KASTRIOT MYFTARAJ: RAMUSH, E PASKE BLERË LIRINË NË FRANCË ME ҪMIMIN ESADIST QË TË BËHESH ARGAT I HALIL MATOSHIT

Tiranë, 21 maj 2017: Tiranë, 21 maj 2017: Ramush, nëse nuk bindesh me kaq sa them unë, shko bashkë me Halilin te varri i Heroit të Kombit, Luan Haradinaj, e thuaji Halilit të thotë gjithçka sa ka thënë deri më sot. Mbaj vesh nëse do të dridhet varri.
***
Ramush “burri”(këtej e tutje në thonjza) na befasove shumë ne që kuptojmë kur fill pas kthimit triumfator nga Franca, na u shfaqe para kamerave televizive në selinë e partisë tënde, në krah të Halil Matoshit, për ta paraqitur atë si prurjen më të re në AAK. Merret vesh, kur kryetari i partisë e paraqet dikënd, ky do të ketë një rol të veçantë në parti.
Si ndodhi bre Ramush që u pajtove me idetë e Halil Matoshit? A thua patët një bisedë të gjatë në livadhet e Gllogjanit për teorinë e kombit dhe Halili ta ndriçoi mendjen?
A e kupton ti bre Ramush se çka është teoria e Halil Matoshit për kombin kosovar? Është dogmë sorosiane kundërthënëse, të cilën Halilit ia kanë mësuar ta recitojë si papagall, ashtu si sorosianit tjetër, Nexhmedin Spahiut.
Ramush, kur dole me Halilin në krah kjo ishte njëjtë si të pohoje se je kthyer nga Franca si Esat Toptani në 1920, nëse nuk do të kishte ndeshur në Avni Rustemin.
Ramush, edhe Esati kishte luftuar shumë në të shkuarën kundër grekëve dhe serbëve për mbrojtjen e trojeve shqiptare, por erdhi një moment kur ai u shit dhe u vu në shërbim të armiqve të Shqipërisë, i gatshëm që të bënte gjithçka në këmbim të pushtetit. Për këtë ka edhe një shembull të njohur në botë, që është ai i Benedikt Arnold, luftëtarit të famshëm të Revolucionit Amerikan, që u vu në shërbim të britanikëve.
Ramush, ti nuk e lan dot fytyrën në “makinën larëse” mediale të fytyrave të pista politike, emisionin e Fevziut, ku na u shfaqe dje për të thënë se Shqipëria është vendi jot dhe se ti vjen këtu si në vendin tënd. Nuk ta pastron dot fytyrën stërnipi i Esat Toptanit, Fevziu.

HALIL MATOSHI NË AAK 13 05 2017

Ramush, nesër nuk mund të thuash se nuk i njihje teoritë e Matoshit. Qe ku i ke më tutje të shtjelluara, pyete Halilin nëse mohon diçka prej këtyre që kam thënë unë më poshtë. Kur unë polemizoj me Halilin me argumente, ai më përgjigjet me fyerje. Normale sepse Halili nuk ka argumente për të mbrojtur idetë e tij, ai ka vetëm ide antishqiptare për të përhapur dhe ngulitur te shqiptarët e Kosovës.
Halili pas vitit 1999 nisi të thotë se me krijimin e shtetit të Kosovës, ka nisur të krijohet edhe kombi kosovar. Meqënëse kjo ide ishte haptasi deshqiptarizuese, Halili, e ndreqi pak duke u përpjekur ta mbulonte lakuriqësinë antishqiptare të saj, me një “gjethe fiku”, që ishte dallimi mes etnisë dhe kombit.
Shqiptarët e Kosovës, nisi të thotë Halili do t’i përkasin etnisë shqiptare, se përkatësia etnike vjen nga lindja e njeriut, por do t’i përkasin kombit kosovar.
Që Halili mashtron trashë kur thotë se ideja e kombit kosovar nuk e përjashton identitetin etnik shqiptar, kjo vërtetohet shumë lehtë me fjalët e Halilit. Në 8 shtator 2016, Halili në profilin e tij zyrtar në Facebook ka shkruar një status ku kërkon që të hiqet statuja e Skënderbeut në Prishtinë se ai nuk ka lidhje me Kosovën. Matoshi shkruan: “A ban gra e burra me na lane rahat ne lirine dhe hallet tona e na e heq kete Skenderbeun se na teshi ketu. S’na duhet nje shqiptar midis Kosoves Dardane?”
E qartë, Kosova dardane e Halilit është Kosovë e deshqiptarizuar. Por dardanët ishin një fis ilir. Prej ilirëve e kanë prejardhjen shqiptarët e sotëm, e nëse në Kosovë ka pasardhës të dardanëve, këta janë edhe shqiptarë. Matoshi thotë një rrenë të trashë historike me fjalët e tij se Skënderbeu nuk ka lidhje me Kosovën. Skënderbeu ishte kryetar i Lidhjes së Princave Shqiptarë, njëri prej të cilëve ishte Lekë Dukagjini, i cili zotëronte Dukagjinin që përbën një të tretën e territorit të Kosovës së sotme. Sa për të sjellë vetëm një argument. Nëse Skënderbeu nuk do të kishte lidhje me Kosovën e sotme, përse kur mori ftesën e hungarezit Huniad për të bashkuar forcat në luftë kundër osmanëve, i la këtij takim pranë Prishtinës, ku u mbajt një betejë e madhe? Kosova nuk u pushtua në 1389, megjithëse osmanët fituan betejën e famshme atje. Më pas osmanët pësuan një tërheqje të madhe nga territoret e tyre ballkanase për shkak të humbjes shkatërruese nga tartarët në 1402.
Projekti i kombit kosovar shumëetnik është në fakt projekt i maskuar keq i krijimit të Etnisë kosovare nga shqiptarët e Kosovës, i shndërrimit të shqiptarit të Kosovës në Kosovar etnik.
“Kosovë” është një fjalë në serbisht.“Kosovar” është një fjalë në serbisht.
Nëse shqiptarët e Kosovës quhen kosovarë edhe sa i përket identitetit kombëtar, ata praktikisht do të sllavizohen në këtë përmasë të identitetit të tyre, pasi fjala “Kosovë” është fjalë serbe.
Sepse fjala “shqiptar”, që është në gjuhën shqipe, tregon se shqiptarët e Kosovës kanë një identitet të veçantë kombëtar të vetin në një territor me emërtim sllav.
Se çka do të jetë Kosovari si identitet kombëtar, faktikisht etnik, shpjegohet me së miri me shembullin e Halil Matoshit:
-Emri arabo-turk: Halil
-Mbiemri serb: Matoshi
-Identiteti shtetëror në serbisht: Kosovar
-Identiteti kombëtar (rrjedhimisht etnik) në serbisht: Kosovar
Religjioni: Islam
Përfundimi: Anëtari i kombit kosovar është sllavo-musliman.
Problemi kryesor me teorinë e kombit kosovar, që bën kinse nuk e kupton Halil Matoshi, ka të bëjë me atë nëse shqiptarët kanë qenë në Kosovë para vitit 1389, apo kanë ardhur pas këtij viti të sjellë nga osmanët, siç mëtojnë serbët. Nëse shqiptarët e Kosovës e shpallin veten “kosovarë” etnikë, atëherë vetëshpallen si të ardhur në Kosovë pas vitit 1389. Kosovar domethënë zaptues islamik i trojeve serbe.
Të gjithë teorinë e kombit kosovar Matoshi e ndërton haptazi mbi baza antishqiptare, për më tepër mbi bazën e armiqësisë të shqiptarëve të Kosovës ndaj atyre të Shqipërisë, duke thënë se Shqipëria shtetërore, jo vetëm nuk ka bërë asgjë për Kosovën, por ka qenë armiqësore ndaj saj.
Shqipëria shtetërore i hapi dyert masivisht për shqiptarët e Kosovës së sotme dhe trojeve të tjera shqiptare të dëbuar pas vitit 1912, duke i strehuar, duke iu dhënë tokë, arsim e ndihma të tjera megjithëse kishte shumë probleme vetë.
Shqipëria, për shkak se territori i saj u bë bazë për kryengritësit shqiptarë të Kosovës, të cilët zhvillonin në vitet 1918-1923, një luftë të ngjashme me atë të UÇK-së më vonë, humbi rreth një të nëntën e territorit që i dha Traktati i Londonit i vitit 1913. Në vitet 1918-1923, në zonat kufitare të Shqipërisë me Mbretërinë Serbo-Kroato-Slovene ishte krijuar një situatë e ngjashme me atë që do të ishte në vitet 1998-1999, kur kryengritës shqiptarë të Kosovës, të gjendur ngushtë nga mësymja e ushtrisë serbe tërhiqeshin në territorin e Shqipërisë, ose vinin këtu për t’u furnizuar me armatim. Veçse, ndryshe nga vitet 1998-99, kjo kryengritje nuk kishte mbështetjen e fuqive të mëdha perëndimore. Jugosllavia arriti t’i bindë fuqitë e mëdha se për mbrojtjen e kufirit të saj kishte nevojë të merrte territoret kufitare shqiptare që u bënë baza të kryengritjes.
Shqipëria sot do të kishte një sipërfaqe prej rreth 32 mijë km katrore, në rast se nuk do të kishte qenë për këto aventura të atyre shqiptarëve të Kosovës, të cilët pretendonin se do të çlironin territoret shqiptare të pushtuara nga serbët.
Nga shqiptarët e Kosovës pati disa burra të mençur, të cilët e kuptuan se ishte duke u bërë një tradhti kundër shtetit shqiptar, në emër të luftës krejt të pashpresë për çlirim nga pushtimi serb. Një prej tyre ishte Beqir Vokshi, nipi i heroit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sylejman Vokshit, i cili guxoi të shkonte në kuvend të krerëve kryengritës shqiptarë në Zonën Asnjëanëse të Junikut, dhe t’ u thoshte se duhet të hiqnin dorë nga marrëzitë. Por atje Beqir Vokshin e vrau heroi i madh i Kosovës, Azem Bejta (Galica), dhe gruaja e këtij të fundit e përgëzoi për pushkën që qiti. Shumë vetë në Kosovë e dinë këtë histori. Edhe Shota shtiu mbi shoqëruesit e Beqir Vokshit. E megjithatë kur Qerime Galica erdhi në Shqipëri pas vdekjes së burrit të saj, shteti shqiptar i drejtuar nga Ahmet Zogu, u tregua zemërgjerë dhe e strehoi, i dha tokë e shtëpi dhe madje i lidhi një pension si veterane. Kurrfarë pendese nuk shprehu Shota për vrasjen e Beqir Vokshit.
Për shkak të kësaj historie, në atë këngën e famshme të Ilir Shaqirit për pajtimin e gjaqeve janë edhe këto dy vargje:
“Po i thotë Vokshi, po i thotë Drenicës,
M’ i ruj vorret e Azem Galicës.”
Pra kërkohej të përgënjeshtrohej kjo histori.
Gjatë mëse njëqind viteve të ekzistencës së shtetit shqiptar, Shqipëria qartësisht nuk ka bërë për Kosovën aq sa ishte dashur të bënte, por megjithatë është e sigurt se ka bërë më tepër se çdo vend i vogël, të cilit i duhet të ballafaqohet me një vend disa herë më të madh. Sepse për më tepër se dy të tretat e kohës, gjatë këtij shekulli të ekzistencës së shtetit shqiptar, Shqipëria është ballafaquar për Kosovën me Jugosllavinë, një shtet ku fuqia e Serbisë ishte shumëfishuar.
Ndonëse shteti shqiptar ishte i varfër dhe kishte shumë probleme, ai pavarësisht se cili ishte në pushtet, Noli, Zogu apo ndonjë tjetër, i strehoi refugjatët shqiptarë që erdhën nga Kosova dhe që ishin me dhjetëra mijëra në vitet 20-30. Këtyre shqiptarëve të ardhur nga përtej kufirit shteti iu dha tokë dhe i ndihmoi me para dhe çdo mënyrë tjetër, për të ndërtuar shtëpi, blerë bagëti dhe vegla pune. Fëmijët e tyre u shkolluan në shkollat e pakta që kishte ndërtuar shteti shqiptar në atë kohë, madje duke iu siguruar edhe ushqimin, fjetjen, veshjen, me qindra të rinj shqiptarë të ikur nga Kosova, të cilët donin që të shkolloheshin në gjuhën shqipe. Pjesa më e madhe e elitës politike, administrative, kulturore të Kosovës deri në vitet tetëdhjetë vinte prej këtyre të shkolluarve në Shqipëri. Këta shqiptarë të ardhur nga Kosova u pranuan në shkollat më të mira të Shqipërisë së kohës, të cilat qenë shkolla teknike dhe Gjimnazi i Tiranës, Liceu i Korçës, shkolla tregtare e Vlorës, Gjimnazi i Shkodrës, shkolla teknike e Kavajës, shkolla pedagogjike normale e Elbasanit. Rreth një e treta e nxënësve të këtyre shkollave, në atë periudhë kanë qenë ose prej fëmijëve të refugjatëve shqiptarë të ardhur nga Kosova në këtë periudhë, ose prej këtyre fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë të ardhur nga përtej kufirit. Shumë prej tyre morën bursa studimi në universitetet perëndimore nga shteti shqiptar.
Si një sakrificë e popullit të Shqipërisë për Kosovën duhet konsideruar edhe financimi që iu bëri Enver Hoxha organizatave dhe grupeve marksiste-leniniste nga Kosova që vepronin në Perëndim. Se këto para mund të qenë përdorur për të blerë barna e ushqime për fëmijët e Shqipërisë. Gjithashtu nuk duhet harruar edhe ndihma që shteti shqiptar i dha në atë kohë Universitetit të Prishtinës me tekste dhe mësimdhënës, kur vetë sistemi arsimor shqiptar kishte shumë nevojë për ta.
Ramush, Halil Matoshi përhap ide që janë madje në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës u njeh të drejta bashkësive mbi baza kombëtare. Sipas nenit 3, paragrafi i parë të Kushtetutës së Kosovës: “Republika e Kosovës është shoqëri shumëetnike e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera.”
Pra, Kushtetuta e Kosovës veçon duke e potencuar pikërisht shqiptarët si komunitetin më të madh. Prandaj, të thuash siç bën Halil Matoshi se shqiptarët e Kosovës duhet të heqin dorë nga identiteti kombëtar shqiptar dhe të quhen thjesht kosovarë, është një qëndrim antikushtetues, i dënueshëm me burg nga ligjet e Kosovës, që mbrojnë të drejtën e komuniteteve për ruajtjen dhe zhvillimin e identitet kombëtar të tyre.
Sipas nenit 59 të Kushtetutës, pjestarët e komuniteteve kanë të drejtë që individualisht ose si grup të:“të përdorin dhe të shfaqin simbolet e komunitetit në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.”(paragrafi 7)
Kështu që ndalimi i përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Nëse dikush në Kosovë do të shprehej publikisht që romët, egjiptianët, ashkalinjtë, boshnjakët e Kosovës (për të mos folur për serbët) nuk duhet të quhen më romë, egjiptianë, ashkalinj, boshnjakë, por vetëm kosovarë, dhe të mos përdorin simbolet kombëtare të tyre, por vetëm ato shtetërore të Kosovës, ky person do të arrestohej për nxitje të urrejtjes ndaj komuniteteve etnike të Kosovës, dhe do të dënohej me burg.
Ramush, nëse nuk bindesh me kaq sa them unë, shko bashkë me Halilin te varri i Heroit të Kombit, Luan Haradinaj, e thuaji Halilit të thotë gjithçka sa ka thënë deri më sot. Mbaj vesh nëse do të dridhet varri./Kastriot Myftaraj

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura