KATËR VËLLIMET E LIBRIT ‘ARKIVI I LUFTËS I AGJENSISË SHTETËRORE INFORMATIVE KOSOVAPRESS’

Pashtriku.org, 6 maj 2017: (Zëri që s’mund të shuhej) – Janë bërë shtatëmbëdhjetë vjet të Agjencisë së Lajmeve Kosovapress dhe të Radios Kosova e Lirë. Është ky përvjetor shumë i rëndësishëm për historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirimin dhe për pavarësinë e Kosovës. Është ky përvjetor kështu dhe kaq i rëndësishëm, sepse Agjencia e Lajmeve Kosovapress dhe Radioja Kosova e Lirë luajtën rol të veçantë, gjithsesi të madh për njohjen botërore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për shtimin e numrit të pjesëtarëve të saj, për shtimin e numrit të përkrahësve dhe të mirëkuptuesve të saj në botë.
Agjencia e Lajmeve Kosovapress dhe Radioja Kosova e Lirë u krijuan në çastet më vendimtare të kësaj lufte: kur ishin shtuar jashtëzakonisht shumë dhuna dhe terrori i shtetit serb ndaj popullit shqiptar, kur po masakroheshin vetje dhe familje shqiptare, kur në kanceleritë amerikane dhe evropiane po përgatitej Konferenca e Rambujesë për Kosovën dhe, si fryt i saj, fushata e NATO-s kundër forcave ushtarake, policore, paraushtarake dhe objekteve ushtarake serbe në Kosovë, në Serbi e në Mal të Zi.
Prej autorëve që kanë shkruar më gjerësisht për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, mes të cilëve shquhet gjenerali Kudusi Lame dhe prej dëshmitarëve në ditët e formimit të Agjencisë Kosovapress dhe të Radios Kosova e Lirë, mësoj se Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte marrë vendim për themelimin e Agjencisë së Lajmeve Kosovapress dhe të Radios Kosova e lirë më 13 nëntor 1998 dhe kishte caktuar Ditën e Madhe, Ditën e Flamurit Kombëtar, 28 Nëntorin 1998, si ditë të fillimit të veprimtarisë së tyre. Por, rrethanat ushtarake dhe politike kishin bërë që kjo datë të shtyhet gati për dy muaj.
Atë ditë ishte formuar ekipi i tyre dhe ishin emëruar përgjegjësit e tyre: përgjegjës i Agjencisë Kosovapress ishte caktuar Berat Luzha, kurse i Radios Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi-të dy pjesëtarë të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe puna informuese e Agjencisë Kosovapress dhe e Radios Kosova e Lirë filloi më 4 janar të vitit 1999, në orën 16, kur u emetua komunikata e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilën opinioni kosovar, opinioni shqiptar në përgjithësi dhe opinioni botëror informohej për themelimin e këtyre dy institucioneve, që do të jenë zëri i pandalur i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës atëherë, kurse zëri i Kosovës së çliruar e të pavarur sot. Agjencia Kosovapress, do të ketë zyrat, më saktë të thuhet kthinat e saj shumë modeste në Malet e Berishës, por do të krijojë zyrat edhe në Zvicër, në Tiranë, në Nju Jork dhe në Prishtinë. Në krye të ekipit të zyrës në Zvicër do të jetë Skënder Krasniqi; zyrën e Kosovapressit në Tiranë do ta drejtojë Bekim Çollaku, kurse zyrën e Prishtinës Nuhi Paçarizi.

Prej të dhënave që paraqiten në vëllimet e lajmeve, të kumtesave, të deklaratave dhe të trajtave të tjera të informimit, që po botohen tani, mund të shihet shumë bindshëm se rolin e tyre të jashtëzakonshëm për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, Agjencia Kosovapress dhe Radio Kosova e Lirë do ta sendërtojnë jo vetëm me numrin jashtëzakonisht të madh të lajmeve, që do të japin, por edhe me cilësinë e me bindshmërinë e tyre. Ato, në masë të madhe do të bëhen ndikuese të fuqishme në mendimet dhe në ndërgjegjen e dëgjuesve të tyre për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – për idealin e saj, për qëllimet kombëtare dhe politike të saj, për të drejtën dhe për etikën që ishin të përmbajtura në atë ideal dhe në ato qëllime të saj.
Agjencia Kosovapress dhe Radio Kosova e Lirë do të bëhen kështu institucione që do ta frymëzojnë përkrahjen botërore, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, domethënë për luftën e popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe pavarësi. Ato, Agjencia Kosovapress dhe Radioja Kosova e Lirë, në të vërtetë do të thyejnë njëherë e përgjithmonë heshtjen që, jo vetëm në fillimet e saj, por deri në ditën e formimit të këtyre dy institucioneve informative kishte pllakosur mbi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtuesit shekullor të Kosovës, në të vërtetë kundër një ushtrie shumë më të madhe dhe shumëllojshëm më të armatosur se ushtria jonë çlirimtare. Dhe, kjo heshtje që mbulonte luftën e drejtë kombëtare çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me pjesën e saj më të madhe ishte e qëllimshme e me një pjesë të saj pjesërisht e kuptueshme. Në shkrimet e autorëve që kanë shkruar për UÇK-në, në të dhënat e gjeneral Kudusi Lames për UÇK-në e në shpjegimet e dëshmitarëve në ditët kur krijohen Agjencia dhe Radioja në fjalë thuhet se gazetarët tanë, që punonin në mediat e Prishtinës, një kohë jo edhe të shkurtër nuk e kishin të lehtë të shkonin atje ku bëhej lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake të Serbisë: dhe nuk e kishin të lehtë të shkonin për dy arsye: e para, sepse nuk do të shikoheshin mirëkuptueshëm prej udhëheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila prej ditës së parë të shpalljes publike të emrit Ushtri Çlirimtare e Kosovës ishte deklaruar kundër saj, prandaj do të ishte edhe kundër gazetarëve e publicistëve që do të shkruanin përkrahshëm për të; dhe e dyta, sepse mund të shkonin, por mund të mos ktheheshin të gjallë në Prishtinë, domethënë sepse mund të ishin të vrarë prej dorës së fshehtë serbe apo mund të ziheshin e të akuzoheshin prej institucioneve juridike serbe si përkrahës të luftës kundër shtetit serb. Derisa ishte kështu dhe kaq i vështirësuar informimi i opinionit vendës, shqiptar, dhe i opinionit ndërkombëtar për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga ana e gazetarëve tanë, mund të merret me mend sa më i vështirësuar mund të ishte informimi prej vendngjarjeve nga ana e gazetarëve botërorë për këtë Ushtri dhe për këtë luftë çlirimtare. Megjithëse emërvendi Kosovë tashmë ishte emërvend shpesh i përmendur në kancelaritë dhe në mediat botërore, në radhë të parë në ato perëndimore, megjithatë gazetarët e jashtëm e kishin shumë të vështirë të vinin në Kosovë: edhe nuk e dinin si do të vinin, edhe nuk e dinin si do të ktheheshin, edhe frikësoheshin prej forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe në Kosovë, të cilat, ashtu siç ushtronin dhunë e terror ndaj rrënjësve shqiptarë ashtu mund të ushtronin dhunë edhe ndaj gazetarëve të huaj në qëllimet politike të të cilëve gjithnjë kishin dyshuar dhe po dyshonin sidomos prej demonstratave të rinisë sonë studentore dhe shkollore të vitit 1981 e tutje. Agjencia Kosovapress dhe Radio Kosova e Lirë, duke e informuar opinionin botëror për idealin, qëllimet dhe të drejtën e ligjshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për luftë kundërkoloniale, çlirimtare vetvetiu do t’ua tregojnë rrugën dhe do t’ua frymëzojnë ardhjen këtyre gazetarëve në Kosovë, në radhë të parë përmes shtetit amë Shqipërisë, por kur e kur edhe përmes Maqedonisë.
Ndryshe prej vendeve të ndryshme në kontinente të ndryshme e në radhë të parë ndryshe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian ku lajmet, kumtesat, deklaratat e Agjencisë Kosovapress dhe Radios Kosova e Lirë, në rastet më të shpeshta dëgjoheshin me interesim politik dhe me përkushtim, në Serbi, por edhe në Mal të Zi e në Maqedoni ato dëgjoheshin me drojë dhe me mosdurim të pafshehur. Në mënyrë të veçantë institucionet politike e shtetërore dhe mjetet e informimit të Serbisë që prej fillimit do të ngrenë zërin kundër Agjencisë Kosovapress dhe Radios Kosova e Lirë. Autorët e shkrimeve për UÇK-në dhe dëshmitarët e sipërtheksuar tregojnë më tej se në këto institucione, në institucionet politike e shtetërore dhe në mjetet e informimit të Serbisë, që në janar të vitit 1999 mund të dëgjoheshin edhe këso dënimesh vdekjendjellëse për Agjencinë Kosovapres, për Radion Kosova e lirë, në të vërtetë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës: “Organizata terroriste, e cila veten e quan Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka formuar atë çka njeriu nuk mund ta besojë: ka formuar Agjencinë Kosovapress dhe Radion Kosova e lirë”. “Fillimi i veprimtarisë së këtyre mjeteve të informimit është një provokim i planifikuar kundër Serbisë e Jugosllavisë dhe kundër sistemit kushtetues të tyre”! “Këto dy zëdhënëse nuk ekzistojnë në mënyrë të ligjshme, sepse ato nuk janë të regjistruara në ministrinë përkatëse. Mund të thuhet me përgjegjësi të plotë se Ministria e Informimit (e Serbisë) do t’i marrë të gjitha masat nga kompetencat e veta, prandaj në radhë të parë do të ngrihen aktakuza në prokurorinë përkatëse kundër tyre”! Ishin këto çjerrje bishare të zyrtarëve të institucioneve shtetërore dhe të mjeteve të informimit të regjimit gjakatar të Sllobodan Millosheviqit realizimit të të cilave në opinionin e Serbisë e kur e ku edhe të Kosovës ende u besohej! Por kot! Historia e kishte dënuar Serbinë që t’i humbte të gjitha betejat e përgatitura në Shtatmadhorinë e Ushtrisë, në Ministrinë e Informimit, në Ministrinë e Drejtësisë, në të vërtetë në të gjitha ministritë e shtetit serb. Lajmet, deklaratat, kumtesat e Agjencisë Kosovapress dhe të Radios Kosova e Lirë, përpos se dëgjoheshin shumë shpejt pas themelimit të tyre, do të mund të lexoheshin e të shiheshin edhe në shumë nga mjetet e shtypit dhe në shumë nga mjetet elektronike në botë. Lajmet, deklaratat, kumtesat e tyre, të Agjencisë Kosovapress dhe të Radios Kosova e Lirë, ishin zëri i ardhmërisë së Kosovës, në të vërtetë zëri i ardhmërisë së lirë e të pavarur, aq gjatë të ëndërruar të popullit shqiptar në përgjithësi. E zëri i ardhmërisë kur në të njëjtën kohë është zë i ligjshëm i historisë, në asnjë mënyrë, me kurrfarë mjetesh, me kurrfarë dhune e terrori, nuk mund të shuhet.

Rexhep QOSJA

Recension: Material dokumentar voluminoz

Nisma e z.Berat Luzha për të përgatitur katër vëllime me dokumente të agjencisë së lajmeve “Kosovapress” për luftën e UÇK-së kundër forcave serbe të Milosheviqit është padyshim një punë e rëndësishme, e dobishme dhe e vlefshme për historinë më të re të Kosovës. Autori i këtij botimi është njëkohësisht historibërës dhe historishkrues, sepse ai ka qenë drejtues i agjencisë “Kosova Press” në periudhën më të vështirë, por edhe më të lavdishme të saj, në dimër – pranverë 1999. Vëllimet e përgatitura përmbajnë një material dokumentar voluminoz, që lirshëm mund të thuhet se janë rreth 2000 faqe, megjithëse periudha që përfshihet në vëllime nuk i kalon 5 – 6 muajt. Dokumentacioni që prezantohet në vëllime është siguruar nga burime të ndryshme, ku vend të veçantë zënë agjencia “Kosovapress” dhe radioja “Kosova e Lirë”, dy shtylla të informimit për shqiptarë dhe botën në periudhën e luftës. Dokumentacioni që po botohet u përket kryesisht këtyre dy agjencive, pa përmendur edhe burimet e tjera ndihmëse, qofshin ato elektronike, libra, gazeta dhe vetë korrespodentët e tyre. Lexuesi i zakonshëm e i kualifikuar do të ndeshet me mijëra lajme, informata, komente, intervista, reportazhe, kronika, letra, reagime, telegrame e deklarata që vinin nga fronti i luftës, nga shqiptarët jashtë atdheut, por edhe nga bota e madhe politike e Evropës e SHBA. Të gjitha këto dokumente na ndihmojnë për krijimin e një imazhi më të qartë të asaj çfarë ndodhi në Kosovë në dimër – pranverë 1999. Aty ndeshemi me heroizmin e një populli të tërë për liri dhe me rrugën e tij, pa kthim, drejt lirisë e pavarësisë në vigjilje të shek. 21. Por, aty ndeshemi edhe me dhembjen e vazhdueshme për bijtë e rënë në luftë, për civilët e masakruar dhe për zhvendosjen “biblike” të qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova në drejtim të Shqipërisë, të Maqedonisë e të Evropës Perëndimore, si dhe për shkatërrimin e shtëpive, të pronave dhe të çdo gjëje shqiptare. Agjencia e lajmeve “Kosovapress” dhe radioja “Kosova e Lirë” u bënë burime të pazëvendësueshme informimi për shqiptarët jashtë Kosovës, në Evropë e Amerikë, por edhe për agjencitë, shtypin dhe politikanët ndërkombëtarë. Ato u bënë burim informimi për të shpartalluar (darovitur) keqinformimin e agjencive serbe, për të dalluar informimin e drejtë nga dezinformimi i qëllimtë, të vërtetën nga mashtrimi, keqinformimin e realitetit, duke ndikuar pozitivisht për ndërtimin e një imazhi pozitiv të UÇK-së, si ushtri e një populli që lufton për lirinë e pavarësinë e vendit të vet. Drejtësia e kauzës së popullit shqiptar dhe e UÇK-së, që doli prej tij, nuk e fitoi qytetarinë brenda një dite, as brenda Kosovës dhe as në opinionin botëror, as tek qeveria e SHBA dhe as tek ato të Evropës. Miti i të mirës dhe të keqes kishte ndryshuar në favor të shqiptarëve, pavarësisht keqinformimit shekullor të serbëve. Era e lirisë duket se kishte fryrë edhe për popullin shqiptar të Kosovës në fundshekullin e kaluar. Botimi vë në dukje qartazi rolin e madh që luajtën SHBA-të dhe vendet e NATO-s, të cilat ndikuan ushtarakisht dhe moralisht për t’i dhënë fund luftës, në favor të popullit shqiptar të Kosovës. Publikimi i këtyre librave dokumentarë nuk ka për qëllim që historia e Kosovës të flas vetëm me një zë, sepse kjo do të ishte një ndërmarrje e pamundur dhe e dështuar në një vend demokratik, si Kosova. Por unë besoj se ky botim është një zë i fortë që na ndihmon ne, historianëve, për të shkruar më mirë historinë e popullit tonë, për të nderuar njerëzit që luftojnë për atdheun, pavarësisht nga bindjet e ideologjitë, si dhe për të kuptuar më mirë se nderimi ndaj veprës së atyre që luftojnë e vdesin për atdheun është një kufi i qartë që ndanë të mirën me të keqen. Besojmë dhe shpresojmë se botimi i këtyre vëllimeve, me disa sugjerime që po ia japim përgatitësit të dokumenteve, do të jetë një punë me vlerë dhe një punë e mirë në shërbim të njerëzve të zakonshëm, të studentëve e pedagogëve të universiteteve dhe të kujtdo tjetër që ka respekt për historinë e vendit të tij.

Prof. dr. Sabile KEÇMEZI – Basha
Prof. dr. Hamit KABA

Pak fjalë për lexuesit
Agjencia shtetërore informative “Kosovapress” (në tekstin e mëtejmë: agjencia e lajmeve “Kosovapress”) dhe radioja “Kosova e lirë” bënë një luftë ndryshe në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ato informuan opinionin vendor dhe atë ndërkombëtar për ngjarjet në Kosovë, për luftën titanike çlirimtare të UÇK-së, por njëkohësisht, iu kundërvuan me forcë propagandës militariste serbe. Lajmet, informatat, komentet, intervistat, reportazhet, kronikat e këtyre dy medieve, të cilat lindën në flakën e luftës për liri në territoret e çliruara të Kosovës, u shpërndanë me shpejtësi gjithandej, në trojet tona etnike dhe në të gjitha anët e globit, duke pasqyruar kështu, në formën më të mirë të mundshme e më reale, situatën dhe luftën e popullit tonë për liri, por edhe krimet e regjimit neofashist serb. Duke mos mundur ta përballonte të vërtetën, që shpërndanin këto media, regjimi serb vendosi t’i shuajë ato përgjithmonë, duke i mbushur me bomba shpërndarëse (kasetë) dy aeroplanë luftarakë dhe duke i zbrazur, më 27 mars 1999, mbi selinë e përbashkët të këtyre medieve të luftës. Themelimi i medieve të luftës, në kushte e rrethana lufte, në një odë të mysafirëve të një fshati malor, pa energji elektrike e me pajisje të pakta teknike – informative, paraqet edhe një krah të fortë për UÇK-në, për luftën çlirimtare, për popullin e Kosovës, i cili bëhej sy e veshë për t’u informuar shpejt e drejt dhe për të ditur se çka po bëhej e çka po ngjante në Kosovë, çka po bëhej e çka po flitej për Kosovën nëpër botë. Ato shpejt u bënë mjete të forta e të pazëvendësueshme informimi, agjitimi e propagande në duar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të popullit të Kosovës, u bënë kronika më besnike e betejave dhe e përpjekjeve tona për liri, u bënë lajmëtaret e para të lirisë. Njëkohësisht, u bënë edhe therra në sytë e agresorit tonë të përbetuar. Mediet e luftës të UÇK-së paraqesin, pos tjerash, edhe një rrethanë lehtësuese për faktorin ndërkombëtar; për mjetet e huaja të informimit, për qarqet politike, diplomatike e ushtarake ndërkombëtare për t’u informuar shpejt e drejt për ngjarjet në Kosovë, për luftën mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave shtypëse të regjimit okupues serb, për krimet monstruoze dhe gjenocidin e këtij regjimi mbi popullsinë civile, për dëbimin me dhunë dhe për spastrimin etnik të Kosovës.
Pas 17 viteve të kryerjes së misionit të tyre të shenjtë, po botojmë materialet e publikuara e të transmetuara gjatë luftës përmes internetit në faqen e agjencisë shtetërore të lajmeve “Kosovapress”, të cilat njëkohësisht janë transmetuar edhe në etër nga radioja “Kosova e lirë”. Lajmet, informatat, komentet, intervistat dhe kronikat e shumta, si edhe komunikatat, letrat, thirrjet, reagimet, telegramet, deklaratat e shënimet e ndryshme, po i paraqesim në këtë libër si një detyrim për një të kaluar të pasur të këtyre dy medieve, si një satisfaksion për një mision të kryer me sukses. E kemi mbledhur dhe e kemi siguruar këtë material arkivor nga burime të ndryshme; web-faqja e agjencisë (www.kosovapress.com) e nga shumë web-faqe tjera të shpërndara në internet, nga libra e gazeta, si dhe nga vetë korrespodentët, të cilët materialet informuese i kanë ruajtur në dorëshkrim e që janë publikuar e transmetuar gjatë luftës në Kosovë. Kemi mbledhur rreth 3500 tituj të këtyre materialeve, por ekziston mundësia që një pjesë e vogël e tyre të ketë mbetur ende e pagjetur.
Duhet theksuar se edhe radioja “Kosova e lirë”, në vitin 2009, e ka botuar arkivin e luftës në tri vëllime, ku përfshihen shumë nga materialet, të cilat po i botojmë tash e që ishin materiale të përbashkëta të agjencisë dhe të radios. Ky botim ishte një burim i çmuar për t’i kompletuar edhe më shumë materialet arkivore të medieve të luftës, siç ishin edhe librat “Jehonë lufte” i Nezir Myrtajt (2002), “Agjencia e flakëve të luftës” i Qemal Aliut (2004), “Zëri i Lirisë” i Ruzhdi Jasharit (2009) etj. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj korrespondentët e luftës, Nuhi Paçarizin, Zymer Bajraktarin, Hysen Fazliun – Cenin, Ismet Sylejmanin, Sabit Gashin, të cilët m’i siguruan një pjesë të raporteve të tyre të luftës nga terreni, të ruajtura në dorëshkrim, si dhe Drilon Krasniqin, i cili i përktheu disa nga materialet, të cilat munda t’i gjej në internet vetëm në gjuhën angleze. Një falënderim të veçantë kemi për z. Gëzim Podgorica, drejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, i cili na vuri në disponim tërë arkivin e ATSH-së gjatë muajve sa funksionoi “Kosovapress”-i gjatë luftës. Një mirënjohje të posaçme për Institutin e Historisë të Prishtinës, të kryeredaktorit të botimit e drejtorit të këtij Instituti, Dr.Sabit Syla, si dhe të recensuesve, Dr. Sabile Basha – Keçmezi dhe Prof. Hamit Kaba, të cilët ndikuan, me vërejtjet e tyre, për përmirësimin e këtij botimi. Gjithashtu, falënderoj të gjithë ata të cilët i kontribuan suksesit të mediave të luftës, duke filluar nga stafi i agjencisë dhe i radios, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, komandantët e zonave operative dhe të brigadave, korrespondentët dhe të autorizuarit për informim të ZO-ve e të brigadave, korrespondentët në shtetet e ndryshme, të angazhuarit nëpër zyrat e “Kosovapress”-it në Zvicër, në Prishtinë, në Tiranë, në Nju-Jork etj. Ata ishin pjesë e suksesit të agjencisë së lajmeve “Kosovapress” dhe të radios “Kosova e lirë” gjatë luftës në Kosovë.
Libri katër vëllimësh me materiale arkivore i agjencisë së lajmeve “Kosovapress” hapet me një fjalë përkushtuese të Akademik Rexhep Qosjes dhe të një shkrimi analitik të botuesit – Institutit të Historisë së Kosovës. Materiali arkivor përmblidhet që nga dita e parë e fillimit të punës së “Kosovapress”-it dhe “Kosovës së lirë”, nga 4 janari 1999 e deri në ditën e shpërnguljes së Agjencisë nga malet e Berishës në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, më 17 qershor të të njëjtit vit. Gjatë 165 ditëve të raportimit të përditshëm, me një mesatare me mbi 20 tituj në ditë, agjencia e lajmeve “Kosovapress” kishte fituar një reputacion të shkëlqyeshëm ndërkombëtar, duke u bërë njëra nga agjencitë më të lexuara në botë gjatë tërë veprimtarisë së saj disamuajshe. Agjencia punonte ag e terr, pandërprerë, duke pranuar informata nga terreni e nga frontet e luftës, duke i përpunuar materialet e pranuara dhe duke i përcjellë ato për në Zvicër, ku kishte një zyrë dhe nga ku materialet i plasonte në internet. Mbetemi të bindur se këto materiale do t’i shërbejnë gjithanshmërisht ndriçimit të luftës së popullit tonë për liri, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe do të jenë lëndë me vlerë të jashtëzakonshme arkivore për lexuesit, për institucionet dhe, veçanërisht, për studiuesit e epopesë së lavdishme të UÇK-së!

Berat LUZHA

Pak fjalë për librin e parë
Vëllimi i i parë përfshin materialet arkivore të agjencisë së lajmeve “Kosovapress” të periudhës dymujore; që nga fillimi i veprimtarisë, 4 janar e deri më 28 shkurt të vitit 1999. Libri hapet me Komunikatën nr. 68 të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilën, pos që njoftohet opinioni për hapjen e dy mediave të reja informative, flitet edhe për rolin e rëndësinë e tyre për “për informim të drejtë, të gjithanshëm, objektiv dhe me kohë të opinionit shqiptar e atij botëror, që shtrojnë koha e rrethanat në Kosovë”. Gjithashtu, agjencia lëshon një informatë, me të cilën opinioni njoftohet se “sot pasdite, në territoret e kontrolluara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, filluan punën dy institucione të rëndësishme informative; agjencia e lajmeve “KOSOVAPRESS” dhe radioja “KOSOVA E LIRË”.
Ky vëllim sjellë lajme, informata, kronika e raporte të ndryshme nga terreni, nga luftimet mes forcave vullnetare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga njëra anë dhe të forcave të rregullta të ushtrisë e milicisë, si dhe të forcave të mobilizuara paraushtarake serbe, nga ana tjetër. Të theksojmë se informata e parë u bë për vrasjen e ushtarit të lirisë, Xhevat Jusufi nga Vidishiqi i Mitrovicës, i cili ishte shef i sektorit për logjistikë i Zonës Operative të Shalës. Pastaj, libri sjellë edhe komente e vështrime për situatën politike e luftarake, intervistra me personalitete të ndryshme, si dhe thirrje, komunikata, deklarata, reagime, etj.
Tema kyçe të trajtimit në materialet arkivore të këtij libri, janë: pasqyrimi i jehonës së hapjes së medieve të luftës në opinionin e brendshëm e të jashtëm, zënia, trajtimi dhe lirimi i ushtarëve serbë të zënë robër nga UÇK dhe shkëmbimi i robërve të luftës, informimi i gjerë për masakrën e Reçakut, informimi i gjerë dhe i gjithanshëm për Konferencën e Rambujesë, etj. Janë pasqyruar gjithanshëm edhe lëvizjet dhe përforcimet e forcave serbe në terren, si dhe vrasjet, arrestimet, provokimet e keqtrajtimet e këtyre forcave ndaj popullsisë civile.
Pak fjalë për librin e dytë
Libri i dytë i Arkivit të Luftës të agjencisë së lajmeve “Kosovapress” përfshin materiale arkivore nga 1 marsi deri më 10 prill të vitit 1999. Në këtë libër pasqyrohen ngjarje të rëndësishme dhe të rënda të zhvillimeve luftarake mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave policore, ushtarake e paraushtarake serbe – jugosllave. Në këtë periudhë kohore kishte intensifikim të krimeve të forcave serbe, veçanërisht pas fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s. Masakra e krime tjera të rënda mbi popullsinë civile ndodhën në tërë Kosovën, si në Izbicë, Celinë, Lybeniq, Pastasel etj. Të theksojmë se edhe agjencia e lajmeve “Kosovapress” dhe radio “Kosova e Lirë” u bënë cak i sulmeve të forcave serbe, duke u bombarduar selia e tyre me bomba shpërndarëse (bomba kasetë) nga dy aeroplanë luftarakë jugosllavë.
Gjithashtu, këtë periudhë e karakterizojnë edhe veprimtaritë diplomatike e ushtarake ndërkombëtare, të cilat çuan në Konferencën e Rambujesë dhe në fillimin e fushatës së bombardimeve nga forcat e Aleancës Veriatlantike – NATO-s. Ishte koha kur përfundoi Konferenca e Rambujesë dhe kur filloi fushata e bombardimeve të NATO-s mbi caqet e forcave serbe në tërë ish-Jugosllavinë. Duke u gjendur në caqet e NATO-s, ushtarët serbë filluan të dezertojnë. Nga ana tjetër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës po riorganizohej e përforcohej gjithnjë e më tepër. Shtabi i Përgjithshëm lëshoi urdhërin për mobilizim të të gjithë personave të aftë për luftë, kurse Qeveria e Përkohshme e Kosovës u kompletua me ministrat e resorëve përkatës.
Pak fjalë për librin e tretë
Në librin e tretë të arkivit AL “Kosovapress” janë pasqyruar materialet e publikuara në periudhën kohore prej 11 prillit deri më 15 maj të vitit 1999. Kjo periudhë kohore ishte e mbushur me ngjarje të shumta të luftës në Kosovë, por edhe të veprimeve të shumta e të ndryshme në arenën ndërkombëtare lidhur me Kosovën. Muajin prill të atij viti mund ta quajmë si muajin më të përgjakshëm të tërë luftës çlirimtare. Forcat serbe, si hakmarrje për sulmet e njësiteve të UÇK-së dhe të fushatës së bombardimeve të NATO-s, hakmerrej në popullsinë civile. Kështu, këtë muaj janë kryer dhjetra masakra dhe janë vrarë mijëra shqiptarë. Gjithashtu, është përshpejtuar djegia masive e fshatrave dhe qyteteve, janë plaçkitur pothuaj të gjitha pasuritë luajtëshme, janë shkatërruar objekte të institucioneve, të kultit dhe të trashëgimisë, është shpërngulur nga shtëpitë e veta gati e tërë popullsia, gjysma e saj jashtë territorit të Kosovës e gjysma tjetër në natyrë të hapur nëpër male. Edhe muaji maj është i mbushur, gjithashtu, me ngjarje të shumta luftarake, politike e diplomatike. Përpos kushteve të rënda të punës e veprimit, edhe Agjencia sulmohej në forma të ndryshme, me qëllim të ndalej funksionimi i saj. Kështu, selia është gjuajtur me predha minahedhëse nga largësia, kurse nga hakerët serbë është sulmuar dhe penguar faqja e saj në internet. Gjatë muajve prill dhe maj shohim të organizohej dhe konsolidohej, në rrethana lufte, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e cila sapo kishte mbirë nga gjiu i popullit e po kalitej në zjarrin e luftës për liri. Në këtë libër kemi rastin t’i lexojmë edhe dokumentet e para të lëshuara prej kësaj qeverie, si dekrete, vendime etj.
Pak fjalë për librin e katërt
Lufta po shkonte drejt fundit të saj. Liria po shfaqej në fundin e tunelit. Luftimet mes njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, sikur edhe fushata e bombardimeve e NATO-s mbi caqet e forcave serbe, po intensifikoheshin. Tashmë Kosova ishte shkretëruar. Mëse gjysma e popullsisë ishte shpërngulur në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi e prej andej në shumë shtete të botës, kurse gjysma tjetër kryesisht ishte strehuar maleve, nën qiellin e hapur. Qytetet e fshatrat ishin shkatërruar nga veprimet barbare të forcave serbe. Pasuria e Kosovës dhe e shqiptarëve ishte plaçkitur. Nga ana tjetër, ishin shtuar përpjekjet diplomatike ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës dhe ndaljen e luftimeve. Regjimi serb, nën trysninë e bombardimeve të NATO-s, nga njëra anë dhe të aksioneve të njësiteve të UÇK-së, nga ana tjetër, u detyrua të nënshkruaj kapitullimin në Kumanovë, që kushtëzonte tërheqjen e forcave policore, ushtarake e paraushtarake serbe nga Kosova, si dhe pezullimin e administratës serbe. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nxori Rezolutën 1244, me të cilën instalohej një misioni civil i Kombeve të Bashkuara (UNMIK) dhe i një force ushtarake (KFOR), të udhëhequr nga Aleanca Veriatlantike. Për herë të parë në histori, pas mijëra vjetëve, populli i Kosovës u ndie i lirë dhe filloi ta ndërtojë një jetë të re. Qindra mijëra të shpërngulur nga Kosova, nëpër vendet e botës, si dhe ata që deri atëherë strehoheshin në male, u kthyen nëpër shtëpitë e tyre. Agjencia e lajmeve “Kosovapress” i pasqyroi në mënyrën më të mirë të mundshme këto zhvillime, që ishin kulmi i përpjekjeve dhe i realizimeve tona, falë flijimeve jetike të popullit tonë në shekuj dhe falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila diti dhe mundi ta fitojë lirinë e shumëpritur. (…)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura