FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (II)

Cyrih, 2. 11. 2016: RRUGA E LIRISË – RRËFIMI I PESTË – POPULL SHQIPTARË, – Në tetor të këtij viti, zhvilloi me sukses punimet Mbledhja e Dytë e Përgjithshme e LPRK-ës për Republikën e Kosovës. Ajo analizoi gjendjen e rëndë mbrenda dhe jashtë vendit dhe përcaktoi detyrat e ardhshme,
Popull shqiptarë,
MDP thirrë të gjithë popullin shqiptarë kudo që jeton brenda dhe jashtë vendit që:
– të rrisin bashkimin dhe unitetin si kushtin vendimtar për ecjen para çështjes së drejtë të popullit të Kosovës.
– të gjithë ata që duan të luftojnë armikun t’u bashkohen radhëve të LPRK-ës dhe nën udhëheqjen e pararojës së popullit shqiptarë në RSFJ, OMLK-ës të luftojmë pushtuesit dhe tradhtarët.
– të rrisim luftën kundër armiqëve dhe tradhtarëve përmes veprimtarisë konkrete që organizon OMLK e LPRK mbrenda e jashtë vendit. Vetëm duke vazhduar e rritur veprimet tona kundër armikut dhe tradhtarëve do të mund të ecim drejt fitores….
….Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës…
(Sqarim i autorit të këtij shkrimi…
Komiteti Drejtues i LPRK-ës mbrenda vendit merr vendim që të formohen Këshillat Rajonale të LPRK-ës ku këto këshilla do të marrin përsipër të koordinojnë nëpër rajone celulat e LPRK-ës)

RRËFIMI IM I PESTË
Pas bisedës me Afrimin, që tani e tutje asnjë Këshill i LPK-ës, të mos dal në aksion, pa qenë i armatosur, një mbrëmje kur erdhi sërish në shtëpin time, e cila tani ishte baza e tij, e baza jonë ku gjendej edhe makina e shkrimit, me të cilën e bënin përgatitjen e gazetës “Rruga e Lirisë” ose më mirë me thënë Fletushkën, posa hyri, nxori nga çanta e tij, e zezë, një Revole dhe ma dha mua duke më thënë:
“shoq, tani e tutje edhe ti e ke armën tënde!”
Armën që ma solli ishte një „Zbrojewk” e tipit 7.65 dhe s’bashku me të, mi solli edhe 33 fishekë… Mund të them që; kur e mora në dorë, e shikova, e rrotullova nga të gjitha anët dhe e ndjeva veten më të fortë se kurrë më parë…
Pastaj po atë mbrëmje, kuptova që konform kërkesës së Komitetit Drejtues, të nesërmen në mbrëmje, do të takoheshim në një shtëpi, që gjendej në pjesën tjetër të qytetit, më saktësisht “mbi kishë” lartë, e që shpiente nga aty, në drejtim të lagjes së Kolovicës…
Po atë mbrëmje erdhë “Bejta” dhe s’bashku me të, Fadil Vatën e Afrimin, e caktuam orën e takimit…
“Bejta më tha që, unë duhet të jem në ora 19:00 tek shkolla Teknike, aty te lokali me emrin “Romantika” ku do ta prisja një shok të ilegales, të cilin duhej ta mirrja dhe ta sillja në takim dhe i cili, ishte zgjedhur për të qenë, në kryesinë e Këshillit Rajonal të LPRK-ës për Prishtinë”…
“Por unë atë nuk e njohë, nuk e di cili është dhe si ta marrë e ta sjellë?!”
“E njehë e njehë,- më tha Bejta.
„Hë, kush është?”
„Është Avnia, Avni Klinaku”,- më tha Bejta.
(Avniun e njihja nga shkolla Normale dhe herë-herë luanim futboll, ku ai dhe klasa e tij humbnin gjithnjë nga klasa jonë…)
„U bë, por cili është ai tjetri?, e pyeta.
„Do ta njohësh në Mbledhje…
Pra, aty u morëm vesh që në Komitetin Drejtues, të Këshillit Rajonal të LPRK-ës për Prishtinë të ishim: Unë, Bejta (Ramadan Avdiu), Afrim Zhitia, Avni Klinaku dhe ilegali i pestë të cilin akoma nuk po e njihja… Si koordinator do të ishte Fadil Vata por meqë ai përballej me sëmundjen, u morëm vesh që ai të mos vinte në takim…
Të nesërmen në mbrëmje, sipas marrëveshjës, në vendin e caktuar, u takuam me Avniun dhe s’bashku me të u drejtuam për tek vendi i caktuar… Më herët Afrimi me Bejtën, nga drejtimi tjetër, të kundërt me tonin, po ashtu kishin marrë rrugë, për tek vendi, ku kishim lënë takimin dhe ku atë natë, do t’formonim Këshillin Rajonal të LPRK-es…
Kur hymë në dhomën ku na pritnin shokët, aty pashë edhe ilegalin të cilin akoma nuk e njihja dhe s’e kisha parë…
Ma prezentuan si “Shpëtimi” teksa unë u prezentova si “Qerimi” ndërsa Avniu si “Xhema”.
U ulëm dhe filluam punimet.
Më vonë kuptova që «Shpëtimi» ishte FAHRI FAZLIU.
Pra, me Fahriun u njohëm po atë natë…
Më duhet të them që shtëpia, ishte një godinë e vogël e që kishte vetëm dy dhoma, ku njëra ishte e rregulluar teksa tjetra akoma jo… Ishte marrë me qera nga shokët (nuk e di se nga kush ngaqë nuk pyesnim për këso gjërash).
Pasi formuam Këshillin Rajonal të LPRK-ës për Prishtinë, i vumë vetes për detyrë që të organizojmë sa më parë një demonstratë sikurse që para kësaj, dhe të bëjmë shpërndarjen e një trakti…
Me propozimin e «Xhemës» morëm vendim që:
«Të shpërndajmë një traktë, kësaj radhe pak më ndryshe se herave të tjera, që do të thotë:
«Jo traktin si letër ta hudhim nëpër shtëpia por secili traktë, të jetë i futur në kuvertë dhe s’bashku me traktin, aty këtu edhe ca nga: «Pararojat» librin e Hydajet Hysenit «Pushka Amanet», «atë të Kadri Osmanit «Sonetë kurorë malesh» si dhe librin e Xhafer Shatrit shkruar për Adem Demaçin me titull «Pse dergjet në burg Adem Demaçi?»
U zotuam që do të shpërndanim në tërë Kosovën 13.500 trakte dhe të gjitha të futura në 13.500 kuverta…
Problem ishte se si të blinim letrën, për ta shtypur traktin, pa ra në sy, te shitësi për një volum kaq t’madh dhe si të blinim kuverta, po ashtu pa ra në sy…
Meqë nuk ishim të kompromituar akoma, u vendos që letrën ta siguroja unë teksa kuvertat (zarfet) «Shpëtimi, Xhema dhe Bejta s’bashku »… Atë natë u shpërndamë të lumtur si kurrë më parë…
RRËFIMI I PESTË I NËNËS
Edhe Maliqi, burri im, ato ditë tanë kohën e kalonte me ata djemë dhe shpesh i dëgjoja të qeshurat e tyre që vinin nga dhoma tjeter… Një të diele, ky e pat ba plan, me shkue deri në Prizren, për me ble diçka dhe meqë këtij i kishin thënë, që janë nga Prizreni, ky vendos me shkue në dhomën e dy ilegalëve dhe për t’i pyetur se; ” nga i binte rruga më e shkurtër për të shkuar në Prizren; ajo në drejtim të Malishevës apo rruga e Carralevës- …
Meqë Fadili ish kanë fjetë ky pyetjen ia bëri Afrimit… Afrimi u zu ngusht, se nuk ishte nga Prizreni dhe duke mos dit me i thanë, se cila rrugë është ma e shkurtë, e zgjon Fadilin nga gjumi duke i thanë:
“Hej, qohu edhe tregoj bacit Maliq, se kah është më shkurt me shkuar për në Prizren: kah Malisheva apo kah Carraleva”…
Aty fillon e qeshura…
“Valla i Prizrenit koke ti,- i thotë Maliqi…
Të nesërmen kur burri shkoj në punë, Afrimi hyni në dhomë edhe po m’thotë:
“Nënë, qysh um zbuloj baci Maliq që nuk jam prej Prizreni?”…
Unë at’herë i thash: “Afrim qysh ditën e parë, Maliqi um ka thanë, ky djali duhet me kanë i Zhitijalive, se një djalë i tyne, u dënua me burg s’bashku me djalin e Shabanit, kusherinit tonë!”
RRUGA E LIRISË – RRËFIMI I GJASHTË
Asnjë gram xehe – asnjë kilovat rrymë pushtuesit!
Kohët e fundit populli ynë e përkrahu parullën „Asnjë gram xehe- asnjë kilovat rrymë pushtuesit…”
…Rezistenca gjithnjë e më e vendosur e popullit tonë ka bërë që pushtuesi ta humb plotësisht torruan. Ai përjashton nga puna çdo ditë punëtorë, heq një e vë një tjetër drejtor, pastaj heqë këtë për të prurë një tjetër për të shkatërruar organizata të tëra punuese, siç është rasti me KNI “Ramiz Sadiku”. Pushtuesi kërcënohet se do t’i mbyllë edhe ndërrmarrjet tjera… por çdo gjë është e kot.
… Toka e Kosovës u la me gjak, me gjakun e bijve e bijave më të mirë të popullit. Ata flijuan jetën e tyre për t’i formuar themelet e godinës së madhe që po ngritë Kosova – godinës së Lirisë…
RRËFIMI IM I GJASHTË
Një ditë kur po rrinim me Afrimin, ai më tha që nesër do të shkoj të takoj një shok, i cili do t’më pres te rruga e Muhagjerëve…” Po si të shkoj?”, i thash – meqë ti e njeh pse nuk shkon t’i, të takohesh me të dhe ta sjellësh këtu?
“Unë e kam lëvizjen më të vështirësuar se ti… ti shko, prite aty”… Dhe ma përshkruajti përafërsisht se si dukej ai…
Të nesërmën, në ora dy pasdite, shkova në vendin e caktuar… Kishte Lëvizje të shumta të kalimtarëve… Në rrugën përballë, qëndronte një djalosh zeshkan dhe dukej në shikim të parë, që rastësisht ishte aty… Nja dy herë, u mata t’i thosha, se unë jam lidhja që je duke e pritur por diçka më shtynte, që mos ta bëja, këtë gjë… Mendoja, se ky nuk ishte personi të cilin duhej ta takoja… pas nja pesë minutave, vendosa të ikja nga ai vend ngaqë personi mu duk i çuditshëm dhe i “rrezikshëm”…
U ktheva…
Ia tregova tërë ngjarjen Afrimit…
“Si dukej ai, – më pyeti.- ” Përshkruama!”
Ia përshkrova dhe ai më tha që ai ka qenë personi që unë duhej ta takoja…
«Pse nuk e ke pyetur: se sa është ora dhe kur ai të ishte përgjigjur, duke ta treguar orën, ti sikur kishe ditur ti thoshe, ta zëmë, nëse ai të përgjigjet:«ora është 14:00 ti do ta pyesje: para dite a pas dite,,, hahaha (qeshi pak) dhe më spjegoi: «Ai shoku e ka pas princip, kur t’ka pyetur:”sa është ora?” dhe ti i ke treguar, ai gjithnjë ka shtuar me «a paradite a pas dite »…
Në mbrëmje, ai shoku erdhi tek ne në shoqëri të Bejtës.. U shikuam dhe filluam të qeshim…
«Ti ?
«Po, unë… po pse s’me fole ? »
«Po ku me e dit se me kend po flas»…
Ky shoki ishte Fadil Vata.

RRËFIMI I GJASHTË I NËNËS
Një natë deri sa ishte Afrimi në dhomë duke shkruar diçka, hyna edhe i thash:
«Afrim le qat maqin se je ba si Mulla hoxhë Syla, veç tuj shkru.. po le e pusho pak se je lodh…
»Jo sjam lodh më tha po masi ti po thue qe pe la… »
I thash se patikat dhe rrobat po due me ja la… U munue mem bind se s’ka nevoj…
I thash, merri do rroba t’Maliqit e veshi se taman t’bijn e deri në mengjez teren, se i ofroj ngat shporetit… I vinte keq… s’kish qejf që unë të lodhesha per to… Mu dok që po mërzitet edhe i thash:
“Afrim nëse merzitesh, qe ki qef, i thom Maliqit edhe shkon në shtëpi tane, edhe kan dush ti munet me ta prue ktu!”
Ju ba qefi por mua me tha: “ata tash me siguri janë të gjithë duke i përcjellë!”.
RRUGA E LIRISË – RRËFIMI I SHTATË
Tradhtarët e popullit sulmohen nga padronët e tyre…
Sot çdo kush e ka të qartë, se në organet e pushtetit në Kosovë, gjendet pjesa më reaksionare, elementët më të deklasuar të Kosovës. Dihet mirëfilli se çdo pushtues që shtyp popuj, masa e parë që ndërmerr pas pushtimit, është vendosja e pushtetit kuisling…
Në Podujevë u kritikuan ashpër, madje edhe bandidët e UDB-ës. Ata u kritikuan për mossuksesin në zënien e ilegalëve të kësaj ane, e këta të “gjorët” nuk lanë gurë pa lëvizur, vetëm që ta kryenin me sukses atë detyrë “të shenjtë” të cilën ua kishte besuar Graçanini. Në Podujevë po ashtu u kritikuan dhe u thirrën në përgjegjësi edhe shumë tradhtarë tjerë me ambicje të poshtëra karrieriste, të cilët kanë si moto veprimi atë thënien “si është moti ktheje gëzofin”, si Hamit Hoti, Rrahman Islami, Maliq e Fatmir Sheholli etj…
E tëra kjo duhet të shërbejë si mësim për të gjithë ata që ishin në organet e pushtetit e që ende nuk kanë shkarë në dërrasë të kalbur, dhe le ta dinë, se pushtuesit sado t’i shërbesh në fund të hudhë tutje si leckë e ndyrë…
RRËFIMI IM I SHTATË
Afrimi më tha që duhet ta takoja sot patjetër pasdite “Shpëtimin” (Fahri Fazliun) dhe t’i thoja, që ai duhet të vinte sonte, në ora 20:00, në takim sepse trakti ishte bërë gati… Ditë më parë, unë kisha ble letrën te Libraria “Rilindja” siç i thoshim ne “aty te reka” ndërsa këta të tjerët kuvertat…
Duhej të takoheshim dhe të kordinonim edhe një here tërë aksionin, e shpërndarjes së traktit… Nuk ishte problem se si do t’i shpërndanim në Prishtinë, problem ishte se si do t’i bartnim nga një qytet në qytetin tjetër…
Në një faculet letre (“Paloma” u thoshim aso kohe) ma shkroi porosin, për “Shpëtimin”…Në “Paloma” i shkruanim porosit ngaqë llogarisnim që po hasnim në kontroll policie, do t’bënim sikur i fshimë hunët dhe do ta flaknim më tutje…
Unë e marr letrën, e fus në një shkrepës (qibrit) përfundi shkopinjëve ndezëz dhe nisem për t’u takuar me Fahriun dhe atë tek “Gjelltorja “Prizreni”, që gjendej aty tek “Plepat” ose siç njihej ai vend, aso kohe me shprehjet: “aty ku nalet Njëshi dhe dyshi (numrat e autobusëve për Obiliq dhe Fushë Kosovë)…
Në orë të caktuar u takuam me Fahriun…
Ia zgjata “qibritin” para, tek po bisedonim dhe i thash: “merre këtë se ndoshta të duhet me e ndez një cigare!”
” Jo, jo s’më duhet. – më tha ai dhe ma ktheu shkrepsëen mbrapshtë…
” More mere se unë po dua me ta dhënë », – këmbëngula në timen.
Ngaqë aty kishte afër dhe të tjerë s’mund t’i thosha që porosin me shkrim e ke në shkrepës mbrenda…
E mori «qibritin», e futi në xhep, u ngritëm dhe u nisëm në drejtime të ndryshme…
Në mbrëmje, ishim tubur të gjithë, ne të Këshillit Rajonal, për të diskutuar tekstin e traktit, që veç ishte bërë gati dhe për t’parë, se si do t’i dërgonim këto materialet e tjera në vende të ndryshme…
Por edhe pse nga ora e caktuar, kishin kaluar më shumë se 15 minuta, Fahriu nuk po dukej… Ai po vonohej…
«More i ke treguar ti që e kemi sonte takimin ??, – më pyesnin shokët.
“Shkrepsën ia dhashë dhe ai e ka pas mbrenda porosin… ai duhej ta dinte që; meqë insistoja t’ja jap me çdo kusht, aty ka diçka”…
“Me siguri i ka ndodhë diçka”- tha Afrimi.
“Këtu nuk jemi të sigurtë,- ishte mendimi i të gjithëve.
Dolëm nga shtëpia dhe u strehuam aty afër duke bë rojë dhe duke parë, se mos do t’ketë ndonjë lëvizje, të dyshimtë… Nga “Bejta dhe Ismajli (Afrimi në Këshillin tone Rajonal vendosi të merrte nofkën «Ismajli ») u informuam, se ata gojarisht, në mënyrë indirekte, i kishin dërguar fjalë “Shpëtimit”, se në vendin e caktuar, në mbrëmje do t’kishte një takim…
Aty dikund rreth orës 21:30 minuta, vëmë re një siluet njeriu, që ngjitej asaj kodre përpjetë dhe ku përpos shtëpisë që takoheshim, e që ishte marrë me qira, aty afër gjendeshin dhe nja dy tjera dhe e tërë pjesa ishte kodër e xhveshur…
Deri sa ishim në pozicione të fshehura dhe me armë të bëra gati, për çdo befasi, sa avitej ajo siluet, bëhej gjithnjë e më e njohur… Kur u bë fare pranë Afrimi me zë të heshtur pëshpëriti:
“Ej shok, Shpëtimi qenka!”
Ai na tregoj se kishin pas një rast vdekjeje dhe se ai kishte shkuar menjëherë pas ndarjes nga unë për në Podujevë…
“Po porosin e ke pas në shkrepëse! ” i thamë.
“O për Besë as shikuar se kam.. more edhe mua mu duk e çuditshme që, sado që i thosha Qerimit se “s’më duhet shkrepësja se nuk e pi duhanin- ky insistojke duke më thënë” “mere se ku i dihet ndoshta të duhet me e dhez nja!”…
U gëzuam që Shpëtimi erdhi dhe s’kishte ndodhë ajo çfarë kishim paramenduar …
Pas konsultimeve dy orëshe u mor vendimi që:
“Një pjesë e trakteve dhe e zarfeve, të bartej në shtëpin e Qerimit, ku do të bëheshin gati dhe një pjesë tek të tjerët. U biseduan shumë forma si t’i bartim, nga një qytet në tjetrin, e që nuk ishte punë e lehtë… Kryhej një aksion, me përmasa më të mëdha, që njihte ilegalja gjerë at’herë… Pas shumë varianteve, më e logjikshmja na u duk kjo:
“Meqë aso kohe kishte mungesë detergjenti (“Faks helizim”) të blejmë kutia detergjenti,, ti fusim traktet, aty mbrenda dhe t’i nisnim nëpër rrethe tjera… Pra, blinim kutiat me detergjent, i hapnim me kujdes, Ua nxirrnim sasinë, i fusnim traktet me kujdes mbrenda, e hudhnim, një tasë të detergjentit mbrenda dhe e mbyllnim kutin, në atë mënyrë që fare nuk vërehej që kishte qenë veç një herë e hapur”…
Kështu u dakorduam!
Kështu vepruam!
I bartëm kudo, I dërguam në tërë Kosovën dhe as edhe një nuk ra në dorë pushtuesve…
RRËFIMI I SHTATË I NËNËS
Pak para se me ardhë Afrimi tek ne me Fadilin, na kishte vdekë neve një vëlla i Maliqit… vëllau i madh i tij…
Pasi që shkoi Fadili, Afrimi ku rrinte dhe punonte e kishte dhomën e tij të veçantë,,, natën dritaren e dhomës, e mbyllnim me një “qebe” që të mos dukej asgjë…
Një mbrëmje, dajët e Maliqit erdhën për me pa për vdekjen e Selimit… Ndejtën sa ndejtën dhe kur u ngritën për me shkue po thojnë:
“A bon me hy edhe me e shikuar shtëpin qysh e keni ndreq?”
“Po bon”…
Hynë nëpër dhoma por kur bonën me hy, në dhomën ku rrinte Afrimi, Maliqi nuk i la duke u thanë: “Ajo asht dhoma e çikave edhe s’ka kurrgjo… as ata nuk e zgjatën fort dhe nuk hynë…
Kur shkun, Afrimi erdhi tek dhoma e ndejes me pushue edhe po i thotë Maliqit:
“Vallahi bre baci Maliq, ti këta dajt e tu i paske shumë të dashtun… Këta jo që erdhën me t’pa ty por ata deshën me hy edhe mue mem pa!”… Qeshëm që të gjithë.

VIJON…

______________________________________

FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (I)
https://pashtriku.org/index.php?kat=46&shkrimi=5815
***
FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (II)
https://pashtriku.org/index.php?kat=46&shkrimi=5816
***
FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (III)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=5995
***
FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (IV)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=6022
***
FATMIR BRAJSHORI: AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NË RRUGËN E LIRISË! (V e fundit)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=6024

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura