Pashtriku.org, 15. 09. 2012 – (Me rastin e 95-vjetorit të lindjes së Abdullah Krashnicës-Preshevës ) – Më 15 mars 2012 u mbushën 95 vjet që u lind Abdullah Krashnica-Presheva, një patriot dhe atdhetar i devotshëm i popullit shqiptar, i njohur jo vetëm në Luginën e Preshevës, por edhe më gjërë, në Anamoravën e Gjilanit dhe në Luginën e Vardarit(Kumanovë e Shkup). Vdiq në spitalin e Shkupit, më 1945, i helmuar nga armiqët e popullit shqiptar dhe nga dora e zezë tradhëtare.Vdiq në moshën 28 vjeçare, atëherë kur më së shumti i duhej familjes së tij, por edhe popullit shqiptar të Luginës së Preshevës, Gjilanit dhe Kumanovës.
Abdullah Krashnica u lind më 15 mars 1917 në Preshevën liridashëse, patriotike dhe revolucionare, në një familje tregtare. Presheva, gjithmonë mori pjesë në të gjitha Lëvizjet kombëtare dhe gjithëherë i pati përfaqsuesit e saj në Lëvizjen gjithëkombëtare shqiptare. Në moshën dyvjeçare Abdullah Krashnicës i vdiq i ati dhe mbeti nën kujdesin e nënës Shefije Krashnicës-Aba Shefkë, si e quanin në Preshevë.Qysh në vegjëli u desht të kujdeset për familjen dhe shtëpinë. Shkollën katërklasëshe fillore në gjuhën serbe e kreu në Preshevë, sepse atëherë ende nuk ishin hapur shkollat në gjuhën shqipe.Abdullah Krashnica si shegërt u punësua në dyqanin e Haxhi Qazim Maliqit në Preshevë, familje e ardhur nga Miratoci. Më vonë hapi një dyqan me Fahredin Rrahmanin. Dyqani i Fahredinit dhe ai i Hetem Meqës-Gjakova dhe djalit të tij Ibrahim Gjakovës në Preshevë u bënë vend i takimeve të bashkëmendimtarëve të Abdullahut dhe veprimtarise se tij patriotike në Preshevë e më gjërë. Në këtë kohë Abdullah Krashnica shumë lexoi dhe bleu një rdio aparat për t’u informuar mbi ngjarjet dhe ndodhitë në Preshevë me rrethinë dhe më gjërë. Abdullahu ishte shumë i zgjuar, i mprehtë dhe i informuar shumë mirë. Ndikim të madh tek Abdullahu pati edhe kushëriri i tij Shaip Mustafa-Krashnica, i cili në atë kohë, para LDB kreu Medresen në Shkup dhe më vonë ishte student i rregulltë i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Beogradit.Shaip Mustafa, në Kryengritjen e Shkupit vuri Flamurin Kombëtar në Urën e Gurit në Shkup, më 1941 dhe ishte një prej themeluesve të LKpÇB.
Abdullah Krashnica’Presheva – Hero i Popullit shqiptar.
………………………………………………..
Abdulla Krashnica merrej edhe me sport, luante fudboll në klubin “Karadak” të Preshevës dhe ishte anëtar i Shoqërisë kulturore “Hamnijet” të Preshevës,e cila u themelua më 1937. Edhe Klubi fudbollistik, po edhe Shoqëria e përmendur ishin pjesë e Lëvizjes patriotike të Preshevës.
Abdullah Krashnica pos aktiviteteve partiake ushtroi dhe dha kontribut të madh në Sindikatën e Preshevës. Herët u lidh me Sindikatën e Monopolit, e cila kishte përvojë në organizimin e demonstratave më 1936 e 1939. Ishte e njohur dhe e dhimbshme pozita e punonjësve të duhanit që ishin shqiptarë në Preshevë e rrethinë. Abdullahu i doli krah atyre dhe e ndihmoi shumë fshatarsinë në kërkesat e tyre për rritje të çmimit të duhanit e prodhimeve bujqësore të tjera. Organizoi një demonstratë para LDB, e cila pati sukses dhe jehonë të madhe.Nëpërmjet kësaj padrejtësie, ai i ndjeu, qysh në atë kohë edhe padrejtësitë tjera ndaj shqiptarëve në Preshevë e rrethinë. Sidomos, këto padrejtësi ishin prezente shumë në shkollimi e Shqiptarëve në gjuhën amtare, sespe deri më 1945, shkolla kishte vetëm në gjuhën serbe dhe turke.
