Tetovë, 20. 02. 2017: Sa herë që është përkeqësuar situata politike dhe e sigurisë në Kosovë, Maqedoni dhe viset tjera shqiptare, në Tiranë ka shpërthyer ndonjë ,,revolucion”! Shumica e pjesëmarrësve në këto ,,revolucione”, të realizuar, ose në tentim, sigurisht që nuk e kanë ditur se këto trazira janë nxitur, përgatitur dhe financuar nga jashtë, si i ashtuquajturi ,,Revolucioni i vonuar demokratik 1997″, tani ,,Revolucioni demokratik i shkurtit 2017″ i paralajmëruar, si edhe disa tentimeve të mëhershme për ,,revolucione” të këtillë, që t’ua përkujtojnë frymëzuesve, ideatorëve dhe financuesve të tyre se, në shoqëritë demokratike ka rrugë të tjera pakufi për ndryshime të nevojshme në shoqëri dhe qeverisjen e shtetit.
Neve që jetojmë jashtë kufijve administrativë të shtetit amë nuk na ka habitur asnjëherë ky fenomen i çuditshëm politik, sepse intrigat sllave i kemi pasur gjithmonë afër mesh, por vërtet na shqetëson lehtësia e manipulimit me qytetarët, gati të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, që doemos të sjellin në përfundimin se, gjithçka në punën e këtyre ,,revolucioneve” matet me interesin personal, peshohet me monedha të huaja, e asnjëherë me cilësinë e pushtetit, mënyrën demokratike të qeverisjes, progresin e përgjithshëm shoqëror, prestigjin e shtetit dhe interesin kombëtar!
Prandaj, nuk është për t’u habitur kur të huajt na njohin më mirë seç e njohim ne vetveten, duke i detyruar të ndërmarrin masa për ta ndihmuar kombin shqiptar, si në rastin kur në prag të intervenimit ushtarak të forcave ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës, u desh të përjashtohen nga loja liderët e të dy forcave politike më të mëdha në Tiranë dhe u soll në pushtet një kryeministër i ri, jashtë këtyre strukturave politike; si edhe në rastin që duhet të na bëjë të skuqemi të gjithë, kur serbët, armiqtë më të përbetuar të kombit shqiptar, kërkuan zyrtarisht llogari nga qeveria e tyre, se ku kanë përfunduar dhjetëra milionët e tyre për destabilizimin dhe copëtimin e Shqipërisë, në vitin 1997?!
Këta liderë, që fatkeqësisht janë drejtuesit e shtetit tonë, e kanë sjellë Shqipërinë në këtë gjendje të mjerueshme, si asnjë regjim i mëhershëm nën pushtimin dhe sundimin e huaj; e kanë katandisur atdheun e 22 milionë shqiptarëve në këtë gjendje sa, ambasadori i një shteti aleat të kujdeset më tepër për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit në vendin tonë, seç kujdesen sipas detyrimeve kushtetuese këta kriminelë e horra të politikës shqiptare, të cilët për të satën herë na turpëruan para botës!
Opinioni shqiptar është i informuar mirë se, aktualisht Kosova ballafaqohet me probleme tepër serioze politike dhe të sigurisë; se shqiptarët në Maqedoni gjithashtu janë para sprovave të mëdha politike, si asnjëherë më parë në historinë e këtij shteti; se gjendja nuk është më e mirë as në Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe në Çamëri; ndërsa udhëheqësit e politikës në Tiranë e paskan zgjedhur momentin më të përshtatshëm për fillimin e ,,Revolucionit demokratik të shkurtit 2017”, i cili më tepër mund t’u shërbejë kriminelëve se sa interesave të shqiptarëve dhe të shtetit?!
Kësaj radhe, kjo përrallë me lugetër të moçëm të komunizmit, të ushqyer e ndërsyer nga serbët, grekët dhe rusët, nuk duhet të kalojë tek shqiptarët!
(19 shkurt 2017)