Tetovë, 21. 09. 2016: (Edhe një herë për heshtjen e organeve të pushtetit ndaj helmimit masiv në Pollog) – Viteve të fundit, qyteti i Tetovës dhe rajoni i Pollogut me 500 mijë banorë po helmohen në mënyrë sistematike dhe askush deri më sot nuk ka ndërmarrë masa për tejkalimin e kësaj gjendje, as e ka marrë përgjegjësinë për ndalimin e këtij krimi kundër njerëzimit me përmasa tronditëse, përkundër apeleve të shumta nga aktivistët për mbrojtjen e mjedisit jetësor, specialistët e mjekësisë dhe ekspertë të tjerë.
Edhe përkundër faktit se ky krim vazhdon ta rrezikojë jetën e banorëve dhe ta shndërrojë këtë rajon në tokë të pabanueshme, politika zyrtare e vendit vazhdon me propagandën e vet, se ky helmim vjen si pasojë e qarkullimit të madh të komunikacionit dhe nga ngrohja me dru e qytetarëve gjatë sezonit të dimrit, ndërkohë që kjo gjendje nuk është aspak më e këndshme edhe gjatë verës, kur nuk ngrohen qytetarët, si dhe gjatë natës, kur qarkullimi i komunikacionit sillet në minimum! Me këtë, organet e pushtetit u hedhin hi syve qytetarëve, sikur nuk dinë ta bëjnë dallimin mes ndotjes dhe helmimit!
Pamje e qytetit të Tetovës dhe fushës së Pollogut, të mbuluara me shtëllungat e helmit nga ,,Çernobili” i politikës kriminale që sundon vendin. Pamjet janë të datës 19 dhe 20 shtator 2016.
Burimi kryesor i këtij helmimi është kombinati ,,Jugohrom”, pronarët e të cilit as nuk dihen publikisht, ndërsa ata vazhdojnë të mos i respektojnë as rregullat më elementare për vendosjen e filtrave, sipas standardeve të parapara ekologjike, të premtuara para një viti, duke i tejkaluar të gjitha afatet ligjore dhe pa i dhënë llogari askujt për këtë mospërfillje ndaj qytetarëve dhe organeve të pushtetit.
Edhe organet gjyqësore të vendit nuk kanë ndërmarrë masa për parandalimin e kësaj fatkeqësia me përmasa të mëdha, duke i lënë në heshtje paditë kundër këtij helmuesi masiv të qytetarëve, të parashtruara nga disa subjekte para organeve kompetente të drejtësisë.
Së shpejti pritet që këtij kombinati t’i vazhdohet kontrata për punën e tij të mëtejshme, pavarësisht nga shkeljet e rënda ligjore dhe konventat ndërkombëtare.
Qytetarët duhet të ndërmarrin masa para se të vazhdojë kjo tragjedi për shëndetin dhe jetën e tyre edhe me një marrëveshje të re mes vrasësve të huaj dhe kriminelëve vendës të politikës aktuale në vend.
Tetovë, 20 shtator 2016