KADRI REXHAJ: TEPELENA NDEROI BIRIN E VET TË DEVOTSHËM – FERHAT CAKAJ (1935-2013)

Cyrih, 10. 10. 2016: Më 08.10.2016, me titullin “Qytetar Nderi” (Pas vdekjes), Tepelena nderoi birin e vet të devotshëm, personalitetin e shquar poliedrik Ferhat Cakaj, i cili, për më shumë se një gjysmë shekulli, me punën dhe me përkushtimin e jashtëzakonshëm prej birit të popullit, e nderoi, e ndriti dhe lartësoi Salarinë, Tepelenën, Kukësin dhe mbarë Atdheun. Për punën e tij si nxënës të dalluar në shkollë, në aksionet vullnetare për ndërtimin e atdheut, në edukimin dhe arsimimin e popullit, në fushën e folklorit, të letërsisë, të historisë, të shkencës dhe të arteve, në veprimtaritë organizative, shoqërore dhe letrare dëshmojnë shpërblimet, dekoratat dhe çmimet deri te titulli i lartë “Mësues i Merituar”.
E tërë jeta dhe vepra e Ferhat Cakajt ishte mision, mision i shenjtë në shërbim të popullit dhe të atdheut. Me punën dhe me rezultatet e veprimtarisë së tij Ferhat Cakaj radhitet krah personaliteteve të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Prandaj, me këtë çmim meritor, Tepelena, aq sa nderoi shkrimtarin Ferhat Cakaj, familjen dhe miqtë e tij, Kukësin dhe Tiranën, po aq, me këtë çmim, Tepelena nderoi edhe vetveten e saj, me shpresë që në të ardhmen e afërt, nga niveli më i lartë i shtetit, të madhit Ferhat Cakaj, t’i akordohet titulli i merituar “Nderi i Kombit”.

FERHAT CAKAJ (1935-2013)

Me këtë rast, për miqtë e mi të fb-ut, po e bëj publike letrën në vijim. Letrën e botoj në shenjë kujtimi dhe mirënjohjeje të përjetshme për të paharruarin, mik e vëlla, Ferhat Cakaj:
I dashuri Kadri,
Ju faleminderit shumë për dhuratën e çmuar, librin tuaj, “Fati i luleve”!

E lexova me një frymë. Nuk mund t’ju them se sa shumë më tronditi ai libër gjatë leximit dhe rileximit në mjaft pjesë të tij. Ju flitni pak dhe me rezervë për veten tuaj dhe poetin Teki Dervishi. Ndoshta ju ka munduar ndjenja e modestisë. Në se do t’ju paraqitet mundësia dhe dëshira e mirë, më shkruani më gjatë për veten dhe për Tekiun. Se si m’u bëtë të afërt, intimë, nga sa mësova prej librit tuaj dhe ju them hapur: ju dëshiroj t’ju kem një ditë miq në shtëpinë time! E, në ardhtë Dita e Kosovës, jam gati të nisëm në këmbë për Prishtinë tok me Ju!! Për mua Kosova gjithë jetën ka qenë Vakëfi i Shqipërisë, ku çdo pëllëmbë dheu është i shenjtë se është vaditur me gjak brezash.
Përse po Ju shkruaj me kaq vonesë?
– Libri juaj “Fati i luleve” u lexua plotësisht në Radio-Kukësi në një emision special, enkas për të, çdo ditë, deri në faqen e fundit. Kjo është meritë e drejtorit të institucionit, Izet Duraku, poet. Folësja është me kulturë dhe i bëri një lexim artistik. E kam ndjekur me vëmendje dhe nuk e teproj, kur e vlerësoj kësisoj.
Nuk e di, në jeton nëna Aishe, në e ka dëgjuar. Nuk e di, sa e lejon sot zgjedha ultrafashiste serbe ta dëgjojnë radion në familjen kosovare. Se, me sa di unë, Radio-Kukësi dëgjohet mirë jo vetëm në Pejë e rrethina, por edhe në Treg të Ri, Vranjë, Preshevë e Kërçovë.
Mendoj se leximi i monografisë suaj, në një vështrim të tillë, pati një “botim” të ri, krejtësisht të veçantë e fatbardhë.
– Në “Rilindjen” e 17 Janarit, që del në Tiranë, u botua shkrimi “Liria do të vijë!” Po jua nis fotokopjen. Redaktori i gazetës nuk ma dha mundësinë të botohej diçka më shumë e më gjerësisht.
– Më 16 Janar, në Radio-Kukësi zhvillova një bisedë prej gjashtëdhjetë minutash me redaktorin për librin „Fati i luleve“, për autorin, për Jusuf Gërvallën dhe çështjen e madhe të kombit tonë.
Kaq munda të bëj, i dashuri Kadri. Kjo është arsyeja që nuk ju shkrova më parë.
Më duket se shkrimi im ka qenë i varfër ndaj asaj që duhej. Sepse vepra juaj në mesazhin e saj është një kushtrim i vërtetë për të zgjuar edhe ndërgjegjet më të fjetura, më të çoroditura, të cilave ua futën akullin në shpirt serbët tanë të Tiranës dhe serbët e Beogradit, ndërgjegje që janë e qëndrojnë të shurdhra përpara ulërimës e gjëmës jo thjesht të Kosovës, por të kombit tonë.
Vepra ka edhe vlera për të cilat shkrimi im nuk flet; aty janë të ndjeshme e të pranishme ritmi, poezia, tabloja e kohës, dramatizimi i thellë, situatat, portretizimet deri në simbole, të vrarët dhe të gjallët. Gjithçka në shërbim të së ardhmes, me një shqetësim e përkushtim madhor.
Me bindje të tilla e bëra shkrimin për librin.
I dashuri Kadri,
nëse vjen në atdhe, eja në Kukës, qoftë edhe për një ditë. Të jeni i sigurt se këtu do të gjeni hapur derën e një miku që ushqen respekt për Ju. Do të gjeni një mik me të cilin ju bashkon dashuria e thellë për Kosovën. Mund të heqësh pak keq…, por të jesh i bindur se shtëpia e vogël është e begatshme për miq të vërtetë.
Si në ëndërr m’u shfaq dhe iku Shefqet Dibrani.
Ju përqafoj vëllazërisht nga larg!

Juaji sinqerisht
Ferhat Cakaj
Kukës, 31.01.1995
Adresa: F. Cakaj
Lagja 5, pallati 12, apart. 12
Kukës

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura