i tyre dhe pamundësia e realizimit të drejtave legjitime me mjete politike dhe në rrugë paqësore.
Në kapërcyell të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, filluan procese të transformimit demokratik në rajonin tonë, por gjendja e shqiptarëve të robëruar, në vend të përmirësimit, po përkeqësohej nga dita në ditë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare në fund të shekullit të kaluar dhe solidariteti ndërkombëtar, dëbuan forcat e pushtuesit serb nga Kosova, por çështja shqiptare në Maqedoni, Serbi e gjetkë, padrejtësisht po injorohej nga Bashkësia Ndërkombëtare. Për pasojë atje filluan aksione çlirimtare për të mbrojtur dinjitetin shqiptar dhe për të realizuar kështu të drejtat e shtypura me gjak e hekur. Sikur në Kosovë, edhe atje, luftëtarë nga të gjitha viset shqiptare, i bashkuan armët për fatin e përbashkët kombëtar, për liri a vdekje. Në mesin e shumë vullnetarëve nga Kosova, vëllezërve të tyre në Maqedoni u shkuan në ndihmë, me armë në dorë edhe dëshmorët që po përkujtojmë me pietet sot me këtë veprimtari.

Labinot Krasniqi (21 korrik 1978 – 6 qershor 2001) nga Carralluka e Malishevës, ishte pinjoll i një familjeje me tradita patriotike, luftarake e bujarie shqiptare. Kushëriri i tij, Imer Krasniqi, luftëtari i orëve të para dhe dëshmori i parë i UÇK-së në trevën e Malishevës, ishte bërë shembull frymëzimi dhe edukimi, jo vetëm për Labinotin, por për të gjithë ushtarët trima çlirimtarë të Llapushës e të Kosovës. Fill pas marrjes nën kontroll të Grykës së Llapushnikut nga UÇK, ku kishte shkëlqyer me trimëri e art luftarak Imer Krasniqi, shpesh duke luftuar në këmbë përballë armikut, më 9 maj 1998, Komuna e Malishevës u shpall zonë e lirë dhe e kontrolluar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Fitorja nuk i përket vetëm forcës së armës, por mbi të gjitha fuqisë së moralit idealist dhe vendosmërisë për të fituar.
I ati i Labinotit, Gani Krasniqi është veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare, i dënuar me burgim të gjatë nga regjimi pushtues dhe njëra nga figurat emblematike të Luftës çlirimtare në Llapushë.
Labinoti, si nxënës, i frymëzuar nga gjyshi dhe babai, organizonte protesta në shkollë, kurse më vonë bashkë me vëllezërit, emigroi në vendet e Evropës Perëndimore dhe pastaj ndihmuan materialisht UÇK-në dhe luftuan me armë në dorë.
Kur shpërtheu Lufta në viset shqiptare nën Maqedoni në vitin 2001, Labinoti si shumë bashkëluftëtarë nga Kosova, hyn në radhët e çlirimtarëve, duke u sistemuar në Brigadën 113 “Ismet Jashari-Kumanova” të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Aty gjeti kushëririn e tij, Muhametin, i njohur si “Komandant Malisheva”, i cili po e drejtonte një batalion çlirimtarësh. Brigada mbante emrin e luftëtarit trim nga Kumanova, i cili luftoi dhe ra dëshmor, sikur edhe Indrit Cara nga Kavaja, për çlirimin e Llapushës e të Kosovës. Labinoti nga Kosova, si trim i pashoq, ushtar i disiplinuar dhe strateg luftarak, po luftonte në Kumanovën e Ismetit, duke mbajtur lart emrin e tij, si flamur betejash.
Hilmi Hoti (15 mars 1980 – 10 gusht 2001), bashkëvendës i Labinotit, ishte i biri i dytë i Hysni Hotit, veprimtar i viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, pjesëtar i njërës nga organizatat më të mëdha të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës. Pas veprimtarisë së tij të gjatë dhe të lavdishme, Hysniu arrestohet nga regjimi pushtues dhe dënohet me shumë vite burgim. Kur iu arrestua babai, Hilmiu ishte fëmijë i vogël, por u edukua nga e ëma, shëmbëlltyra e të atit, tradita patriotike e familjes dhe e popullit që e lindi. Në një aksident më 1990, Hysniu humbi jetën, por Hilmiu bashkë me vëllain e madh, Samiun u bënë mbajtësit e familjes, me nënën dhe dy motrat. Si nxënës i zellshëm, Hilmiu mbaroi shkollimin e mesëm, për të vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës.
Gjatë Luftës u kap nga forcat serbe dhe mbajti burg në Pozharevc deri pas çlirimit të Kosovës. Kur po përgatitej t’i vazhdonte studimet, nisi Lufta në Maqedoni, kushtrimit të së cilës Hilmiu iu përgjigj, duke pezulluar sërish shkollimin.
Visar Krasniqi (26 shkurt 1981 – 2 qershor 2001), ishte nga Drenoci i Malishevës. Visari ambicioz dhe i shkathët, do të ishte sot një nga mjekët më të mirë të Kosovës, po të mos e kishte atdheun të robëruar. Ai kishte mbaruar shkollën e mjekësisë dhe me sukses të plotë vazhdonte studimet për doktor, që t’i shërbente shëndetit të popullit të vet. Përveç këtij qëllimi profesional, ai do të fejohej shumë shpejt me të dashurën e tij, por një qëllim i tretë ishte mbi dy të parët, prandaj ndoqi rrugën e lirisë e të sakrificës për atdheun. Visari me përvojën dhe shkathtësitë luftarake të fituara në Luftën e UÇK-së në Kosovë, iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, më 16 mars të vitit 2001.
Në betejat e Likovës dhe Mateçit të Kumanovës, po zhvilloheshin luftime të rrepta, në të cilat trimat nga Llapusha dëshmuan heroizëm luftarak. Pas një javë luftimesh çlirimtarët ngadhënjyen mbi forca shumëfish më të mëdha dhe të pajisura me armatim modern. Në këtë betejë, ra duke luftuar ballë për ballë Visar Krasniqi, më 2 qershor të vitit 2001. Vetëm katër ditë pas rënies së Visarit, Ushtria Çlirimtare Kombëtare e ka çliruar Mateçin.
Në luftimet për çlirimin e plotë të Mateçit, më 6 qershor, gjatë aksionit për ta marrë Stacionin Policor në këtë fshat, nga shpërthimi i eksplozivit në këtë stacion, bie në altarin e lirisë edhe Labinoti bashkë me dy luftëtarë të tjerë, Isanë nga fshati Hotël dhe Faikun nga Kumanova. Me nderime të larta ushtarake të rënët u varrosën mbrëmjen e 6 qershorit. Pas rënies së Labinotit dhe Visarit, vëllezërit e tyre, Mehdini (Dini) dhe Ardiani, shkuan në front për t’i zëvendësuar dëshmorët e saporënë.
Në frontet e rrethinës së Kumanovës, dy muaj më vonë, më 10 gusht, bie heroikisht edhe dëshmori i tretë nga komuna e Malishevës, Hilmi Hysni Hoti. Kur ishte nisur për Maqedoni ai i kishte thënë nënës së vet: “Të lutem nënë, mos më ndalo në rrugën e babait”.
Tre dëshmorët e Llapushës pushojnë në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Hotël të komunës së Likovës, kurse emrat e tyre i mbajnë me nder e krenari shkollat në Carrallukë, Drenoc e Mirushë të Malishevës.
E përbashkëta e dëshmorëve ishin ideali dhe qëllimi i tyre, mosha e lules së rinisë, nga 20-23 vjeç, si dhe ajo verë e rënies në fushën e nderit. Ata sapo kishin filluar jetën, plot entuziazëm dhe vullnet, me shpresë dhe energji djaloshare, të motivuar për të luftuar me vetëmohim për lirinë e kombit të vet. Të tre e kishin kryer shkollimin e mesëm, duke filluar studimet, për të mos i mbaruar kurrë, por për t’u pajisur me diplomën e nderit të kombit, të atdhedashurisë dhe të sakrificës supreme për lirinë. Ata në fakt u kthyen në universitetin e përjetshëm të edukimit atdhetar të brezave dhe të kultivimit të vlerave e të virtyteve më të larta njerëzore e kombëtare. Si të rinj ishin të dashuruar, në prag të fejesës apo të martuar. Një fjalë thotë, për dashuri jep jetën, kurse për atdhe jep dashurinë. Po, ata dhanë jetën dhe dashurinë për një dashuri sublime dhe të shenjtë, dashurinë për Atdheun e tyre të shtrenjtë, të lirë e të bashkuar.

Zenel Gjoleka nga Kuçi legjendar i Vlorës, patriot i paepur i shekullit XIX, kishte luftuar pothuaj në të gjitha trojet shqiptare dhe nuk ndaloi deri në rënien heroike në fushën e betejës në viset shqiptare në Mal të Zi. Kur e pyetën Zenelin “Pse lufton a derëzi?”, sipas vargut popullor, ishte përgjigjur: “As për mua as për ti, po për gjithë Shqipëri”. Ashtu sikur Gjoleka i madh nga Jugu, nipat e tij nga Veriu, një shekull e gjysmë më vonë, me këtë shembull e me atë flamur, me të mbaruar lufta në Kosovë, e vazhduan atë në viset tjera të pushtuara shqiptare për gjithë Shqipërinë dhe për një Shqipëri.
Populli ynë ka ditur ta çmojë e ta ruajë kujtimin për dëshmorët e tij, duke i skalitur në vargjet më të bukura në eposin e trimërisë dhe duke i ngritur në piedestalin e vlerave të tij shpirtërore. Nënat tona fisnike, duke u kënduar këngë dëshmorësh fëmijëve në djepa, i kthyen ata në dëshmorë.
Kanë kaluar kaq vjet nga mbarimi i Luftës, por dëshmorët janë të gjallë, këtu midis nesh, e nuk fshihen kurrë nga kujtesa historike e popullit tonë, sepse edhe vetë jeta e kombit varet nga mbajtja gjallë e kujtimit për dëshmorët, sepse ata janë farkëtuesit e lirisë dhe burim i pashtershëm inspirimi, edukimi e frymëzimi për të gjithë brezat e kombit. “Rruga e jetës është e shkurtër, kurse ajo e lavdisë është e përjetshme”, ka thënë me të drejtë Cicero.
Në këtë ditë, duke kujtuar dhe nderuar me pietet dëshmorët tanë, ne jemi më afër tyre, duke u ndjerë më shumë idealistë, por edhe më solidarë me familjet e tyre në dhembjen e pashuar që kanë.
Motra dhe vëllezër
Edhe në këtë përvjetor, çështja shqiptare në Ballkan vazhdon të mbetet e pazgjidhur definitivisht, sipas amanetit të dëshmorëve dhe të drejtës legjitime historike, politike e kombëtare. Urojmë që për përfundimin njëherë e mirë të vuajtjeve të gjata të popullit tonë të degdisur e të aneksuar, të shkelur e të përbuzur, të mos jenë të nevojshme luftëra të tjera, sepse çdo pëllëmbë e tokës shqiptare është larë me gjak.
Shqiptarët janë njëri ndër kombet më të mëdhenj në rajonin tonë të trazuar ndër shekuj. Ata përbëjnë sot potencial të madh paqësor, por nuk do të viktimizohen më, duke u ndjerë inferior e të pafuqishëm për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
I përjetshëm qoftë kujtimi për dëshmorët e kombit!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura