SERVETE KASTRATI: SI MË LINDI DHE U ZHVILLUA PASIONI PËR PUNIMET ARTISTIKE TË ARTIZANATIT, ME MOTIVE KOMBËTARE SHQIPTARE

Pashtriku.org, 20. 06. 2016: (Bisede, me artisten artizane, Servete Kastrati) – M.GECAJ: Siç mund ta dishë dhe ti, me punën tende jam njohur sadopak, kur përgatitëm e botuam bashkërisht një bisedë, përmes Internetit, me Luljeta Avdiun-Cura, mësuese dhe veprimtare e dalluar e kulturës në Ulqin…Megjithatë, së pari, a mund të tregosh diçka për jetën tende?
S.KASTRATI: Po, falemnderit! Kam lindur në qytetin e Gjakovës. Por, fatkeqësisht, babai më la jetime, pa mbushur ende një vit! Pastaj, nëna u martua në një fshat të Rahovecit, ku kam jetuar dhe jetojmë deri sot…
M.GECAJ: Sigurisht, jeta në fshat bëri që t’i dashurosh veshjet popullore. Kur e nise punën e dorës?
S.KASTRATI:
Vërtetë ashtu është. Kur ende isha e vogël, i shikoja me shumë kujdes gjyshen dhe nënën e mundohesha që t’i imitoja,kur bënin punë dore ose në vegje. Unë jam brezi I tretë, që merrem me kete punë. Shpresoj që edhe nga nipat e mbesat e mija ndonjëri ta vazhdojë këtë profesion dhe të bëhet artist i vërtetë…. Kështu, pakengapak, më lindi dëshira dhe m’u shfaq pasioni për punime të tilla. Më kujtohet se isha në klasën e tretë fillore, kur na kërkuan punëdore. Unë u ula dhe me vëmendje e durim, punova një bluzë, si për kukulla, me dy ngjyra. Puna e parë nuk më pëlqeu dhe e prisha. Pastaj e vazhdova punën më me vëmendje,duke ia qepur pullat vetë dhe me kujdes. Që nga ajo kohë, kam nisur edhe të vizatoj shumë bukur. Pastaj, në moshën 12-vjeçare kam arritur të kryej çdo punim, që e bënin edhe femrat e rritura. Nisa të punoja edhe në vegje dhe pastaj mësova të bëj zhguna (shajak). U mësova të punoja edhe pëlhura për çarçafë, deri 10-12 metra në ditë.

Servete Kastrati, duke punuar…

M.GECAJ: Po më tej, si e vazhdove këtë veprimtari kaq interesante, që në vetëvete ishte punë artistike?
S.KASTRATI:
Me vullnet të fortë e vendosmëri, mësova të bëja edhe çorape të ndryshme e të qëndisja. Shpejt arrita që t’i realizoja të gjitha llojet e qëndisjeve dhe, më së shumti, me motive kombëtare shqiptare. Të tilla ishin ato me shqiponjën në flamur, në shumë modele. Gjatë punës në rrobaqepësi, që nga viti 1974, thurja triko të ndryshme me motive popullore.


Nga sfilata, në kryeqytetin e Prishtinës…

Mbas martesës dhe lindjes së katër fëmijëve, iu kushtova punimit të veshjeve të tyre me motive tona kombëtare. Në çdo manifestim ata shkonin me ato rroba veshur. Gjithnjë ua kam theksuar atyre se, vëshje të tilla, na dallojnë ne si shqiptarë, ndryshe nga të huajtë.
M.GECAJ: Kam parë në profilin tën, në FB, se aty shënohet “Tradita Kolektion”…Pse është quajtur ashtu?
S.KASTRATI:
Këtë emër e përdorëm në sfilatën time të parë me veshje popullore kombëtare, e cila u organizua në Prishtinë dhe ishte e para në tërë Kosovën. Këtë emër ma propozoi producenti, Ilir Geci dhe unë e pranova me kënaqësi. Kështu na njohin më mirë edhe kur marrim pjesë në venprimtari të tilla jashtë vendit tonë. Po përmendi vetëm një rast…
Vitin e kaluar, kur u organizua një veprimtari në Prishtinë, gazetares së nderuar Bardha Mançe dhe Sokol Demakut, nga Qendra Kulturore “Migjeni”, në Boras të Suedisë, u tërhoqën vëmendjen fotografitë e shumta me punimet e mia. Pastaj, më ftuan në qytetin Goteborg të atij vendi skandinav, në veprimtarinë e organizuar me rastin e festës së 28 Nëntorit, “Ditës së Flamurit Kombëtar Shqiptar”. Aty unë paraqita gjithësej 25 veshje të bukura popullore shqiptare. Ato u panë me kanaqësi dhe, në përgjithësi, e kaluam shumë mirë.


Pamje, nga pjesëmarrja në manifestimin kulturor, zhvilluar në Goteborg të Suedisë…

Me atë rast, QKSH “Migjeni” më dha “Mirënjohje”…Përsëri tani, i falënderoj ata përzemërsisht, si për ftesën dhe vlerësimin, që më bënë atje!
M.GECAJ: Si ka ndikuar ky profesion në jetën tënde?
S.KASTRATI:
Puna bëri që unë mos ta ndiej asnjëherë vetën jetime. Se puna e mban gjallë njeriun. Prandaj kam shumë respekt për të gjitha femrat punëtore artizane ose të profesioneve tjera. Me pak fjalë, mua puna më kaliti e më bëri njeri të respektuar në shoqëri, ajo më mbajti e më mban në jetë, të frymëzuar e të motivuar.
M.GECAJ: Faleminderit për sa më tregove deri tani, Servete! Po, a mund të më shpjegosh edhe pjesësmarrjen tuaj në veprimtaritë e ndryshme, që janë organizuar me punimet e artizanatit, që ke bërë vetë ose shoqet tua?A ishit ju në “Panairin Mbarëkombëtar të Artizanatit”, që u organizua në Ulqin dhe si u vlerësua pjesëmarrja juaj?
S.KASTRATI:
Kam qenë e ftuar edhe në manifestimin e organizuar në Shas të Ulqinit, nga Shoqata Shqiptare atdhetare-kulturore “Ana e Malit”, me kryetare Luljeta Avdiun-Cura. Aty paraqita 24 veshje tonat popullore, nga disa treva shqiptare. Veprimtaria ishte organizuar shumë mirë dhe la mbresa të pashlyera te shikuesit e shumtë. Për paraqitjen aty të veshjeve të bukura popullore, mua më vlerësuan dhe më nderuan me “Mirënjohje”.


Ja dhe sfilata e veshjeve popullore, në Ulqin…

M.GECAJ: A dëshiron që të shtosh ndonjë diçka tjetër, në mbyllje të kësaj Bisede, për të cilën të falënderojmë përzemërsisht?
S.KASTRATI:
Po, kam për të shtuar… Për këtë punë, që bëj, gjithmonë jam motivuar e frymëzohem, duke shikuar edhe Televizionin Shqiptar (TVSH). Aty i shikoja me vëmëndje të posaçme këngëtarët, me veshjet dhe muzikën e pastër shqiptare. Kështu, gjatë punës sime ua imitoja kostumet atyre dhe këtë gjë e bëj përsëri edhe tani.
…Ja, pra, ky eshte profesioni im, të cilin e dua kaq shumë. Çdo njeri, i cili e merr një profeson, të cilin e do vetë, aty asnjëherë nuk do të mungojnë arritjet dhe ai do të fitojë kënaqësinë e punës së ndershme…Ju falëmnderit për këtë Bisedë, që zhvilluam bashkë!
Prof.Murat Gecaj, publicist e studiues – Tiranë 19 qershor, 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura