NEZIR MYRTAJ: PSE ENDE NUK DIHET KU NDODHET VARRI I FERAT MUJËS?!

(Prishtinë, 22. 09. 2012) – Kanë kaluar shumë vite që prej ekzekutimit për motive politike antishqiptare, nga pushteti ish-jugosllav, i Ferat Mujës, nga fshati Samadrexhë i komunës së Vushtrrisë. Ekzekutimi i tij u bë në prill të vitit 1994, vetëm 20 muaj pas shqiptimit të dënimit nga Gjykata e Qarkut në Mitrovicë, e kryesuar nga gjyqtari Ismet Emra. Trupi i të ekzekutuarit nuk i është dorëzuar familjes dhe që atëherë nuk dihet as vendi ku është varrosur. Familja e Feratit, e shpërngulur pas gjykimit të tij, në lagjen Tavnik të Mitrovicës, ka bërë përpjekje të pasuksesshme për të mësuar vendin e saktë ku ndodhet varri i Feratit. Sipas informacioneve që kishte marrë ajo para luftës në Kosovë, nga ish-drejtori i burgut të Qarkut të Mitrovicës, Sherafedin Ajeti, Ferati ishte varrosur në varrezat e qytetit të Mitrovicës që gjenden jo larg ndërtesës së burgut. Ndërsa avokatët e ndryshëm, familjes së Feratit i kishin thënë se sipas rregullave ligjore, eshtrat e personit të ekzekutuar nuk mund t’i dorëzoheshin familjes para se të kalonin 20 vjet prej ditës së ekzekutimit. Megjithatë, për rastin e Ferat Mujës mund të dëshmonin dhe ende mund të dëshmojnë personat e ndërthurur në procesin e dënimit të tij, ndër të cilët edhe zyrtari i asaj kohe i judikaturës së Kosovës, Vesel Latifi, ish-prokurori Kapllan Baruti, ish-gjykatësi i Gjyqit të Qarkut të Mitrovicës, Ismet Emra dhe ish-personeli i Burgut të Qarkut të Mitrovicës.
Zgjimi i madh shqiptar në Kosovë në vitin 1981 hapi një epokë të re, jo vetëm për ndërgjegjen shqiptare, por edhe për pasionet antishqiptare të pushtuesit serb. Urrejtja dhe shtypja serbe ndaj shqiptarëve, herë-herë e kamufluar, tashmë po shprehej në formën më të hapur e të vrazhdë. Po urrehej gjithçka shqiptare: flamuri, simbolet kombëtare, gjuha, kultura, emri, madje edhe qenia fizike e shqiptarit. Në atmosferën e kësaj fushate të përgjithshme antishqiptare, jeta e shqiptarit në trojet e tij të pushtuara ishte nën kërcënimin e përditshëm: nga serbi; nga ligji; nga shërbëtorët shqipfolës të pushtetit.Viktimë e kësaj fushate u bë edhe Ferat Muja nga fshati Samadrexhë i Vushtrrisë.

Ferat Muja

………………………………………………

Ish-minatori i minierës “Trepça”, pensionisti invalidor, Ferat Muja, më 2 qershor të vitit 1982 ishte nisur për në qytezën e Vushtrrisë, ku kishte parashikuar ta tërhiqte pensionin e tij mujor. Mirëpo, rruga në të cilën ishte nisur ai nuk e çoi dot në Vushtrri, sepse në mesin e saj qëndronte hija e vdekjes. Ai nuk arriti dot tutje fshatit fqinj Gojbulë, i banuar me popullatë serbe. Derisa po kalonte rrugës këmbësore të një livadhi të këtij fshati, në drejtim të tij ishte vërsulur me tërbim i riu Danillo Milinçiq. Sapo e kishte vërejtur Feratin, të moshuar e hall lig që po kalonte pranë arës ku ai po prashiste misër, kishte ndërprer punën dhe i harlisur me shatën të ngritur lart, kishte vrapuar ta sulmonte atë. “Po e mbyt një shqiptar!” – i kishte thënë ky kriminel nënës së tij, Danicës, e cila po ashtu ndodhej në afërsi, sikur për të shuar pasionin e urrejtjes antishqiptare.
Familja Milinçiq, që herët ishte dalluar për ndjenja shoveniste, akcesive e përverse. Zonja e shtëpisë, Danica, e njohur për paudhësi të ndryshme, ishte një kriminele, e cila bashkë me të vëllain dhe të birin e saj më të madh, disa vite më parë e kishte vrarë të shoqin. Ndonëse për këtë krim, biri i saj ishte dënuar me disa vite burg, për ngritjen e histerisë antishqiptare serbe, kjo familje, mediat dhe qarqet e Beogradit, për këtë vrasje kishin filluar t’i fajësojnë shqiptarët.
Familja Milinçiq, po ashtu ishte e njohur edhe si çerdhe e ultrashovenistit serb Rankoviq, ku ai në kohën e tij kishte kaluar shumë ditë dhe net. Në shenjë të kësaj afrie, fëmijën më të ri të Danicës, Danillon, bashkëfshatarët madje e quanin edhe Rankoviqi i vogël. Këtë Rankoviq të vogël, në ditën e atij dy qershori e kishte tërhequr vdekja nga ara në livadh, ku kishte ëndërruar ta përjetonte kënaqësinë sadiste gjatë mbytjes me shatë të një shqiptari.
Ferat Muja, një burrë trim e i ndershëm, duke qenë me prejardhje nga një familje me traditë atdhetare, nga fshati Kovaçicë i Shalës së Bajgorës, ishte brumosur me ndjenjën e sinqert të atdhetarizmit. Si pinjoll i burrave me emër, të Kovaçicës, i Asllanit (babai i tij) dhe i atdhetarit të njohur Ukshin Kovaçica, ai e kishte çmuar dinjitetin e burrit, por edhe armën si mjet për mbrojtjen e këtij dinjiteti. Prandaj Ferati, jo vetëm e kishte adhuruar armën, por revolverin e tij, pothuajse përherë e kishte bartur me vete. Atë e kishte në një qese najloni edhe ditën kur ishte sulmuar pa shkas nga Danilloja. Pikërisht ky revolver ia kishte pamundësuar këtij krimineli kënaqësinë të luante me jetën e një shqiptari, duke e lënë atë në çykën e shatës. Plumbi paralajmërues i shkrepur nga revolveri i Feratit, kishte marrë kuptimin e vazhdimit të dialogut të zhvilluar në fillim të kësaj ngajrjeje të kobshme, duke ia bërë të qartë këtij shovenisti rankoviqist, se toka nëpër të cilën po e pengonte të ecte, nuk ishte serbe, por shqiptare, denbabaden.
Tërbimi shovenist kundër shqiptarëve nuk e kishte lejuar serbin Danillo ta shihte rrezikun as atëherë kur duhej të ishte bindur se Ferati ishte i armatosur dhe se mund ta vriste. Ai kishte vazhduar përpjekjen për ta shijuar kënaqësinë e mbytjes së tij, duke e goditur me shatën si armë e ftohtë, mirëpo, më parë ishte çarë gjoksi i tij nga nga plumbi i shkrepur prej gishtit të Feratit. Plandosjen e kriminelit Danillo, e kishte shoqëruar edhe britma kobzezë e së ëmës. Ndonëse të birin e kishte mbështetur edhe vetë ajo, Ferati e kishte ruajtur gjakftohtësinë ndaj saj. Në ato momente atij iu kishte kujtuar kodi i traditës dhe i kanunit shqiptar, i cili nuk njeh për vepër trimërie vrasjen e femrës.
Pas kësaj ngjarjeje në Gojbulë, Ferati ishte kthyer në shtëpi ku e kishte njoftuar familjen e tij për krejt atë që i kishte ndodhur. Pastaj kishte marrë pushkën të cilën e kishte mirëmbajtur me shumë përkushtim që prej shumë vitesh dhe ishte pozicionuar në një vend të përshtatshëm, në periferi të fshatit. Ishte i bindur se policia do t’ia rrethonte shtëpinë dhe vërtet kështu edhe kishte ndodhur pa vonesë, kur njësitet e policisë kishin arritur nga Vushtrria në Samadrexhë. Ferati po i sodiste me kujdes veprimet e tyre, i vendosur të mos dorëzohej. Mirëpo, pas disa orësh, eprorët shqipfolës të kësaj policie, me dredhi kishin arritur ta bindin familjen e Feratit se dorëzimi i tij nuk do të kishte pasoja. Madje një epror i kësaj policie, me emrin Ismet Tërstena, edhe kishte garantuar se për vrasjen e kryer në rrethana vetëmbrojtjeje, Ferati nuk do të dënohej më shumë se me shtatë vjet burg. Këto premtime kishin bërë që Ferati të dorëzohej, mirëpo së shpejti ishte bindur për lajthitjen e tij. Vrasja që kishte bërë ai u kualifikua si vepër e kryer nga motivet nacionaliste e irredentiste kundër popullit serb. Ajo u bë ngjarje e ditës për shtypin e Beogradit dhe çështje e rendit të ditës në forumet partiake e diferencuese në Kosovë, si dhe e atyre shtetërore në Serbi e Jugosllavi. Rreth kësaj çështjeje u angazhua udhëheqja më e lartë e shtetit të Serbisë, duke përfshirë edhe kryetarin e kryesisë së këtij shteti, gjeneralin famëkeq Nikolla Lubiçiq. Siç ia kishte komunikuar ato ditë Feratit, avokati i tij, Bajram Kelmendi, gjenerali Lubiçiq kishte sugjeruar që ai të ekzekutohej pa gjyq dhe menjëherë, në mënyrë që dënimi i tij të shërbente si shembull frikësimi për të gjithë “nacionalistët” dhe “irredentistët” shqiptarë.
Kjo formë e presionit dhe e fushatës antishqiptare, atëherë rezultoi me organizimin e shpejtë të procesit gjyqësor kundër Ferat Mujës. Tërë procedura u përgatit brenda 36 ditësh, gjë që paraqiste rast unikat në praktikën e gjyqësisë jugosllave. Gjykimi u organizua në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë. Atij iu shqiptua dënimi me vdekje nga shqiptarziu Ismet Emra, gjykatës në shërbim të politikës serbomadhe, i cili për shumë kohë kishte qenë edhe në krye të kësaj gjykate. Tani ishte e qartë se ky vendim i dalur nga ky proces gjyqësor, në fakt ishte vendim politik, i marrë në nivel të lartë shtetëror. Prandaj, për secilin ishte e qartë se dënimi i shqiptuar do të ekzekutohej në afatin sa më të afërt.
Në kohën kur Ferat Muja, tashmë i dënuar me vdekje po mbahej në burgun hetues të Mitrovicës, tërë procedura pasuese dhe vendimet e instancave të tjera të gjykatës e të shtetit lidhur me dënimin e tij, përfunduan brenda njëzet muajsh. Në janar të vitit 1984, ankesa kundër vendimit të gjyqit u refuzua përfundimisht nga të gjitha instancat gjyqësore, si dhe nga Kryesia e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Brenda tre muajve në vijim ishte refuzuar edhe shkresa në formë kërkese për falje, drejtuar kreut më të lartë të shtetit të ish-Jugosllavisë, si procedurë formale që mund të aplikohej në rastet e dënimeve të tilla të rënda. Kjo shkresë ishte shpresa e fundit e parealizueshme për t’i shpëtuar ekzekutimit. Mirëpo, Ferati ishte i vetëdijshëm se për të si shqiptar, nuk do të kishte mëshirë, prandaj as që denjonte ta provonte këtë mundësi, duke ushtruar kërkesën për falje e mëshirë. Përkundrazi ai dëshironte të shprehte gatishmërinë e tij për t’i sfiduar çetnikët e Beogradit me shembullin e qëndresës shqiptare. Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kryesisë së ish-Jugosllavisë, e hartuar nga autori i këtij shkrimi, si bashkëvuajtës i dënimit politik në të njëjtën dhomë të burgut, më tepër për ta hequr pengun e së nesërmes, Ferati nuk ishte pajtuar të kërkonte mëshirë e falje, por ballafaqim me ata që kishin kërkuar që ai të ekzekutohej pa gjyq, pra me kreun e politikës serbe, gjeneralin Lubiçiq. Në këtë kontekst, po ashtu para autorit të këtij shkrimi, Ferati kishte deklaruar shumë herë se edhe në çastin para ekzekutimit, nëse do t’i lejohej shprehja e dëshirës së fundit, ajo dëshirë do të ishte që ai ta shpaloste gjoksin para armës së çetnikut Lubiçiq. Dita kur do ta shprehte këtë dëshirë erdhi vetëm pas tre muajsh, kur përfundimisht ishte miratuar dënimi i tij me vdekje.
Në mbrëmjen e 16 prillit të vitit 1994, policë, gardianë dhe zyrtarë të Gjykatës së Qarkut e të burgut në Mitrovicë, kishin shkuar te shtëpia e Ferat Mujës, për ta njoftuar familjen e tij se anëtarët e saj do të mund të takoheshin e shiheshin për herë të fundit me të. Po atë mbrëmje të rëndë, në takimin lamtumirës me Feratin, në burgun e Mitrovicës kishin shkuar nëna e tij, Hamidja, vëllai Murati, si dhe e shoqja, Fetia. Fjalët e para të Feratit, drejtuar së ëmës, në atë takim kishin qenë: “Nënë, mos qofsha djali yt, nëse derdh lot për mua!”.
Tri ditë më vonë, mjetet serbe dhe shqipfolëse të informacionit në Prishtinë e Beograd patën kumtuar lajmin se “irridentisti” Ferat Muja, i cili kishte vrarë serbin Danillo Milinçiq, ishte ekzekutuar. Që atëherë, familja e tij, vëllai, gruaja, fëmijët (Ferati ka lënë tre djem e pesë vajza), nipat e mbesat e Ferat Mujës, ende nuk e dinë vendin ku është varrosur trupi i tij. Në kokën e tyre vazhdojnë të sillen vërdallë vetëm informacionet e tërthorta, sipas të cilave, eshtrat e tij prehen në një cep të varrezave të qytetit të Mitrovicës, jo shumë larg ndërtesës së burgut të këtij qyteti.
Është ironik fakti se informacionet e sakta për vendin e ekzekutimit dhe të varrosjes së Ferat Mujës, nuk janë bërë publike sot e asaj dite dhe vazhdojnë të mbeten sekret i atyre që i shërbyen politikës serbomadhe, megjithëse prokurori që e kishte paditur atë gjatë procesit gjyqësor ka emër e mbiemër. Informacionet e sakta lidhur me këtë çështje do të duhej t’i kërkoheshin dhe ato do të duhej t’i jepte edhe kryetari i trupit gjykues që ia kishte shqiptuar dënimin me vdekje Ferat Mujës. Informacionet e tilla do të duhej t’i bënte publike edhe personeli tjetër ekzekutor i skuadrës ekzekutuese, në mesin e të cilëve, pa dyshim do të ketë pasur edhe shqipfolës. Ish-prokurorët dhe gjykatësit Kapllan Baruti, Ismet Emra dhe të gjithë ata që morën pjesë në vrasjen e Ferat Mujës, sekretin për vendndodhjen e varrit të tij vazhduan ta ruajnë pa të drejtë deri sot. Eshtrat e tij ishin nën embargon e këtyre shërbëtorëve të dikurshëm të pushtetit serb. Është fare e padrejtë që familja e Ferat Mujës, i vrarë për motive politike nga regjimi pushtues i Serbisë, të mos ketë të drejtë të di për varrin e tij. Ndërgjegja e atyre që e dinë vendin ku ndodhet ky varr dhe vazhdojnë ta ruajnë sekretin për të, nuk duhet të lihet e qetë. Ata duhet të detyrohen ta zbulojnë të vërtetën.
Ferat Muja ishte i vetëdijshëm se do të viktimizohej si pasojë e klimës politike të krijuar pas demonstratave të vitit 1981, në të cilat shqiptarët shprehën kërkesën për barazinë e tyre me popujt e tjerë në ish-Jugosllavi. I vetëdijshëm për këtë fakt, ai vetë e thoshte dhe e dinte se po bëhej, siç thoshte “mish për top” i kërkesave të popullit shqiptar dhe për këtë fakt ndihej i gatshëm e i lehtësuar edhe të sakrifikohej. Me ekzekutimin e tij, shovenizmi shtetomadh serb synoi t’i frikësonte e t’i zbrapste shqiptarët nga kërkesat dhe synimet e tyre kombëtare. Mirëpo, dënimi dhe ekzekutimi i Feratit, as e qetësuan situatën e atëhershme në Kosovë dhe as dëshmuan se këtu po mbroheshin marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve e serbëve. Përkundrazi, ekzekutimi i tij dëshmoi se ndaj shqiptarëve në Kosovë e në ish-Jugosllavi po zbatohej politikë shtetërore antishqiptare dhe se diskriminimi i tyre po bëhej me ligj. Politika e shtypjes dhe diskriminimit antishqiptar vazhdoi në format më të vrazhda, pa ndërprer derisa Ushtria Çlirimtare e Kosovës e përzuri me zjarrin e armës së saj, pushtuesin serb nga Kosova.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura