(Durrës, 8 mars 2012) – Dëgjova deklaratën e z.Stefanoviq, i cili në bisedimet e Brukselit përfaqëson vrasësit e shqiptarëvet. Ai tha: “Sërbët (e Republikës së Kosovës, Gj.D.) i kanë (sërbe, Gj.D.) targat e makinavet dhe do t’i kenë.” Pastaj shtoi: “Kjo (pajisja e shtetasvet sërbë të Republikës së Kosovës me targa makinash të këtij shteti, Gj.D.) nuk është pjesë e marrëveshjes.” Në anë tjetër, e kemi parë përfaqësuesen tonë, përfaqësuesen, e e pakta 15 mijë shqiptarëvet të vrarë e masakruar VETËM në vitet 1997-1999, zonjën Editë Tahiri, e cila, në çdo takim që bëhet në Bruksel, ia zgjat dorën zotit Stefanoviq. Unë, si shikues, e vë re që ajo e ka shumë vështirë me ia zgjatë dorën përfaqësuesit të vrasësvet të Kombit tonë, megjithatë, ajo e kryen këtë normë kortezie. Ndërmjetësi evropian i vështron këta 2 negociatorë që nga kreu i tavolinës. Duket sikur vigjëlon: Pale, a po ia jep dorën zonja Tahiri zotit Stefanoviq apo nuk po ia jep dorën! Zoti Stefanoviq e shtrinë dorën me fodullëk, zonja Tahiri gjithashtu e shtrinë dorën, por me vështirësi…
Ç’e shtynë këtë grua?!. O Zot i Madh! Ç’e detyron këtë grua t’ia zgjatë dorën e vet të pastër, një njeriu që ende s’i ka pranuar as vrasjet e fëmijëvet të Prekazit (Atje i kemi 10 varre fëmijësh nën moshën 15 vjeç!), që s’i ka pranuar të 41 martirët tanë të Reçakut, që ende s’ka çuar një lule në varret e këtyre shqiptarëve të vrarë prej bashkëkombësvet të tij, që s’ka kërkuar falje për Hoqën, Gjakovën, Pejën, Malishevën, Llapin, të shkatërruar, të djegur e vrarë prej bashkëkombësvet të tij, që s’na e ka treguar ende ku ndodhet Ukshin Hoti?!. Ç’hata e madhe e shtërngon këtë luftëtare të lirisë (se ne të tillë e njohim), ta bashkojë shuplakën e dorës së vet të djathtë me shuplakën e djathtë të një të atillë dredharaku me mbiemrin Stefanoviq?!
Ai farë Stefanoviq, ruajtës, deri në emrin e fisit të vet, të paranojës stefanore të Nemanjiqëvet (Shih ç’do me thënë fjala stefanos!), njeri shumë i ngjashëm me personazhin Urjah Hip të Ç.Dikensit, pa u tharë ende në dorën e tij djersa e dorës së zonjës E.Tahiri, del para mediavet dhe na thotë: “Sërbët i kanë targat (sërbe) në makinat e tyre dhe do t’i kenë. Kjo nuk është pjesë e marrëveshjes.” Del kështu jo vetëm kundër nesh, por edhe kundër EULEKS-it, pra, kundër autoritetit të Evropës dhe kundër çdokujt tjetër.
E mua tani po më mundon kjo pyetje: A është shtërngimi i duarvet pjesë e marrëveshjes, midis 2 bashkëtakuesvet, njëri prej të cilëvet nuk po pranon kurrsesi të heqë dorë nga paranojat kurorëlakmuese?! (Shih prapë ç’do të thotë stefanos!) A është shprehimisht e shkruar në protokoll?!
Mbas një të këtillë deklarate të armikut të vet TË PAKORRIGJUESHËM, a është e detyruar z.E.Tahiri të shkojë në takim e t’i japë dorën atij armiku?! A mos do të ish më mirë të rrijë z.E.Tahiri në shtëpi të vet e t’i thotë ndërmjetësit evropian: “Fol ti me z.Stefanoviq!”?! Të rrijë në shtëpi, qoftë vetëm në emër të atyre 10 fëmijëve që na i kanë vrarë në Prekaz, kush tjetër, veç bartësit e atyre targave?! Të rrijë në shtëpi, në emër të Bujarit 5 vjeç, të Blerinës, të Fatimes, të Ikballes, të Blerimit të Hamzës, të Blerimit të Zenës, të Ikballit, të Kushtrimit, të Lirisë së Hamzës dhe të Valdetes së Rifat Jasharit!
Dhe t’u thotë REPUBLIKA E KOSOVËS të përkëdhelurvet të Stefanoviqit: “Ndaçi rrini, ndaçi shkoni! Në shtetin tonë mund të hyjnë me targa sërbe vetëm banorët dhe shtetasit e Republikës së Sërbisë!” E t’i thotë Republikës së Sërbisë: “Bisedime nuk ka, pa ardhur vetë B.Tadiqi me tufa lulesh në varrezat e të rënëvet tanë!” Dhe t’i thotë z.A.Merkel: “Shko prapë në Beograd dhe thuaji edhe njëherë Sërbisë që të heqë dorë nga strukturat paralele në Veriun e Republikës së Kosovës!”
Postime të Lidhura
ADMIR FLUGAJ: PAVARËSIA E SHUMËVARUR E KOSOVËS!
Sharr, 17. 02. 2015 – Meqë nuk na ndanë distancë e madhe kohore, ende i kam të freskëta…
TË PAVAKSINUARIT JANË SUPERHERONJ! (VIDEO)
Mesazhi i gjeneralit Christian Blanchon për nder të të pavaksinuarve TË PAVAKSINUARIT JANË SUPERHERONJ! 10 shtator 2022 Ata…
DR.ABDULLA MEHMETI: KOHA PËR POPULLIN SHQIPTAR NË MAQEDONI ËSHTË SOT
Tetovë, 8 dhjetor 2019: E kaluara e hidhur, dështimet dhe vitet e humbura, bashkë me zhgënjimin e shqiptarëve…
SHERADIN BERISHA: TË NDALET HASHIM THAÇI! TË NDALET SOT, SEPSE NESËR BËHET VONË!
Pashtriku, 9 mars 2020: Në korrik 2018, Hashim Thaçi pas takimit me Aleksandër Vuçiqin në Bruksel, në qarkun…