(Würzburg, 30. 09. 2012) – Çdo nxitim për të biseduar me Serbinë në këto rrethana që është Kosova, do ta dëmtojë shumë rëndë dhe seriozisht substancën e shtetit të Kosovës. Ky dialog në këto rrethana është çdo gjë tjetër përveç në të mirë të Kosovës dhe popullit shumicë shqiptar .
Debati pro dhe kundër bisedimeve politike me Serbinë sa vjen e po merr hov. Ky debat është duke u fokusuar jo në thelbin e problemit që realisht ekziston, por duke u devijuar në drejtimin krejt sipërfaqësor. E gjithë kjo nuk po ndodh rastësisht por është e parapërgatitur më herët nga ata që tanimë e kanë bërë zanat shpëlarjen e trurit të qytetarëve të Kosovës.
Pyetja qenësore është se pse Kosova duhet të bisedoj me Serbinë në nivelin e lartë politik në këto rrethana politike kur nuk e kontrollon tërësisht territorin e vet, nuk ka ushtri dhe ka një udhëheqje të stërkequr dhe të katandisur si kurrë më keq?
Edhe pse qeveritarët tanë këtë dialog po e paraqesin si dialog mes dy shteteve, në të vërtet nuk është kështu. Serbia është dhe po trajtohet si shtet nga ndërkombëtarët, ndërsa Kosova po trajtohet vetëm si shtet i emëruar, por që realisht i mungojnë shumë atribute për të qenë njëmend shtet i barabartë.
Kush dhe pse po gënjen në vazhdimësi?
A nuk u tha se bisedimet me Serbinë kanë përfunduar me mbylljen e statusit dhe shpalljen e Kosovës shtet i pavarur? Pse tani këto bisedime?! A duhet në vazhdimësi të besojmë gënjeshtra që po e dëmtojnë substancën e shtetit dhe të ardhmen tonë politike dhe ekonomike?
HASHIM FUSNOTA!
……………………………………………………….
Mjaft kemi besuar, edhe pse shpeshherë e kemi ditur që po na gënjejnë në ditë për diell!
Në një debat televiziv një politikan tha se dialogu me Serbinë është shenjë e civilizimit. Po, kështu do të duhej të ishte, por që faktikisht nuk është!
Serbia dhe elita e saj politike ka ndryshuar metodat duke ja përshtatur rrethanave gjeopolitike, por jo qëllimin që e ka pasur dhe po vazhdon ta ketë për Kosovën dhe shqiptarët.
Serbia për asnjë çast dhe as një moment nuk ka treguar as më të voglin civilizim, e lëre më për kërkim-falje, apo pranim faji për atë që ia ka bë popullit shqiptar ndër shekuj.
Kosova tanimë është para aktit të kryer sa i përket dialogut politik me Serbinë të nxitur dhe përkrahur nga faktori ndërkombëtar. Kjo çështje është e kryer dhe pikë! Mu për këtë arsye debati brenda shoqërisë dhe vetë klasës politike se a duhet apo jo është i vonuar dhe jo dobiprurës.
Në fakt, ky dialog politik siç po quhet tani për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka filluar shumë herët dhe pikërisht në ato bisedimet maratone që qeveritarët tanë i quanin teknike.
Të rinovohet legjitimiteti institucional
Dialog për normalizim e marrëdhënieve mes dy shteteve mund të quhet vetëm atëherë kur këto dy shtete e pranojnë njëra tjetrën dhe nuk kanë pretendime territoriale ndaj njëra tjetrës.
Serbia dhe Kosova jo vetëm që nuk kanë njohje reciproke, por e para ka edhe pretendime territoriale dhe e kontrollon me strukturat e saja shtetërore një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Realiteti i dhunshëm politik që shteti serb e ka krijuar në këtë pjesë të Kosovës dhe pazotësia e Qeverisë së Kosovës për të ndryshuar këtë realitet si duket do t´i kushtoj Kosovës dhe qytetarëve të saj në këto bisedime politike me pasoja të paparashikueshme.
Në gjithë këtë situatë dëshpëruese dhe herë-herë pa dritë në fund të tunelit, ka filluar hedhja e fajit sa këndej e sa andej.
Një faktor shumë i rëndësishëm në gjithë këtë debat për dhe kundër që po harrohet dhe anashkalohet është se a ka legjitimitet Qeveria e Kosovës për të na përfaqësuar në këto bisedime?
Tani më s´ka ditë që nuk lexojmë për afera korrupsioni dhe përzierje të qeveritarëve të lartë në skandale të pista. Tani edhe vetë kryekuvendari Jakup Krasnqi e tha publikisht se në Kuvendin e Kosovës ka deputet me vota të vjedhura.
Andaj konsideroj se zgjidhja e vetme dhe e domosdoshme për këtë gjendje ku jemi aktualisht është që vendi të shkoj drejt zgjedhjeve të parakohshme në mënyrë që të rinovohet legjitimiteti institucional. Nuk ka asnjë arsye politike dhe morale që kjo Qeveri të na përfaqësoj në këto bisedime, që siç e theksova edhe në fillim do të jenë ta pashmangshme.
Së bashku me këto zgjedhje qytetarët do të kenë mundësinë e tyre demokratike për t´u deklaruar, mbase jo në një referendum të nevojshëm demokratik, por, të paktën përmes votës, kur dihet edhe qëndrimi i partive politike për këtë dialog.
Vetëm pasi të mbaheshin zgjedhjet e lira dhe plotësisht demokratike, të pranuara nga të gjitha partitë politike dhe faktori vëzhgues ndërkombëtar, dhe vetëm pas formimit të organeve legjitime të dala nga vota e lirë e popullit mund të flitet për bisedime, por edhe atëherë vetëm me miratimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ratifikimit të çdo marrëveshje që do të mund të dal nga këto bisedime.
Çdo nxitim për të biseduar me Serbinë në këto rrethana që është Kosova, do ta dëmtojë shumë rëndë dhe seriozisht substancën e shtetit të Kosovës. Ky dialog në këto rrethana është çdo gjë tjetër përveç në të mirë të Kosovës dhe popullit shumicë shqiptar. Ky dialog më shumë se sa për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi ka për qëllim ta legjitimoj realitetin që Serbia e ka krijuar dhunshëm në Kosovë.
Shteti shqiptar të jetë më aktiv
Kosova është përballë një sfide të madhe dhe këtu shteti shqiptar dhe organet shtetërore të tij duhet të vihen në lëvizje dhe në përkrahje të shtetit dhe popullit të Kosovës.
Shqipëria dhe Kosova kurrë nuk do të duhej ta trajtonin njëra tjetrën si shtete fqinje, por si pjesë të një trupi të përbashkët.
Shqiptarët, fatkeqësisht, e kanë një klasë të keqe politike, të paguximshme dhe të paditur, të paaftë për ti bërë ballë sfidat e kohës, por i kanë të gjitha argumentet për ta kthyer gjendjen në favorin e vet, sepse shtrihen në tërë hapësirën Ballkanike me një fuqi politike dhe njerëzore.
Shoqëria civile, partitë opozitare dhe intelektualët duhet të bashkohen në krijimin e një strategjie dalëse nga ky qorrsokak, dhe jo vetëm të kritikojnë e të thonë se janë kundër.
Duhet të ndalemi së vajtuari vetën tonë, sepse, mbase, tanimë e kemi kuptuar, apo thënë më mirë, do të duhej ta kishim kuptuar se vajtimi nuk po e ndryshon gjendjen tonë politike dhe ekonomike si shoqëri.
Është koha e fundit që të nxjerrim me votën tonë të lirë njerëz me dije dhe dinjitet, njerëz që më shumë se sa tenderët dhe bizneset, e duan dhe i përkushtohen Kosovës dhe popullit të saj.