KUJTIME PËR SHOKUN E ILEGALITETIT – BEHAJDIN ALLAQI

Pashtriku.org, 4 prill 2017: (Në 54 vjetorin e lindjes së Behajdin Allaqit 07. 04. 1963 – ?.?.1998) -“Behadin Allaqi, ishte në ballë të demonstratave që organizoheshin kundra makinerisë serbosllave… Behadini qysh në vitet e hershme ishte i lidhur me bazën e LPRK-ës që udhëhiqej nga shokët tanë, e ndër ta me Fadil Vatën, Fahri Fazliun, Afrim Zhitinë,… Përpos angazhimit të tij në organizimin e Celulave të Lëvizjes, ai gjithni ishte në krye të organizimeve të shumë protestave dhe demonstratave që bëheshin në atëkohë në Prizren, Rahovec, e Suharek… Në vitin 1989 me vendimin e Këshillit të përgjithshëm Behadini i shoqëruar nga unë dhe Ilaz Morina shkuam në Shqipëri për të siguruar armatim…” – kështu e kujtojnë Behajdin Allaqin, bashkëveprimtarët e tij, Alush Shala, Sefedin Morina, Muhamet Ҫoçaj, Kamer Ҫuni, Rrustem Kajdomça dhe Ilaz Morina në një shënim kujtimesh (të shkruar nga Alush Shala) me titull “KUJTIME PËR SHOKUN E ILEGALITETIT, BEHAJDIN ALLAQI”.

Behajdin Allaqi (07. 04. 1963 – ?.?.1998)

Në vijim lexoni kujtimet e shokëve për Behajdin Allaqin:
***
Për të kujtuar – shkruar për shokun që tani nuk gjendet në mesin tonë, vërtetë është rëndë. Aq më rëndë më duket kur për të nuk po dihet dita as vendi i rënjes, por rri me shpres që në të ardhmen do të mësojmë më shumë për te.
Unë në këtë shkrim do të përpiqem që ti kujtoj disa momente:
1. Si u njoha me të dhe 2. disa raste të veprimtarisë së tij në periudhën 1981 – 1992.
1. Behadin Allaqin e njoha përmes veprimtarit të palodhshëm dhe tani dëshmor Xhemali Reshit Berisha. Me Xhemalin përpos që ishim bashkëmoshatar dhe në shkollë fillore me një bankë, me familjen e tij ishim edhe të miqësuar, më vonë me të na lidhi edhe ideali. Xhemajliu derisa ishte në studime në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, ishte lidhë me shumë profesorë si kosovar ashtu edhe nga Shqipëria, të cilët në rend të parë kishin çështjen Kombëtare pastaj edhe atë dijetare.
Po kështu sipas Xhemaliut ata ishin lidhur ngushtë me profesorin atdhetar Muhamet Mehmetin, e në këtë lidhje ishte edhe studenti i atëhershëm i psikologjisë Behadin Allaqi. E qysh në ato vite edhe Behadini ishte në radhët e para si në organizime, ashtu edhe në ballë të demonstratave që organizoheshin kundra makinerisë serbosllave.
Kështuqë në këtë drejtim Behadini dha kontribut të çmueshëm në organizim, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Prizren, Rahovec e Suharekë, tani Therand, ku u themeluan Grupet e Organizuara nën drejtimin e Organizatës Ilegale, atëherë të quajtur LPRK – Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës. Behadini qysh në vitet e hershme ishte i lidhur me bazën e LPRK-ës që udhëhiqej nga shokët tanë, e ndër ta me Fadil Vatën, Fahri Fazliun, Afrim Zhitinë, Azem Sylën, Sokol Bashotën, Hashim Thaçin, Bardhyl Mahmutin, Ramadan Avdin, e shumë të tjerë, që kësaj radhe le të më falin që s’po ua përmend emrin. Por dihet kush janë, …
2. Kujtime rreth bashkëveprimtarisë me B.Allaqin:
Siç thamë më lartë për Behadinin, ishte njeriu kyq i LPRK-ës, pastaj LPK. Përpos angazhimit të tij në organizimin e Celulave të Lëvizjes, ai gjithni ishte në krye të organizimeve të shumë protestave dhe demonstratave që bëheshin në atëkohë në Prizren, Rahovec, e Suharek – Therandë. Veçohet për kundërshtimin e Kushtetutës që u ndërrua me dhunë nga regjimi i Beogradit, dhe e ndihmuar nga disa intelektual shqipfolës, që sot disa prej tyre na shesin patriotizëm.
Pra siç thash disa prej këtyre – protestave, ishin (organizuar) në Prizren, Zhur, Arbanë (ish – Dushanova), ajo e fshatrave Celinë, Krushë e Madhe, Nagavc, Hoçë e Vogël e Brestovc. Ku nëpër të gjitha këto demonstrata ranë edhe dëshmorë.
E të gjitha këto demonstrime ishin të organizuara nga LPRK-ja dhe natyrisht gjithni nën dijenin e B.H. Poashtu edhe për protestën gjithëpopullore që u ba në Prishtinë, për rajonin e Prizrenit kontribut të konsiderueshëm dha edhe B.H. Si mund të anashkalojmë kontributin e Behadinit në organizimin “Familja ndihmon familjen”, e cila përpos karakterit human, kishte edhe qëllim kombëtar. Sepse duke i bërë këto levizje ne realisht kërkonim dhe krijonim baza të shëndosha për të ardhmen. Sepse dihet që Lëvizja përpos programit politik, ajo kishte edhe atë ushtarake. Kur e përmendim fjalën ushtarake, këtë e vërtetojë me fakte. Në vitin 1989 me vendimin e Këshillit të përgjithshëm Behadini i shoqëruar nga unë dhe Ilaz Morina shkuam në Shqipëri për të siguruar armatim. Dhe këtu patjetër duhet falenderu një epror të lartë në Divizionin e Kukësit, e që sipas të gjitha gjasave ishte komandanti, i cili përpos që na furnizojë shumëherë, bile edhe transportin e armëve e bënte deri në malet mbi Shkozë, e ndonjiherë edhe deri në Zhur. E pastaj disa djemë të Zhurit dhe vëllezërit e Shani Berishës nga Billusha na kanë ndihmuar shumë. Poashtu është shumë e vërtetë që së bashku me Behadinin ishim në Slloveni, ku për mision Behadini kishte që të kontaktojmë me shqiptarët që shërbenin në ushtrinë ish-jugosllave, që në momente kur të shpërthej konflikti slloveno – serb ata o të rreshtohen në krahun slloven, o të dezertojnë nga ushtrija jugosllave. Poashtu këto udhëtime i shfrytëzojmë për gjetjen e burimeve të armëve, që t’i armatosim Grupet e Organizuara, dhe natyrisht në këtë drejtim kemi pas sukses.
Për këtë mund të flasin shumë shokë, që mesiguri edhe sot gjenden në këtë sallë.
Poashtu Behadini gjithni ishte në dijeni për kalimet e shokëve nga Kosova për në Shqipëri, e ndër shumë shokë që kanë kalu është edhe Rifat Jashari… Azem Syla, Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Shaban Muja, Ramadan Avdija, besoj edhe vetë Hashim Thaçi, Bashkim Mazreku, Sefedin Morina, Kamer Ҫuni, Muhamet Ҫoçaj, Shani Berisha, Xhelal Canziba, Hysen Gega, Riza Vata, Gafurr Elshani, Binak Berisha, Ukshin Gashi, Ramush Elshani, e shumë e shumë të tjerë.
Këto pak të dhëna janë të periudhës 1981 – 1992. Më pas unë jam larguar nga Kosova dhe mendoj se nuk kam të drejtë të flas nga largë. Besoj dhe jam i bindur se këtu është thënë vetëm një pjesë e vogël e veprimtarisë së Behadinit.
Prapa këtyre të dhënave qëndrojmë:
1. Alush Shala (nënshkrimi)
2. Sefedin Morina (nënshkrimi)
3. Muhamet Ҫoçaj (nënshkrimi)
4. Kamer Ҫuni (nënshkrimi)
5. Rrustem Kajdomça
6. Ilaz Morina (nënshkrimi)

(E përgatiti editori i pashtriku.org, Sh.Berisha)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura