BEHXHET SH.SHALA BAJGORA: BETEJA E SKIFTERËVE NË FUSHËN E MËLLENJAVE TË KUVENDIT TË KOSOVËS!

Prishtinë, 23. 10. 2015: (Pat pozicion në luftën për pushtet) Serbët e festojnë betejën e humbur të vitit 1389 në Fushën e Mëllenjave në Gazimestan mirëpo e (keq) përdorin për qëllime politike duke u paraqitur si viktima që u sakrifikuan në mbrojtje të krishterimit evropian dhe njëkohësisht e kanë shndërruar në pelegrinazh mobilizues për të gjithë serbët, pavarësisht ku jetojnë ! Beteja e humbur në Fushën e Mëllenjave të Gazimestanit për serbët ishte dhe është pikënisje dhe pikësynim i mobilizimit shpirtërorë për serbët e të gjitha rrymave politike dhe ideologjike. Gazimestani dhe kjo betejë e humbur ishte Kushtetutë e Kishës Ortodokse Serbe e cila i frymëzoi dhe bekoi të gjitha betejat, gjithashtu të humbura të regjimit të Millosheviqit në Slloveni, Kroaci, Bosnje, Kosovë dhe Maqedoni ku pati shumë viktima ndërsa humbi edhe në Mal të Zi në planin politik dhe shpirtëror dhe ku nuk pati viktima në njerëz përjashtuar rastet kur çetnikët e Bullatoviqit vdisnin në rrethimin e Dubrovnikut, Mostarit, Sarajevës dhe në Kosovë! Beteja në Gazimestan mund të jetë edhe i trillium apo imagjinatë e sajuar për qëllime politike. Si rrallë kush në botë, serbët kanë aftësi mahnitëse ta shndërrojnë edhe gënjeshtrën më të madhe në të vërtetën më të madhe sikur që nga asgjëja shpikin viktima dhe trima që i shndërrojnë në mite. Ata e kanë edhe Varrin e Trimit të Panjohur që e vizitojnë me të gjitha nderimet shtetërore ndërsa ne, trimat e njohur i shndërrojmë në njerëz të dyshimtë, kriminelë , tradhëtarë etj. Çfarë alkimie e çoroditur ? Serbët krenohen se në Betejën e Kosovës ata ishin radhitur në koalicionin e krishterë që luftonte kundër koalicionit islamik. Se ishin në koalicionin evropian kundër atij aziatik. Dhe këtë fakt e përdorin gjithmonë dhe në çdo rast.
***
Edhe në Kuvendin e Kosovës i kemi dy palë ndërluftuese që i kanë shpallur luftë njëra – tjetrës, kanë zënë pozicione në istikame , i kanë në mesin e tyre marshallët dhe gjeneralët, i kanë edhe vukbrankoviqët (tradhëtarët e mundshëm) në mesin e tyre, punojnë në zgjerimin e dezertorëve potencialë, janë besatuar për aleancë deri në fitore përfundimtare, i kanë filluar disa veprime të vogla taktiko – luftarake dhe po bëhen gati për goditje përfundimtare. Aleanca e opozitës është njëetnike , të gjithë janë shqiptarë ndërsa aleanca e pozitës është multietnike me përfaqësues të të gjitha kombeve dhe kombësive që jetojnë në Kosovë! Opozita po e konsideron Isa Mustafën si Car Llazarin dhe po e kërkon një Milesh Kopiliq ta zëvendësojë Isa Carin duke e eliminuar politikisht . Nuk po e kërkon kokën e tij fizike ( të Isait ) por po e kërkon kokën e tij politike ! Po, Milesh pa Milesh , puna në Kuvend është bërë lesh! Pozita po bënë përpjekje të mbrojë shtetin duke ruajtur pushtetin përmes marrëveshjeve fatkëqija të nënshkruara në Bruksel sikur që opozita po bënë përpjekje , që në emër të shtetit ta marrë pushtetin duke i sulmuar marrëveshjet fatkëqija të nënshkruara në Bruksel ! Për mendimin tim këto marrëveshje e dëmtojnë Kosovën në aspektin politik, territorial dhe strategjik andaj nuk do të duhej që aq lehtësisht të konsiderohen si një punë e përfunduar duke e shpërfillur opozitën përmes margjinalizimit në vendimmarrje për shtetin. Për to duhet të japë mendimin Gjykata Kushtetuese dhe duhet të kalojnë nëpër procesin e ratifikimit në Kuvend. Nëse i kalojnë këto procedura opozita do të mbetet e çarmatosur. Kushtëzimi në politikë i mbyllë të gjitha rrugët e dialogut, qoftë mbajtjes së pozicionit se nuk kemi çka të bisedoni për marrëveshjet e nënshkruara dhe mohimit kategorik të rishqyrtimit të këtyre marrëveshjeve, qoftë përmes kushtëzimit se nuk ka dialog pa tërheqjen e këtyre marrëveshjeve siç po vepron opozita. Të dyja palët duhet të lëvizin nga pozicionet fillestare të betonizuara, nëse duan zgjidhje ! Nëse jo, atëherë do ta kenë të pamundur ta ruajnë pa mbarim këtë pozicion pat që e kanë tani . Si pasojë , rrobaqepës të huaj , do t’ua qepin rrobat pa u marrë fare masën dhe rrjedhimisht askujt nuk do t’i bien rrobat për shtati ! Madje , me shumë gjasë disa do të mbesin krejtësisht lakuriq pa pasur mundësi t’i mbulojnë edhe ato pjesë të trupit që, për dikend paraqesin krenari e për dikend edhe turp! Kam frikë se shprehjet krenari dhe turp janë ngatërruar keq dhe ua kanë ndërruar kuptimin duke i përdorur ashtu siç duan , si për vete e sidomos për kundërshtarin !

Endacakja e Brukselit dhe mashtrimi i radhës
Amrush Kovaçi ka qenë farkëtari më i njohur në Besianën e Xheladin Rekaliut apo Podujevën e Agim Veliut. Përkundër konkurrencës së madhe mbeti i pamposhtur deri në kohën kur iku nga kjo botë! Iku fizikisht , pasi ndërroi jetë. I biri i tij nuk ishte as hija e Amrushit . As në aspektin e ushtrimit të zejes, as në aspektin njerëzor, fetar , moral , politik e besa edhe kombëtar. Amrush Kovaçi nuk ishte shqiptar por as nuk punonte kundër shqiptarëve: Po ç’lidhje ka Amrushi me situatën aktuale, me të drejtë mund të pyetni , lexues të nderuar?! E sidomos me urën që ndau Mitrivicën në Mitrovicën Veriore të Goran Rakiqit dhe Mitrovicën Jugore të Agim Bahtirit . Nuk ka lidhje në aspektin politik por ka lidhje në aspektin profesional. Gjatë muajve të verës kur bënte shumë vapë, Amrush Kovaçi e ndante punëtorinë duke e rrethuar një pjesë të oborrit me llamarinë apo teneqe . Për shkaqe klimatike dhe praktike ! Pas marrëveshjes “teknike“ të endacakes së Brukselit , madmoazell Editë , ndërkombëtarët e rrethuan hapësirën e urës së Ibrit me llamarinë apo teneqe. Për shkaqe politike dhe strategjike ! Këtu dallon motivi i përdorimit të llamarinës midis Amrush Kovaçit dhe Frederika Mogerinit! Dhe, dallimi i dytë në aspektin profesional është në favor të Amrush Kovaçit sepse ndarja apo ndërtimi i gardheve me llamarinë që e bëri Amrush Kovaçi paraqet art krahasuar me muret e llamarinës që e bënë ndërkombëtarët mbi lumin Ibër ! Ky mur nuk është art por një shëmti profesionale, njerëzore , politike dhe morale! Aq për maestron e zejes së farkatarit , Amrush Kovaçi ! Dua ta ruaj kujtimin për të duke mos e ngatërruar me këta dallaveraxhinjtë që ndërtojnë mure ndarëse në vend të ndërtojnë ura që bashkojnë ! Edita Tahiri e ka pikë të dobët të vërtetën. Madje e ka pikë shumë të dobët ! Sikur të kishte kryer shkolla serbe ku temë diplome është : “ si të shndërrohet gënjeshtra në të vërtetën , lehtësisht , pa pasoja që për qëllim e ka përfitimin e garantuar dhe ndërtimin e një karriere mbresëlënëse “! Deklaroi se ditën kur “ farkatarët “ e BE-së u munduan në mënyrë të pacipë ta imitojnë Amrush Kovaçin dhe kur serbët bënin përpjekje për ricaktimin e kufinjve që e ndajnë turpshëm një qytet për të futur sa më shumë territore brenda komunës artificiale dhe të ndërtuar sipas parimit të spastrimit etnik (sikur Republika Srpska), endacakja e Brukselit deklaroi se është kjo ditë e bashkimit të Mitrovicës . Çfarë deklarate mashtruese dhe e turpshme?! Kjo ma kujton një tregim gjatë luftës midis Serbisë dhe Kroacisë kur një kryetar i çmendur i një qyteti të Bosnjes, Trebinje , ndryshe ngarës i kamionit i quajtur L.Vuçuroviq e bombardonte pa ndërprerë qytetin e vjetër të Dubrovnikut i cili ishte nën mbrojtje të UNESC-os . Në vërejtjet e UNESC-os dhe ndërkombëtarëve por edhe të serbëve normalë se bombardimi i një qyteti të mbrojtur nga UNESC-o është i ndaluar me konventat ndërkombëtare, i çmenduri Vuçuroviq deklaronte se: “nuk ka fare rëndësi sepse, së pari do ta rrafshojmë Dubrovnikun për tokë e që pastaj do ta ndërtojmë një qytet edhe më të vjetër!”. Edhe endacakja e Brukselit po thotë: “ta ndajmë njëherë mirë e mirë Mitrovicën, t’i caktojmë kufijt e brendshëm midis qyteteve të cilat, me gjasë, pas një kohe do të shndërrohen në kufij midis dy shteteve, Serbisë përfituese dhe asaj çka do të mbetet nga Kosova pas demarkacioneve me Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë; Nishin dhe Kurshumlinë sepse pas kësaj do të bashkohet Mitrovica. Në fakt, ajo deklaroi se atë ditë kur llamarina u bë materiali kryesor arkitektonik për rrethimin e urës, Mitrovica u bashkua ! Hajt rrenë, hajt! Nuk ka rast në botë ku ka pasur luftë e që një qytet të ndahet 16 vite pas përfundimit të luftës dhe për këtë e them se ky qytet kurrë nuk do të bashkohet! I patë dje kur Kosova e kaloi testin e parë për t’u bërë anëtare e UNESC-os se si reaguan “ serbët që duan të integrohen pas nënshkrimit të marrëveshjeve në Bruksel “?! Edhe në Mitrovicën e Veriut , edhe në Graçanicë sikur edhe në lokacionet tjera! E patë si reagoi çetniku Janjiq i maskuar nën veladonin e priftit ! Ai që tërë kosovarët i cilësoi , ose si terroristë , anëtarë të grupeve të krimit të organizuar apo si neonazistë! Nuk pati regaim institucional e as të ndërkombëtarëve !
Hidhërime, zhgënjime dhe gëzime
U gëzova që ekipet e mia të futbollit po ecën mbarë. Shqipëria na thërret për në Francë, Arsenali e lëshoi Bajernin në tokë; Barcelona edhe pa Mesin po shkonë sipas planifikimeve ndërsa Dortmund po luan futboll atomik. Me Juventusin punët nuk po na shkojnë për t’u lavdëruar mirëpo nuk mund t’i keni të gjitha. Jam i lumtur që nuk jam simpatizues i Liverpulit apo Milanit. Në Besianë u organizua një meç për titull të kampionit të botës në kik boks dhe llapjani u bë kampion bote në një sallë që i ngjante sallave të kooperativave të viteve të 50-ta. Edhe llapjanët tash e kanë Majlinda Kelmendin të tyre.
U zhgënjeva shumë që analfabetët , politikë dhe funksionalë universitarë e votuan shkarkimin e rektorit Ramadn Zejnullahu. Nuk ka pasur njeri që është pushkatuar më shumë se Ramadan Zejnullahu , gjatë këtij mandati të papërfunduar . Mirëpo , pas leximit të postimit të Remit , çdo shkrim apo reagim imi për Ramadan Zejnullahu do të dukej qesharak prandaj po i vë një pikë! Këto ishin mundësitë e mia dhe ky ishte kapaciteti im intelektual ( shihe ti, intelektual !!!).
Në kinamanë ABC u shfaq një dokumentar për njeriun që krijoi vepra të pavdekshme dhe të përjetshme për njerëzimin në përgjithësi dhe për shqiptarët në veçanti! Ishte një film për Bacën e Madh , Frymëzuesin dhe Atij që i dha Kuptim Luftës për Sakrificë dhe Liri , Bacë Adem Demaçin ! Njeriu që krijon vepra nuk flet për veprat e tij por të tjerët flasin për ato vepra ! Krijuesi i veprave nuk del në planë të parë , nuk ka nevojë për përmendore sepse veprat janë përmendore. Ata që nuk kanë vepra apo interpretuesit e veprave të tjerëve kryesisht janë manipulues dhe përfitues . Kam përshtypje që i tillë ishte edhe” filmi dokumentar për Adem Demaçin“. Ai nuk ishte film dokumentar, ai ishte kompilim i disa fragmenteve të intervistave të Bacës Adem të ditura shumë më heret. Me një teknikë të përparuar, me intervistat që kanë qenë të njohura më heret dhe pjesë e qasshme e arkivave dhe të titruara që më parë , këtë film ka mundur ta bëjnë gati për disa orë! Ky film nuk e ka nderuar fare Adem Demaçin, as shokët e tij bashkëvuajtës të burgjeve e as ata që e çmojnë apo respektojnë Bacën e vogël me trup dhe Bacën gjigant me vepra! Ky film nuk i ka nderuar as at që e bënë filmin nëse e kanë pasur si qëllim këtë! Ky film nuk e ka ulur apo zbehur aspak vlerën e madhe dhe të papërsëritshme të Bacës Adem sikur edhe veprën monument që e ka krijuar dhe që do të zgjasë për aq kohë sa do të jetojë njerëzimi dhe shqiptaria ! Është veprim jonjerëzor dhe i pamoralshëm skajshmërisht nëse dikush dëshiron të përfitojë nga gjendja momentale shëndetësore e Bacës Adem Demaçi , qofshin ata dallaveraxhinjë ordinerë , shokë dhe bashkëvuajtës të tij apo pastrues të biografive të tyre të ndyra ! Jemi shumë të vegjël dhe të padinjitetshëm të fshihemi prapa veprave të mëdha të Bacës Adem Demaçi dhe Komandantit Legjendar , Adem Jashari.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura