PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: FALSIFIKIMI I DOKUMENTEVE PËR IDENTIFIKIMIN E VOTUESVE, PRAKTIKË E KAHERSHME NË MAQEDONI

Tetovë, 22. 11. 2016: ARSYEJA E GJASHTË pse duhet të protestojmë në ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedonia, më 11 dhjetor 2016, është PAJISJA E VOTUESVE TË PALIGJSHËM (VIKTIV) ME DOKUMENTE TË FAKSIFIKUARA.
Tanimë dihet botërisht se në Republikën e Maqedonisë janë prodhuar dhe janë dhënë në mënyrë të paligjshme me mijëra letërnjoftime të falsifikuara, me të cilat janë pajisur mijëra persona nga Pusteci, disa vendbanime të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe nga vendet tjera fqinje, të cilat janë përdorur me qëllim të mbushjes së Listës së përgjithshme të votuesve në Maqedoni.
Dyshohet se me letërnjoftime të dyfishta, të falsifikuara, janë pajisur edhe një pjesë e madhe qytetarëve vendës, duke u evidentuar nga dy herë në listat e votuesve, në vendlindjet e tyre dhe në vendbanimet ku kanë jetuar, ose vazhdojnë të jetojnë aktualisht.
Sipas organeve kompetente, raste të shumta janë zbuluar në Kërçovë, Resnje dhe qytete të tjera, ku sipas këtyre dokumenteve të identifikimit, atyre u është caktuar edhe vendbanimi i rrejshëm. Shumë raste të këtilla janë zbuluar, si në shtëpinë e një funksionari partiak në Prespë (P.T.), në shtëpinë e të cilit janë regjistrojnë 20 persona, në shtëpinë e drejtorit të gjimnazit të Kërçovës (B.S.) janë regjistruar 18 persona, në Komunën Qendër të Shkupit, në disa adresa janë regjistruar 424 persona vetëm nga Pusteci, si dhe shumë raste të tjera.

Sa është numri i saktë i këtyre personave të pajisur me letërnjoftime të falsifikuara, këtë përgjigje nuk mund ta japin as organet e pushtetit, pa u zhvilluar hetime të hollësishme në lidhje me këtë skandal.
Edhe institucionet kompetente në Maqedoni kanë pranuar publikisht se bëhet fjalë për një numër të pa verifikuar të letërnjoftimeve të falsifikuara, me këtë edhe parashtrohet dilema se ku qëndron arsyeja që numri i votuesve është gati i barabartë me numrin e përgjithshëm të popullsisë në Maqedoni.
Mediumet vendëse deri më tani kanë dhënë shumë dëshmi konkrete për numrin e votuesve nga brenda dhe jashtë vendit, të cilët ditën e votimit qarkullojnë nëpër Maqedoni duke votuar disa herë.
Tashmë është vërtetuar se në Maqedoni janë dhënë në mënyrë të paligjshme një numër i madh i letërnjoftimeve, edhe pse zyrtarisht flitet për një numër prej vetëm 30 mijë sosh, dyshohet se ky numër është shumë më i madh dhe shkon deri në disa qindra mijë.
Në bazë të parashikimeve nga ekspertët e fushës përkatëse, numri letërnjoftime të falsifikuara mund të jetë mbi 200 mijë, për aq sa është dallimi mes numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe numrit të votuesve në Listën e përgjithshme të votuesve në Maqedoni.
Nga organet kompetente në Maqedoni është bërë publik gjithashtu edhe skandali me prodhimin e paligjshëm të pasaportave, të cilat jenë përdorur nga votues të paligjshëm, edhe atë, në disa cikle zgjedhore në të kaluarën. Kjo praktikë edhe pse është zbuluar gjatë këtij viti, besojmë se nuk është risi në këtë vend, duke pasur parasysh parregullsitë e shumta të evidentuara në ciklet zgjedhore të mëhershme.
Prodhimi i këtyre dokumenteve të falsifikuara, letërnjoftimeve dhe pasaportave, nga organet kompetente thuhet se është realizuar në një fabrikë brenda vendit dhe tanimë është lëndë e hetimeve nga Prokuroria Publike Speciale.
Tanimë është pranuar edhe botërisht se skandali me numrin e madh të letërnjoftimeve dhe pasaportave të falsifikuara e dëmton rëndë procesin zgjedhor në Maqedoni, e komprometon shtetin në arenën ndërkombëtare dhe me këtë vihet në pikëpyetje procesi i integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.
Si mund të shpjegohet ky skandal me prodhimin dhe pajisjen me letërnjoftime dhe pasaporta të falsifikuara disa mijëra personave nga jashtë, kurse nuk u jepet shtetësia dhe pajisja me këto dokumente personale e afër 50 mijë qytetarëve vendës, të cilët e meritojnë atë sipas ligjit? A mos vallë kjo ndodh vetëm pse ata janë shqiptarë?!
Pushteti në Maqedoni njihet edhe për shumë forma dhe teknika të tjera për falsifikimin e zgjedhjeve. Në fillim të këtij viti, ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni, Piter van Hojte, i cili u shpall person i padëshirueshëm (non grata) nga pushteti aktual në Maqedoni, pat deklaruar se Maqedonisë i duhen së paku dy vjet për eliminimin e këtyre anomalive për krijimin e kushteve normale për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike, ndërsa udhëheqësit e subjekteve politike të shqiptarëve u ngutën se kush më parë të merr pjesë në zgjedhjet parlamentare dosido, të 11 dhjetorit 2016, vetëm sa për t’u instaluar në organet e pushtetit, pa i llogaritur pasojat e mëvonshme për qytetarët që ata do t’i mbështesin me votën e tyre në këto zgjedhje!

(22.XI.2016)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura