BESIM HODA, KRYETARI I OVL-UÇK, DEKLARON: ‘VRASJA E HARUN ALIUT – KOMANDANT KUSHTRIMIT, ISHTE ATENTAT POLITIK DHE NJË TENTIM PËR TË VRARË IDENË POLITIKE TË UÇK’së.’

Pashtriku.org, 18. 05. 2014 – Harun Aliu – Komandnat Kushtrimi, i lindur 20 maj të vitit 1971 në Hasanbeg të Shkupit, u vra më 12 Maj 2010 në fshatin Radushë së bashku me bashkëluftarët e tij Shaban Zenuni, Qemajl Fejzullahu dhe Xhafer Shala, nga forcat policore-ushtarake të Maqedonisë. Ai më 4 shkurt të vitit 2010 u dënua me burgim të përjetshëm nën akuzën se së bashku me tre persona tjerë ka ekzekutuar pjesëtarin e “Tigrave”, Zoran Markovski në një lagje të Shkupit. As sot e kësaj dite nuk dihen rrethanat e vrasjes së Harun Aliut dhe tre bashkëluftëtarëve të tij. Për këtë vrasje makabre, Policia e Maqedonisë nuk ka shpalosur detaje, por nuk u bë as edhe një ekspertizë ndërkombëtare. Harun Aliu – Komandnat Kushtrimi, ishte njëri nga themeluesit e celulave të para ilegale në ish’Jugosllavi. Ka dhënë një ndihmë të çmuar në luftën për çlirimin e Kosovës. Ndërkaq në luftën e vitit 2001 ishte njëri nga themeluesit dhe komandantët më të suksesshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Më 2006 ai themeloi dhe ishte kryetar i Partisë Alternativa Kombëtare e cila vepronte legalisht në Maqedoni.

Në katër vjetorin e vrasjes, Vaxhid Sejdiu, magjistër i shkencave Filologjike, në vend të një shkrimi publicistik ka shkruar këto vargje kushtuar Komandant Kushtrimit.
KOMANDANT KUSHTRIMIT
“Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.“ Noli

Shkruan: Vaxhid Sejdiu
Kushtrimi i lirisë nuk është akti i fundit
Në krah e mbështetur pushka çlirimtare,
Rrufe e fortë bie në zemër të trungut
Hijet flasin për kohën vrastare.

Prita ndali hapin, pushka vrau lirinë
Katër yje kombi që shkruan historinë,
Në natën e zezë, ëndrra seç u tret,
Pabesia e madhe, burra t`kombit vret.

Pushkët ndalën orën, fjalët më nuk vlejnë
Katër djem të vrarë, ndërgjegjja s`i brenë.
Nga të katër anët zërat seç dëgjohen,
Një vrasje e madhe ndali, vrau kohën.

Dhe nëna shqiptare me shami në kokë
Do të pyes qiellin, tokën edhe malin
Nga dielli i vrarë një zë vjen si plumb
“Nëno-moj – larot t`a përmbysën djalin”.

Mbaje veten nënë, në këtë kohë të keqe,
“Që burrat me nam” na janë bërë teneqe
Atë që thonë në mbrëmje e përpinë në mëngjes,
Nëno moj- Shqipëri!
Kushtrimi i lirisë,
Kurrë nuk mund të vdes.

Jetën shqiptare që e bënë skëterrë,
Me shumë plagë në trup, dhe në robëri
Vuajtjet, Idealet unë t`i njoh Atdhe,
Dhe zjarrin që digjet për LIRI.

Në çarshinë e vjetër të kryeqytetit
Një vend ka mbetur – e madhe zbrazëtirë
Njeriu që qante hallet e atdheut
Që bashkonte zemrat, për qëllim të mirë.

Dhe kafja e mëngjesit keq është helmuar
Shokëve që kanë mbetur pa krah, pa zemër,
Kënga e kushtrimit vjen duke jehuar
Dhe vulos në kohë, një ideal, një emër.

Dhe ky përvjetor, vjen me re të zeza
Bajraktarët heshtin apo flasin mbrapsht,
Në këtë kohë të pakohë, u njollos dhe Besa
Plagët përthekuan shpirtin, depërtuan n`asht.

Mbi trojet shqiptare, ka rënë hije e keqe
Zëri i Kushtrimit ende gjallë jehon,
Fjalët e Shabanit, Qemalit dhe të Xhafer trimit
Nënë-moj, pushka çlirimtare gjithmonë do të rrojë!

(Me rastin e katërvjetorit të vrasjes së Harun Aliut – Komandant Kushtrimit, Shaban Zenunit, Xhafer Shalës dhe të Qemal Fejzullahut, në vend të një shkrimi publicistik shkrova këto vargje…. V.Sjediu)

***
BESIM HODA: “VRASJA E KOMANDANT KUSHTRIMIT, ISHTE ATENTAT POLITIK DHE NJË TENTIM PËR TË VRARË IDENË POLITIKE TË UÇK’së.

Besim Hoda, Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (OVL-UÇK), në katër vjetorin e vrasjes se Harun Aliut (me 3 bashkëluftëtarët e tij), ka thënë se vrasja e Harun Aliut – Komandant Kushtrimit katër vite më parë, ishte “atentat politik” dhe “një tentim për të vrarë idenë politike të UÇK’së”. Ai për Almakos ka deklaruar: “Unë që në fillim e kam thënë se vrasja e Harun Aliut – Komandant Kushtrimit ishte një atentat politik, pra një tentim për të vrarë idenë politike të UÇK’së. Tendenca e njollosjes dhe e likuidimit në mënyrë të turpshme, nga sistemi të figurave eminente, dëshmon se ky sistem vazhdon të frymëzojë me frymë antishqiptare”!

:::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::::

– Komandant Kushtrimi me bashkëluftëtarët e tij –

Radushë, 12 Maj 2010: Furgoni i bërë shoshë nga breshëria e plumbave të policisë sllavomaqedone, në të cilin u ekzekutuan Harun Aliu – Komandant Kushtrimi, Shaban Zenuni, Qemajl Fejzullahu dhe Xhafer Shala.

****************************************

(Përgatiti për botim, kryeredaktori i pashtriku.org, Sheradin Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura