PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: NEVOJA PËR DEBAT TË HAPUR DHE KONSTRUKTIV NË NIVEL KOMBËTAR

Tetovë, 10 mras 2017: (Ide për inicim të debatit në lidhje me çështjen e pazgjidhur shqiptare) – Duke marrë parasysh se, për çështjet madhore të kombit nuk duhet të lejohet përhapja e ideve dhe ndërmarrja e veprimeve nga individë dhe grupe të caktuara, pavarësisht nga qëllimet ndoshta të mira e fisnike, të cilat mund të sjellin dëme të parashikueshme për të sotmen dhe të ardhmen e kombit shqiptar, do të ishte tepër e dobishme që të hapet debat i gjerë institucional mes shqiptarëve, në nivel kombëtar, për t’u dhënë fund disa manipulimeve dhe veprimeve të papërgjegjshme, të cilat përhapen në emër të atdhetarizmit dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, ku mund të implikohen edhe subjekte të caktuara politike, pa edhe institucionet e shtetit dhe faktori ndërkombëtar.
Nga ky debat duhet të dalin përfundime të qarta se, cili është mendimi i dijetarëve, studiuesve, strategëve, politikanëve, veprimtarëve, analistëve dhe qytetarëve shqiptarë, si dhe mendimi i institucioneve më relevante shkencore e kombëtare, në lidhje me çështjen e pazgjidhur shqiptare në Gadishullin Ilirik, si dhe për vizionin, opsionet, mundësitë dhe perspektivën e kombit shqiptar në kontekst rajonal, evropian dhe botëror, sot dhe në të ardhmen?

I. A duhet shqiptarët ta mbështesin dhe të punojnë për idenë e bashkimin kombëtar, në rrethanat aktuale, kur shqiptarët vazhdojnë të jetojnë të ndarë në 6 shtete (të pavarura, sovrane, disa janë anëtare të OKB-së, BE dhe NATO-s), në formën klasike të kësaj ideje, të parealizuar deri më sot, si projekt i Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare dhe sidomos i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me bashkimin e të gjitha trojeve të banuara me shqiptarë, një pjesë e madhe e të cilave janë zbrazur nga elementi shqiptar pas pushtimit dhe sundimit mase njëshekullor nga shtetet fqinje; apo
II. Shqiptarët duhet të punojnë e veprojnë në mbështetje të idesë për bashkimin e shteteve në të cilat ata jetojnë, përmes integrimit në bazë të projekteve të strategëve botërorë, siç është projekti ,,Ballkani Perëndimor” i Bashkimit Evropian, Karta e Adriatikut (A5) i NATO-s (si dhe projekte të tjera në perspektivë), ku bëjnë pjesë Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedoni, Bosnje e Hercegovina dhe Kroacia, shtete etnike shqiptare, shtete me shumicë të konsiderueshme shqiptare dhe shtete me popullsi që e pranojnë etnogjenezën e tyre nga paraardhësit ilirë?
III. Ideja e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, në kushtet aktuale, kur Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, BE-së dhe NATO-s, kur nuk dihet ende fati i krahinave të Kosovës të mbetura nën Serbi, Lugina e Preshevës dhe Sanxhaku, a është ide e shëndoshë, praktike dhe e dobishme; ide e ngutshme për përfitime praktike të politikës ditore; ide naive dhe nacional-romantike e folklorike e disa qarqeve të caktuara politike dhe intelektuale pa shtrirje të gjerë ndikimi; apo është ide e nxitur nga armiqtë e kombit shqiptar, me qëllim të minimizimit dhe komprometimit të idesë reale dhe aspiratave për bashkim kombëtar të shqiptarëve?
Krahas përgjigjeve nga ky debat, në të cilin duhet të marrin pjesë studiues, politikanë, diplomatë, ekspertë të sigurisë kombëtare dhe institucionet relevante shkencore dhe kombëtare, duhet të trajtohen edhe disa nga çështjet më të ngutshme aktuale, siç janë: nevoja, mundësia dhe perspektiva e shqiptarëve në integrimet euroatlantike; rrugët, mundësitë dhe potenciali i shqiptarëve për realizimin e opsioneve për njësimin dhe bashkëveprimin e shqiptarëve në nivel kombi; përparësitë dhe mangësitë e këtyre opsioneve, dhe, a kanë nevojë shqiptarët për krijimin e një opsioni të ri për realizimin e interesave strategjike kombëtare?
(8 mars 2017)
(Autori është kryetar i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Shkup)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura