BEN ANDONI: NJË UDHË NË TRAGJASIN E ZHDUKUR

(Tiranë, 16. 09. 2012) – Ka kohë që ai nuk jeton më. Tragjasi, ai i vjetri, është thjesht një kujtesë e materializuar me rrënoja, që drita e diellit e lëbyr me ferrat e pafund. Për ironi të fatit, fshatarët të ngatërrojnë për historinë e saj: Ata që janë me pjesën e Nacionalistëve dhe tash të Partisë Demokratike të thonë me siguri se: Fshati u dogj nga komunistët; ndërsa e kundërta të thotë se fshati u dogj nga nazistët dhe ballistët. Gjithsesi, në ish-fshatin e mrekullueshëm të vjetër s’ka mbetur asgjë veç rrënojave dhe bagëtisë… Dy burra të moçëm na tregojnë kohën dhe ajo që mbeti…nga zulma e Tragjasit.
Qesh. Pastaj vrenjtet dhe nuk flet. Qesh sërish. Na konfuzon shumë gjendja e tij, por gjithsesi e shikojmë dhe mundohemi t’i marrim ndonjë të dhënë më shumë nga ato që dimë. Ai është i ngeshëm dhe nga muhabeti, që na bën, na ‘lehtëson’. Befas drejton bagëtinë, që është e shpërndarë mes gërmadhave, dhe pastaj kur kthehet nga ne, qesh sërish. Burri ka trup mesatar dhe mban një kapelë bejsbolli, një xhup të thjeshtë dhe është krejt i patrazuar. Është njeriu i parë dhe i fundit, që takojmë në atë që më parë quhej Tragjas dhe që sot njihet si rrënojat. Këto të fundit, me një status të veçantë, konsiderohen si Monument Kulture. Deri afër, ti nuk e ndjen fshatin, pasi është përballë pasqyrimit të diellit. Më afër. për më tepër, nga ky bari nuk mund të kuptosh asgjë. Rrënojat humbasin prej lojës së dritës dhe janë njëjtësuar me gjelbërimin e harlisur të kohës. Pak më vonë qeshim edhe ne sepse burri ka të shkruar në kapelë Dallas dhe poshtë cowboy. Kuptohet japim një justifikim të së qeshurës sepse ai mban një sopatë të vogël, që e ka ngecur te parakrahu dhe nga përgjigjet kuturu, thjesht duhet të jesh i kujdesshëm. Një moment… pyet për vizat?!!! Befas, sikur të na këtë futur dhe neve makthin e tij, e pyes se kush e dogji fshatin. “Ç’më duhet mua. Ku di gjë! Jam nga Ballshi dhe po ruaj bagëtinë e …”, më thotë një emër që nuk ka se si e identifikoj…

Tragjasi i vjetër

………………………………………………….

E shkuara
“Djegia e Tragjasit ndodhi të Dielën e Pashkëve të vitit 1944,” dëshmon ish oficeri Hudson [www.talesofwar.com]. “Gjermanët vranë shumë nga pleqtë dhe të rinjtë e fshatit…. Ishte një pamje e tmerrshme. Ne shikonim me dylbi djegien, shkatërrimin, ikjen me lemeri të njerëzve. Përveç ndonjë të shtënë pushke, largësia nuk na lejonte të dëgjonim thirrjet e banorëve për ndihmë apo dhimbjen e tyre të jashtëzakonshme. Nuk mund të bënim dot asgjë për t’i shpëtuar ata.” 1
Vërtetë nuk mund të bënin asgjë. Siç ndodhi rëndom në kohën e Luftës, shumë nga përfaqësuesit e Aleatëve, më shumë do e humbitnin kohën për të bindur Komunistët të mos luftonin Nacionalistët dhe këta të fundit, që të përfshiheshin në Luftë… sesa do të organizonin. Në ditarët e ndryshëm pasiguria, mllefi dhe shpesh herë mosmarrëveshjet, e tregojnë hapur konfuzionin e tyre. Gjithsesi, djegien e Tragjasit, oficerët e huaj do e këqyrnin atë ditë live nga mali. Oficerët Hudson dhe Kukich do të takoheshin në mal me oficerët e tjerë Tom Stefan, Anxhelo Mitro dhe Albert Toli, shpërndarë nga sikleti i ndjekjes së gjermanëve dhe do mbeteshin dëshmitarë…të një historia të papërsëritshme. Në fakt, fshati ishte i mësuar me erën e djegies. Në kronikat e kohës është fiksuar edhe 7 gushti 1943, kur është djegur. Divizioni Italian “Parma ”, i dislokuar në Vlorë bëri një demonstrim duke e qëlluar popullsinë me të gjitha llojet e armëve: me artileri, tanke, mortaja dhe aviacion dhe në fund nuk kursyen asgjë dhe madje deri pyjet dhe shpellat ku ishin strehuar fëmijët, pleqtë, të sëmurët, të plagosurit. Përfundimisht vulën ia vunë gjermanët më 6 prill 1944… Pa u futur në detaje, Tragjasi ka qenë shumë i ndarë. Një pjesë luftonte me partizanët dhe ishte në Batalionin territorial të fshatit, kurse përballë kishin bashkëfshatarët e tyre Skënder Muço: eksponent i Ballit Kombëtar dhe Mehmet Alemi: oficer i Milicisë Fashiste, që ishin me forcat italiane. Asgjë nuk u kursye në atë kohë, ndërsa 3 gra të këtij fshati, do jepnin shpirt të varrosura të gjalla. Largohemi nga bariu, dhe me masën e gjërave që kemi lexuar për Tragjasin futemi tutje në fshat. Është një rrugë kryesore dhe lartësia e mbetur e gërmadhave të fillimit të jep përshtypjen e madhësisë së vendit…Humbasim. Ka hapësira të tëra shtëpish. Elementë të braktisur dhe të rrënuar. Janë ende harqe dhe portikë. Kanë mbetur rrugët, ndërsa, njeriu ngatërrohet lehtë. Është si një Palorto e Gjirokastrës, por tashmë krejt e rrënuar.
Drejt Tragjasit
Pak orë më parë ka qenë e thjeshtë. Një tabelë në të majtë të Orikumit të bën me dije se fshati është vetëm katër kilometra larg. Kjo të kënaq. Dhe, kur flet me një bari rrugës, duke i kërkuar minutazhin e saktë të destinacionit, e që kuptohet se ai e shton pak, gjithsesi mbetesh brenda parashikimit. Tragjasi i sotëm është një habi e madhe. Është hapur shumë në drejtim të malit dhe gati zbret i tëri në fushë. Në qendër të fshatit është ngritur dhe një hotel: Grand. Ka një përrua të pastër, izvori që i kalon poshtë këmbëve, ndërsa hoteli, që nuk e gjen dhe në qytetet kryesore është pesëkatësh dhe mes rrepeve të shumta. Të gjitha ujërat e fshatit bashkohen dhe të gjitha pas një meandrimi të vogël në një rrugë fare të shkurtër, bashkohen dhe pas pak kilometrash derdhen në Det. Tragjasi, vetë, është vetëm katër kilometra larg detit dhe historikisht ka qenë një fshat i begatshëm me njerëz që e kanë kërkuan mirëqenien. Tragjasi ruan ende këtë imazh të bukur dhe ngjan se një dorë e vetme i ka kushtuar kujdes. Një pjesë e madhe e ndërtimeve janë dykatëshe, por gjithsesi fshati e ka humbur shumë sharmin e Tragjasit të vjetër.. Nga ana gjeostrategjike ka një pozicion fantastik: Përballë ka gadishullin e Karaburunit, që fillon nga perëndimi dhe mbaron në jug-lindje të Llogarasë. Është ishulli i Sazanit dhe Deti Adriatik përballë, që e kundron më mirë kur ngjitesh në Rrënoja . Bazuar në të gjitha këto, Tragjasi ka një pamje vërtetë shumë turistike dhe pse jo ndjellëse. Kuptohet mungesa e njerëzve ka bërë që koha e begatë të mbetet pas dhe ajo që më parë ishte një ekonomi bujqësore dhe blegtorale e zhvilluar, sot nuk është më si më parë. Një drejtim i ri i ekonomisë në literaturën për të prezantohet turizmi, për shkak të bukurive natyrore dhe distancës të vogël nga Orikumi dhe Radhima, por kjo është histori tjetër. P.sh një pikë po aq larg fshatit, kalaja e Gjon Boçarit, është gati e paarritshme.

…………………………………..

Pamje nga Tragjasi i vjetër

…………………………………………

*  *  *
Hotelin e mbërrijmë shpejt, por tashmë na duhet drejtim për në vendbanimin e vjetër. Një grua e re, na flet me shumë përtacësi, kurse për fat, një burrë i mbajtur, afrohet sakaq.”Ja more..Ja..,” flet me dialektin lab. Naimi është lodhur dhe do që të iki një orë e më parë. “Do të vija dhe unë, na thotë burri- por kam punë në dyqan”. Nuk e kuptojmë se çfarë pune mund të ketë në një vend që duket se nuk lëviz fare. Ka pak gjëra, që mund të identifikosh rrënojat. “E shikon atë tutje. Aty janë rrënojat. As 15 minuta”. Naimi turfullon. I kam prishur planin. Por nga ajo që thotë burri, e tash po më bën me duar e më këmbë, dhe deri aty ku është vendi, duhen afër plot 30 minuta… Kemi lënë ndërkohë një rresht kodrinash të buta, që s’janë aq të pasura me pyje por që duken plot kullota, ullinj dhe pak tokë buke. Nisemi. Rruga gjarpëron dhe tashmë Vlorën, që këtej është 20 kilometra, e kundrojmë nga sipër. Nuk ka shenjë të gjallë, vetëm ndonjë bari tutje. Si ndodh rëndom, shpesh ka rrugë me degëzime dhe ti nuk e di nga t’ia mbash. Vendos Naimi. Shoferi ynë, që në këtë ditë vetëm mallkon. “Çfarë vendi është ky. Çfarë historie. Ah..pse erdha. Ah gomat”.
E shkuar
Ndërsa, shoferi ynë turfullon na duhet të kontrollojmë mjedisin. Si kanë jetuar njerëzit dhe pse u ulën aq poshtë. Me çfarë jetonin? Ajo që e kujton më shumë Tragjasin, në mëndjen e një shqiptari, është lufta. P.sh. një nga bijtë e fshatit është edhe Shyqyri Alimerko, ai djali që interpretohet në filmin “Në fillim të verës”, që hodhi në erë bazën e madhe të italianëve në Rradhimë. Tragjasiotët luftuan Italianët më 1920 dhe në fund bilanci me ta u nda me 10 të plagosur dhe 3 të vrarë, të cilët janë shpallur Dëshmorët e Atdheut. Falë mirëqenies, që duket se banorëve s’u ka munguar, populli i këtij vendi fali në ngjarjet mëdha historike burime njerëzore dhe shumë ndihmë ekonomike me ushqime për luftëtarët. Historia s’mbyllet këtu. Tragjasiotët filluan që në fund të shekullit të XIX të mësonin gjuhën shqipe me një abetare, që dikush ia kishte tërhequr Rektorit të parë të Stambollit, Hoxha Tahsimit, në vizitën e tij të parë në fshat. Jo shumë vite më pas, por më gusht të vitit 1908 do të hapet Shkolla e parë shqipe. Vendi nuk ndryshon, por veç shkollës, qyteti do të ketë një dyqan vajguri, një dyqan shumë funksional dhe një kafe. Këtu bëhej dhe tregtia e mishit. Si ishte zakoni i ndërtimeve të vjetra urbane, në qendër ishin varret e njerëzve të rëndësishëm. Me këtë, ata njëfarë kohe nënkuptonin varret e Luftëtarëve të vitit 1920 dhe bashkë me këta dhe një patriot Aleme Mehmeti, një njeri afër me Qeverinë e Vlorës. Fshati, ndërkohë, gati na humb nga pamja, por jo nga kujtesa. Kujtimet më të mëdha të vendit janë nga Lufta e Dytë Botërore dhe kjo do ishte koha, që fshati do merrte shumë nam. Ajo pati 43 dëshmorë, mes tyre dhe plot 10 femra… Po afrohemi, ndërsa Naimi ka reshtur nga ankesat. Nga tutje duket një bari….
Fshati
I afrohemi bariut, ndërsa ai vendos dorën në sëpatë. Përkul kapelën, sikur do që t’i duket më mirë e shkruara Dallas, nga sipër. Tridhjetë minuta më pas kemi lënë Naimin me të që ndërtojnë sëbashku një bisedë absurde. Gjithsesi, janë të dy të kënaqur. Ngjitemi. Jutta është e lehtë në ecje dhe si zakonisht nuk i bën naze marshimit. Nuk i shpjegoj dot historinë dhe rëndësinë. Shpejt e gjen veten të përfshirë nga rrënojat dhe i pëlqen i gjithë situacioni urban. I them sesi janë shpallur monument kulture, kurse shtëpitë janë djegur në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Në fakt, nuk ka nevojë që t’i tregoj më sepse shtëpitë janë të ndërtuara me gurë kurse arkadat e larta, kalimet dhe nënkalimet i tregojnë pretendimet e vërteta të banorëve. Humbasim dhe ndahemi përkohësisht. Gjehemi thjesht me celular me njëri-tjetrin. Ajo në përpjekje të kapë një pamje nga lart të fshatit, kurse unë duke eksploruar në mes të fshatit fantomatik. Pak orë më vonë, jemi sërish poshtë. Naimi ka ndihmuar bariun, që të lidhet në celular me vëllain polic në Vlorë. “Më kanë harruar”, i ka thënë fatkeqi. Vëllai s’ia ka ngenë dhe duhet të jetë i kënaqur që ai është këtu në këtë humbëtirë. Kilometra më tutje, Bariu, në shenjë mirënjohje i ka ofruar mish Naimit dhe sakaq ka përgatitur sëpatën që t’i heqë ndonjë dele kokën… E përshëndesim dhe njëherë bariun, që tashmë vërtetë s’pyet. Është larguar dhe sheh tutje. Nuk ka njeri dhe është më mirë këtu…në pritje të vizës. Në kthim Naimi vazhdon qarjen, por edhe ka nevojë për kohën.

…………………………………………….

Malli për tragjasin

………………………………

…Pleqtë
Sipas fjalës, plaku që na ka drejtuar është sërish aty. E gjejmë në klub, por aty ka marrë dhe një bashkëmoshatarin e tij, që ka takijen e zezë karakteristike, që i ngjan pak sajkoçës. Është me qillotat karakteristike dhe më duket nga të fundit individë të mbetur me këtë veshje. Jutta gjen një justifikim për kënaqësinë e punës së saj, duke i këqyrur. Ata i pozojnë me qejf. Po, kjo i pëlqen. Ulemi. Naimi e ka humbur fare. Nxiton. Rrëfimi i burrave është monoton. “Katër fise e krijuan vendin: Aligjon, MehmetGjon, Skëndërgjon… dhe janë këta…”. Po? “Prit more avash..ah edhe Gjon Mitri”, më thotë plaku që ka mbiemrin Xhuveli. Përballë është busti i heroinës Zonjës, kurse disa gra hynë e dalin nga një dyqan. S’ka shumë njerëz në këtë vend përreth.
“Fshati u dogj nga lufta dhe kështu ishin dy të kundërt. Nashti këtu Tragjasi ka qenë nacionalist dhe u ca në mes dhe u dogj. Tragjasi ka sipas historisë 500 vjet dhe ka qenë një fshat që janë futur dy vëllezër. Ata e krijuan”, vazhdon Xhuveli, që ka një muhabet të rehatshëm. Si ndodhi, i pyes që u dogj fshati. “Ka qenë koha e sistemit atëherë. Në atë kohë ka pasur toka dhe ne si tragjasiotë, qëndronim atje se kishte klimë të mirë. E kishim bërë vetë dhe se kishte vënd strategjik, por na kanë marrë me detyrim…E kupton apo jo?! Sa gjindje ishit, e pyes. “Kanë qenë 320 shtëpi…1000 e ca banorë”, është radha e burrit me takie të zezë që të flasë. “Na zbritëm, me dhunë”.Pasi hesht. “Po të mos kishte emigracion, thotë 73 vjeçari, që e mban pjerrët takien,- atëherë s’do ishte kështu”.
Enveri është tre vjet më i vogël se Xhuveli, që në kohët e para ka drejtuar dhe grupin folklorik të fshatit me shumë emër në botën shqiptare të folklorit. Madje, në klub, ka një foto, ku ka dalë jashtë shtetit me grupin e tij. Si jetoni sot? i pyes. “Me blegtori. Ka firma private që vinë nga Vlora dhe marrin nga Tragjasi qumështin. Sivjet e shitëm 100 lek…”. Ndërrojnë argument. “Tragjasi ka traditë, jo për mburrje, që në kohëra të lashta ka qenë shkolla e parë shqipe që u hap në rrethin e Vlorës. Atje ka qenë mësues Avni Rustemi dhe kur erdhën këta…”. E kupton, e përsërit disa herë. Kanë tokë, por që kuptohet se tashmë e mbjellin thjesht me jonxhë. Të rinjtë janë në kurbet, ndërsa të vjetërit u mbetet thjesht të administrojnë atë që marrin prej tyre. Xhuveli ka mbjellë 30 dynym tokë me jonxhë… kurse Dauti thotë se punon vetë se “fëmijët kanë ikur dhe jemi të çorientuar. Nuk jemi në tokat tona dhe ka konflikt. Tragjasit janë të paqëndruar”. Ka gjashtë djem, kurse Xhuveli ka dy vajza dhe një djalë. Si ndodh me fshatarët, në një moment kalon në një bisedë tjetër. Flasin, përgjigjen, pyesin.
“Ne jemi demokratë. Pse jemi demokratë. Ja të them: Unë dhe ky jemi çobanë, por vetëm në kohën e demokracisë bëra 300 kokë bagëti dhe bëra një lokal që ma kërkuan 100 milion lekë ndaj jam krenar…dhe kam liri”. Si do jetë, i pyes-e ardhmja me mendimin tuaj. Përgjigja është utopike. “Nuk është punë politike por është punë interesi. Ne nuk e dimë politikën, por si moshatarë dimë mirë se gruaja e tij dhe imja dikur na vinin në rresht por plakat tona tani janë brenda se ne jemi të fortë…”. Ndërsa Jutta merret me fotografimin e tyre, mua më duhet të qetësoj Naimin dhe të largohem dhe pak minuta nëpër fshat…
Ikje
Tragjasi i sotëm është lulëzuar në një faqe mali, nga ku rrëshqasin ujërat në formën e dy përrenjve shkëmborë: njëri që njihet si “Përroi Xhamit, në anën e djathtë, kurse tjetri quhet “Përroi i Trapit”, në jug-perëndim. Të dy këta përrenj derdhen të bashkuar në detin Adriatik. Kjo mrekulli e Labërisë fle poshtë vargmaleve: Në Jug është mali i Çikës; në Lindje është mali i Vejave, që është dhe mali i vet; kurse tutje më në veri është mali i Shushicës. Tragjasiotët, megjithëse i janë larguar punës dhe 7501 s’ua ka vendosur ashtu si duhet sinorët ka një fushë shumë pjellore, kullota për blegtorinë në dimër, në vendin që njihet si Rrëza e Çirakut. Ky vend është tejet i pyllëzuar me drunjtë frutorë, që i gjen në të gjithë Rivierën tonë: portokalle, limona, ullinj, arra, pjeshkë rrush. Burrat janë liruar nga Jutta, që është e ngazëllyer me portretet e tyre. Na lusin për të qëndruar, por koha s’premton. Sikur të asfaltohej rruga, të riparohej shkolla e vjetër dhe të kishte një muzeum apo qendra e vjetër e fshatit të dihej të restaurohej, Tragjasi do të ishte vërtetë magjik. “Shumë, kërkon”-ma presin pleqtë, me të cilët jemi bërë miq.
Intermexo e fundit
Gjurmët e vendbanimit të lashtë, që ka qenë këtu ku është Tragjasi, janë shfaqur në qytezën e Sofes (SOFA), ku janë zbuluar edhe tuma İlire. Akoma dhe sot aty pranë (Tragjasit të Vjetër) gjendet një vend i quajtur maja e qytetes. Arkeologët kanë datuar rrënojat e disa ndërtimeve qysh nga shekulli i IV-VII para Krishtit. Ky fshat ka qenë i njohur me disa emra si: Tregas, Dragjat, Tregasaj. Në Antikitet ky vendbanim bënte pjesë në qendrat e fortifikuara të Gjirit të Vlorës dhe lidhej me Orikumin. U shkatërrua disa herë nga pushtuesit Osmanë dhe u rindërtua në shekullin e XVI, ku përmendet edhe kalaja e Gjon Boçarit. Kjo kala mesjetare përforcohet nga dy kulla gjashtëkëndore. Lartësia e mureve shkon në 5.5 metra e gjerësia është 1.25 metra. Ndërtimi i saj është i lidhur me fisin e Boçarëve. Themelues i hershëm i saj përmendet Gjon Boçari, bashkëkohës i Skënderbeut. Banorët e këtij fshati kanë marrë pjesë me armë në dorë në kryengritjet antiosmane më 1432, 1443, 1581, 1833, 1847, në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878. Ne vitin 1875 në Tragjas erdhi dijetari i shquar Hasan Tahsimi. Ky fshat ka nxjerrë burra të shquar të përjetësuar në kënge si:Kamber Delua, Mahmud Hoxha, Ali Zeneli, Ali İslami, Hasan Skendua, Numan Bala etj.

* * *
Xhuveli është ish-drejtues i Grupit Polifonik të Tragjasit dhe interpretimi me të mbetet nostalgjia e vetme e jetës së tij. Po të më thoshit, e kisha mbledhur sërish grupin, na thotë. E di dhe vetë që s’ka më kohë. Po bie pak nga pak muzgu. Na duhet që të ikim. Pak minuta më vonë dalim në rrugën kryesore, kurse Tragjasi humbet tutje. Dy burrat rrinë në të njëjtin vend. Të patrazuar. Ruajnë kohën. Zgjasin jetën. I vetmi, mbase që mund të na ndjekë makinën, kushedi tutje nga mali, ka mbetur bariu me kapelën e Dallasit. Duke qeshur sërish për absurdin e tij dhe të jetës. Është prill i vitit 2010.
Materiali i mbështetur via-internet dhe nga biseda me njerëz, që janë me origjinë nga Tragjasi.

_________________
Shënime
1-[James Hudson, Pas OSS, 2004]

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura