FATMIR LEKAJ: ZGJERIMI I DOMENIT SHKENCOR POLITOLOGJIK

Pashtriku.org, 15. 01. 2017: Shkenca politike (shkenca e shtetit) ka traditë të gjatë në Evropë duke u identifikuar nëpërmes termeve staatswissenschaft, sciences politique etj. Fillimisht këto terme nuk e kanë përfshirë në mënyrë të veçantë dhe konkrete vetëm shkencën politike por në mënyrë të përgjithshme i kanë përfshirë edhe disa drejtime tjera të shkencave shoqërore duke i dhënë përparësi drejtimit për arsimimin e zyrtarëve shtetëror.
Në vitin 1622, në Universitetin – Uppsala në Suedi është themeluar një profesorat për retorikë dhe politikë, suedezët me mburrje e konsiderojnë këtë si datë të etablimit të parë në nivel universitar të politikës si disiplinë shkencore. Megjithëkëtë, shkenca politike si disiplinë shkencore universitare me identitet të veçantë (e ndarë nga shkencat tjera shoqërore) daton që nga viti 1857 në Universitetin e Kolumbias në New York, ku ish-refugjati nga Gjermania, Francis Lieber, u emërua profesor i parë i shkencave politike. Kjo traditë e shkencave politike në SHBA, që fillimisht kishte qasje formaliste, fokusoi me përkushtim të veçantë në mësimin për historinë e diplomacisë dhe çështjeve kushtetutare: Si duhet organizuar shtetin? Në cilat institucione duhet të delegohet pushteti? Si duhet të jetë relacioni në mes institucioneve të ndryshme dhe në veçanti në mes legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit?
Kjo qasje formaliste parashikonte se nëse arrihet të bëhet organizimi politik në mënyrë të duhur/dëshiruar (organizimi politik si variabël e pavarur) atëherë ky organizim politik do të përcaktoj/determinoj që politikanët të kenë sjelljen e duhur/dëshiruar (sjellja e politikanëve si variabël e varur).

Woodrow Wilson, politolog, guvernator në New Jersey dhe president i SHBA-ve në periudhën 1912 – 1920, gjatë studimit të tij për kongresin të titulluar Congressional Government dhe të publikuar në vitin 1885, ka kontribuar të zgjeroj domenin e të analizuarit shkencor politik. Wilson nëpërmes studimit të tij kishte vërejtur se kushtetuta ka rol krejtësisht tjetër në jetën realpolitike krahasuar me atë se çka na mësojnë librat për kushtetutat, dhe rrjedhimisht nuk mjafton të shtrohet vetëm pyetja se kush sipas kushtetutës i merr vendimet politike, por duhet shtruar edhe pyetjen se kush në realitet e ushtron pushtetin?.
Wilson gjatë studimit të tij, zbuloi fenomenin që mori emrin ”smokefilled rooms” që zakonisht e quajmë ”politika e korridoreve”, ku paraqiten aktor politik ”me pak të njohur” dhe ”më pak të dukshëm” por që kanë ndikim në vendimet politike.
Gjithashtu Arthur F. Bentley në librin e tij të botuar në vitin 1908 me titullin The Process of Government: A Study of Social Pressures, kritikon qasjen formaliste shkencoro-politike, ngase kjo qasje nuk përfshinte në analizë edhe pushtetin politik jo-formal. Sipas Bentley-t, edhe jashtë institucioneve të formalizuara politike, formohen opinionet dhe definohen interesat për çështjet politike të cilat opinione dhe interesa marrin karakter të organizimit lobist, korporativ etj. Me fjalë të tjera, jashtë institucioneve të formalizuara politike (në shoqërinë si tersi) konkurrojnë interesa të ndryshme, të cilat interesa formulohen si kërkesa ose si përkrahje për çështjet politike, duke iu drejtuar sinjale të forta politikanëve.
Në këtë mënyrë domeni shkencor politologjik u zgjerua, dhe pas luftës së dytë botërore, shkenca politike moderne përfshiu në domenin e vet (përveç sjelljes politike të aktorëve politik që janë pjesë e pozitave formale të shtetit/pushtetit) edhe sjelljen politike në shoqërinë si tersi, që ka ndikim në marrjen e vendimeve politike. Rrjedhimisht, analiza shkencore-politike që përfshin pushtetin formal dhe pushtetin jo-formal, vë në dukje më mirë dinamikën, korrelacionet dhe prejudikimet për çështjet politike.
Politologjia si disiplinë shkencore në kuadër të shkencave shoqërore, përfshinë filozofinë/teorinë politike, politikën krahasimore, politikën publike dhe administrative, dhe politikën ndërkombëtare (marrëdhëniet ndërkombëtare). Në kuadër të metodologjisë së punës shkencore kërkimore, politologjia qëndron në mes idealeve të shkencave natyrore (observimit të matur për të zbuluar lidhjet kausale dhe për të kuptuar ligjet natyrore gjatë testimit të teorive, kryesisht nëpërmes metodës deduktive), dhe idealeve të shkencave humane (mëtimit për ti kuptuar dhe interpretuar ndodhitë e veçanta dhe aktorët e veçantë, kryesisht nëpërmes metodës hermeneutike ose metodës induktive).
– Autori është politolog.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura