KSENOFON KRISAFI: E VËRTETA E MARRËVESHJES ZOGU – PASHIҪ PËR SHËN NAUMIN DHE VERMOSHIN

(Tiranë, 26. 09. 2012) – Ka rreth tre vjet që në mediat shqiptare po shkruhet dhe po flitet shumë rreth Marrëveshjes shqiptaro-greke për ndarjen e kufijve detarë në kanalin e Korfuzit dhe në detin Jon, firmosur në Tiranë, në prill 2009, e cila u hodh poshtë në prill të vitit 2010, me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, kur përkujtohen përpjekjet dhe sakrificat e patriotëve të shquar për themelimin e shtetit të pavarur shqiptar dhe për garantimin e integritetit territorial të tij, diskutimi i këtij precedenti merr një rëndësi të veçantë. Gjithkush dëshiron që ajo çka ndodhi në vitin 2009 të mos përsëritet më, që integriteti territorial i vendit të mos rrezikohet, që Kushtetuta e vendit, akti themeltar i shtetit dhe garanti i rendit juridik, të mos cënohet dhe të mos shkelet nga askush, cilidoqoftë ai.
Precedenti i pashembullt i të ashtuquajturës marrëveshje detare shqiptaro-greke, procedurat e mistershme dhe veprimet antikushtetuese që u kryen për cedimin e një hapësire të konsiderueshme territoriale prej rreth 354 km katrorë, shumëkujt i sjellin ndërmend edhe së paku dy episode të tjerë të këtij karakteri unikal, cedimin e territorit të vendit me “pëlqimin” e disa individëve të ndodhur në pushtet, që kanë shpërdoruar detyrën zyrtare dhe atributet e larta shtetërore, për interesat e ngushta vetiake.
Rasti i parë është shitja e Shkodrës Malit të Zi nga Esat Pashë Toptani në vitin 1913, akt që fatmirësisht rezultoi i pasuksesshëm. Ai e kreu këtë veprim për të siguruar përkrahjen e Malit të Zi për t’u vënë në krye të Shqipërisë. Do ta vazhdonte veprën e tij antikombëtare në vitin 1914. Pikërisht kur Greqia, nëpërmjet agjentit të vet Kristaq Zografo, përpunonte dhe impononte të ashtuquajturin Protokoll të Korfuzit, për aneksimin e Shqipërisë së jugut, të ashtuquajturit Vorio-Epir, Serbia përgatiti dhe i paraqiti Esat Pashës një marrëveshje, që u përfundua në qytetin e Nishit më 4 (17) shtator të vitit 1914. Ajo parashikonte eliminimin e Shqipërisë së pavarur të shpallur shtet nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 Nëntor 1912 dhe të njohur e pranuar si subjekt i së drejtës ndërkombëtare nga Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, me vendimin e 29 korrikut 1913. Rreth një vit më vonë, duke dashur të sanksiononte juridikisht situatën e krijuar si rezultat i pushtimit të Shqipërisë, Serbia shpejtoi ta plotësonte Marrëveshjen e Nishit, të firmosur nga Esat Pasha dhe Nikolla Pashiçi, me një akt tjetër, që njihet me emrin Marrëveshja Toptani- Jovanoviq, e cila në pjesën hyrëse mban datën 27 qershor 1915, kurse në pjesën përmbyllëse ka të shënuar datën 15 (28) qershor 1915.( Për këto dy marrëveshje do të flitet në një shkrim tjetër).

Binomi: Nikolla Pashiç – Esat Pashë Toptani.

……………………………………………

Rasti i dytë është dhurimi i Manastirit të Shën Naunimit dhe i një pjese të Vermoshit Serbisë në vitin 1925 nga Ahmet Zogu, si shpërblim për strehimin që Beogradi i ofroi pas përmbysjes nga revolucioni demokratik i qershorit i vitit 1924, si edhe për përkrahjen që Serbia i dha për t’u rikthyer në pushtet. Veprimi u realizua mbi bazën e një marrëveshjeje tjetër, që u nënshkrua në Beograd, ne gushtin e vitit 1924, nga i njëjti kryeministër serb Nikolla Pashiç me Ahmet Zogun, kryeministrin shqiptar të rrëzuar nga pushteti dhe të arratisur në Jugosllavi.
Për këtë marrëveshje, sikurse edhe për ato që lidhen me emrin e Esat Toptanit, është folur dhe shrkuar edhe më parë. Në këtë shkrim synohet që çështja të shihet nga një tjetër këndvështrimi. Deri tani kur është folur për marrëveshjen e Ahmet Zogut me Serbinë, gjithëçka ështe reduktuar në “dhurimin” e Shën Naumit dhe të Vermoshit. Në të vërtetë çështja është shumë më komplekse. Marrëveshja ka një spektër të gjerë veprimi dhe përfshin e trajton edhe mjaft çështje të tjera që për nga rëndësia dhe pasojat përfaqësojnë një akt tepër të rëndë dhe të paprecedent, që e damkos mbretin e vetshpallur të Shqipërisë, me një njolle të pashlyeshme turpi.
Nuk ka dyshim se Ahmet Zogu i cili vuri emrin e vet në së paku 15 vjet të historisë shqiptare, përbën një figurë komplekse dhe problematike, me kontribute, por edhe me qëndrime e veprime, të cilat në një gjykim objektiv kanë qënë në dëm të Shqipërisë. Nuk mund të mohohet roli që mund të ketë në konsolidimin e shtetit shqiptar, në forcimin e institucioneve, në përgatitjen dhe miratimin e kodeve themelore, në zgjerimin e rrjetit shkollor fillor dhe hapjen e shkollave të para të mesme laike etj. Por kur flitet për Ahmet Zogun, nuk mund të sfumohen, madje nuk ka arsye për të fshirë nga historia e tij ngjarje apo episode që përfaqësojnë njolla, në qëndrimet ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Duke lënë mënjanë aktin e pakuptimtë të vetshpalljes si mbret të shqiptarëve, braktisjen e vendit në kohën e pushtimit nga italia fashiste në prill të vitit 1939, vjen ndër mend menjëherë pazarllëku i tij me Nikolla Pasiçin, ish kryeministrin serb të asaj kohe, për shitjen dhe shpërdorimin e Shqipërisë në çdo kuptim të kësaj fjale.
Në shtypin dhe në literaturën historiografike shqiptare flitet pa asnjë dyshim për ekzistencën e një marrëveshjeje formale të nënshkruar nga Pashiçi dhe Zogu, në Beograd, në gusht të vitit 1924. Në librin e Faton Mehmetaj, me titull Veprimtaria kriminale e “Dorës së Zezë” serbe në trojet shqiptare, botuar në Prishtinë, më 2004, thuhet se ishte fjala për një marrëveshje që sanksiononte varësinë e plotë të Shqipërisë. Autori pohon se e ka gjetur tekstin origjinal të marrëveshjes në Arkivin Qendror të Shtetit, në fondin 251, në dosjen 105, të vitit 1924. Për ekzistencën e kësaj marrëveshjeje, e cila njihet tashmë në histori si “Marrëveshja Zogu – Pashiq” dhe për përmbajtjen e saj, studiuesja Monika Stafa (Shoshori) thotë se ekzistojnë disa alternate tekstesh. Ato gjenden të ruajtura në Arkvin Qendror Shqiptar, në arkivin shtetëror italian dhe padyshim edhe në arkivat e Beogradit. Nga Beogradi pretendohet se ekziston vetëm një “Gentelman’s Agreement” (Marrëveshje xhentëllmenësh, marrëveshje verbale) dhe jo një tekst i shkruar. Deri para pak kohësh teksti i marrëveshjes mund të gjendej vetëm në botimin integral të studiuesit italian P. Pastorelli, i cili i referohej pikërisht arkivave italiane. Sipas M. Stafa, «në arkivat italiane, marrëveshja është në dy kopje, të dyja identike me njëra-tjetrën, megjithëse njëra me burim Beogradin dhe tjetra me burim Tiranën, të dyja të përcjella në rrugë diplomatike.» Po sipas saj, ajo ishte botuar e plotë në një të përmuajshme të Prishtinës.
Nga një lexim i shpejtë i tekstit rezulton se marrëveshja është një akt zyrtar kapitullimi i turpshëm për shtetin shqiptar, krejtësisht i pamotivuar dhe juridikisht i pajustifikuar. Pa shtjelluar tërësisht përmbajtjen e saj, do të mjaftonte të përmendnim se nëpërmjet saj Shqipëria angazhohej të bashkohej me Jugosllavinë në formën e një bashkimi personal. Kryetari i shtetit shqiptar formalisht, por në fakt krejtësisht në mënyrë fiktive, do të vazhdonte të mbetej Ahmet Zogu, i cili më vonë do ta njihte dinastinë e Karagjorgjeviqëve. Sipas nocionit juridiko-ndërkombëtar të bashkimit personal kjo nënkuptonte pranimin e kurorës mbretërore serbe si kryetar të bashkimit shqiptaro-serb. Ndryshe nga koncepti tradicional i bashkimit personal, përfaqësuesit diplomatikë jugosllavë do të ngarkoheshin edhe me përfaqësimin e interesave të Shqipërisë, e cila, pas kësaj, nuk do të kishte më përfaqësi diplomatike dhe përfaqësi konsullore jashtë shtetit. Të dy vendet binin dakord për realizimin e bashkimit doganor, në bazë të të cilit importet dhe eksportet e mallrave midis të dy vendeve do të kryheshin pa pengesa dhe në liri të plotë. Lidhur ngushtë me këtë dispozitë figuronte edhe një klauzolë, e cila për nga përmbajtja duket disi e çuditshme. Ajo thotë shprehimisht se “Edhe tranziti nëpërmes kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve”.
Më tej, Marrëveshja sanksiononte pranimin e detyrimit të qeverisë shqiptare për të deklaruar pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris se tërhiqte pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe lokalitetet e Vermoshit dhe Kelmendit, të cilat do të mbeteshin nën zotërimin e Jugosllavisë.
Në xhandarmërinë e Shqipërisë do të kishte gjithashtu një xhandarmëri serbe, ku do të bënin pjesë edhe oficerë rusë e të tjerë. Ky do të ishte, siç kuptohet lehtë, shpërblimi për rusët e bardhë të Vrangelit, për ndihmën që do t’i jepnin Zogut për rikthim në pushtet, në dhjetor të vitit 1924. Xhandarmëria do të pajisej me armë dhe do të financohej nga qeveria jugosllave.
Marrëveshja nuk linte jashtë vëmendjes një aspekt tjetër mjaft të rëndësishëm, çështjen e administrimit dhe drejtimit të veprimtarisë së institucioneve fetare shqiptare. Ajo përcaktonte se Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqej nga varësia që kishte nga Patriarku i Kostandinopojës dhe do të bashkohej me Hierarkinë Ortodokse të Beogradit.
Në të njëjtën menyrë do të veprohej edhe me Myftininë Myslimane Shqiptare, e cila do të varej nga ajo jugosllave. Duke vazhduar në lëshime të paprecedenta ndaj një shteti tjetër, siç ishte Jugosllavia, përfaqësuesi i vetkonsideruar i Shqipërisë, i cili fliste në emër të qeverisë, pa qënë aspak i mandatuar zyrtarisht prej saj, Zogu pranonte se qeveria shqiptare do të hiqte dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohej për elementin shqiptar jashtë kufijve të vet. Ajo impenjohej veç kësaj që të mos pranonte në tokën e saj kosovarët, elemente të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtarë të politikës jugosllave.
Shqipëria duhet të merrte pëlqimin e Jugosllavisë për çdo koncesion që do t’u jepte vendeve të tjera. Së fundinë qoftë se Jugosllavia do të ishte në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të kishte të drejtën të rekrutonte në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të kishte të drejtë të okuponte gjithë tokën shqiptare për t’i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek. (korsivi i autorit). Qeveria Shqiptare nuk mund t´i deklaronte luftë asnjë shteti pa pëlqimin paraprak të Jugosllavisë. (korsivi i autorit).
Siç shihet nga përmbajtja e marrëveshjes të përshkruar më lartë, duket se bëhet fjalë për një akt juridiko-ndërkombëtar bilateral, sipas të cilit praktikisht Shqipëria jo vetëm që do të tkurrej e zvogëlohej në përmasa simbolike, por do të cedonte gati krejt atributet sovrane të një shteti të zakonshëm dhe praktikisht do të eliminohej si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Ajo do të shndërrohej në një njësi territoriale administrative që do të ekzistonte dhe do të vepronte nën tutelën zyrtare e juridike të shtetit serbo-kroato-slloven.
Në fakt marrëveshja veproi vetëm në njërin prej aspekteve të saj, në realizimin e cedimit territorial te Manastirit të Shën Naumit dhe një pjese të Vermoshit. Për pjesën tjetër nuk rezulton të jetë folur dhe as vepruar si nga pala serbe ashtu edhe nga pala shqiptare. Mund të supozohen disa arsye që çuan në këtë situatë. Në radhë të parë mund të përmendet fakti që ai që e negocioi dhe që e firmosi atë nuk kishte asnjë mandat legal, asnjë plotfuqi zyrtare të lëshuar nga autoritetet kompetente shqiptare. Ahmet Zogu ishte thjeshtë një shtetas shqiptar i arratisur jashtë vendit, një ish kryeministër i rrezuar nga pushteti nëpermjet një kryengritjeje dhe si i tillë nuk e kishte prerogativën përkatëse që të sillej si i tillë, përsa kohë që në krye të qeverisë shqiptare në Tirannë kishte ardhur një tjetër kryeministër, i cili kishte hyrë në lidhje zyrtare me homologët e vendeve të tjera. Le të kujtojmë se Noli, me cilësinë e kryeministrit u prit në takim dhe bisedoi në Romë, me kryeministrit italian të asaj kohe, Benito Musolini. Prania e këtij elementi thelbësor ishte e mjaftueshme që të çonte në pavlefshmërinë absolute të aktit juridiko-ndërkombëtar të përfunduar nga një përfaqësues i palegjitimuar i njërës prej palëve, subjekt i marrëveshjes në fjalë.
Nuk mund të mos mbahet parasysh edhe fakti që nëqoftëse ajo që ishte vendosur në tekstin e saj do të zbatohej realisht, do të shkaktoheshin turbulenca të fuqishme politike jo vetëm brenda vendit në Shqipëri, por edhe te fqinjët e saj, te Greqia dhe veçanërisht te Italia. Kjo e fundit madje kishte marrë edhe një “autorizim” formal nga Konferenca e Ambasadorëve e Parisit, nëpërmjet vendimit te 9 nëntorit 1921, i cili i njihte asaj të drejtën që nëqoftëse në Shqipëri vërtetoheshin zhvillime, të cilat konsideroheshin se vinin në rrezik sigurinë e saj dhe të Italisë, kjo e fundit ishte e legjitimuar që ta pushtonte atë ushtarakisht. Ishte ky me sa duket një koncension që iu bë Italisë në plotësim të kërkesave të saj insistuese, për zbatimin e dispozitave të Traktatit të fshehtë të Londrës, të 26 prillit 1915. Ai i jepte asaj një pjesë të konsiderueshme të bregdetit shqiptar, përfshirë ishullin e Sazanit dhe Karaburunin, si dhe mandatin mbi një shtet mikroskopik shqiptar që do të krijohej, pasi t’iu kaloheshin Greqisse, Malit të Zi dhe Serbisë rajonet jugore e veriore të saj.

Binomi: Nikolla Pashiç – Ahmet Zogu.

…………………………………………

Frika nga vënia në diskutim e legjitimitetit të marreveshjes nga palët e interesuara dhe nga opinioni i gjerë publik shqiptar bëri që Zogu, pas kthimit në atdhe, në fundin e dhjetorit 1924, të mos e përmendte fare atë. Në përmbushje të angazhimit që kishte marre ndaj Pashiçit, që në ditët e para të janarit 1925, thirri Mehdi Frashërin dhe e ngarkoi që të hynte në tratativa sekrete me palën jugosllave për të filluar negociatat zyrtare për përfundimin e marrëveshjes, e cila do të firmosej më 28 gusht të vitit 1925. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje Shqipëria pranoi t’i lëshonte Jugosllavisë një pjesë në malin e Vermoshit dhe Shën Naumin, në shkëmbim të fshatit Pishkupije, në jug të Shën Naumit dhe disa territoreve të tjera, për të cilat do të flitet në pjesën e dytë të këtij shkrimi.
Variantet e tekstit të Marrëveshjes Zogu-Pashiç**
“1. Shqipëria impenjohet t’i bashkohet Jugosllavisë me bashkim personal.
2. Kryetar i shtetit shqiptar do të jetë Ahmet Zogu, që më vonë do të njohë dinastinë Karagjorgjeviq.
3. Qeveria Jugosllave, me gjithë mjetet diplomatike dhe ushtarake, do të njohë Ahmet Zogun si kryetar shteti …dhe i atribuon me një herë një kontribut vjetor të shtetit.
4. Ministria e Luftës Shqiptare do të anulohet dhe Shqipëria heq dorë që të ketë një ushtri Kombëtare.
5. Shqipëria do të mbajë një xhandarmëri aq të fortë sa të mbaj qetësinë e brendshme të vendit për të ndaluar e shfarosur çdo lëvizje të ngritur kundër Ahmet Zogut dhe kundër regjimit të vendosur prej tij.
6. Në këtë xhandarmëri do të bëjnë pjesë edhe oficerë rusë të ish ushtrisë të Gjeneralit Vrangel që tashti ndodhet në Jugosllavi. Qeveria Jugosllave do të mbajë atë xhandarmëri me mjete financiare dhe armë.
7. Në xhandarmëri mund të hyjnë për të shërbyer edhe oficerë jugosllavë dhe të tjerë që qeveria Jugosllave do të pranojë në interes të dy vendeve.
8. Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë do të stabilizohet një bashkim doganor në bazë të së cilës akordohet liri e plotë e importimeve dhe eksportimeve të mallrave të dy vendeve. Edhe transiti nëpërmes kufijve të dy vendeve do të jetë i lirë për ushtarët e dy vendeve.
9. Përfaqësuesit e jashtëm Jugosllavë do të ngarkohen edhe për interesat e Shqipërisë, e cila heq dorë që të mbajë zyra diplomatike dhe konsullata të saja jashtë shtetit.
10. Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës të Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe Lokalitetet e Vermoshit e Kelmendit që mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.
11. Kisha Ortodokse Shqiptare do të tërhiqet nga Patriarku i Kostandinopojes dhe do t’i bashkohet Hierarkisë Ortodokse të Beogradit, kështu dhe Myftinia Myslimane Shqiptare, do të varet nga ajo Jugosllave.
12. Qeveria shqiptare do të heqë dorë nga një politikë ngushtësisht kombëtare dhe nuk do të interesohet për elementin shqiptar jashtë kufijve të veta. Ajo impenjohet veç kësaj që të mos pranojë në tokën e saj kosovarët dhe elemente të ditur dhe të dyshimtë dhe segmentet e tyre kundërshtare të politikës jugosllave.
13. Për çdo koncesion që Shqipëria do të bëjë vendeve të tjera, ajo është e detyruar të marrë pëlqimin nga Jugosllavia.
14. Në qoftë se Jugosllavia është në luftë me Bullgarinë dhe Greqinë, Qeveria Jugosllave, do të ketë të drejtën të rekrutojë në Shqipëri një ushtri prej 25 mijë vullnetarësh me qëllim për t´i përdorur në frontin bullgaro-grek. Në rast gjendje lufte midis Italisë dhe të Greqisë kundrejt Shqipërisë, ushtria, jugosllave do të ketë të drejtë të okupojë gjithë tokën shqiptare për t’i siguruar kështu Shqipërisë gjithë tokën e saj nga invadimi eventual italian ose grek.
15. Qeveria Shqiptare nuk mund t´i deklarojë luftë asnjë shteti pa pëlqimin preventiv të Jugosllavisë.
16. Ky traktat është sekret dhe nuk mund të zbulohet e të shtypet pa pëlqimin e dy palëve”.)

Shyqri Hysi: Marrëveshja Nikolla Pashiç – Ahmet Zogu e gushtit të vitit 1924 …Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 251, dosja 105, viti 1924, Citohet sipas Faton Mehmetaj, Veprimtaria kriminale e “Dorës së Zezë” serbe në trojet shqiptare, Prishtinë, 2004, f.207.
** Materiali vjen nga disa burime arkivore.
Cedimi i Shën Naumit dhe i Vermoshit
Marrëveshja Zogu-Pashiç e gushtit 1924 është përmendur dhe është trajtuar për herë të parë nga italiani P.Pastoreli, të cilit i referohet Paskal Milo në botimin Shqipëria dhe Jugosllavia,1918-1927, botuar në vitin 1992. Teksti i saj është botuar i plotë në variantin e gjuhës italiane, 15 vjet më vonë, në mars të vitit 2007 nga studiuesi Marenglen Verli, në punimin “Kosova, sfida shqiptare në historinë e një shekulli”. Po atë vit Shyqyri Hysi, në monografinë “Rauf Fico shtetar dhe diplomat i shquar”, solli tekstin e plotë të saj në gjuhën shqipe. Të dy alternatet e Marrëveshjes ndodhen përkatësisht në Arkivin Qendror Shqiptar dhe në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Marrëveshja Zogu-Pashiç, e cila ishte një akt juridikisht i pavlefshëm, synonte të sanksiononte premtimin e pashembullt dhe të paimagjinueshëm të Ahmet Zogut ndaj Nikolla Pashiçit, futjen e shtetit të pavarur shqiptar në përbërjen e shtetit Serbo-Kroato-Slloven. Edhe pse ilegjitime, marrëveshja i lypsej Pashiçit si një dokument për ta përdorur nëqoftëse Zogu do të rikthehej në krye të qeverisë shqiptare. Duke gjykuar mbi bazën e zhvillimit të ngjarjeve, kohës kur u krye, procedurave që u ndoqën nuk është vështirë të konkludohet se nënshkrimi i marrëveshjes së gushtit 1924, u bë në kushte të veçanta për secilin prej të dy protogonistëve kyesorë të saj. Nikolla Pashiçi, shprehës besnik i aspiratave aneksioniste dhe antishqiptare të qarqeve politike serbe, dëshironte të realizonte aneksimin e kamufluar të Shqipërisë dhe me këtë rast edhe kalimin në territorin serb të një rajoni me rëndësi të veçantë ekonomike, strategjike e religjioze, siç ishte Shën Naumi. Kurse Ahmet Zogu, ndodhej në kushtet e “nevojës ekstreme”, sepse ishte përmbysur nga pushteti nëpërmjet një kryengritjeje, ishte strehuar në Beograd dhe bënte përpjekje për t’u rikthyer në krye të vendit. Në se nuk e nënshkruante marrëveshjen rrezikonte përgjithmonë moskthimin në Shqipëri dhe humbjen e pushtetit.
Tratativat
Tratativat për përgatitjen dhe nënshkrimin e saj shoqëroheshin me veprime konkrete ushtarake për zbatimin e planit të rikthimit të Zogut në Tiranë. Lidhur me këtë, historiani anglez Joseph Swire në librin e tij “Shqipëria, Ngritja e një monarkie”, shkruante se “gjatë vjeshtës, Shtabi i Përgjithshëm jugosllav,… nisi të përqëndronte në kufi forcat e mëposhtme, që do ta mbështesnin Zogun në mënyrë të drejtpërdrejtë, kur të arrinte çasti i duhur. Këto shifra, që janë vetëm të përafërta, dhe detaje janë marrë nga një burim britanik i padiskutueshëm: 1.000 vullnetarë nga ushtria e rregullt jugosllave, shumica rekrutë malazezë dhe shqiptarë; 1.000 rezervistë nga Kërçova, Tetova, Gostivari dhe Dibra… 500 malësorë nga Mati, që kishin ikur me Ahmet Zogun; 800 veta të ushtrisë së refugjatëve të gjeneralit Vrangel, që kishte gjetur strehim në Jugosllavi; 40 oficerë të ushtrisë refugjate të gjeneralit Vrangel;16 oficerë (me uniformë) të ushtrisë së rregullt jugosllave. Gjithashtu u vunë në dispozicion të Zogut njësitë e mëposhtme të ushtrisë së rregullt jugosllave: 2 bateri të artilerisë malore, model austriak, rrezja 9.000 metra, së bashku me artiljerët; 10 mitraloza të rëndë, së bashku me mitraljerët; 20 mitraloza të lehtë, së bashku me mitraljerët.Këta mercenarë qenë paguar mirë. Gjithashtu u vunë në dispozicion të Zogut një furnizim i plotë me municion dhe njësi të motorizuara transporti të ushtrisë jugosllave, për të çuar furnizimet në bazë. Forcat nuk ishin më të mëdha nga ç’duhej për të thyer qëndresën e parashikuar, por mjaft të mëdha që të siguronin suksesin përpara se të ndërhynte ndonjë fuqi tjetër… “

……………………………………………..

Ndihmat e mësipërme, që ishin të konsiderueshme për kohën, lënë të kuptohet se përkrahja e Beogradit për Zogun nuk ishte e rastësishme dhe as pa interes. Udhëheqja jugosllave e kishte futur atë në një detyrim të madh, të cilin u shtrëngua ta shlyente kur u rikthye në pushtet, me pranimin e nënshkrimit të një marrëveshjeje tjetër, tashmë formalisht legale, që parashikonte cedimin e Shën Naumit dhe të Vermoshit. Pas përmbysjes së qeverisë së Fan Nolit, në fundin e dhjetorit të vitit 1924. Zogu mori drejtimin e ushtrisë, si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura. Më 15 janar 1925 u konstitua qeveria e re, e kryesuar prej tij. Po atë ditë u thirr në Tiranë, Asambleja Kombëtare me përbërje të kufizuar, cila më 22 janar e shpalli Shqipërinë Republikë, zgjodhi Zogun President të saj dhe miratoi kushtetutën sipas modelit amerikan. Më 6 janar 1925, Ahmet Zogu i çoi një telegram Mehdi Frashërit, që ishte përfaqësuesi i Shqipërisë në Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve, me të cilin e ngarkonte të hynte në bisedime me përfaqësuesit e Beogradit për të përfunduar një marrëveshje. Objekti themelor i saj ishte plotësimi i kërkesës jugosllave për cedimin e Shën Naumit dhe një pjese të Vermoshit. Nga tërësia e 16 pikave të Marrëveshjes Zogu-Pashiçc, të gushtit 1924, ishte shkëputur për negociata vetëm pika 10. Ajo thoshte se “Qeveria shqiptare duhet të deklarojë pranë Konferencës së Ambasadorëve në Paris që tërheq pretendimin e saj për sovranitetin mbi Manastirin e Shën Naumit dhe lokalitetet e Vermoshit dhe të Kelmendit të cilat mbeten në zotërimin e Jugosllavisë.” Këto ishin territore të cilat Konferenca e Ambasadorëve e Londrës, e viteve 1912-1913 si dhe një varg aktesh të tjera pasuese ia kishin lënë Shqipërisë.
Shën Naumi është një objekt i rëndësishëm kulti, me vlera historike, monumentale e religjioze. Ai ndodhet në bregun jugor të liqenit të Ohrit, në afërsi të rrjedhës së burimeve të Shën Naumit dhe ka qënë rivendikuar gjithmonë nga jugosllavët. Pas përpjekjesh që përshkuan disa vjet traktativa të mundimshme dhe të suksesshme të diplomacisë shqiptare të asaj kohe, iu la Shqipërisë.
Historia e procesit
Historia e gjatë dhe interesante e konfirmimit të përkatësisë shqiptare të tij nis me Vendimin e Konferencës së Ambasadorëve, të vitit 1913, ku përshkrimi i vijës së kufirit midis Shqipërisë dhe shtetit Serbo-Kroato-Slloven, në segmentin që përfshinte Shën Naumin, ishte formuluar si vijon: “Eshtë vërtetuar tashmë se…rrethi që ndodhet në veri të kufirit grek si dhe ish kazaja turke e Korçës me bregun perëndimor dhe jugor të liqenit të Ohrit, që shtrihet prej fshatit Lin deri në Manastirin e Shën Naumit janë pjesë integrale të Shqipërisë.” Kufiri do të përcaktohej në vend nga një komision ndërkombëtar, i caktuar nga Konferenca me vendimin e 8 gushtit 1913. Ai e nisi punën në fillim të tetorit 1913 dhe arriti të përcaktonte vijën e kufirit nga liqeni i Ohrit deri në Banjat e Dibrës dhe Malin Korab, ku përfshihej edhe zona e Manastirit të Shën Naumit, të cilin ia kishte lënë Shqipërisë, siç thuhej në vendimin e Konferencës së Ambasadorëve. Punimet e ndërprera për shkak të dimrit, rifillian në majin e vitit 1914, me përcaktimin e vijës së kufirit nga grykëderdhja në det e lumit Buna dhe arriti deri në Vermosh. Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore u bë shkak i ndërprerjes së punimeve të mëtejshme të tij.
Gjatë Luftës Serbia e pushtoi Shën Naumin dhe deklaroi në mënyrë abuzive se i takonte në bazë të vendimeve ndërkombëtare. Këtë pretendim ajo e paraqiti zyrtarisht pas mbarimit të saj, në punimet e Konferencës së Ambasadorëve, të Parisit, të vitit 1921, (që ishte një organ i krijuar nga Konferenca e Paqes e Parisit e viteve 1919-1920), e cila do të bënte edhe rivlerësimin e kufijve të Shqipërisë. Beogradi kontestonte kuptimin e frazës “që shtrihet prej fshatit Lin deri në Manastirin e Shën Naumit, janë pjesë integrale të Shqipërisë”. Ai insistonte se shprehja “deri në” nënkuptonte lënien e Shën Naumit jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilën Tirana e interpretonte si përfshirje në territorin shqiptar. Konferenca e Ambasadorëve e Parisit, me vendimin e 9 nëntorit të vitit 1921, riprodhoi pa asnjë ndryshim formulimin e Konferencës së Londrës. Rezoluta tjetër e 6 dhjetorit 1922, konfirmoi me konsensusin e të gjithë anëtarëve të vet se Shën Naumi ishte pjesë përbërëse e territorit të Shqipërisë. Shteti Serbo-Kroato-Slloven, siç pritej, nuk e njohu rezolutën e mësipërme dhe 4 muaj më vonë, më 6 prill 1923, kërkoi zyrtarisht rishikimin e vendimit. Sipas ekspertëve jugosllavë, shkak ishte zbulimi i disa dokumenteve të reja që provonin se më 1913 Manastiri i ishte caktuar Serbisë. Beogradi e mbështeste kërkesën e vet mbi spekulime bënte kërcënime me akuza absurde. Një prej organeve më të afërta me qarqet politike serbe, gazeta “Vreme”, thoshte ato ditë se “në qoftë se Konferenca e Ambasadorëve do t’ia japë tani Shën Naumin Shqipërisë, qeveria e Beogradit nuk mund ta pranojë një vendim të tillë”.Në përpjekje të mëtejshme drejt zgjidhjes, çështja iu kalua edhe Lidhjes së Kombeve, ku pati diskutime, debate e polemika interesante midis përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre jugosllavë. Spikat angazhimi i vendosur i qeverisë shqiptare për ta mbrojtur me çdo kusht përkatësinë shqiptare të Shën Naumit, veçanërisht kur në krye të vendit kishte ardhur kabineti i Fan Nolit. Ai kishte përcaktuar si probleme madhore në marrëdhëniet me Jugosllavinë ndër të tjera rikthimin e rajoneve të Vermoshit dhe të Manastirit të Shën Naumit. Këshilli i Lidhjes së Kombeve me rezolutën e 17 qershorit 1924 ia përcolli për kompetencë Dhomës Permanente të Drejtësisë Ndërkombëtare (DHPDN) në Hagë, “për shkak të karakterit thjeshtë juridik të problemit”, siç thuhej në rezolutë. Gjykata, me mendimin konsultativ Nr.9, të 4 shtatorit 1924, u shpreh se dokumentet e paraqitura nga jugosllavët nuk sillnin ndonjë element të ri dhe konfirmoi se Shën Naumi i përkiste Shqipërisë. Ky ishte një akt i rëndësishëm dhe njëkohësisht një satisfaksion i jashtëzakonshëm për shqiptarët, të cilët e pritën me gëzim dhe entusiazëm të veçantë. Vendimi i DHPDN iu kalua Lidhjes së Kombeve, e cila gjithashtu, në tetor 1924, ia njohu Shën-Naumin Shqipërisë. Ai iu përcoll edhe Konferencës së Ambasadorëve, me qëllim që të merrte vendimin përkatës për ta detyruar Jugosllavinë ta dorëzonte Shën Naumin. Ajo e mori në shqyrtim çështjen gjatë mujave shkurt-mars 1925 dhe më 27 prill 1925 u shpreh për zbatimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Por Serbia refuzoi dhe vazhdoi ta mbante Shën Naumin nën zotërimin e saj. Pikërisht në këto çaste kur nuk ishte fashitur ende ndjenja e satisfaksionit të ligjshëm për triumfin gjyqësor ndaj një padrejtësie të hapur, Ahmet Zogu vendosi shkëputjen e Shën Naumit nga trojet shqiptare. Siç u tha, ai kishte hyrë në tratativa me palën jugosllave kur ndodhej i arratisur në Beograd. Në këtë mënyrë nëpërmjet një marrëveshjeje bilaterale u vu dorë mbi aktet ndërkombëtare të kufijve, duke çelur kështu rrugën e një precedenti që shmangte prezencën e Fuqive të Mëdha.
Bisedimet Tiranë-Beograd
Në prill të atij viti, Tirana dhe Beogradi filluan bisedime të drejtpërdrejta, të cilat përfunduan me nënshkrimin e marrëveshjes më 28 gusht të vitit 1925. Qeveria shqiptare pranoi të lëshonte një pjesë të malit të Vermoshit dhe pikërisht sektorin e përroit të Vuçipotogut, në perëndim të Velipojës, në shkëmbim të kullotës së Libovicës midis Veternikut dhe Gronçarit, si dhe disa toka të tjera të parëndësishme. Ajo i dha Jugosllavisë edhe Shën Naumin në shkëmbim të fshatit Pishkupije, në jug të Shën Naumit dhe të disa kompensimeve të tjera të parëndësishme. Marrëveshja u ratifikua nga Asambleja Legjislative (Dhoma e Deputetëve) më 14 tetor 1925. Të nesërmen, Kryesia e Asamblesë, nëpërmjet një dokumenti, të firmosur nga kryetari saj Pandeli Evangjeli, njoftonte Kryesinë e Këshillit të Ministrave se “në bazë të shpjegimeve të dhanuna nga Z.Mehdi Frashëri delegat Fuqiplotë i kufivet, aprovoi me vota unanime marveshjtjen e bamun midis Qeveriës s’onë e asaj të Jugosllaviës si mbas propozimit transakcional të Konferencës Ambasadoriale e cila i përket rektifikimit të kufijvet të Veriut në nji pjesë të Veljopoles e të Jugut drejt Shen Naumit.”
Vendimi iu përcoll Konferencës së Ambasadorëve e cila ngarkoi Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve të Shqipërisë për caktimin konkret të vijës kufitare në zonat e ceduara. Në përfundim, ambasadorët e Fuqive të Mëdha (Francës, Anglisë, Italisë dhe Japonisë), Zhyl Kambon, lordi Kru, baroni Avexana, vikonti Ishii, si dhe Karapanosi, Spalajkoviçi dhe Iljaz Vrioni, përkatësisht përfaqësues të Greqisë, shtetit serbo-kroato-slloven dhe Shqipërisë, nënshkruan në Paris, më 30 korrik 1926, Protokollin e caktimit të kufijve midis Shqipërisë dhe shtetit serbo-kroato-slloven. Ai do të ishte akti i fundit juridiko – ndërkombëtar i miratuar për kufijtë e Shqipërisë. Nëpërmjet tij konfirmoheshin vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, të viteve 1912 – 1913, veprimet e kryera pas Luftës së Parë Botërore për demarkacionin (caktimin në vend të vijës së kufirit) dhe modifikimet në Vermosh dhe në Shën Naum, sipas marrëveshjes shqiptaro-jugosllave të gushtit 1925. Marrëveshja i zhgënjeu keqas shqiptarët dhe zhvleftësoi jo vetëm opinionin konsultativ të Gjykatës së Hagës, por të gjithë vendimet e mëparshme të miratuara nga një varg instancash ndërkombëtare, për përkatësinë shqiptare të Manastirit të Shën Naumit dhe të Vermoshit.
Zogu është munduar gjithmonë që, nëpërmjet alibish të stisura keq, të shfajësohej dhe të tregonte se ai qëndronte jashtë këtij transaksioni. P.sh. në mbledhjen e Senatit dhe të Dhomës së Deputetëve, të datës 1 qershor 1925, në fjalën e tij të hapjes së seancës, Zogu dënoi me tone të ashpra demagogjike “vazhdimin e pushtimit të rajonit të Shën Naumit nga trupat jugosllave”, duke dashur që nëpërmjet këtij sulmi propagandistik, siç thotë Swire-i, të hidhte “poshtë mendimin popullor që Zogu kishte rënë dakord me serbët që t’ua lëshonte Shën Naumin dhe Vermoshin Jugosllavisë në shkëmbim të ndihmës së saj në dhjetorin e kaluar”.
Ky ishte një mashtrim tipik, sepse, siç u tha, ai vetë një vit më parë kishte nënshkruar me Pashiçin marrëveshjen e aneksimit të krejt Shqipërisë dhe 10 ditë pas kthimit në atdhe, në janarin e 1925 kishte autorizuar Medi Frashërin të zhvillonte bisedime dhe të lidhte marrëveshjen e cedimit të Shën Naumit dhe të Vermoshit. Marrëvëshja u arrit në rrethana krejtësisht diskrete, pas negociatash të mbuluara nga një tis misterioz. Ajo u miratua fshehtas opinionit shqiptar dhe pas bërjes publike të saj u justifikua me shpjegime të sforcuara, konfuze dhe asnjëherë të qarta. Zogu dhe mbrojtësit e politikës së tij janë përpjekur të shfajësohen nëpërmjet renditjes së disa shkaqeve. Ata p.sh. kanë minimizuar vlerën e rajonit të ceduar, kanë nxjerrë si pretekst detyrimin për përmbushjen e sugjerimeve të shteteve të tjerë, kanë thënë se Shën Naumi u dha për arsye se jugosllavët nuk do ta lëshonin kurrë etj. Sipas mendimit të historianëve që e kanë gjykuar çështjen nga një pikëpamje më e gjerë, asnjëri prej motiveve të mësipërm nuk qëndron. Rëndësia e manastirit të Shën Naumit është e veçantë dhe e shumëfishtë. Përndryshe si mund të shpjegohej insistimi i vazhdueshëm i jugosllavëve për ta mbajtur me çdo kusht?! Ai dhe rrethinat e tij të afërta kontrollojnë rrugën Korçë-Pogradec-Elbasan dhe hyrjen e luginës së Devollit. Nga ana tjetër nga lëshimi i tij Shqipëria nuk pati përfitimet e hiperbolizuara që u përmendën. Manastiri i Shën Naumit si dhe një varg objektesh të tjera fetare në zonën e Ohrit në atë kohë kishin lidhje me Beratin, i cili prej kohësh konsiderohej si qendër kishtare mesjetare me rëndësi ndërkombëtare. Në këto objekte të shenjta kanë shërbyer rregullisht edhe klerikë shqiptarë.
Kurse zona e Vermoshit historikisht kishte qenë pjesë e pandarë e bajraqeve të Kelmendit. Edhe pse qeveria jugosllave pretendonte se sipas vendimeve të Kongresit të Berlinit të vitit 1878, ajo i përkiste fisit malazez të Kuçit, deri në luftrat ballkanike, shërbente si vend kullotash për kelmendasit, duke u bërë shpesh objekt grindjesh dhe përleshjesh me armë në mes të shqiptarëve dhe malazezëve. Konferenca e Londrës e 1913-s vendosi që Vermoshi t’i mbetej Shqipërisë, vendim që u rikonfirmua më vonë nga Komisioni i demarkacionit të kufijve veriorë e verilindorë si dhe nga vendime të tjera të forumeve ndërkombëtare që e trajtuan çështjen e tij.
Marrëveshja e cedimit të Shën Naumit dhe të Vermoshit është etiktuar si veprim antikombëtar, si akt tradhëtie nga ana e Zogut dhe organeve të tjerë që e ratifikuan atë. Përgjegjësia e tij e pakontestueshme lidhet me kryerjen e një transaksioni territorial të pamotivuar, me cedimin e dy rajoneve të rëndësishme shqiptare, thjesht dhe vetëm për interesa individuale politike dhe për përfitime personale. Ai e realizoi atë nëpërmjet veprimesh spekulative, procedurale e institucionale dhe përfshiu në këtë qerthull alibish edhe anëtarë të asamblesë parlamentare, të këshillit të shtetit, të senatit, të diplomacisë etj. Megjithatë, asgjë nuk e fsheh, nuk e zbeh apo nuk mund ta spostojë përgjegjësinë e rëndë personale të A. Zogut. Negociatat, kompromiset e paprincipta dhe marrëveshja e realizuar gjatë arratisë së tij në Beograd, në 1924 dhe ajo e gushtit 1925, përbëjnë episode domethënëse të politikës së tij klanore, tribale dhe antikombëtare. Ato tregojnë se në historinë e Shqipërisë ka pasur raste kur interesat e saj, duke përfshirë tërësinë territoriale apo pavarësinë e vendit, janë cenuar jo vetëm nga të huajt nëpërmjet vendimeve apo marrëveshjeve ndërkombëtare, siç ka ndodhur në shumicën e rasteve, por edhe prej politikave dhe pazarllëqeve të individëve vendas. Të zhveshur nga çdo sentiment kombëtar dhe të prirur nga interesat e mbajtjes me çdo kusht e me çdo çmim të pushtetit të vet, këta nuk kanë nguruar të realizojnë koncensione të rrezikshme për fatet e vendit. Në këtë pikëpamje cedimi i Shën Naumit dhe i Vermoshit edhe pse i takon një periudhe historike relativisht të largët, për nga mënyrat si u realizua dhe pasojat që solli, ka edhe sot vlerën e një ndodhie që bën thirrje për vigjilencë ndaj veprimeve të politikanëve të papërgjegjshëm e të pamoralshëm, që e trajtojnë vendin si pronë private.

*) Autori është pedagog i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura