GILBERT GARDES: KOSOVA – NJË VEND PARADOKSAL(1)

Pashtriku.org, 27. 09. 2016: Gilbert Gardes është historian francezë i historisë së Artit dhe autor i mbi 250 botimeve që nga viti 1967 kur doktoroj në drejtimin e historisë së Artit dhe më pas në Letërsi. Ai u bë i njohur ndër shqiptarët për publikimin e librit të parë mbi Shqipërinë pas komunizmit (1995)1. Gjatë luftës së Kosovës i ftuar në një emision radiofonik njoftohet me bashkëpjesëmarrësin Xhevat Bislimi, asokohe përfaqësues i UÇK në Francë. Ndërmjet dy figurave lind një miqësi që do ta bën të interesohet më gjerë për komunitetin shqiptar të cilit do ti kushtoj edhe serinë e artikujve “Lyoni dhe Kosova”2. Gilbert Gardes njihet sot si specialisti më eminent i historisë së artit të regjionit Rhonë-Alpes dhe është ndër njohësit më të respektuar të monumenteve publike në nivel ndërkombëtar. Njohës i zhvillimeve në botën shqiptare ai ka qenë ndër organizatorët e konferencës së Mathieu Aref në Lyon me ç’rast boton kumtesën 3. Në vitin 2011 dhe 2012, me mbështetjen e komuniteti të Lyonit dhe konsullit të Kosovës në Gjenevë Z. Ramadan Avdiu Ai zhvillon hulumtime në Kosovë në përgatitje të një enciklopedie mbi trashëgimin kulturore të Kosovës destinuar publikut francez e cila do të botohet në vitin 2017. Artikulli është përpunuar bazuar nga letra e dërguar nga Z. Gilbert Gardes zyrtarëve më të lartë të UNESCO-së dhe Shteteve të ndryshme në përkrahje të pranimit të Kosovës në këtë organizatë.
Kosova është një vend paradoksal. Një ide, një fakt ende pa u siguruar mirë imponohet e kundërta dhe nga përplasja e këtyre kundërshtive lind në perspektivë një e vërtetë. A ka një ndërveprim të veçantë ndërmjet mendësisë së këtij populli dhe territorit ku banon? A e formësojnë njëri tjetrin?
Kosova vuan nga një imazh që nuk përkon me realitetin, Kosova është një vend i pasur, i ulur mbi një thesar nëntokësor por me një komb të varfër që ka dhënë shumë, të cilin e braktisin banorët e saj të rraskapitur. E pasur me një trashëgimi të shumëllojshme të përçmuar, Kosova ka ndërmarrë të rindërtoj kujtesën e vet kolektive. Skulptura publike parashtron çuditërisht pyetjen e luftës apo të paqes, për shqiptarët, për Ballkanin, madje edhe për tërë njerëzimin.

KOSOVA VUAN NGA NJË IMAZH QË NUK PËRKON ME REALITETIN
I rrënuar po aq sa është rrënuar vet Kosova, imazhi ndërkombëtar i Kosovës shpjegohet pjesërisht nga një mospërputhje ndërmjet reputacionit negativ dhe realitetit pozitiv. Kosova vuan nga një dyzim i personalitetit.
Ky imazh vjen si pasojë e “ trajtimit paragjykues” nga shtypi i cili privilegjon informatat negative kundrejt atyre pozitive. Të mirat heshtën, kur nga të këqijat behën shitjet e gazetave. Sa i përket figurës së dashur të këtij vendi, e përbërë nga peizazhet dhe trashëgimia e objekteve historike, ajo injorohet. A është domosdoshmërish mospërfillja sinonim i mos ekzistencës?
Atëherë, kush do të ngre lavde mikpritjes tradicionale, të këndshme dhe thuajse të lashtë, të një vendi në të cilin banorët, me veti të pavarur dhe krenar, kanë të përbashkët një shtat të hedhur, një gjallëri të trupit dhe të mendjes, një shkathtësi dhe një mirësjellje natyrore, ku njerëzit përshëndeten ende si në kohët e lashta me një të rram burrnore pas shpine?
Kush do të ngre lavde mikpritjes së nikoqirit që mirëpret mysafirin besnik, e merr nën mbrojtjen e tij, i paraprinë dëshirave të tij, e strehon pa bujë në banesën apo në shtëpinë e tij, kujdeset për çdo gjë gjatë qëndrimit dhe, kur qëndrimi të ketë përfunduar, e përcjellë me miradije deri në vend të sigurt, i vetëdijshëm sa është jeta e tij e çmueshme për të gjithë?
Kush do të rrëfej kënaqësitë e thjeshta e të kënaqurit në brigjet e Drinit duke ngrënë një peshk të shijshëm, kënaqësinë e të krahasuarit shijet e mjaltës së koshereve të Junikut apo për kënaqësinë e të shijuarit në Prizren një lëng trëndafili në një sofre myslimane.
Kush do të rrëfej kënaqësinë e të shijuarit një jogurt të freskët nga qumështi i deleve, e të freskuarit me një bozë apo, si në Zhur, e të biseduarit gjatë në kullën e Reshat Hoxhajt duke gjerbua kafenë ”a la turke”(“jo, jo, më falni, thoni më mirë kafenë shqiptarçe !”) i ulur këmbëkryq në “odën e burrave”?”
Kush do të flas për guximin e pa gabueshëm përballë vështirësive, forcën morale të fjalës së dhënë, respektin tashmë mjaft të lashtë të Kanunit, kod i nderit dhe i të drejtës zakonore që Christian Gut e përktheu në frëngjisht4?
Më në fund, kush do të thurë lavde ndershmërisë shembullore të shqiptarit të mirë edukuar të Kosovës, kur vetëm ligësia e cave përflitet?
E ULUR MBI NJË THESAR, KOSOVA ËSHTË “NJË ISHULL” TË CILIN E BRAKTISIN BANORËT E SAJ TË VARFËRUAR
Në kuptimin e një ”hapësire të kufizuar”, e izoluar në zemrën e Ballkanit, Kosova është një ishull. Gjeografia mesjetare e quante Ishull i Avalonit 5 vendin e mbretit Artur; gjersa e thërrasim edhe sot Ishull i Francës Parisit. Vërejmë se mentalitetet Korsikë dhe Sardenjas kanë aq shumë ngjashmëri me këtë vend sa që ta quash “Ishull i Kosovës” nuk do të ishte e papërshtatshme!
Ky emërtim tregon gjithashtu sa është e rëndësisë parësore që ti qasemi mirë çështjes së këtij kontinenti në miniaturë, zbulimi i të cilit vetëm sa ka filluar nga Perëndimi. Për vendet të cilët e kanë sunduar, kjo tokë qe gjithmonë një tokë që shtrihej në kufijtë e vendit, madje edhe për vet Ilirinë, Shqipërinë dhe Serbinë përkundër që kjo e fundit e shpalli Prizrenin një kryeqytet.
Ndonëse pak udhëtar, aq më pak turistë, e kanë përshkruar në kujtimet e tyre të udhëtimeve, Kosova, të cilën Udhërrëfyesi i kaltër i Jugosllavisë (1968) 6 e injoron deri në heshtjen e emrit të saj sikur të ishte ndonjë ishull i Antipodeve, duam apo s’duam, është një udhëkryq ballkanik i bashkëjetesës. Sot, kosovarët ikin nga një vend i cili dje qe tokë e strehimit për mijëra shqiptarë (muhagjerë) të shpërngulur prej tokave të tyre nga serbët.
I rrethuar me male, ky vend i rrafshnaltave dhe luginave është kështjellë uji e Ballkanit, një kryqëzim i rrugëve romake, mbasi ende jo një nyje hekurudhore trans ballkanike.
Kosova është fushëbeteja e mbyllur, e rastësishme apo e parapëlqyer e përleshjeve të shumta të armatosura ( Lufta e Fushës së Mëllenjave, 1389), një territor i gueriles. Cili imazh është më tërheqës dhe më mashtrues se ai i Qendrës së Ferizajt, ku kisha ortodokse dhe xhamia defilojnë mur për muri, ku në ditët e stuhishme (vetëm atyre ditëve!), në qiell ylberi shenjtëron pasqyrimin e diellit me një parhelion?
• Në thellësi të nëntokës minerale të Kosovës (-800 m), shtresa argjendi të mbushura me ar, të shfrytëzuara që nga Lashtësia, ngërthejnë një mollë sherri që Romak, Bizantinë, Turq dhe Serbë e kafshojnë me radhë. Ato mundësojnë ngritjen e fondeve të nevojshëm për ndërtimin e manastireve dhe të kishave të shndritshme ortodokse: Graçanica, Nënë e Perëndisë, Patrikana, Shën Arkangjelin…) dhe në Stamboll të xhamive dhe pallateve të shndritshme, duke financuar njëkohësisht mozaikët polikromatike dhe afresket të njërit dhe muret e dekoruar me piktura dhe mermer të tjetrit.
Nga viti 1928 korporata ndërkombëtare anglo-saksone hedhin grepin mbi këtë prodhim dhe nuk ka djall të na tregoj se si u përdorën këto mjete. Të shfrytëzuara kryesisht në Trepçë, këto miniera ushqenin edhe Venedikun me dukate tingëllues prej ari si dhe furnizojnë me plumb dhe zink shoqërinë komuniste dhe post komuniste. Nesër, këto shtresa unike me minerale të rralla, do të jenë “lumturia” e Evropës.
Veçanti tjetër e jashtëzakonshme e këtyre galerive të errëta, ku me mijëra minatorë u rraskapitën në greva dëshpëruese (1988-1989), është aktiviteti gjeologjik i gjatë i cili me durim ka formuar ngurtësia të kristalta të mrekullueshme të cilat kërkohen shumë nga koleksionuesit e kristaleve. Fatmirësisht, një muze mineralogjik i krijuar në vitin 1967, i rindërtuar në vitin 2005, i krahasueshëm me Crystal Hall të Bullgarisë dhe Muzeun e Beogradit, paraqet në sytë e mahnitur të vizitorit këtë trashëgimi minerale.
Nëse vërtetë është poetik, emërtimi shkurt si “ishull” nuk është më pak i saktë. Një emërtim i tillë sugjeron një ekzistencë të veçantë, madje të izoluar ndoshta deri në jetë të mbyllur në vete.
Të praktikuara që në kohën e lashtësisë, arkitekturat e mbrojtjes pasive, siç moria e fortesave dhe kalave që mbulojnë territorin, janë një tipar i vazhdueshëm i urbanizmit. Të thuhet se fortifikatat e Novobërdës dhe të Vushtrrisë janë kasaforte, nuk është një metaforë! Madje edhe vet origjina e emrit të shqiptarëve, nga ”shqiponja”, supozon një traditë të vëzhgimit ajror!
E dëmshme për marrëdhëniet në mes popujve, kjo mbyllje në vete shpjegohet nga agresiviteti mijëvjeçar i fuqive kundërshtare të ndryshme e cila shpiu në mohimin e madh të shqiptarëve. Ky tipar i mentalitetit të mbyllur nuk i përshtatet fare karakterit të hapur të shqiptarëve të cilëve iu imponua nën shtypjen e pushtimeve të përhershme. Kjo nevojë e mbrojtjes, kjo jetë e kufizuar “në mes nesh”, shpie në mbyllje në vete gjerë në shekujt XIX-XX kur u ndërtuan kullat, pirgje të fortifikuara të banimit, të cilat shkaktojnë një mënyrë jetese me karakter neo-mesjetar bazuar në një ekonomi të vetëmjaftueshmërisë, sa që një qendër banimi si Isniqi shërben si ambient i ngjarjeve të librit të Berit Backer, Behinb stone walls7.
Por, më shumë se një kureshtje, kjo arkitekturë është bërë në mënyrë paradoksale një simbol kombëtar i veçantë i vullnetit për liri. E paraparë për të mbajtur tjetrin larg, kulla bëhet shenjë e afrimit e cila fton turistin ta vizitoje. Ky objekt i pa anashkalueshëm, unik për nga mundësitë e përdorimit: kafene, hotel, muze, monument përkujtimor i luftës së viteve 1998-99, banesë luksi, shëndrohet në një pasuri të veçante origjinale. “Stili Kulla!” ka hyrë në trend. Për fat, kulla e Isa Boletinit ende dëshmon për këtë aristokraci të lirisë së armatosur.
E njëjta gjë vlen për rripin e bunkerëve (750000?) që kanë mbirë si këpurdha në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Banorët po i përvetësojnë ata, i bëjnë simbole të kujtimit, gjersa Edi Rama i neutralizon ato ide të errëta fal ngjyrës.
KOMB MISTIK APO ATDHETAR?
• Shqiptarët i konsiderojnë fetë për aq sa vlejnë, mohojnë të jenë mistik – edhe pse Prizreni mund të llogaritet kryeqyteti fetar i Ballkanit – ndërsa një elitë shpallet vendosmërisht ”laike”, fjalë e cila përfshinë agnostikët dhe ateistët.
Kosova numëron gjashtë fe kryesore plus një, atdhetarizmin. E fundit, më shumë se cilado, zë vend në zemrën e shqiptarëve dhe ka përparësinë të mos jetë përjashtuese. Atdhetari mund të jetë mysliman apo i krishterë, gjithsesi katolik, më rrallë serb-ortodoks. Megjithatë, atdhetarizmi i pakicës serbe ndaj vendit mikpritës është pak sa ” i vakët” për të mos thënë jo ekzistues, edhe pse kanë kaluar shumë shekuj që nga ardhja e disave… Ndarja etnike që tregojnë monumentet e luftëtarëve të rënë në Luftën e parë botërore (Viti), nga ku janë hequr emrat e shqiptarëve është tmerruese. Megjithatë, kjo trashëgimi e Kosovës duhet të restaurohet në mënyrë të paanshme.
Vendeve natyrore simbolike ( pyje, gurishtë) dhe tempujve politeiste ( kanë pushuar së ekzistuari apo janë rrënuar) nga periudha pagane, u janë mbivendosur kishat katolike dhe ortodokse, xhamitë sunite, teqetë dhe tyrbet të vëllazërive safitë, sinagogat çifute.
Duhet nënvizuar se, përtej prozelitizmit dhe dhembshurisë, ithtarët e këtyre feve luajnë një rol vendimtar në fitimin e pavarësisë shqiptare dhe farkojnë identitetin e Kosovës.
Njëkohësisht me Rilindjes shqiptare, shtohet intensiteti i kërkimit të rrënjëve të kombit, madje të një periudhe të artë Ilire mitike. Nga këto rrënjë ringjallen simbole ikonografike. Të gravuar apo të gdhendur, ata karakterizojnë arkitekturën shtëpiake dhe mobilimin e brendshëm, ashtu si dhe koshat e hambarët, drithnikë me grurë karakteristikë të Kosovës. Më vështirë të dukshëm se një flamur, ata vërtetojnë lidhjen e privilegjuar iliro-shqiptare, shënjojnë banesën e një atdhetari më shumë përtej aftësive të tyre zbukuruese.
Rastësi befasuese, turqit sollën në Kosovë një simbolikë myslimane të ngjashme (por të dallueshme) origjina e së cilës vjen nga Sumeria, 3000 vite para erës sonë. Po aq të rafinuar, ilirët nga ana e tyre, shumë kohë para erës sonë, ngërthenin motive të njëjta. Vula ezoterike e Salomonit apo heksagrami, e përhapur botërisht që 5000 vite, në Kosovë ka një burim të dyfishtë. Nëse e marrim me mend se kjo grafemë e pazakonshme gjendet te simbolet antike, katolike, ortodokse dhe çifute, atëherë jemi në prani të një shembulli të përkryer të karakterit thellësisht sinkretik të qytetërimit të Kosovës dhe të vështirësisë për hulumtuesin të identifikoj një origjinë të caktuar. E njëjta vështirësi vlen edhe për çështjet gjuhësore dhe arkitektonike.
Katolicizmi romak e konsideron vetën si religjioni ” tradicional” i Kosovës. Ai ka martirët e vet, Shën Flori e Shën Lauri, sajimi i nevojshëm i relikteve të të cilëve në shekullin e IV paraprin pushtimin osman.
Në Prizren, katedralja katolike e vitit 1870 paraqet një ikonografi të pasur “mbrojtëse sulmuese”. Atdhetarizmi i Skënderbeut aty lavdërohet, barazi me atë të Janosh Huniadit, pararendës të ri të vendosur në praparojë të Virgjëreshës së zezë të Letnicës. Ikonë e dhembshurisë dhe roje në pararojë, ajo është bërë vend pelegrinazhi vjetor i protestantëve gazmor amerikan të KFOR-it të cilët kërkojnë ndërmjetësimin hyjnor të kësaj kukulle magjike.
Konvertimi i banorëve të Kosovës në Islam rrjedhë nga lufta fetare e cila u fitua nga Perandoria osmane dhe u humb nga bota e Krishterë. Ajo përdori forcën, çdo mjetë shtypje ekzistues dhe përfitoi nga një pushtim shekullor i pandërprerë, shkaktar i njohur i vonesës intelektuale të fituar nga tërësia e Ballkanit.
Ndër faktet e panumërta të rezistencës ndaj Turkut mysliman, është rasti i “ kripto-katolikëve” të rajonit të Stubllës, që ngrenë në filozofi mentalitetin e normaneve që mund të përmblidhet me moton ”ndoshta po, por ndoshta jo”8, do të ishte qesharake por të mos ishte tragjike.
Si kombinim i besimit dhe oportunizmit për t’ju ikur taksave të ngritura ndaj të panënshtruarve, këta Laramanë përgjigjeshin në dy emra, njërin katolik, për përdorim privat, tjetrin mysliman, për përdorim në publik! Kjo u kushtoi 25 familjeve të depërtohen në Anadolli në vitin 1846. Të mbijetuarit e këtyre ”martirëve të Stubllës” u riatdhesuan fal ndërhyrjes së Francës.
I veçantë është qëndrimi përparimtar i këtyre dy religjioneve në lëmin politike. Që elita e klerikëve të dy feve të ngrihet për ndjekjen e Osmanëve nga Ballkani dhe fitimin e pavarësisë, ka një vlerë shembullore. Atdhetarizmi shërben si katalizator i këtij bashkërendim pikëpamjesh të pazakontë.
Më i ndërlikuar është rasti me religjionin ortodoks. E dalë nga shteti serb, ajo u shfaqet shqiptarëve në Kosovë vetëm dhunshëm, në dallim prej ortodoksisë greke, e cila përshtatet më lehtë.
Kapja e arsimimit nga qeveritë turke dhe serbe, kufizimi në gojëtari të një gjuhe e cila me mund krijoj alfabetin e vet, mungesa e shkollave, pengojnë jetësimin e bashkimit të shqiptarëve. U mbetej shqiptarëve të ndjekin shembullin e prindërve, të mësuesve të medreseve dhe të shkollave katolike.
Nderi i të qenit pioniere i përket Stubllës (Viti, Kosovë), ku Mikel Tarabullusi në vitin 1905 hapi shkollën, ashtu sikur edhe kongregacioneve të vendosura që moti në Shkodër, pararojë e Vatikanit. Ato ngritën një shtypshkronjë për librat shkollor dhe edukuan një njeri me karakter të kalitur si Shtjefën Gjeqovi. Françeskan dhe atdhetar aktiv, mësues kërkues, shtatoren mbresëlënëse e të cilit Sadik Spahiu e ka punuar për Zymin (Prizren), dhe të cilit i referohen ende sot me titullin ” Atë i etnologjisë shqiptare”.
A është rastësi që përpjekja e parë e emancipimit kombëtar fillon në Prizren, qytet i zgjedhur për themelimin e Lidhjes e cila mbanë emrin e tij? A është rastësi që Ymer Prizreni, imam reformist dhe mësues në medresenë e xhamisë Mehmet Pasha, harton dhe organizon këtë koalicion. Ai vepron me përkrahjen e fuqishme të Abdyl Frashërit dhe vëllezërve të tij, Naimit dhe Samiut, myslimanë që janë kalitur pranë babait të tyre imam, më pas pranë shkollës ortodokse greke Zosimea të Janinës, të gjithë poliglotë dhe ithtarë të vëllazërive sufi (Bektashi, të kryegjyshatës), të gjithë të hapur ndaj Lindjes si ndaj Perëndimit. Por sigurisht se nuk është rastësi që Ymer Prizreni dhe Shtjefen Gjeqovi u vranë, i pari nga turqit, i dyti nga serbët.
NË ZANAFILLEN E KUJTESËS SHQIPTARE
Kërkimi shpirtëror, politik dhe shkencor i rrënjëve të kujtesës shqiptare në Kosovë fillon nga gjuha. Shqyrtimi i teksteve të parë në gjuhën shqipe tregon për një Komb ende të pavetëdijshëm për dimensionin politik të gjuhës. Ripërvetësimi i gjuhës shqipe nga shqiptarët fillon vërtetë me Rilindjen e shekullit XIX-të.
Izolimi dhe vetmia gjuhësore shkojnë bashkërisht. Dëshpërimisht e vetmuar ndër gjuhët e folura në Evropë, shqipja paraqet dukshëm paradoksin të jetë dyfishtë e izoluar brenda gjuhëve indo-evropiane si brenda hapësirës së Evropës kontinentale.
Ky popull që ka një mendësi familjare kaq të fortë fletë një gjuhë që është jetime, e cila nuk ka shoqëruese, pasardhëse apo bashkëjetues gjuhësor. Arsyeja e mos përhapjes së kësaj gjuhe mbetet e pashpjeguar, veçse njihet ekzistenca e dy dialekteve, Toskërishtja dhe Gegërishtja, të cilët e përbëjnë. Shtypjet e vazhdueshme nga turqit dhe sllavët kanë përforcuar këtë vetmi mbasi gjuha, si bastion i fundit i pavarësisë mendore, ndahet me tjetrin vetëm në mirëbesim. Djallëzia kokëforte e serbeve mbështetej në idenë e lodhjes psikologjike të shqiptarëve. Si të favorizohet atëherë njohja ndërkombëtare e një gjuhe të panjohur nga të huajt dhe të njohur jo mirë nga folësit e saj? Si munden një grusht njohësish të bindur të dëshmojë lashtësinë e saj në krahasim me gjuhën serbe, turke ose gjithashtu ”greqishtes”? Krenaria e Kombit kërkon që të qartësohet kronologjia e të kaluarës së tij e cila kërkohet të jetë sa më e lashtë dhe e lavdishme të jetë e mundur.

(VIJON…)

______________________________________

GILBERT GARDES: KOSOVA – NJË VEND PARADOKSAL (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=5688
***
GILBERT GARDES: KOSOVA – NJË VEND PARADOKSAL (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=5689
—————————
NË FORMATIN ‘PDF’:
GILBERT GARDES: KOSOVA – NJË VEND PARADOKSAL
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/Gilbert%20Gardes%20Kosova.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura