Pashtriku.org, 04. 02. 2015 – (Ligji i parë i historisë është të mos thuash kurrë asgjë të rreme dhe të mos kesh frikë të pohosh tërë të vërtetën. Ciceron) – PARATHËNIE- Grupi Revolucionar i Kosovës, i quajtur më vonë Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës, si pjesë e Lëvizjes moderne Kombëtare Shqiptare, ka një përvojë veprimi të pashkëputur mbi 12-vjeçare. Bashkë me rezultatet shumëdimensionale, me qëndrueshmërinë organizative përballë represionit të egër dhe me ndikimin që pati te brezat vijues të Lëvizjes, e bëjnë atë të veçantë dhe me interes studimi shkencor. Lëvizja Kombëtare e Kosovës, dhe sidomos ajo e kohës më të re, është studiuar pak, prandaj mbetet shumë punë për ndriçimin dhe vlerësimin shkencor të saj. Kosova nuk duhet ta heshtë historinë e vet, sepse e ka të pastër dhe të bujshme. Lëvizja e saj çlirimtare është frymëzuar, edukuar dhe organizuar nga idetë më përparimtare të kohës, nga qëllime humane e demokratike dhe nga veprimtarët e saj më të ndërgjegjshëm.
Për këtë Organizatë është shkruar edhe nga autorë të tjerë, por në mungesë të informacionit të plotë dhe burimor, janë vërejtur pasaktësi dhe shtrembërime. Shkenca e historiografisë duhet ta zbulojë të vërtetën e plotë për të dhe për Lëvizjen e re Kombëtare të Kosovës, sepse siç do të thoshte Lord Acton, e vërteta është e vetmja meritë që i jep dinjitet dhe vlerë historisë.
I nxitur nga shumë bashkëveprimtarë dhe personalitete shkencore, por mbi të gjitha nga detyra morale e dëshmitarit që e ka përcjellë së afërmi këtë Organizatë që nga themelimi e deri në shuarje, i kam hyrë kësaj ndërmarrjeje, duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm për kompleksitetin dhe vështirësitë e saj.
Në libër paraqiten me fakte dhe burime informacioni të dorës së parë, përpjekjet dhe lufta e kësaj Organizate të Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, duke u fokusuar në disa nga aspektet më të rëndësishme të jetës dhe veprimtarisë së saj, pa hyrë në detaje, të cilat do ta bënin lëndën shumë voluminoze. Lindja dhe zhvillimi i kësaj Organizate janë të lidhura ngushtë dhe në mënyrë dialektike me zhvillimet e përgjithshme në Kosovën e viteve ’70, prandaj ka qenë e pashmangshme ndjekja paralele në libër e të dy këtyre aspekteve historike. Ndërkaq, kryengritja e vitit 1981, si kurorëzim i një faze të rëndësishme historike të Lëvizjes Kombëtare dhe i veprimtarisë së bujshme të GRK-OMLK, hyri në këtë libër, jo vetëm si një kapitull tepër i rëndësishëm, por edhe si një kapak floriri i domosdoshëm.
Zhvillimet e paraqitura janë trajtuar në kontekst të kohës dhe në mbështetje të materialeve e dokumenteve autentike të Organizatës, të cilave u referohem shpesh e nganjëherë gjerësisht, me qëllim që lexuesi të komunikojë me kohën dhe me dokumentet origjinale të saj, ashtu siç ishin, zëri autentik i Lëvizjes. Janë shmangur, sa ka qenë e mundur, interpretimi, komentimi, vlerësimi, qortimi a lavdërimi i dokumenteve e materialeve, sepse ato i mbeten shkencës dhe lexuesit.
Pa dashur të polemizohet me zgjatimet propaganduese të regjimit pushtues dhe me interpretuesit qëllimkëqij të Lëvizjes, janë paraqitur fakte të verifikueshme dhe ngjarje, në pamjen e tyre reale, me vërtetësinë e pacenuar, të cilat mund të kuptohen edhe si përgjigje ndaj çdo tendence të shtrembërimit të tyre.
Qëllimi i këtij libri është të shënohet dhe të sillet para brezave të sotëm e të nesërm një pjesë e përvojës së Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, një tufë vlerash të traditës së saj, të krijuara me mundin, me djersën e me gjakun e pjesëtarëve të saj. Në qoftë se lexuesit e interesuar për to e ndjekin me kureshtje deri në fund këtë paraqitje, atëherë mund të thuhet se libri e ka përmbushur misionin e vet. (Autori)
HYRJE
Natën e 17 janarit 1982 në Untergruppenbach të Gjermanisë kanë ndodhur tri ngjarje historike për Kosovën: Në bazë të Tezave të Frontit Popullor për Republikën e Kosovës, u arrit marrëveshja e bashkimit të tri organizatave çlirimtare shqiptare, u vranë tre sendërtuesit e atij bashkimi dhe pushoi së vepruari Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës (OMLK), e cila po mbushte dymbëdhjetë vjet veprimi të pandërprerë në shërbim të lirisë së Kosovës.
Formimi i kësaj Organizate në fillim të viteve ’70, fillimisht me emrin Grupi Revolucionar i Kosovës (GRK), lidhej ngushtë me emrin e Kadri Zekës, anëtarin e fundit të Komitetit Drejtues të saj, të pakapur nga policia jugosllave dhe të vrarë më 17 janar 1982, bashkë me Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën.
Organizata lindi në një kontekst historik mashtrues dhe të rrezikshëm për shqiptarët e Kosovës. Në mbarim të çerekut të tretë të shekullit XX, në Kosovë po ngjizej një opinion publik iluzor i dyfishtë për statusin e ardhshëm të saj. Një palë e iluzionistëve, duke fetishizuar rolin e demonstratave të vitit 1968, besonin që Kosova do të avancohej në Republikë, mbasi kjo ishte kërkesa dhe parulla qendrore e tyre, kurse pala tjetër u besonte premtimeve zyrtare e jozyrtare të udhëheqësve arrivistë shqiptarë dhe patriotizmit të tyre kallp, të cilët thoshin se do ta realizonin atë në tavolina të institucioneve. Elita zyrtare udhëheqëse konsideronte se çështja e Kosovës kishte hyrë përfundimisht në zgjidhjen e saj finale, por duhej të ndiqej pa alternativë hapi i tyre, rruga që kishte trasuar Tito dhe sistemi i ndërtuar nga ai, që presupozonte luftën e pa kompromis ndaj Shqipërisë dhe ndaj secilës formë të Lëvizjes Kombëtare. Këto broçkulla thuheshin vetëm në biseda private dhe në rrethe të ngushta propagandistike, por publikisht ata detyroheshin të thoshin se shqiptarët në Jugosllavi e kishin zgjidhur çështjen kombëtare, madje më mirë se kushdo në botë, sepse ishin të barabartë me popujt e tjerë të Federatës Jugosllave dhe gëzonin të gjitha të drejtat kombëtare, politike, ekonomike e shoqërore. Në historinë e proceseve çlirimtare të popujve, ndër momentet më të rëndësishme të saj është ai i heqjes së iluzioneve, si kusht për të bërë hapat vijues vendimtarë.
Fryma e re liberalizuese dhe decentraliste në marrëdhëniet brenda Federatës Jugosllave, që po ndihej edhe në Kosovë, avancimi i statusit politik të Krahinës dhe absorbimi i disa kredive ndërkombëtare, të cilat ndikuan në ngritjen e përkohshme të mirëqenies, po perceptoheshin si fitore historike dhe liri e zhvillim i vërtetë. Në këtë eufori, zërat kundërshtues dhe vetë intensifikimi i veprimtarisë së Lëvizjes Kombëtare, interpretoheshin (jo vetëm atëherë, po edhe sot aty-këtu) si një paradoks anakronik i llojit të vet, si një dëm e gjëmë për shqiptarët.
Formimi i mentalitetit inferior të robit gjithmonë do më shumë kohë se rrënimi i tij, por as ky i fundit nuk kryhet aq shpejt dhe sidomos aq lehtë, sepse, si thuhet, më lehtë hidhet poshtë një bindje sesa një paragjykim.
Një nga shfaqjet më të rrezikshme të mashtrimit të përgjithshëm të atyre viteve, ishte pa dyshim molepsja e rinisë shqiptare me jugosllavizmin, që po propagandohej gjithandej si ideologji, madje edhe si përkatësi kombëtare. Regjimi e nanuriste rininë e kohës në djepin e vetadministrimit titist, të shthurjes e të degjenerimit në mejhanet e Kosovës, në ekstazën e shundit e të pornografisë. Organizatat ilegale dhe intelektualë progresivë të kohës i sfidonin këto tendenca, por makina e rëndë dhe e zhurmshme e regjimit, fillimisht mbizotëronte çdo vox anserina (Lat. zë i ngjirur) kundërshtues.
Iluzionet, si ndjenja të diletantizmit dhe si ëndrra të bukura do të shuheshin shpejt, sepse kompromisi tashmë i njohur për Kosovën ishte një zgjidhje gjysmake dhe dubioze, e cila asaj i dha një status të krahinës autonome, si element konstituiv i Federatës, por në kuadër të Serbisë. Në plan kombëtar, popullit shqiptar, ndonëse i treti nga madhësia në Federatë, nuk i njihej statusi i kombit a popullit, por i pakicës kombëtare, që me eufemizëm quhej kombësi. Në plan politik e juridik, Kosova nuk ishte as mish as peshk, kurse në plan ekonomik vazhdonte shfrytëzimi shumëdimensional kolonial.
Lëvizja Kombëtare e Kosovës, e cila nuk e kishte reshtur luftën kundër pushtuesve sllavë që nga viti 1913, nuk mund të mashtrohej duke dëgjuar këshillat praktike të tartabiqeve politike, prandaj as kësaj radhe nuk iu bind pikëpamjeve eklektike, sepse organizimi i saj edhe pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974, kishte rëndësi, jo vetëm pse populli shqiptar nuk barazohej me popujt e tjerë, por për më keq, Serbia përgatiste procese retrograde (të përvijuara në të ashtuquajturin “Libri i kaltër”), për t’ia suprimuar Kosovës edhe atë autonomi, siç bëri pesëmbëdhjetë vjet më vonë.
Veprimtarët ilegalë, me gjithë vrullin rinor për të kapur qiejt, ishin të ndërgjegjshëm se nuk ishte e lehtë të prishej dëliri i kushtetutës së re. Raportet ndërkombëtare dhe të brendshme jugosllave, nuk linin asnjë hapësirë që çështja e Kosovës të shtrohej për zgjidhje në kontekstin aktual. Fitorja përfundimtare kërkonte shumë përpjekje dhe kohë, aq sa qe e pabesueshme se do t’i gëzonte frytet e luftës brezi i atëhershëm i Lëvizjes. Por veprimtarët e kuptonin këtë si një detyrë të përbashkët për të mbajtur të ndezur flakadanin e rezistencës e të lirisë, të cilin e kishin marrë nga paraardhësit dhe i duhej dorëzuar brezit që po vinte. Sidoqoftë, ata e kuptonin që e drejta ka rrugën e gjatë, por vjen.
Në vigjilje të demonstratave të vitit 1981, Lëvizja kishte një bilanc të shkëlqyer të punës edukuese dhe mobilizuese të potencialit çlirimtar të Kosovës. Ndonëse objektiv i saj programor ishte bashkimi i kombit, në plan taktik mbizotëroi ideja e republikës, si një zgjidhje e ndërmjetme drejt vetëvendosjes deri në shkëputje. Grupi Revolucionar i Kosovës në fillim të viteve shtatëdhjetë, ishte e vetmja organizatë serioze ilegale dhe vepruese. Dhjetë vjet më vonë ajo kishte lëshuar shtat dhe me përvojën e potencialin e saj mund të hynte sigurt në finale të projekteve madhore, siç ishin demonstratat e pranverës ’81, që i kishte përgatitur gjatë gjithë jetës së vet, për më tepër që tashti shoqërohej edhe me një varg organizatash të tjera ilegale.
Për demonstrata masive në Kosovë, tashmë ishin pjekur kushtet subjektive dhe objektive, prandaj mund të shpërthenin edhe spontanisht, sikur lulet në pranverën e hershme që rrezikojnë frytin. OMLK nuk kishte mbajtur mirë parasysh këtë rrezik potencial, të njohur nga përvoja historike, por kur i ndodhi, nuk e humbi toruan.
Baza shoqërore e Lëvizjes Kombëtare po zgjerohej me të shpejtë, prandaj u hartuan tezat e një fronti popullor për Republikën e Kosovës, si hapësirë dhe formë adekuate organizative për realizimin e qëllimeve historike të kohës.
Klasa politike zyrtare kishte rastin historik të riparonte dëmin e vitit 1974, sepse përveç forcës së argumentit, tani kishte edhe argumentin e forcës së popullit të kryengritur. Por, ajo nuk u vu në ballë të tij, mbasi ishte në bisht të regjimit pushtues, prandaj në vend të shpalljes së Republikës më 1981, Kuvendi i Kosovës e aprovoi suprimimin e autonomisë më 1989, duke shtypur më parë në gjak Lëvizjen Kombëtare të Kosovës, të ndërtuar me aq mund dhe sakrifica. Por, siç kishte ndodhur edhe në të kaluarën, Lëvizja Kombëtare, si feniksi, u ringjall dhe shënoi ngritje të reja cilësore dhe sasiore, për të arritur në epokën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur populli liridashës rroku armët për t’i dhënë fund robërisë së tij, duke e kthyer parullën “Kosova-Republikë” në Republikën e Kosovës, reale dhe të pavarur.
PËRMBAJTJA
PARATHËNIE……………………………………………….
HYRJE……………………………………………………………
1. ÇËSHTJA SHQIPTARE DHE LËVIZJA KOMBËTARE E KOSOVËS
1.1 Çështja e Kosovës …………………………………
1.2 Lëvizja e pashuar Kombëtare……………………
1.3 Demonstratat e vitit 1968…………………………
2. GRUPI REVOLUCIONAR I KOSOVËS (GRK)
2.1 Rrethana historike
2.1.1 Raporte ndërkombëtare dhe jugosllave……………………..
2.1.2 Aspekte të gjendjes në Kosovë ……………………………….
2.1.2 Kosova dhe Shqipëria……………………………..
2.2 Fillet e organizimit …………………………………………………
2.2.1 Organizimi i hershëm………………………………………….
2.2.2 Trakti në njëvjetorin e 1968-ës………………………………..
2.2.3 Veprimi i disa grupeve të vogla……………………………….
2.3 Riorganizimi dhe konsolidimi…………………………………..
2.3.1 Zgjedhja e udhëheqjes qendrore………………………….
2.3.2 Komiteti i studentëve………………………………………..
2.3.3 Zgjerimi i radhëve……………………………………………
2.4 Objektivat programatike…………………………………………….
2.5 Rregulla organizative………………………………………………….
2.6 Karakteri dhe format e luftës ………………………………………
2.7 “Zëri i Kosovës”………………………………………………………
2.8 Teknika……………………………………………………………………
2.9 Ngritja teorike dhe edukimi politik…………………………………
2.10 Arrestimet dhe vazhdimi i veprimtarisë në kushte të vështirësuara
3. GRUPI MARKSIST-LENINIST I KOSOVËS (GMLK)
3.1 Ristrukturim i Organizatës ………………………….
3.1.1 Formimi i Komitetit Drejtues …………………………..
3.1.2 Ndërrimi i emrit të Organizatës …………………….
3.2 Intensifikimi i veprimtarisë dhe Komiteti Ekzekutiv ……….
3.3 Propaganda dhe agjitacioni …………………………………………..
3.4 Jeta e brendshme e Organizatës …………………………………
3.4.1 Mbledhjet …………………………………………………….
3.4.2 Uniteti dhe debati ……………………………………
3.4.1 Kritika dhe vetëkritika …………………………………
3.4.2 Konspiracioni ……………………………………………..
3.4.3 Disiplina ……………………………………………………..
3.5 Zgjerimi i radhëve
3.5.1 Baza shoqërore e Lëvizjes ………………………………….
3.5.2 Kriteret e pranimit të anëtarëve të rinj ……………………..
3.5.3 Figura morale e patriotike e veprimtarëve ……………….
3.5.4 Struktura e radhëve ………………………………………………
3.6 GRK “Materiale” ……………………………………………
3.7 “Liria”…………………………………………………
3.8 Traktet………………………………………………
3.9 “Këngët e lirisë”……………………………………………
3.9 Raporte zyrtare me Shqipërinë …………………………….
3.10 Burgu i madh i një populli të vogël ……………………….
3.12 OMLK, shprehje e rritjes dhe zhvillimit………………………
4. DEMONSTRATAT E VITIT 1981
4.1 Rrethana të para demonstratave…………………………………….
4.2 Shkaqet e shpërthimit …………………………………………….
4.3 Fillimi dhe zhvillimi i ngjarjeve……………………………………..
4.4 Roli i lëvizjes së organizuar ……………………………………..
4.5 Qëndrimi i zyrtarëve jugosllavë dhe kosovarë………………… ..
4.6 Qëndrimi i Shqipërisë ……………………………………. …………….
4.7 Qëndrimi i inteligjencies…………………………………………….
4.8 Rezultate dhe pasoja …………………………………………………..
4.9 Jehona në botë e demonstratave…………………………………………….
4.10 Teza dhe antiteza për demonstratat ………………………………
5. FRONTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
5.1 Nevoja e bashkimit të forcave…………………….
5.2 Tezat e Frontit………………………………………………
5.3 Roli i mërgatës ………………………………………………..
5.4 Burgosja dhe vrasja e veprimtarëve të OMLK-së……..
6. PËRFUNDIM
6.1 Pushimi i veprimtarisë së OMLK-së dhe ndikimi i saj në Lëvizjen Kombëtare në vitet vijuese …………………………………………………
6.2 Roli historik i OMLK-së ………………………………………….
7. SHËNIME PËR VEPRIMTARËT
7.1 Kadri Zeka ……………………………………………..
7.2 Rexhep Malaj…………………………………………..
7.3 Nuhi Berisha…………………………………………………
7.4 Naser Hajrizi……………………………………………….
7.5 Asllan Pireva…………………………………………………..
7.6 Bajram Bahtiri……………………………………………
7.7 Zija Shemsiu……………………………………………….
7.8 Afrim Zhitia…………………………………………..
7.9 Xhevë Lladrovci………………………………………….
7.10 Isa Kastrati…………………………………………
7.11 Abdullah Tahiri…………………………………
7.12 Hafir Shala………………………………………
7.13 Avdilgafurr Luma…………………………………
7.14 Kadri Osmani…………………………………………
7.15 Mehmet Hajrizi…………………………………
7.16 Xhafer Shatri………………………………….
7.17 Binak Ulaj……………………………………..
7.18 Gani Sylaj…………………………………………..
7.19 Hydajet Hyseni…………………………………
7.20 Jakup Krasniqi………………………………………
7.21 Berat Luzha…………………………………………
7.22 Bejtullah Tahiri………………………
7.23 Nezir Myrta…………………………..
7.24 Basri Musmurati……………………….
7.25 Ilmi Ramadani……………………..
7.26 Ismail Syla…………………………….
7.27 Saime Isufi………………………………
7.28 Jahir Hajrizi…………………………….
7.29 Jashar Alia…………………………….
7.30 Azem Syla………………………….
7.31 Hasan Malaj…………………………….
7.32 Nazmi Hoxha……………………………….
7.33 Mustafa Ademi…………………………
7.34 Ferid Çollaku……………………………
7.35 Teuta Hadri…………………………………
7.36 Teuta Bekteshi……………………………..
7.37 Hidajete Osmani…………………………..
7.38 Fehmi Plaku………………………………….
7.39 Kadri Luzha……………………………………….
7.40 Xhevat Ajvazi……………………………………….
7.41 Sheqir Zeneli……………………………………..
7.42 Niazi Idrizi…………………………………..
7.43 Shaqir Sela……………………………………
7.44 Nexhmedin Ahmetaj……………………………….
7.45 Haqif Krasniqi…………………………………….
7.46 Halil Malaj………………………………………
7.47 Fazli Abdullahu……………………………………..
7.48 Tone Buzhala-Gashi…………………………………….
7.49 Remzie Limani………………………………………….
7.50 Sabri Sherifi……………………………………………
7.51 Hasan Ramadani ……………………………………
7.52 Sadri Sherifi …………………………………………
7.53 Sabit Rexhepi ………………………………………..
7.54 Haxhere Hajrizi ……………………………………
7.55 Ramiz Abdyli …………………………………………
7.56 Ismet Isufi ……………………………………………….
7.57 Hamide Ademi ………………………………………..
7.58 Shemsedin Hoxha………………………………………
7.59 Mefail Bajrami……………………………………..
7.60 Sami Pireva…………………………………………
7.61 Nazim Maliqi……………………………………….
8. SHTOJCË
8.1 Dokumente dhe artikuj
8.1.1 GRK: “Udhëzime për konspiracion”, 1973
8.1.2 Pjesë nga artikulli “Puna në celulat revolucionare dhe zgjerimi i radhëve”, botuar te “Zëri i Kosovës” më 1974
8.1.3 Pjesë nga artikulli “Çështje agjitacioni dhe propagande”, (“Zëri i Kosovës”)
8.1.4 Pjesë nga shkrimet e botuara te “Zëri i Kosovës”, 1974
8.1.5 Letër e Mehmet Hajrizit drejtuar të gjithë anëtarëve të Organizatës, botuar te GMLK “Materiale”
8.1.6 Pjesë nga shënimet e Rexhep Malajt në “Qëndresa”
8.1.7 Pjesë nga “Disa udhëzime për konspiracionin”, botuar te GMLK “Materiale”, 1978
8.1.8 Pjesë nga shkrime të botuara në përmbledhjen “Materiale”, 1978
8.1.9 Pjesë nga artikulli “Përpara drejt fitores!”, botuar te “Liria”
8.1.10 Pjesë nga artikulli “Populli shqiptar në Jugosllavi asnjëherë nuk vendosi për fatin e tij”, botuar te “Liria”
8.1.11 Pjesë nga letrat e hapura të Kadri Zekës drejtuar mërgatës
8.1.12 Pjesë nga artikulli “Jemi patriotë, s’jemi shovinistë”, “Liria”
8.1.13 Letër proteste e të burgosurve politikë shqiptarë
8.2 Foto dhe faksimile
8.3 Treguesi i emrave
8.4 Shkurtesat
8.5 Bibliografi