Pashtriku.org, 13. 12. 2016: (Fjalë në promovim të librit të Agim Sylejmanit „Në rrugë drejt lirisë“Prishtinë, 29 nëntor 2016) – Kur Agim Sylejmani kërkoi të bënte intervistë me mua, diku një vit e gjysmë më parë, pranova duke pandehur se do të ishte e shkurtër dhe e zakonshme, por doli shumë më e gjatë seç mendoja fillimisht.
Ky libër i kushtohet Lëvizjes Kombëtare të kohës që trajton, veprimtarëve të shumtë, disa prej të cilëve tashmë dëshmorë, ose të ndarë nga jeta dhe zhvillimeve historike e aktuale në Kosovë.
Në historinë e rezistencës së popujve të robëruar, pas baticave e zbaticave tësaj, zigzageve e dilemave shoqërore e politike, vjen një moment përcaktues, si një rubikon, nga i cili nuk ka më kthim prapa, kurse intensiteti i luftës çlirimtare vjen duke u rritur në formë të rrathëve koncentrikë.
Për Lëvizjen tonë Kombëtare, ky moment ishte viti 1981, i kryengritjes së përgjithshme shqiptare në Kosovë. Agim Sylejmani e ka kapur pikërisht këtë moment për ta trajtuar në librin e tij.
Më kot janë bërë përpjekje për 35 vjet rresht për të gjetur apo shpifur faktorë dhe autorë të jashtëm të kryengritjes së vitit 1981, sepse vetë populli i zgjuar shqiptar, para syve të të gjithë botës, ishte autori dhe aktori i vërtetë dhe i vetëm i saj.
Nacionalisti dhe ideologu i mençur serb, Dobrica Qosiq, e kishte kuptuar i pari në Serbi këtë fakt historik, prandaj që më 26 prill të vitit 1981, shkruante se po s’u ndamë me shqiptarët, „do të hyjmë në luftë të përhershme me ta, të cilën nuk mund ta fitojmë. Në luftëra të tilla gjithmonë ngadhënjejnë ata që luftojnë për lirinë e vet, edhe kur janë më pak dhe më të dobët… Shqiptarët, shkruante ai më tej, aspirojnë bashkimin kombëtar, atë që me shekuj në botë dhe në Evropë është konsideruar qëllim demokratik dhe i natyrshëm, dmth e drejta e bashkimit me amën e vet, bashkimin në një shtet të vetin shqiptar.“
Nuk është lehtë të pyesësh, madje shpesh është më vështirë se sa të përgjigjesh. Pyetjet e ngrenë në art gazetarinë, ose e shëmtojnë fare. Siç mund të vërehet në këtë intervistë, ndryshe nga shumë gazetarë, Agimi bën pyetje për çështjet që i njeh shumë mirë. Kur gazetari e njeh lëndën që trajtohet në intervistë, pyetjet janë më përmbajtësore, më orientuese, më shteruese dhe qëllojnë më mirë në shenjë.
Agim Sylejmani ka përvojë në shkrime që nga rinia, kur në shtypin klandestin të Lëvizjes Kombëtare botonte artikuj politikë dhe vështrime e komente, me kulturë intelektuale, gjuhë të pastër dhe saktësi sintaksore.
Në fund e falënderoj autorin, Agim Sylejmani, për përgatitjen me përkushtim të këtij botimi dhe i uroj sukses në krijimtarinë e tij. Falënderoj gjithashtu parafolësit e mi, për konsideratat që shprehën, moderatoren, Afërdita Dervishi dhe juve, të dashur të pranishëm, për nderin dhe respektin tuaj ndaj Lëvizjes sonë Kombëtare, e cila ende mbetet e patrajtuar sa meriton dhe sa duhet.