Pashtriku.org, 29. 09. 2016: Zënkat dhe mosmarrëveshjet diplomatike dhe ndërshtetërore përbrenda kampit socialist, të Lindjes, ishin paraqitur menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe veçmas pas përcaktimit definitiv të sferave të ndikimit në dy blloqe: të Perëndimit dhe të Lindjes. Bashkimi Sovjetik, i dalë nga Lufta e Dytë Botërore si fuqia e tretë botërore fituese, i kishte intensifikuar pretendimet e saj që të imponojë modelin e saj socialit në tërë kampin e Lindjes. Në këtë aspekt, pra të pretendimeve hegjemoniste sovjetike, duhet parë edhe pozicionimet e para diplomatike të BRSS-së dhe të Jugosllavisë karshi çështjes së ndikimit të tyre në Shqipërinë e pasluftës. Studiuesit modernë të atyre zhvillimeve, jashtëzakonisht dramatike për shtetin shqiptar dhe në përgjithësi për kombin tonë të ndarë, me të drejtë do të konstatojnë se Shqipëria si zonë interesi dhe ndikimi për sovjetikët dhe jugosllavët ishte, në kuptimin e plotë, një mollë sherri, sepse shtizat e mosmarrëveshjeve Stalin-Tito u thyen pikërisht në çështjen shqiptare e jo në çështjet ideologjike siç është menduar dhe shkruar deri më sot. Janë botuar dokumentet arkivore nga takimet e 27-28 majit të vitit 1946, të udhëheqësve jugosllavë dhe bullgarë me Stalinin, ku temë bosht ishte edhe çështja shqiptare, përkatësisht plani për konfederatën Jugosllavi-Shqipëri-Bullgari. Këtë studim e ka përgatitur historiani Agim Zogaj.
***
Më 18 prill 1946 Tito pranon ambasadorin sovjetik dhe deklaron se në të ardhmen e afërt ai vetë do të shkojë në Moskë me qëllim që të nënshkruajë marrëveshjen për kooperim ekonomik. Në të njëjtin takim me Anatoli Lavrentevin, Tito ka thënë se kooperimi i projektuar ekonomik duhet po ashtu të përfshijë sektorin ushtarako-industrial, që nënkupton ndihmën sovjetike “në ndërmarrje dhe në infrastrukturën për prodhimin ushtarak”. Kjo ndihmë pjesërisht ka qenë e dhënë në të kaluarën, por Tito donte që ajo të vazhdonte dhe të zgjerohet më tej. Dhe, kur më herët – në fillim të janarit 1946 – ai ka biseduar për këtë çështje me ambasadorin e mëparshëm të BRSS-së në Beograd, Ivan Sadçikov, në veçanti ka theksuar mundësinë e përdorimit të ndërmarrjeve të përbashkëta sovjetiko-jugosllave për ndërtimin e industrisë ushtarake jugosllave.
Ishte një plan për të dërguar delegacionin special në BRSS për të diskutuar këto çështje. Kandidatët për këtë delegacion janë përmendur në takimin e Politbyrosë më 9 prill. Tashti, në bisedën e tij me Lavrentevin, më 18 prill, Tito deklaron qëllimet e tij për të zhvilluar vetë bisedat me qeverinë sovjetike për këtë çështje, gjatë vizitës së tij në Moskë.
Më 29 prill, Lavrentev informon Titon për përgjigjen pozitive të Qeverisë sovjetike ndaj vizitës së propozuar në Moskë, me qëllim të diskutimit të çështjeve të sipërpërmendura. Qeveria sovjetike menjëherë shtron datën e vizitës: më 7 maj, ambasadori informon Titon se vizita duhet të bëhet gjatë gjysmës së dytë të majit dhe se përveç kësaj, Qeveria sovjetike dëshiron të diskutojë me të çështjen e Traktatit të Miqësisë Jugosllavo-Shqiptare, përmbushja e të cilit është planifikuar nga Beogradi.
Traktati i planifikuar nga Jugosllavia dhe marrëveshjet shoqëruese për kooperimin më të afërt ekonomik, ushtarak dhe kufitar, që synonin integrimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, tërhoqën seriozisht vëmendjen në Moskë, ku mundësia e përfshirjes së Shqipërisë në federatën jugosllave, si rezultat i bisedimeve jugosllavo-shqiptare, nuk është përjashtuar. Përderisa nuk kundërshtonte prerazi patronazhin e veçantë të Beogradit mbi Tiranën, pala sovjetike megjithatë preferonte të mposhte zhvillimin e çfarëdo takimi tjetër, në veçanti duke ngadalësuar, së paku për të ardhmen e afërt, përmbushjen e marrëveshjes sekrete ushtarake jugosllavo-shqiptare, të planifikuar nga Beogradi, dhe çfarëdo vendimi për të përfshirë Shqipërinë në federatën jugosllave.
MOSKA KRITIKON BEOGRADIN NË LIDHJE ME PRETENDIMET E SAJ NË SHQIPËRI
Në raportin “Çështja e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare”, i përpiluar nga shefi i Sektorit ballkanik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të BRSS-së, Aleksandër Lavrishçev, për përgatitjet e vizitës së Titos në Moskë, ky pozicion është bazuar në nevojën për të shmangur reagimet e mundshme nga Perëndimi, i cili mund të komplikonte pozicionet e Jugosllavisë dhe të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Nëse kjo ishte apo nuk ishte arsyeja e vërtetë për qëndrimin sovjetik, është e qartë se lidershipi sovjetik kishte vendosur ta nxitonte vizitën e Titos, me qëllim që ta lëkundte atë drejtë pozicionit të dëshiruar të Kremlinit, përkitazi me raportet jugosllavo-shqiptare.
Një javë para vizitës së tij, Tito i tha Lavrentevit se përveç çështjeve të përmendura më lart, agjenda për bisedimet e Moskës duhet po ashtu të përfshijnë “çështjet e përgjithshme të politikës së jashtme”, përfshirë ato që i përkasin konferencës pasuese të paqes në Paris dhe çështjeve të Jugosllavisë me Bullgarinë. Thjesht, ai e vlerësonte si të rëndësishme trajtimin, me lidershipin sovjetik, të aspekteve e rëndësishme të gjendjes ndërkombëtare, përfshirë këtu koordinimin e akteve në mes të BRSS-së, Jugosllavisë dhe shteteve tjera të bllokut sovjetik. Natyrisht, lideri jugosllav duhej doemos të ishte i turbulluar nga këto probleme ndërkombëtare, të cilat drejtpërdrejt ndikonin në Jugosllavi: në veçanti ato që kishin të bëjnë me Ballkanin dhe rajonin Mesdhe-Adriatik.
Sa i përket raporteve jugosllavo-bullgare, ajo që është nënkuptuar ishte përmbushja e Traktatit të Miqësisë, i pasuar nga unioni i dy shteteve në federatë, e cila do të bëhej temë e bisedimeve mes Moskës, Beogradit dhe Sofjes në fund të vitit 1944 dhe fillim të vitit 1945. Në atë kohë, as plani për instalimin e federatës e as dëshira për të nënshkruar traktatin e aleancës në mes të Jugosllavisë dhe Bullgarisë, nuk mund të implementohej. Arsyeja për këtë ishte vetoja e vënë te këto synime nga Londra dhe Uashingtoni, si pjesëmarrës në kontrollin aleat mbi Bullgarinë, si dhe mosmarrëveshjet mbi strukturën e unionit të ardhshëm federativ: Jugosllavia donte që Bullgaria ta kishte të njëjtin status sikur gjashtë njësitë federative të Jugosllavisë, pra që në thelb më në fund t’i nënshtrohet, ndërsa Bullgaria, e përkrahur nga Stalini, ishte në favor të “federatës së dyfishtë”, me status të barabartë mes Jugosllavisë dhe Bullgarisë.
Më vonë, interesi i Titos për federatën me Bullgarinë u venit me të madhe. Ai reagoi negativisht ndaj propozimit bullgar për ta kthyer çështjen e traktatit dhe të federatës, të shtruar në prill 1946, nga i dërguari bullgar në Beograd, Petro Todorov, duke theksuar se në rrethanat e tashme hapat e tillë mund të jenë ende të pavend, në veçanti para se të rregullohet pozicioni internacional i Bullgarisë së pasluftës. Tito ia bëri me dije Lavrentevit pozicionin e tij dhe kërkoi mendimin e Moskës në këtë aspekt.
STALINI INSISTONTE NË KRIJIMIN E FEDERATËS JUGOSLLAVO-BULLGARE
Është e qartë, nga dosjet sovjetike dhe jugosllave të takimit në mes të Stalinit dhe Titos në Kremlin më 27 maj 1946, se diskutimet përqendroheshin kryesisht në çështjet e ndihmës ekonomike sovjetike për Jugosllavinë, përmes krijimit të ndërmarrjeve të përbashkëta, në ndihmën e instalimit të industrisë ushtarake jugosllave dhe pajisjen e forcave të armatosura, si dhe të raporteve jugosllavo-shqiptare dhe jugosllavo-bullgare.
Përkitazi me raportet jugosllavo-shqiptare, Stalini, sipas dosjeve të takimit, deklaroi miratimin e tij për aleancën më të afërt të mundshme në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë dhe madje patronazhin e Beogradit ndaj Tiranës, por haptazi u përpoq që të shmangë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shqipërisë në federatën jugosllave.
Dokumentet arkivore të siguruara deri tash nuk i përgjigjen saktë pyetjes nëse argumentet e saj për shtyrjen e unifikimit deri te Rezoluta e Triestes ishin pasqyrë reale e pozicionit rus apo thjesht një mashtrim taktik, në realitetin e fshehur për të bllokuar tërësisht unifikimin e Shqipërisë me Jugosllavinë. Në cilindo rast, si rezultat i negociatave të Moskës, çështja e unifikimit ishte atëherë e mënjanuar nga agjenda. Përveç kësaj, pala sovjetike, duke dhënë pëlqimin e saj për Traktatin e Paqes dhe Ndihmës Reciproke dhe ndaj marrëveshjes për kooperim të afërt ekonomik në mes të Jugosllavisë dhe Shqipërisë, ia bëri me dije qeverisë shqiptare përkrahjen e saj për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve dhe “për orientimin e Shqipërisë drejt lidhjeve më të ngushta me Jugosllavinë” dhe lehtësoi nënshkrimin e dokumenteve të sipërpërmendura jugosllavo-shqiptare.
Dosjet sovjetike dhe jugosllave vërtetojnë se gjatë takimit me Stalinin Tito mbronte qëndrimin e tij kundër federatës me Bullgarinë. Por, dosjet jugosllave nuk përmbajnë mospëlqimin e Stalinit me qëndrimin e Titos, përderisa dosjet sovjetike konstatojnë drejtpërdrejtë se Stalini insistonte në rëndësinë e federatës së tillë, ndonëse ai besonte fillimisht te kufizimet e Traktatit të Miqësisë dhe Ndihmës reciproke.
SHQIPËRIA DHE KONFLIKTET JUGOSLLAVO-SOVJETIKE
Sidoqoftë, mbetet mister se pse Stalini refuzoi vërejtjet e Molotovit në takim se është më mirë që të shtyhet traktati jugosllavo-bullgar derisa të nënshkruhet traktati i paqes me Bullgarinë. Në të vërtetë, vërejtja e Molotovit ishte pa dyshim qëndrimi rus para dhe pas takimit. Ndoshta përgjigja në këtë mister do të gjendet në hulumtimet tjera.
Sa i përket takimit sovjetiko-jugosllavo-bullgar të 10 shkurtit 1948, kjo është mbajtur vetëm në bazë të kërkesave të Moskës. Arsyet ishin te pakënaqësia e Stalinit me hapat e politikës së jashtme të Sofjes dhe të Beogradit, të ndërmarra pa lejen sovjetike apo kundër direktivave të Kremlinit. Ishin tre hapa të tillë. Së pari ishte deklarata publike e qeverive të Bullgarisë dhe Jugosllavisë në fillim të gushtit 1947 se ata janë pajtuar për traktatin e miqësisë, kooperimit dhe ndihmës reciproke (pra se ishin në prag të nënshkrimit). Kjo është bërë në kundërshtim me urdhrat e Stalinit të cilat specifikonin se traktati bullgaro-jugosllav duhet të presë derisa traktati i paqes me Bullgarinë të tregojë rezultate. Ndonëse jo publikisht, protesta nga Kremlini, bëri që Dimitrov dhe Tito, me shpalosjen e nënshtrimit të disiplinuar, të kenë pranuar gabimet e tyre. Sidoqoftë, në janar 1948, dy lëvizje tjera janë ndërmarrë pa përqimin e Moskës. E para ishte deklarata për shtyp e Dimitrovit përkitazi me mundësinë e federatës dhe unionit doganor të “demokracive të popujve” evro-lindorë, përfshirë këtu edhe Greqinë, ku një regjimi i tillë do të instalohet. Hapi tjetër ishte kërkesa e Titos ndaj Enver Hoxhës për pajtim të pozicionimit të divizionit jugosllav në Shqipëri. Në këtë kërkesë, ndaj të cilës Hoxha përgjigjet pozitivisht, lideri jugosllav bëri me dije përkrahjen perëndimore ndaj invazionit grek të Shqipërisë, por Millovan Gjilasi më vonë pohon se në fakt Tito dëshironte të përdorte pozicionimin e forcave për të përforcuar pozicionin jugosllav në Shqipëri, duke pasur frikë nga humbja e territorit si rezultat i shtimit të pjesëmarrjes sovjetike në çështjet e Shqipërisë.
Për më tepër, hapi jugosllav është ndërmarrë pa konsultimin e lidershipit sovjetik, i cili, duke marrë vesh për planet e dërgimit të divizionit në Shqipëri, ashpër dënoi aktet e tilla përmes telegrameve të Molotovit te Tito.
(…)
(Ilustrimet janë të pashtriku.org)