Ulqin, 30. 09. 2016: Vetëm tani, pas më se shtatë dekadash Ejll Zagreda, veprimtar dhe humanist i dalluar i diasporës shqiptare nga fshati Reç i Komunës së Ulqinit, pranoi të rrëfejë njërin prej “sekreteve” më të mëdha të pjesëmmarrjes në gardën e sigurimit të jetës së Josip Broz Titos, njeriut i cili për mbi gjysmë shekulli drejtoi Partinë Komuniste të Jugosllavisë dhe qëndroi në krye të këtij shteti derisa vdiq. Ai pranoi të rrëfejë disa copëza historie nga pjesëmarrja e tij në Luftën Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë dhe nga jeta e Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura, për hirë të së vërtetës. Atëherë kur në Jugosllavi zhvilloheshin luftime të mëdha dhe të ashpra për çlirimin nga gjermanët dhe çetnikët, saktësisht në tetor të vitit 1944 Ejll Zagreda në moshën 19 vjeçare bëhet pjesëtar i armatosur i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë.
Si partizan së pari ka luftuar në Cetinë, për të vijuar pas pak javësh në Beranë, prej nga ngjitet këmbë bashkë me ushtarët e tjerë të Brigadës së Shtatë të Rinisë nëpër male me dëborë dhe temperaturë ekstreme deri në bjeshkën e Bjellasicës të Kollashinit. Atje ka luftuar tri javë – ditë e natë. Më pastaj ka vazhduar luftimet nëpër Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni. Më 9 maj 1945, kur ndodhej në Cele të Sllovenisë, eprori i Brigadës së tij nga Boka me origjinë shqiptare, emri i të cilit tani nuk i kujtohet, e fton në zyrën e tij dhe i kumton se ka vendosur ta çojë në një detyrë të shenjtë ku pak kush shkon. Në gardën e Titos, në të cilën i çojnë ushtarët më të veçantë, për të cilët mendohej se posedojnë vlerat më të larta njerëzore.
“ Ti si shqiptar besoj se e meriton këtë detyrë kaq të besuar. Për këtë unë si njeri me origjinë shqiptare jam më se i sigurt”, më tha eprori im ushtarak, tregon Zagreda. Në rekomandimin e tij dërguar Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, ndër të tjera, kishte shënuar se ushtari i tij i preferuar Ejll Zagreda është i devotshëm. Besnik. I disciplinuar. I besueshëm. I përkushtuar. I sjellshëm. Dhe kështu, vazhdon rrëfimin Zagreda. Pasi më pranuan në këtë strukturë të specializuar ushtarake për ruajtjen e Presidentit të Jugosllavisë, më transferuan me detyrë në Beograd, në rezidencën e Titos në Bijeli Dvor në Dedinje. Zagreda ndjehet krenar për faktin se në atë kohë ka qenë në këtë trupë të zgjedhur ushtarake dhe në këtë institucion nderi e bese për shkak se, siç thotë ai, ka qenë privilegjë e njerëzve të veçantë. Dhimbjen dhe respektin për Titon nuk e mësheh.
“Sa kemi mbërrijtur në Dedinje na kanë dhënë dy uniforma ushtarake të gardës dhe një uniformë civile. Natën e parë më kanë dërguar në Centralin telefonik. Aty ia kam filluar punës në ora tetë të mbrëmjes të regjistroj të gjitha telefonatat deri në ora tetë të mëngjesit, kur edhe ia kam dorëzuar komandantit të brigadës. Pas gjashtë muajsh me disa gardistë të tjerë kemi ruajtur depon e verës në Vërshac. Me të kthyer nga Vërshaci gjithë kohën kam ushtruar detyrën e gardistit të Titos. Takimi im i parë me Titon ka qenë në menzën e gardistëve. Derisa hanim drekën Tito papritmas hyri brenda. Të gjithë ne në shenjë respekti u çuam në këmbë dhe e përshëndetëm. Ai na u drejtua me fjalët: “Kësaj here nuk do t’ju ndëshkoj, për shkak se u çuat në këmbë me kafshatë në gojë. Por herën tjetër nuk do t’ju fali nëse e përsërisni gabimin e sotëm. Derisa jeni duke ngrënë askujt mos ju çoni në këmbë. Pra, as mua”.
Për më tej, detyra e çdo pjesëtari të gardës ishte e shenjtë, sepse lidhej drejtëpërsëdrejti me besën se do t’i shërbejmë presidentit Tito deri në çastin më sublim. Ne ushtarët e gardës, vazhdon rrëfimin Zagreda, kishim për detyrë që me përkushtim e profesionalizëm të kryejmë njëzet e katër orë misionin tonë fisnik për të siguruar jetën e Titos. “Në mënyrë të përgjithshme veprimtaria jonë përfshinte zbatimin e porosive të Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura, qëndrimin në rezidencën e tij, shoqërimin e tij në Jugosllavi dhe jashtë saj, udhëtimet e tij, vizitat e tij zyrtare, pushimet e tij. Po ashtu edhe paraqitjen dhe përcjelljen e personave të ndryshëm që takoheshin me Titon si dhe kontrollin e përditshëm të sistemit të sigurimit fizik. Kjo kërkonte jo vetëm dashuri e përkushtim ndaj Presidentit, por sidomos përgatitje të larta teorike, profesionale e fizike. Kishim për detyrë të mendonim vetëm për rrezik”, pohon Zagreda.
Sipas fjalëve të Zagredës Presidenti i përjetshëm i Jugosllavisë Josip Broz Tito ka qenë shumë i dashur e njerëzor me gardistët, të cilët nuk kishin të drejtën e komuinikimit me të. Herë-herë ishte i gëzuar. Herë i padisponuar. Ndonjëherë edhe i hidhëruar. Ishte shumë energjik. I palodhshëm. Të gjithë e adhuronin. E donin dhe e respektonin. Veçmas gëzonte autoritet dhe besim të jashtëzakonshëm, qind për qind, nga radhët e ushtarëve dhe oficerëve.
Zagreda tregon se Presidenti i Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë përveç politikës gjente kohë edhe për pushim e argëtim. Pasioni më i madh i tij ishte gjahu. Ky lloj sporti për të ishte pjesë e pashmangshme e politikës. Ishte gjahtar jashtëzakonisht i përsosur. Gjuante tërë ditën në pyje pa ndier lodhje me Kardelin, Tempon, Stamboliqin e figura të tjera të larta shtetërore e ushtarake. Kënaqej kur vriste ndonjë kafshë të egër.
Zagreda dy vjet e gjysmë me përkushtim kryen detyrën e besuar. Përgjatë kësasj periudhe dy herë e ka ruajtur Titon jashtë Beogradit. Herën e parë gjatë vizitës që ai i bëri Sarjevës. Kurse herën e dytë kur ai vizitoi Zagorjen në Kroaci. Nga momentet interesante të të qenurit gardist përmend pritjen dhe përcjelljen e diktatorit shqiptar komunist Enver Hoxhës, gjatë takimit me Titon në Beograd. “Më kujtohet si sot kur shkuam në stacionin e trenit për ta pritur Enver Hoxhën, të cilin e përcollëm me masa të larta të sigurisë në Dedinje dhe të njëjtën ditë e përcollëm në kthim në stacionin e trenit”, shprehet Zagreda. Ai shton se një ditë para se të dorëzonte këtë detyrë të besueshme ushtarake Tito në ndarje u kishte thënë gardistëve të vet ashtu si më keni shërbyer mua me devotshmëri ashtu vazhdoni të silleni tash e tutje. “Nga këtu rrjedh uji i kthjellët, por mund të turbullohet rrugës . Secili nga ju për çdo nevojë tuajën e keni derën.