Tiranë, 12. 09. 2016: Në dy biografi të botuara në vitin 1937, e para në shqip: “Shënime historike nga Jeta dhe Veprat e Naltmadhërisë së Tij Zogu Į Mbret į Shqiptarëve”(f. 9) dhe e dyta në anglisht: “Zog the First, King of the Albanians. A sketch of his life and times” (f. 25), Kristo Dako thotë: “Themeluesi į Oxhakut të vjetër të Dinastisë së sotme kombëtare është një stërgjysh į Sovranit tonë, į cili quhej Zogu į Madh. Legjenda thotë se ky ishte nga katundi Zogaj į Malësisë së Kosovës, një nga katër krerët, që jo vetëm refuzuan t’i nënshtroheshin sundimit turk, por edhe mësynin me fuqitë e tyre sa herë që ju vinte dorë… Atëherë komandanti turk kërkoi forca të reja nga qeveria e tij dhe, më të shumtën e këtyre forcave į përdori kundër tyre, derisa į shtrëngoi të lenë vendin dhe të vendosen së bashku me pasonjësit e tyre në krahina më të forta, më strategjike. Në këto rrethana erdhi Zogu dhe zuri vend në Selitë që ishte në kufi me Matin e që këndej vazhdoi të mësyjë turqit, duke futur në dorë pjesën më të madhe e më të fortë të Matit.”
Në burimet e shkruara arkivore, një matjan me emrin Zog përmendet në një kronikë të vitit 1631 të Sarajit të Vjetër të Stambollit, e botuar në “Endxhumemi Tarih Komisioni Neshrijati”, Istanbul, të viteve 1909-1910. Kronika, sipas përkthimit të bërë nga Eqrem Bej Vlora, bën fjalë për disa kalorës banditë matjanë, të cilët, pasi “plaçkitën tregun e Shijakut, shkuan gjer në Durrës, por aty u ndalën nga muret e larta”. Prijësi į këtij sulmi grabitqar quhej Zog. Për herë të dytë, emri i Zogut del në listën e dekreteve (Meçmua-į Ferâmin) të Sulltan Muratit IV (1623-1640) të vitit 1632. Dekreti urdhëron sanxhakbejlerët e Ohrit, Shkodrës e Elbasanit të sulmojnë Matin me ushtritë e tyre dhe “ta zënë tradhtarin Zog, gjallë a vdekur”. Zogu u kap i gjallë bashkë me dy bashkëpuntorët më të afërt të tij dhe, në janar 1633, iu prenë kokat në sheshin e kështjellës së Ohrit.
Në një përputhje të përafërt me të dhënat dokumentare, historinë e këtij Zogu i mbiquajtur i Madh, e ka përshkruar albanologu austriak Han (Johann Georg von Hahn (1811-1869) në ditarin e udhëtimit: Nëpër viset e Drinit dhe Vardarit (“Reise durch die Gebiete von Drin und Wardar” (Wien, 1867). Konsulli Han (Hahn) i përshkoi vendbanimet e luginës së Matit, ndër ta edhe Burgajetin, në vitin 1863. Aty, Han hartoi edhe një gjenealogji të Zogollëve, sipas rrëfimit të Mudirit të krahinës së Matit, Said Bej Zogolli. Sipas pemës gjenealogjike të tij, vendin e Zogut të dënuar me vdekje e zuri i biri me emër dhe mbiemër të turqizuar, Ahmet Bej Zogolli (turq. Zog – oglli, i biri i Zogut). Pas disa brezave sundimtarësh në Mat, nga dera e Zogollëve doli Xhelal Pashë Zogolli, i cili arriti deri në postin e lartë të Kajmekamit (turk. Guvernatorit dhe Komandantit të Ushtrisë Osmane) në Hercegovinë dhe mendoi se kishte ardhur ora e tij për t’u shpallur “Mbret i Shqipërisë”.
Xhelal Pashë Zogolli
Emri i Xhelal Pashë Zogollit del në dokumentet e viteve të para të Krizës Lindore, kur Perandoria Ruse po përgatiste ushtrinë e saj për të sulmuar trupat osmane përgjatë frontit të Danubit dhe Detit të Zi. Në fillim të vitit 1852, Princi Danilo i Principatës së Malit të Zi e hodhi ushtrinë e tij në sulm kundër postblloqeve kufitare të ushtrisë osmane rreth e rrotull Liqenit të Shkodrës. Në përgjigje të sulmeve të reparteve malazeze ndaj karakollëve në kufirin veri-perëndimor të Perandorisë Osmane, Sulltan Abdyl Mexhid Į shpalli mobilizimin e përgjithshëm të redifëve (turq: rezervistë), mustafëzve (turq: forca territoriale) e bashibozukëve (turq: reparte të çrregullta) të sanxhakëve të Shkodrës, Prizrenit, Ohrit e Janinës. Xhelal Pashë Zogolli mobilizoi në Mat rreth 1.500 redifë, mustafëz e bashibozukë dhe u nis drejt frontit në Tuz e Podgoricë, por atje u shpartallua nga trupat kryengritëse malazeze.
Xhelal pashë Zogolli, gjyshi i Ahmet Zogut.
Duke pasur dyshime rreth përpjekjeve të Xhelal Pashës për t’u lidhur me diplomatët serbë e malazez, Sulltan Abdyl Aziz e thirri në Stamboll, duke i dhënë një detyrë të rëndomtë. Sipas historianit Sadulla Brestovci (Marrëdhëniet shqiptaro-serbo-malazeze (1830-1878), Prishtinë, 1983) Xhelal Pashë Zogolli u lidh me Princin Mihajllo Obrenoviç në pranverë të vitit 1866. Pas interesimit të Princit Obrenoviç, konsulli serb në Stamboll Jovan Ristiç u raportoi eprorëve të tij në Beograd se Xhelal Pashë Zogolli pretendonte se ishte pasardhës i Skënderbeut dhe premtonte 15.000 luftëtarë, në rast të një lufte të ardhshme kundër Perandorisë Osmane. Në letrën e tij, Ristiç shton gjithashtu se “përfaqësuesi rus i kishte dhënë pashait në fjalë 1.000 lira nga të hollat e veta”.
Konsulli serb Jovan Ristić ( 1831 – 1899)
Sipas historianit Kristo Frashëri, më 6 Prill 1866, përfaqësuesi rus në Stamboll Nikolla Pavlloviç Ignatiev į dërgoi Ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Ruse, Aleksandër Mihailloviç Gorçakov në Shën Petersburg një relacion prezantues “top sekret” për Xhelal Pashë Zogollin. Ai e përshkruan Pashain e Zogollëve si një “prijës shqiptar dhe pinjoll i njërës nga familjet myslimane më me influencë në Shqipërinë e Veriut”. Xhelal Pashë Zogolli kishte zgjedhur t’į drejtohej Perandorisë së Rusisë, pasi e konsideronte “kurdoherë mbrojtëse e interesave të vërteta të të gjitha kombësive nën sundimin turk”, duke e siguruar zyrtarin e lartë rus, se kishte mbështetjen e “20.000 burrave, të gatshëm të fillojnë kryengritjen me thirrjen e tij të parë dhe ishte i sigurtë se, më vonë, do të bashkohej me të një pjesë e Arnautllëkut”. Ambasadori Ignatiev i kishte marrë Xhelal Pashë Zogollit një garanci me shkrim, ku pashai matjan zotohej se nuk do të bënte asgjë pa pëlqimin e qeverisë cariste. “Duke vënë veten dhe të gjithë ndjekësit e tij në dispozicion të plotë tonin,” shkruan ambasadori Ignatiev, “Xhelal Pasha më deklaroi se nuk do të bëjë asgjë pa u këshilluar me ne dhe se të gjitha shpresat e tij për lehtësimin e fatit të popullit shqiptar i ka mbështetur vetëm në simpatinë dhe në mëshirën e Carit të Rusisë”. Nga ana tjetër, Ignatiev e kishte këshilluar Xhelal Pashën “të hynte në marrëdhënie direkte me qeverinë serbe”.
Diplomati rus Nikolai Pawlowitsch Ignatjew (1832 – 1908)
Xhelal Pashë Zogolli u takua menjëherë me konsullin Ristiç dhe u lidh me titullarët e Principatës së Serbisë. Në fund të dhjetorit 1866, pasi u emërua nga Porta e Lartë në postet e kajmekamit dhe të komandantit të trupave të çrregullta në Hercegovinë. Konsulli Jovan Ristiç shkoi dhe e takoi në Mostar. Pas takimit, ai i raportoi Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Ilija Garashanin, se Xhelal Pashë Zogolli ishte zotuar t’i jepte çdo ndihmë Serbisë në Hercegovinë dhe në Shqipëri, me kusht që pas fitores së luftës të njihej prej tyre si “Mbret i Shqipërisë”. Në një nga gjashtë letrat e ruajtura në arkivin e Serbisë në Beograd, shkruar prej Xhelal Pashë Zogollit më 16 shkurt 1869 dhe dërguar ish-Kryeministrit serb, Ilija Garashanin (Garašanin), ndër të tjera i thotë: “Unë jam duke pritur vetëm urdhrat tuaja dhe për mua është detyra e parë dhe e shenjtë që t’u nënshtrohem.”
Meqenëse lidhjet e tij me shërbimin e fshehtë rus e serb u zbuluan nga agjentët e Portës së Lartë të Stambollit, më 5 mars 1869, Xhelal Pashë Zogolli, i pajisur me pasaportë ruse me emrin “Stanko Ivanov” dhe i shoqëruar nga ndihmësi i tij me emrin “Avram”, u arratis në Zyrih të Zvicrës. Rroga e “Stanko Ivanovit” ishte 120 dukatë në muaj, por ajo nuk i mbulonte shpenzimet e tij. “Ivanovi” do t’i dërgonte MPJ të Serbisë 5 letra rresht, ku kërkonte me këmbëngulje një shtesë të re të rrogës. Shtatë muaj më pas, “Stanko Ivanov” udhëtoi deri në Shën Petërsburg, ku u takua edhe me Car Aleksandrin III të Rusisë. Në lidhje me këtë udhëtim, Mbreti Zog i ka rrëfyer Ministrit Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Herman Bershtain (Bernstein) në vitin 1933 se, pas marrjes së detyrës së guvernatorit, ai udhëtoi për në Rusi, ku u prit nga Cari pas shtatë muajsh të kërkesës së tij. Rusia kishte në atë kohë një ndikim të madh mbi çështjet turke dhe Cari i premtoi se do ta përdorte ndikimin e tij në favor të Zogut [Zogollit]. Prandaj, ai u kthye në Konstandinopojë, ku, një dekret e emëroi guvernator të gjithë Shqipërisë dhe Epirit. Por në ditën kur dekreti u firmos, Zogu u helmua nga turqit.”
Emërimi i Xhelal Pashë Zogollit “guvernator të gjithë “Shqipërisë” dhe “Epirit” është një gënjeshtër me bisht e ish-Mbretit Zog, pasi bie ndesh me të vërtetën historike. Qysh nga ajo kohë e deri sa Perandoria Osmane u shëmb, trojet shqiptare ishin pjesë e katër vilajeteve të njohur të Shkodrës, Kosovës, Manastirit e Janinës. Në të vërtetë, për ta larguar Xhelal Pashën nga Stambolli, Sulltani e emëroi Vali (turq: mëkëmbës į Sulltanit) në Vilajetin e Bitlis-it. “Por një ditë përpara se të nisej për detyrën e re,” siç thotë biografi Dako, “Xhelal Pasha ndërroi jetë pa prit e pa kujtue”.
Gjyshit të Zogut ia kishin hedhur helmin në kafe, thotë në kujtimet e tij, ish-bashkëpuntori dhe shoku i ngushtë, Çatin Saraçi. “Zogu e pinte kafen pa sheqer,” dëshmon Saraçi. “Në kafen me sheqer nuk mund ta ndiesh kurrë helmin, ashtu siç ka gjasë të ndodhë kur kafja është pa sheqer, ngaqë zeheri ndihet aty për aty. Kjo qe arsyeja që Zogu nuk e pinte kafen asnjëherë të ëmbëlsuar edhe në shtëpinë e vet.” Rreziku i kafes duket se Ahmet Bej Zogollit i ishte ngulitur në vetëdijen e tij qysh në vitet e shkollës, kur shkonte te guri i Xhelal Pashë Zogollit në varrezën “Haxhi Badem Uskunda” (Haji Badem Uskanda) të Stambollit dhe ku kishte marrë edhe shtysën e parë për realizimin e ëndrrës së gjyshit për t’u bërë “Mbret i Shqiptarëve”.
(VIJON…)
_______________________________
AZIS GJERGJI: ZOGOLLËT DHE SERBIA (I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=5643
***
AZIS GJERGJI: ZOGOLLËT DHE SERBIA (II)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=5644
***
AZIS GJERGJI: ZOGOLLËT DHE SERBIA (III)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=5645