Tiranë, 25. 01. 2017: Në 15 janar 1992, plot 25 vjet më parë u organizua FRESH-i, Organizata e Rinisë Euro Socialiste të Shqipërisë, një potencial i madh energjish për Partinë Socialiste. 25 vjet jo vetëm që nuk janë pak, por përtej matematikës kronologjike në rrafshin e domethënies politike janë shumë. Kujtoj me emocion se si 25 vjet më parë si deputet i PS-së kam qenë tërësisht i lidhur dhe kam ndihmuar për krijimin e FRESH-it, madje në kongresin që u bë për të përuruar këtë organizatë rinore dhe politike, unë kam qenë i vetmi nga përgaqësuesit e PS-së që kam përshëndetur dhe kam bërë një apel përkushtues për rininë dhe për të ardhmen e saj. Sëbashku me mua ishte dhe poeti i shkëlqyer, tashmë i ndjerë, Frederik Rreshpja. Edhe Frederiku u ngrit dhe foli duke i përshëndetur me mençuri të rinjtë promovues. Mbas themelimit të PS-së të gjithë kemi përjetuar një trysni të dyfishtë. Nga njëra anë një përbaltje arkaike nga ana e kundërshtarëve politikë, sharje, profeci për vdekje politike të së majtës, për një vdekje përfundimtare, por nga ana tjetër nga gjenerata e re pati edhe nga ata që mbetën të zhgënjyer nga aderimi demokratik i një koncepti të djathtë dhe natyrshëm dhe logjikshëm bënë përpjekje për t’u afruar me programin e PS-së.
I pari njeri që qe zbuluesi dhe mentori i dy studentëve që u vetëafruan në këtë rast Pandeli Majko dhe Ilir Meta qe deputeti, intelektuali dhe miku im i nderuar Maqo Lakrori. Ilir Zelën e kam njohur pak më vonë. Të dy studentët Metën dhe Majkon i çova unë për herë të parë në zyrën e Fatos Nanos, i cili për hir të së vërtetës duhet thënë që e priti me entuziazëm dhe sinqeritet, duke e përkrahur deri në fund, duke e përshëndetur ardhjen e këtyre të rinjve. Fatos Nano, tashmë i harruar dhe pa mirënjohje (çka nuk është normale) e stimuloi FRESH-in, madje edhe i bëri kryeministra edhe Pandeli Majkon edhe Ilir Metën ,ndonëse ishin tepër të rinj.
Gjatë këtyre 25 vjetëve gjenerata e re ka patur ndikimin dhe rolin e vet në organizimin e brendshëm të PS-së. kjo është diçka e padiskutueshme. Ndërkohë, mbas 25 vjetësh mund të bëhet një analizë e zhvillimeve dhe arritjeve. Futja e rinisë në politikë është një problem substancial botëror. Në kohërat moderne, ose post-moderne, rinia përfaqëson një dinamikë të re, tejet të fuqishme. Janë të famshme lëvizjet rinore të viteve ’60, të cilat gati nuk njihen nga rinia shqiptare. Por unë mendoj se duhet të njihen. Kështu revoltimi i studentëve të Universitetit Berkley në Amerikë ngjalli lëvizjet e hipive dhe poezinë tronditëse politike të “beat generation”. Në vend të figurave dhe liderëve politikë u bënë frymëzues të rinisë Bob Marley dhe Jimi Hendrix, dy muzikantë dhe këngëtarë të pashembullt. Demonstratat e rinisë në Francë në vitet 67-68 qenë gati apokaliptike. Rinia kërkonte të thyente kultin e Jerontokracisë (sundimin e të moshuarve). Kjo përbënte një “Opus operandi” për zhvillime të reja. Rinia franceze e zhgënjyer shijonte përmallimin për zhargonin e rrugës “nostalgjie de la boue”, sipas Boudelaire-it. Të rinjtë shpallnin pakënaqësinë ndaj diferencimit shoqëror, kundër kastave dhe kërkonin një rishikim të statusit të harruar të “egalite-së”. Ata shpallnin vjetrimin e kapitalizmit dhe vdekjen e këtij sistemi, që nuk merrte parasysh se “personalja është politike”. Ata kërkonin të shpërfillinin zhguallin e fortë të klasifikimit të rinisë si “nënklasë”, (termi është i Peter Goltz). Tragjedia e rinisë janë të rinjtë e papunësuar që janë përherë e më shumë të pasigurtë. Moton e Dekartit “Mendoj, prandaj jam” të rinjtë e revoltuar e shprehnin si “Protestoj, prandaj ekzistoj”. Nuk duhet harruar dhe lëvizjet rinore në Itali sidomos vjeshta e nxehtë e vitit 1969 ku të rinjtë dolën me parrullën “Tutto e subito”, pra “duam gjithçka dhe tani”. Të rinjtë kërkonin të ndryshohej diçka shumë e rëndësishme në sistemin kapitalist për t’u bërë më human, më i pranueshëm dhe më afatgjatë. Tani këto ngjarje duken si të harruara, por atëherë emancipuan dhe tronditën botën. Nuk ishte fjala jo për të ndryshuar formën, por përmbajtjen. Dihet se në mesin e viteve ’60 qe dhe lëvizja rinore e Bojskautit anglez Baden Poëell që arriti të ndryshonte sombreron e vjetër të skautistit me një berete, disi të lirshme.
Nuk di deri më sot asnjë studim sociologjik apo ndonjë analizë me autoritet shkencor mbi rininë shqiptare. Në kongreset rinore jo vetëm të PS-së por edhe të PD-së ose të ndonjë partie tjetër flitet shumë për politikë pra për një elektoralizëm të skajshëm. Kjo mua më është dukur gjithmonë diçka e kufizuar që e ndrydh horizontin dhe shpirtin e rinisë. A mund të jetë për rininë një militantizëm total dhe të mos dihet revolta dhe mendimi i rinisë në problemet jashtëzakonisht të rënda për paradokset e frikshme që kanë ndodhur këto 25 vjet? A mundet rinia të jetë kaq inerte dhe kaq e larguar nga kultura e madhe universale, apo dhe nga kultura kombëtare që përbën vetëdijen tonë dhe identitetin si komb? A mundet që të rinjtë e politikës të jenë të përqendruar në idenë e një karriere të punës dhe të sigurimit të një pozicioni në administatë për ta bërë këtë një atu të pragmatizmit?
Si ka mundësi që gjatë këtyre 25 viteve nga gjenerata e re nuk pati një krijim profilesh me autoritet kulturor që do të bënte një peizazh krejt ndryshe të përfaqësimit politik të elektoratit të majtë në Kuvendin e Shqipërisë?
Të rinjtë në politikë nuk kanë asgjë të përbashkët me sektin anarkik dhe demotik të populizimit. Ata duhet që të hyjnë në politikë nëpërmjet kulturës për ta ndryshuar dhe për ta bërë më të ndritur të ardhmen e vendit.
Cili është niveli i vërtetë kulturor i gjeneratës së re? Kush mund të na e thotë këtë me siguri? Duke rilexuar Danten këto ditë më bën përshtypje të madhe tre vargjet e tij:
“Pero comprender puoi che tutta morta
Fia nostra conoscenza da quel puno,
Che del futuro fia chiusa la porta.
Interno, X”
që shqipërohen:
“Prandaj duhet të kuptoni
Se çdo dije vdes,
Në çastin që mbyllet porta e së ardhmes.”
Unë e përfytyroj rininë e FRESH-it para së gjithash si rininë e dijes, unë e mendoj rininë e tërë Shqipërisë si rinisë e plotfuqishme të kulturës. Rinia parakupton emancipimin e pashmangshëm. Rinia është një shpresë. Asnjë komb, as vetë njerëzimi nuk mund të jetojë jashtë shpresës. Shpresa është një konceptualitet dhe mbijetesë, është triumfi i humanzimit universal.
Mbas 25 vjetësh rikujtoj pjesëmarrjen time në Kongresin e I të FRESH, pjesëmarrjen time dhe te Frederik Rreshkës (dy shkrimtarë) jo thjesht si një ripërtërirje e kujtesës, por edhe si pengu i një pyetjeje të brendshme shpirtërore se a mund të bëhej diçka më e epërme, më e lartë, më fisnike, pra edhe më kulturore gjatë këtyre 25 viteve, që janë një çerek shekulli?
Nuk dua të më keqkuptojnë, nuk dua të më keqkuptojnë të rinjtë, qoftë të PS-së qoftë të Shqipërisë
Por sfidat e së ardhmes tregojnë qartë se betejat më të mëdha që ka një popull janë betejat e tij mendore, nuk janë as spektaklet, as dituritë sipërfaqësore, as idolatritë partiake, as sloganet e kota dhe as motoja e një karriere të sigurtë sipas “parimit” të përshtatjes politike.
Unë e di që ka shumë të rinj që luftojnë për të fituar kulturë, që janë të talentuar, që ende nuk e kanë gjetur vendin e tyre në shoqëri, që janë të ndershëm dhe kërkimtarë dhe se brenda këtyre njerëzve ka gjithmonë projekte të ndritura dhe të pashmangshme të së ardhmes.
Rinia e demokracisë
Motra dhe vëllezër, të reja dhe të rinj shqiptarë – mos u ekzaltoni nga ndajshtimet e bujëshme, apo nga apelacione të tjera dekorative! Jeni shumë më të plotfuqishëm kështu, me këtë thjeshtësi të vetëkuptueshme, me këtë vetënatyralitet të vërtetë, jeni më autentikë si njerëz të kohës. Ju nuk klithni, ju kuptoni, ju nuk bëni monolog, por dialog, ju nuk shani, por argumentoni, ju nuk mburreni, por ju rilindni së bashku me ne të tjerët!
Mbajeni fort Shqipërinë, sot më shumë se kurrë! Ju jeni shpresa supreme e saj, një e ardhme jo pa vështirësi, por gjithsesi e patjetërsueshme. Shqipëria jeni ju dhe ju jeni ajo, me kushtin e madhërishëm fisnik dhe të pakundërshtueshëm të historisë, që ta doni deri në fund. Kemi nevojë të gjithë, që të mësojmë ende për ta dashur, vetëm një ndërgjegje demokratike, pa akuivoke e falsitet është dhe abetarja edhe enciklopedia e dashurisë martire për të. Duke ju kundërvënë shkëlqyeshëm strukturës arkaike e të egër të diktaturës ju u treguat trima e bile më tepër: të mençur, madje shumë më të mençur nga ç’mund të duket në shikim të parë sot, sepse e ardhmja do t’i paraqesë përmasat e vërteta të nismës tuaj historike. Ju jeni një rini e mrekullueshme, por pa dyshim edhe tragjike. Vetë kombi është tragjik dhe ju duke qenë në esencën e tij, në shpresën dhe në të nesërmen mbartni këtë tragjizëm si dëshmi heroike.
Demokracia nuk mund të bëhet me emra të rremë, as me alibia të përkohshme e të sofistikuara. Demokracia bëhet mundimshëm me emra të vërtetë, para së gjithash me forcën autoritative të arsyes dhe të ndërgjegjes kombëtare. Ne jemi ende në purgatorin e demokracisë shqiptare, në procesin tepër të vështirë e të komplikuar të dukurive të ndërmjetme, të veprimit të gjallë e intensiv të elementeve të kimisë shpirtërore të secilit.
Çdo gjë është në lëvizje, në ndryshueshmëri. Një gjë është e sigurtë: demokracia nuk institucionalizon ;umpenin, pra, të kundërtën e saj, anarkinë, por institucionalizon humanizmin dhe drejtësinë sociale, jo shkatërrimin, por konstruktimin, jo diktatura të reja, por lirinë e vërtetë ekzistenciale të çdo njeriu dhe të kombit. Kjo logjikë është e plotfuqishme.
Aderimi në të majtën demokratike evropiane ka për të gjithë ne disa arsye substanciale, të përjetshme dhe të pashkatërrueshme. Masat e gjera të popullit, shtresat e paprivilegjuara janë demokratike, të majta, rrjedhimisht, këta posedojnë edhe përparësinë e demokracisë me kahje progresive, të pandalshme në tërë sistemin pluralist. Masat e rinisë, veçanërisht studentët, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë janë në thelb të kësaj fryme, që është në kundërshtim me pseudomajtizim diktatorial. Kultura jonë kombëtare, koloset e saj të ndritur janë, jo rastësisht, demokratë të majtë të nivelit evropian botëror, kjo gjë është në nderin e kësaj kulture, të këtij kryethesari më të madh shpirtëror që kemi. Rifitimi i statusit evropian të kombit tonë, të mohuar nga diktatura, bënë të mundur që e majta demokratike shqiptare, të ketë më në fund një perspektivë kolosale dhe unike me të majtën demokratike evropiane, e cila është edhe majaja e nderi edhe i kulturës botërore. Një disident i vërtetë dhe i mençur i regjimit monist diktatorial, demokrati i madh Havel është shprehur qartë, se duhet ndërtuar një shoqëri sa më humane, ku njeriu të jetë mbi ideologjitë dhe jo ideologjitë mbi njeriun, larg emërtimeve dhe etiketave të rutinës politike, për t’u konceptuar si rend i ri botëror, i një humanizmi të vërtetë, pra edhe mbi konceptet e fetishizuara “kapitaliste”, apo “socialiste”. Ky është një vizion i ri i bitis, pra, jo një rikthim te e vjetra, por një ecje drejt së ardhmes. Kjo optikë është e domosdoshme për optimizmin tonë.
Aktet e Helsinkit dhe Karta e Parisit janë manifeste të mëdha të drejtësisë sociale, apo të humanzimit botëror, të triumfit të arsyes e të kulturës, jashtëzakonisht larg e të papajtueshme me konceptet fashistoide, të segregacionit, të së djathtës ekstreme, të mohimit të të drejtave të njeriut dhe të kombeve, të totalitarizmit pavarësisht nga emrat e skajshëm politikë. Konceptet themelore të njeriut shqiptar si liria, ideali kombëtar, progresi ekonomik e shoqëror, lidhja me Komunitetin Botëror të popujve e të kulturave etj., janë të tilla dhe unike, saqë nuk mund të pjesëtohen, as të pronësohen e as të monopolizohen nga askush, as nga partitë, as nga personalitetet, as nga shtetet, që vuajnë ende nga paternalizmi politik. Këtu qëndron optika kryesore e forcave të pashtershme e demokracisë, ku ne mund të shikojmë gjithçka ashtu si Alefin e Borhesit.
Nuk duhet harruar asnjëherë se Shqipëria është një, por partitë janë shumë, kombi është një, por partitë janë shumë, rinia kombëtare është një, por partitë janë shumë.
Pra, hedhja përfundimisht poshtë e mitit të monopoleve është demokraci. Kjo përcakton statusin real të partive si mekanizma të pluralizmit të institucionalizuar, të rëndësishme e të domosdoshme, po në fund të fundit aspak jo mbi Shqipërinë, kombin e rininë, jo për t’i shpërbërë ato, por për t’ui ndihmuar, që të përbëhen e të forcohen më shumë, kështu, konvencinaliteti politik i partive është i qartë dhe i kushtëzuar nga serioziteti i tyre, partitë nuk duhet të fetishizohen, sepse partikracia qe për ne shqiptarët, por edhe për popujt e tjerë një eksperiment tragjik, që nuk duhet përsëritur kurrë më. Nuk duhet mohuar, se këtu qëndron edhe vështirësia më e madhe, tepër serioze dhe jashtëzakonisht e rëndë e pluralizmit, që e tëra të mos vihet në antagonizëm me të pjesshme, që pluraliteti të mos mohonë singularitetin, që procesi i zhvillimit të jetë sipas logjikës së brendshme dhe, sipas arbitraritete, që nuk e respketojnë këtë logjikë. Nga kjo pikëpamje dua të theksoj, se meqenëse rinia shqiptare sot aderon organizativisht në parti e shoqata të ndryshme politike atëherë alternativa e vetme historike e saj është jo për përçarjen, por një unitet i një lloji të ri, pra një aderim i tërësishëm në atë që është më esenciale: në idealin kombëtar humanist shqiptar. Të mençurit bashkohen, të marrët ndahen, të mençurit e bëjnë Shqipërinë, antishqiptarët e shkatërrojnë. Kjo është çështja më e madhe hamletiane e kombit tonë.
Duke përshëndetur të rinjtë eurosocialistë shqiptarë theksoj, se e drejta e opozitës është jo vetëm e nismëtarëve të lëvizjes studenteske, por edhe e të gjithëve. Kjo ka një kuptim sa filozofik, aq edhe praktik. Madje opozita si një koncept universal është brenda të tëra partive të vërteta dhe jo fantazma, serioze dhe jo alibike, si dhe brenda çdo njeriu te secili.
Opozita për të mirën e kombit është domosdoshmëri gjë, që s’ka të bëjë me ekseset. Për këtë arsye roli i opozitës për shkatërrimin e diktaturës asnjëherë nuk duhet mohuar, kurse roli i opozitës alternative për ndërtimin e së ardhmes është më i domosdoshëm.
Mendoj, se aderimi në idealin kombëtar e humanist e bën më të pavarur rininë. Nuk duhet humbur kurr pavarësia e mendimit dhe veprimit të rinisë, vetëm kështu rinia ecën përpara, vetëm kështu rinia nuk instrumentalizohet në mënyrë mekanike nga partitë, dhe partitë purifikohen e i afrohen kuptimeve të tyre të vërteta, u përgjigjen më tepër interesave të rinisë, rinia vjen më natyrshëm te partitë, pa komandim administrativ, larg diktateve, kështu ndërgjegjësimi e bën rininë shumë më të fuqishme në aksionin e vetë historik.
Shqipëria nuk bëhet vetëm nga një pjesë e rinisë, por nga e tërë rinia përparimtare; jo vetëm nga ne, por edhe nga të tjerët e ngjashëm, jo vetëm nga një parti, por nga të tëra partitë, që i përkulen vetëm një kulti: atij të kombit e të drejtësisë sociale.
Rinia duhet të jetë vizionare, ta ketë shumë të qartë të ardhmen. Ndryshe nuk mund të luftojë dot. Kjo e ardhme nuk realizohet pa pajtim kombëtar për të cilin dy korifejtë tanë Kadareja e Qosja janë shprehur fare qartë. T’i përgjigjemi këtij apeli tronditës, jetik. Kjo është provë e tmerrshme dhe e pakapërcyeshme për pseudodemokratët, anarkistët e antikombëtarët. Më pak politikë të partive e më shumë politikë për kombin. Më shumë politikë për njeriun e thjeshtë e pa privilegje, për rininë shqiptare. Më shumë dinjitet e më pak xheste prestizhatorësh dinakë.
Si intelektual jam tërësisht me rininë demokratike shqiptare të popullit tim.
Do citoja këtu një moto të shkrimtari të madh humanist të këtij shekulli Albert Kamysë: “Roli i shkrimtarit në shoqëri nuk mund të shkëputet nga detyrat e vështira që ka. Shkrimtari nuk mund të vihet në shërbim të atyre, që e “bëjnë” historinë, ai është në shërbim të atyre mbi shpatullat e të cilëve rëndon kjo histori”.
Tiranë, më 15 janar 1992