Aktiviteti i tij partiak, sindikalist dhe patriotik i ra në sy fashistëve bullgarë, shovenistave serbë dhe menjëherë filluan ta përcjellin në çdo hap. Kështu, më 17 shkurt 1943 Abdullahu burgoset dhe më vonë ikën nga burgu sëbashku me Selim Selimin. Në shenjë hakmarrjeje bullgarët likuiduan gati tërë familjen e Selim Selimit dhe nënën e Abdullahut, Shefijen e torturuan pa masë.Pas ikjes nga burgu Abdullahu vendoset në Gjilan. Mirëpo pas një veprimtarie të bujshme në Lëvizjen antifashiste, për të drejtat e shqiptarëve burgoset në korrik të vitit 1943.
Pas kapitullimit të Italisë në shtator të vitit 1944, Abdullah Krashnica ik nga burgu dhe kthehet në Preshevë. Më 1944 zgjedhet sekretar i Komitetit të rrethit të PKJ në Preshevë dhe gjithë veprimtaria e tij ishte përqëndruar në mbrojtjen e popullatës shqiptare nga njësitë partizane serbe, maqedonase dhe bullgare, njësi fashiste bullgare të kthyera pas kapitullimit në njësi partizane.E gjithë veprimtaria e Abdullah Krashnicës nuk u pa me sy të mire, jo vetëm nga regjimi fashist italianë e bullgarë, por edhe nga komunistët e ish-Jugosllavisë, andaj edhe e helmuan dhe vdiq në moshën 28 vjeçare në Spitalin e Shkupit, në kohën kur më së shumti i duhej shqiptarëve të Preshevës dhe më gjërë.
Sikur mos të vdiste aq herët dhe aq i ri, nuk mund të dihet se çfarë rruge do të kishin marrë bindjet politike të Abdullahut, simbolit të lirisë, patriotit dhe vizionarit të Preshevës, duke patur parasyshë tradhëtinë që i bënë çështjes kombëtare komunistët, si këtu në Luginë të Preshevës, në Maqedoni dhe në Kosovë. Edhepse ishte anëtar i PKJ, Abdullahu i takon plejadës së patriotëve dhe heronjëve të popullit shqiptar dhe mbetet një ndër figurat më të pastra të kësaj lëvizjeje. Ndoshta më vonë, hapja e arkivave do ta dëshmojë edhe veprimtarinë patriotike të Abdullah Krashnicës, i cili luftoi dhe veproi për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Veprimtaria patriotike e Abdullah Krashnicës në trekëndëshin Preshevë-Kumanovë-Gjilan Lugina e Preshevës, Lugina e Vardarit (Kumanovë, Shkup) dhe Anamorava e Gjilanit i takojnë etnikumit iliro-dardan-shqiptar, të cilat kryesisht janë të banuara me popullatë shqiptare. Andaj edhe veprimi dhe lëvizja e luftës antifashiste e Abdullah Krashnicës ishte e përqëndruar në këtë rajon, për ta mbojtur pupullatën e këtij rajoni nga pushtuesit fashist dhe hordhitë kuislinge të tyre.
Celula e parë komuniste në Preshevë u formua në vjeshtë të vitit 1938. Për themelimin e kësaj celule ndihmë të madhe ka dhënë organizata partiake e Kumanovës Sekretar i celulës u zgjodh Shaip Mustafa, ndërsa anëtarë : Abdullah Krashnica, Selim Selimi dhe Xheladin Kurbalia.(Ramiz Abdyli, Presheva në LNÇ…). Celula partiake e Preshevës pati kontakte të vazhdueshme me organizatën partiake të Kumanovës, kontaktet i mbanin Abdullah Krashnica, Selim Selimi dhe Shaip Mustafa. Bile, për këtë qëllim Selim Selimi u bë anëtar i Shoqërisë sportive të Kumanovës “Sllavia” Pra, organizata partiake e Preshevës i zbatonte vendimet e Komitetit Krahinor të PKJ për Maqedoni. Në pranverë të vitit 1940, celula e Preshevës shndërrohet në Komitet të Vendit, me direktivën e organizatës partiake të Kumanovës.(R Abdyli, Presheva në LNÇ…).
Në fund të vitit 1940, Tempo kërkon me këmbëngulje përjashtimin e Abdullah Krashnicës nga organizata partiake e Preshevës, sepse ishte “me prejardhje mikroborgjeze”. Shtrohet pyetja : A thua ishte vetëm kjo arsye?. Përgjigja është se Tempo nuk e shikonte me sy të mire Abdullah Krashnicën si kuadër partiak shqiptar dhe të përcaktuar për çështje shqiptare. Më vonë, më 1943, Tempo bënë ndërrime në strukturat partiake dhe të njësive partizane, duke I zëvendësuar kuadrotë shqiptare me ato serbe.
Për shkak të afersisë, si dhe përshkak të lidhjeve të mëparëshme, organizata partiake e Preshevës, gjatë vitit 1942 dhe pothuajse gjatë gjithë periudhës së LDB ka pasur lidhje të ngushta me organizatën partiake të Kumanovës dhe të Gjilanit. Mund të thuhet se organizata partiake e Preshevës nëpërmjet organizatave të përmendura ka shërbye si lidhje në mes të Komitetit Krahinor të PKJ të Maqedonisë dhe të Kosovës dhe prej andej me KQ të PKJ.
Abdullah Krashnica, atëherë prezentonte në mbledhjet e organizatës partiake të Kumanovës, bile prezentoi edhe në Konferencën e Majit të organizatës partiake të Kumanovës, të vitit 1941.Kështu, për t’i maskuar lidhjet me këtë organizatë Abdullah Krashnica dhe Selim Selimi u inkuadruan në Klubin futbollistik të Kumanovës “Sllavia”.
Në shkurt të vitit 1942, në Kumanovë vjen instruktori i Komitetit Krahinor të PKJ i Maqedonisë, Ljiljana Çalovska, e cila ven kontakte me Komitetin lokal të Preshevës, nëpërmjet Abdullah Krashnicës.
Prej gjysmës së vitit 1944 deri në çlirimin e saj, Presheva bënë pjesë ushtarakisht në Zonën e forcave të UNÇ të Maqedonisë, me të cilën ka qenë e lidhur edhe politikisht. Kështu, më 6 gusht të vitit 1944, Presidiumi i ASNOM-it koopton për anëtar të tij Abdullah Krashnicën. Në listën e delegatëve të ASNOM-it, të mbajtur më 2 gusht 1944 në Prohor Pçinjski, ku themelohet shteti maqedonas, figuronte edhe emri i Abdulla Aliut-Presheva. Kështu Presheva ishte pjesë e Maqedonisë.
Kontaktet e organizatës partiake të preshevës me rininë përparimtare të Gjilanit datojnë që nga viti 1938, vazhdojnë gjatë dhe pas LDB. Të themi se Gjilani deri më 1942 nuk pati organizatë partiake.
Në këshillimin e Komitetit Krahinor të PKJ për Kosovë që u mbajt në Berbole, në korrik të vitit 1942, organizatën partiake të preshevës e përfaqësoi Xheladin Kurbalia.
Organizata partiake e Preshevës edhe në Luftën e Dytë Botërore ishte ngushtë e lidhur me Komitetin Krahinor të PKJ për Kosovë e Metohi, sidomos kishte një bashkëpunim të ngushtë me organizatën partiake të Gjilanit, ku Abdullah Krashnica dhe Selim Selimi vepruan një kohë të gjatë. Këtë e vërteton edhe raporti i Komitetit Krahinor i PKJ për Kosovë e Metohi, dërguar KQ të PKJ më 31 janar të vitit 1944, lidhur me gjendjen organizative të parties në Kosovë dhe Preshevë. Presheva numrohet në radhët e organizatave partiake të Kosovës(R.Abdyli, Presheva në LNÇ…).
Organizata partiake e Preshevës ishte e lidhur me KK të PKJ të Kosovës prej nëntorit të vitit 1943 deri në qershor të vitit 1944, kur edhe Abdulla Krashnica ishte sekretar i Komitetit të rrethit të Gjilanit. Kontaktet e para me organizatën partiake të Bujanocit vehen në vitin 1942, nëpërmjet të selim Selimit.
Me qëllim të intensifikimit të Luftës antifashiste, u shqyrtua mundësia e formimit të “Aradhës së Dupillës”e cila do të kishte për detyrë mbrojtjen e rajonit të Luginës së Preshevës, Luginës së Vardarit dhe të Anamoravës së Gjilanit. Kjo nismë u bë me vëndimin e Komiteteve Krahinore të PKJ për Kosovë e Metohi, për Serbi dhe për Maqedoni dhe përgjegjës u caktua Abdullah Krashnica. Mirëpo nisma e përmendur dështoi.
“Gjatë periudhës së pushtimit bullgar, në zonën e Preshevës vepruan dy grupe politike shqiptare. Njëri grupim veproi në kuadër të PKJ në krye me Shaip Mustafën, Abdullah Krashnicën, Selim Selimin, Xheladin Kurbalin etj. Përcaktimi i këtij grupi për bashkëpunim me PKJ ishte i motivuar nga Karta e Atlantikut, e cila parimin e vetëvendosjes e kushtëzonte me pjesëmarrjen paraprake në luftë kundër forcave të boshtit.
Grupi tjetër me orientim antikomunist,pranoi të bashkëpunonte me okupatorin fashist me motivacionin, se nuk dëshironte bashkëpunimin me PKJ që ishte e lidhur me qendrën e sllavizmit në Moskë dhe objektivisht frikësohej nga kthimi i regjimit të vjetër. Mirëpo, pjesëmarrja e tyre në njësitet speciale(kontraçeta) kundër njësiteve partizane vështirë se mund të arsyetoj qëllimin e tyre të mëvonshëm për krijimin e Shqipërisë Etnike.
Në këtë grupim bënin pjesë: Ali Syla, Limon Staneci, Ajet Rainca etj. Madje në kuadër të grupimit të tyre bënin pjesë edhe serb e malazez si psh: Jagosh Janjiqi etj, të dëshmuar për shovinizëm”./Abdyhrraman Zylfiu, Presheva në Luftën e Dytë Botërore(1941-1944)
Nga e majta: Nazmi Ymeri, Abdullah Krashnica-Presheva, Ibrahim Meqa-Gjakova.
………………………………………………
Idea e Abdullah Krashnicës-Presheva të mbetet në Maqedoni
Përkah organizimi administrativo-territorial e politik në Mbretërine e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve të vitit 1925, Rrethi i Preshevës i takonte Qarkut të Kumanovës, Banovinës së Vardarit me qendër në Shkup. Kjo ndarje administrative, territoriale e politike e Rrethit të Preshevës vazhdoi edhe në Mbretërinë Jugosllave të vitit 1931 deri më vitin 1947, atëherë kur Rrethi i Preshevë në mënyrë arbitrare iu bashkangjitë Republikës Popullore të Serbisë, duke u sanksionuar me Kushtetutën e vitit 1947, në qeverisje herë nga Rrethi i Bujanocit, Vranjës e herë nga ai i Leskocit.
Aspiratat kombëtare të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës u shuan në janar të vitit 1945, atëherë kur në sallën e kinemasë së Preshevës i mblodhën qindra qytetarë në te, për t’u deklaruar se dojnë të mbeten nën Serbi. Pra, ky ishte ai plebishiti gjithëpopullor i Preshevës, ndërsa nuk u organizua referendum i vërtetë për deklarim të lirë dhe vullnet politik të Shqiptarëve të Luginës. Në qarqet më të larta partiake të ish-Jugosllavisë apo të Serbisë u kurdis fati i Preshevës,që të mbetet në Serbi, për ta vënë në lidhje kontrolli nga lartë, nga rrethi i Vranjës apo herë herë edhe nga ai i Leskocit. Kështu Presheva, në mënyrë arbitrare dhe pa vullnetin e popullit shqiptar si dhe me qëllim të ngushtimit të trollit shqiptar u nda nga Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Në mbështetje të disa rrëfimeve të individëve të asaj kohe shihet qartë se edhe atëherë klasa politke shqiptare ishte e ndarë dhe e përçarë. Disa nga komunistët e atëhershëm donin mbetjen me Serbinë, ndërsa disa të tjerë të vazhdohet me Maqedoninë, ndër ta ishte Abdullah Krashnica. Paria e Preshevës doli me qënrim që Presheva t’i bashkangjitet Kosovës.
Presheva, në janar të vitit 1945, në sallën e kinemasë së vjetër mbajti mbledhje, tubim sikur plebishitar me përfaqsuesit e të gjitha vendbanimeve të saja dhe aty këta u deklaruan që Presheva t’i bashkangjitet Serbisë.
Më 1946, organet partika të ish-Jugosllavisë e detyruan komitetin e Preshevës që të shkruajë kërkesë zyrtare dhe t’ i drejtohet KQ të PK të Jugosllavise se Presheva është deklaruar më 1945 për bashkangjitje Serbisë. Këtë vit, KQ i PKJ formon komisionin në përbërje : Hembrang, Doronjski dhe Radosavleviq, të cilët nuk zbresin në Preshevë, por mbeten në Vranjë dhe presin raportimin e anëtarit të Komitetit të Preshevës, i cili raporton se Presheva është deklaruar që t’i bashkangjitet Serbisë. Në emër të Komisionit, Stevan Doronjski shkon në Shkup dhe në bisedë me Lazar Kolishevskin arrihet marrëveshja që Presheva të shkëputet nga Banovina e Vardarit, Maqedonisë dhe t’i bashkangjitet Serbisë. Kështu edhe ndodhi.
“Para plotë gjashtëdhjetë vitesh në Preshevë u bë gabimi me një deklarim formal kur njerëzit e tubuar dhe të manipuluar me aklamacion e morën vendimin që Presheva me Bujanocin të mbeten me Serbinë si Republikë më e madhe , më e fuqishme dhe më “demokratike” e jo me Maqedoninë e posa formuar dhe pranuar Republikë më vehte. Ky deklarim i një grushti njerëzish ka ngjarë në gushtin e nxehtë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe ate në sallën e kinemasë që e quanin “Sokollanë”, në prezencën e njëqind e njëzet – njëqind e tridhjetë qytetarëve dhe të dy delegacioneve të Serbisë dhe të Maqedonisë.
Sipas dëshmitarit dhe pjesmarrësit Nuredin Kadriut, ky lloj tubimi na paska qenë mirë e mirë i përgatitur, pasi që kryesuesit e këtij tubimi i paskan marrë thirrjet për këte tubim që do të mbahet, shkruan Zeqirja Fazliu me 18.02.2001”, për Tërnocipress.
Skënder latifi, Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006, f. 90, shkruan : “Neshkoviqi dhe Kolishevski vendosën për fatin e Preshevës dhe Bujanocit të mbeten në Serbi”.
Selim Selimi në librin e tij thotë: “Referendumi për t’u shprehur vullneti i popullit nuk është mbajtur, por në një tubim më 1945, në sallën e kinemasë u mblodhën përfaqsuesit e të gjitha vendbanimeve dhe u deklaruan që Presheva t’i bashkangjitet Serbisë”. Edhepse nuk ishte ai që vendosi për fatin e Preshevës, Selim Selimi e arsyton këtë akt me zhvillueshmërinë më të madhe të Serbisë dhe me ate se Shqiptarët e Preshevës gëzuan më shumë të drejta se Shqiptarët e Maqedonisë.
Abdullah Krashnica i mbeti besnik idesë se Presheva duhet të mbetet me Maqedoninë, bile e përkrahu edhe idenë e atdhetarëve të Rezistencës shqiptare në Luginë të Preshevës dhe Parisë së Preshevës, që Presheva t’i bashkohet Kosovës.
Ali Aliu në librin e Skënder Latifit, Përtej ferrit, Preshevë, 2008, f. 14, thotë : “… Abdullah Krashnica u përgjigj: Edhe unë e di mirë këtë çështje dhe jam i informuar për të gjitha çka po ndodh në popull dhe çka mendon e dëshiron, por tani kjo është e pamundur, sepse kjo gryka jonë e lidh Serbinë përmes Shkupit me Selanikun. Për ne, do t’ishte më mirë të mbeteshim me Maqedonin, pasi Shkupin e kemi më afër dhe lidhemi me popullsinë tonë”.
Kështu e arsyetoi bashkangjitjen e Preshevës me Serbinë, por në fakt Abdullah Krashnica e kishte me dije rëndësinë gjeopolitike dhe gjeostrategjike të Luginës së Preshevës dhe Luginës së Vardarit për sferat e interesit dhe globalizmit botëror. Andaj e pati shumë të qartë se këto dy Lugina/e Preshevës dhe e Shkupit/ duhet të popullohen me popullatë shqiptare, për të krijuar elementin dominues shqiptar. Këtë e mundësonte vetëm mbetja e Luginës së Preshevës me Maqedoninën, gjegjësisht Presheva në Banovinën e Vardarit, e cila do të krijonte mundësi për një shumicë shqiptare përgjatë Luginës së Preshevës dhe Luginës së Vardarit.Është e njohur teza e studiuesve serbë, se kush e mbizotëron Fushëgropën e Preshevës dhe të Shkupit, sundon Ballkanin.
Filozofia pragmatiste – praktike e jetës dhe veprimtarisë së Abdullah Krashnicës
Gjithë jeta dhe veprimtaria e bujshme e Abdullah Krasnhnicës ishte filozofi e të jetuarit, filozofi pragmatike dhe praktike në situata dhe momente të duhura. Për këtë e çmuan dhe e vlerësuan shumë bashkëluftëtarët e luftës antifashiste, por edhe anmiqët e tij. Pra, e gjithë filozofia e tij qëndronte në ate se jeta e njeriut vlen dhe duhet të mbrohet me çdo mjet. Këtë edhe e dëshmoi gjatë gjithë jetës të shkurtër 28 vjeçare. Në jetë dhe veprime ishte pragmatik, praktik dhe gjithmonë me arsyeshmëri, me mprehtësi dhe zgjuarsi zgjidhte problemet e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Luginës së Vardarit dhe të Anamoravës së Gjilanit.
Abdullah Krashnica e parandaloi masakrën e madhe të njësive partizane bullgare, maqedonase dhe serbe në Sopot, e cila ndodhi më 4 nëntor 1944. Aty i pushkatuan 68 burra, një i ri iku dhe dy pleqë i liruan. Po mos të intervenonte me kohë Abdullah Krashnica, do të pushkatoheshin edhe gratë dhe fëmijët e mbledhur të fshatit Sopot. Për këtë ngjarje shkruan Qerim Lita në librin : Shaban Efendia, atdhetar i devotshëm e shumë autorë të tjerë.
Abdulla Krashnica nuk mundi dhe nuk arriti ta shpëtojë popullatën e Karadakut, masakrën në Iseukë dhe Gosponicë.
Abdulla Krashnica e shpëtoi pushkatimin masiv të popullatës së Raincës. Kështu me urdhër të tij, bashkëluftatarët e tij Dushani dhe Riza arritën duke vrapuar me kuajë ta shpëtojnë popullatën e mbledhur për pushkatim masiv, të mbledhur pas murit.
Abdullah Krashnica për hir të popullatës shqiptare, mbrojtjes së saj nga pushkatimet masive, masakrat e popullates, qe shumë tolerant dhe praktik sa që pranoi të bisedojë edhe me armikun, vetëm e vetëm mos të bëhet gjakderdhje e popullatës shqiptare. Bile nuk i përfilli as qëndrimet partiake dhe shkoi për të biseduar më përfaqsuesit e Rezistencës kombëtare në Preshevë, vetëm e vetëm për t’i ikur dhe shmangur gjakderdhjes së popullatës shqiptare, që po i përgatiteshin me rastin e humbjes së kësaj Rezistence e me hyrjen e njësive partizane. Edhepse ato sa mundën dhe sa patën fuqi kryen masakër masiv në popullatën shqiptare.Abdullah Krashnica ishte vigjilent dhe me punë konkrete nuk lejoi në Preshevë dhe në disa vendbanime të Preshevës të kryhen masakra të popullates, pos ndonjë rasti individual dhe ato raste të njohura historisë shqiptare.
Abdulla Krashnica e donte shumë popullin, andaj edhe angazhimi i tij në mbrojtjen, por edhe në prosperitetin e tij, dha shumë për shkollimin Shqiptarëve. Angazhimi i tij në këtë drejtim iste shumë i madh, kështu që më vitin 1945 hap shkollën e parë shqipe në vilën “ Letafet” në Preshevë, pronë e dhanur pa kompenzim e patriotit Abdulla Haxhiveliut.
Për madhësinë dhe sakrificat e Abdulla Krashnicës shkruan edhe Tefik Geci, në recensionin e librit të Selim Selimit, Kohë e sfidave historike, f. [190] : “ … me Abdulla Krashnicën e të tjerët u bën përpjekjet maksimale për ta ruajtur në radhë të parë popullatën nga likuidimet, masakrimet dhe torturimet e llojllojshme”.
Vdekja enigmatike e Abdullah Krashnicës
Abdullah Krashnica vdiq më 15 mars të vitit 1945, në Spitalin e Shkupit. Për vdekjen e tij në Preshevë e më gjërë qarkullojnë opinione të ndryshme. Njëra palë, vdekjen e Abdullahut e lidhin me sëmundjen e tifosë, ndërsa pala tjetër me vrasje dhe helmim të tij. Selim Selimi, Kohë e sfidave historike, f. 116, shkruan :” Në këtë veprimtari, kontributi i Abdullahut dhe sakrificat që i bënte ai kanë qenë shumë të mëdha. Ai arrinte gati kudo që e kërkonte nevoja dhe i ndihmonte popullit në ato ditë të vështira. Aktiviteti i pandërprerë dhe lodhja e madhe nga pasojat e torturave që i kishte pësuar nëpër burgje, lufta e mundishme nëpër male si partizan, të gjitha sëbashku kishin ndikuar që të sëmurej rëndë. Mjekët e konstatuan se ishte sëmurë nga tifoja dhe se i duhej shërim i gjatë”.
Për mjekimin e Abdullahut në Preshevë u kujdes një mjek serb, Antonijeviq. Pasi ky mjekim nuk pati rezultate, Abdullahu vendosi, sipas Selim Selimit të shkojë në Spitalin e Shkupit. Pas një kohe, ai ivdekur u soll dhe u varros me nderime të mëdha në Preshevë. Lidhur me vdekejn e Abdullahut u bënë dhe ende bëhen spekulime, se gjoja është helmuar diku në Vranjë apo Bujanoc, duke pirë kafe, sipas Selimit. Selimi thotë se mjekët konstatuan se vdekja e Abdullahut ndodhi nga sëmundja e tifosë dhe se simptomet e helmimit nuk janë konstatuar.
Në arsyetimin e Selim Selimit, se asnjëherë nuk ka vërejtur tek Abdullahu diçka të dyshimtë dhe se mos atëherë, bile pas 50 vjetëve do ta kisha treguar lidhur me vdekjen e Abdullahut.
Ali Aliu i Preshevës duke u përgjegjur në pyetjen e Skënder Latifit, në librin “Përtej ferrit, Preshevë, 2008, f. 41 thotë :” Për mua vdekja e Abdullahut është një “enigmë”. Që deri më tani nuk është zbuluar. Dyshimet që paraqita lidhur me mosardhjen e Nexhat Agollit në varrim për të mos “rënë në sy të keq”(ishte shok i ngushtë i tij e pas dy viteve edhe ai pësoi”.
Pastaj poashtu sipas fjalëve të Ali Aliut, ardhja në ditën e varrimit të Abdullahut, e Dushan Deverxhiqit-Zhika, shef i punëve të brendshme në Vranjë dhe fjalët e tij thënë Selimit : “Pse po qan me aq zë të lartë Selim… ai s’ka qenë i yni”, vërtetojnë se me të vërtetë vdekja e Abdullahut pati prapavijë politike edhe ushtarake. Abdullahut, në atë kohë i ofruan gradën e kapitenit, në Shtabin Kryesor Ushtarak për Serbinë,por nuk pranoi, për të mbetur në Preshevë, më popullin e vet
Pas tij u likuidua edhe Nexhat Agolli dhe pas një bisede që pati Abdullahu me Milladin Popoviqin, edhe ai u likuidua.
Ibrahim Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë, 2006, f. 132, shkruan: Më 11 nandor , biseda u zhvillue kryesisht mes Abdullahut dhe meje, i cili gjashtë muej me vonë vdiq në rrethana mjaft të dyshimta”.
Fehmi Kelmendi, Kush janë Shqiptarët, Tetor, 1990, f. 69, shkruan : “ …Abdullah Krashnica, për shkak të qëndrimit të drejtë dhe reagimit kundër vrasjeve të Shqiptarëve në mars të vitit 1945 u helmua në Vranjë”.
Lidhur me jetën dhe veprimtarinë e Abdullah Krashnicës shkruhen edhe romane. Kështu në vitet e 65-70-ta, në Shqipëri është botuar edhe romani me elemente historike “Tradhtia”, të cilin e sollën edhe në Preshevë, të autorit ulqinak Kapllan Resuli, dikur i burgosur politik në Idrizovë, më vonë thuhet bashkëpunëtor i UDB-së. Personazhi kryesor i romanit është Arben Presheva, /Abdulla Krashnica/, të cilin në roman e tradhtojnë dhe e helmojnë.
Më vonë Nafi Çegrani, poashtu i burgosur për dhunim në Idrizovë, bashkëpunëtor i UDB-së thotë se romanin “Tradhtia” e shkroi Mahmut Dumani, poashtu një i burgosur politik në Idrizovë, romanin e të cilit ia futën sikur e ka shkruar Kapllan Resuli.
Mosshpallja e Abdullah Krashnicës-Hero i Popullit
Në vitin 2010, në Prishtinë vdiq atdhetari dhe patrioti preshevar Ali Aliu-Kelmendi. Familja e tij në Prishtinë hapi konakun, siç janë adetet shqiptare për të pame dhe ngushëllime.
Një ditë në familjen e Aliut erdhi në të pame dhe ngushëllime edhe Qëndresa e Popullit shqiptar Adem Demaçi. Në bisedë e sipër i Madhi Patriot dhe Atdhetar Adem Demaçi, kur u prek çështja e Preshevës, u deklarua aty, se Abdullah Krashnica është hero i popullit shqiptar.
I motivuar nga këto fjalë të të Madhit Atdhetar Adem Demaçi thurra këtë pjesë të shkrimit.
Poashtu gjatë vitit 1973 në Preshevë, në mbledhjet e Këshillit komunal të Lidhjes së Luftëtarëve të Preshevës diskutohej edhe çështja e shpalljes së Abdullah Krashnicës-Hero i Popullit dhe kërkesës së Këshillit komunal të Preshevës drejtuar organeve më të larta, gjegjësisht Lidhjes së Luftëtarëve të Jugosllavisë në Beograd. Aty merrnin pjesë të gjithë përfaqsuesit të organizatave shoqërore politike të komunës së Preshevës dhe në shumicën e mbledhjeve prezentonte edhe Selim Selimi.
Gjatë diskutimeve të Këshillin komunal vëreheshin mangësi në thurrjen e kërkesës , vonesën e kërkesës për Beograd dhe dyshimin se kërkesa nuk ka arritur në adresën e duhur në Beograd dhe se ka mbetur diku në sirtarët e Vranjës. Qysh atëherë lindi dyshimi se dikush e pengoi shpalljen e Abdullah Krashnicës-Hero të Popullit. Më vonë u lansua teza se me vonesë është përcjellë kërkesa dhe se më në ish-Jugosllavinë nuk do të ketë shpallje të heronjve, e kurrsesi të Abdullah Krashnicës.
Këtë çështje e trajton edhe Selim Selimi në librin : Kohë e sfidave historike, f. 170 :” Me kontributin që e dha para luftës dhe në LNÇ, ai/Abdulla Krashnica/ mbeti i paharrueshëm në zemrat e gjithë popullatës së ndershme, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare që e kishin.Pos tjerash Abdullah Krashnica ka qenë personalitet karismatik. Për veprën revolucionare dhe patriotike ka merituar të shpallej Hero i Popullit. Pas mbarimit të LNÇ dy herë e kemi propozuar për hero të popullit. Në vitin 1968 e propozuam për së dyti, por fatkeqësisht kësaj here nuk u miratua kërkesa jonë. Na patën informuar se kishte shumë kërkesa nga të gjitha viset e Jugoslavisë dhe nëse do të pranohej kërkesa jonë, atëherë do të duhej të pranoheshin edhe kërkesat e të tjerëve dhe kështu do të rritej numri i heronjve. Ky nuk ishte kurrfarë arsyetimi. Ndonëse zyrtarisht Abdullahu nuk u shpall hero i popullit, ai në zemrat e popullit mbeti hero i përjetshëm. Skënder Latifi, Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006, f. 46: “Kërkesat e komunistëve, bashkëluftëtarëve të tij që Abdullahu të shpallet hero i popullit kurrë nuk u pranua nga bashkëluftarët e tij serbë. Kjo ka ndodhur më tepër për shkak të një mëkati, të cilin e kishte bërë Abdullahu me të ndëgjuar se në Kosovë pas lufte do të hyjë në fuqi rendi ushtarak. Lajmin për këtë ia kishte kumtuar dikush prej bashkëpunëtorëve të tij para ndërtesës së Kuvendit komunal në Preshevë.
Ai me këtë rast me ton të ngritur kishte thënë”këtu pra filluan hilet, por si duket duhet luftuar prapë”.
Megjithate Abdullah Krashnica mbete hero i popullit shqiptar, patriot dhe atdhetar i devotshëm.
Abdullah Krashnica, edhepse ishte anëtar Partie, ai asnjëherë nuk propagandoi ideologji komuniste ne popullatën shqiptare të kësaj ane.
Abdullah Krashnica është pjesë e kujtesës kombëtare shqiptare dhe qëndresë e lirisë dhe atdhetar për çlirim dhe bashkim kombëtar.
_______________________
Referencat:
1.Ramiz Abdyli, Presheva në Lëvizjen Nacionalçlirimtare 1941-1945, Preshevë, mars 1977
2.Sabri Ajdini, Ai i listës së Heronjve, Panorama, Preshevë, 1980, nr.2
3.Qerim Lita,Shaban Efendia, atdhetar i devotshëm, Kumanovë, mars 2010
4.Ibrahim Kelmendi, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë, 2006
5.Selim Selimi, Kohë e sfidave historike, Preshevë, 1995
6.Skënder Halimi, Përtej ferrit(Bisedë me Ali Aliun), Prishtinë, 2008
7.Skënder Latifi, Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006
8.Sadri Qazimi, Presheva mbijetesa në sprovat historike dhe aktuale, Preshevë, 2010
9.Fehmi Kelmendi, Kush janë Shqiptarët?, Tetor 1990
10.Grup autorësh, Arsimi fillor në komunën e Preshevës 1945-1995, Preshevë, 2001
11. Xhemaledin Salihu, Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995, Preshevë, 1999
12.Abdyhrraman Zylfiu, Presheva në Luftën e Dytë Botërore (1941-1944), dorëshkrim
13.Zeqirja Fazliu, Si do të përsëritet gabimi i para gjashtëdhjetë viteve?!, Ternocipress, 19 tetor 2010
14.Xhemaledin Salihu, Përfaqsimi i Shqiptarëve të rrethit të Preshevës në organet dhe institucionet partiake e shtetërore në vitet 1945-1947, Presheva.com, gusht 2010
15.Xhemaledin Salihu, Situata politike më 1948 dhe kërkesa e Shqiptarëve për bashkim me Kosovën dhe Shqipërinë, Presheva.com, gusht 2010
16.Nafi Çegrani, Si u tradhëtuan Gjon Sereçi dhe Ibrahim Lutfiu, Zemra shqiptare, 13.03.2011.
Preshevë, më 14 shtator 2012