Tiranë, 4 tetor 2017: Migjeni i Panjohur?
Tingëllon paradoksale ?
Aspak!
Eshte e vertete qe ka nje popullarizim te pazakonte per te, per emrin e tij. Por studimi i vepres se tij epokale eshte ende siperfaqesor, sidomos ne rrafshin estetik
Ne 11 tetor te ketij viti mbushen 116 vjet nga lindje e Migjenit.
Per kete subjekt akademizmi zyrtar eshte flu, indiferent, dekorativ, krejtesisht i kote dhe i panevojshem. Migjeni nuk ka asnje lidhje me kete akademizem, as me intrumentet klienteliste te shkrimoreve medioker, qe as e kane kuptuar ndonjehere dhe as do ta kuptojne padyshim. Migjeni eshte si Guliveri mes te ashtuquajturve kritike xhuxhe, lilipute.
Migjeni eshte nje fenomen madheshtor dhe i nderlikuar, i shumefishte i letrave shqipe. Ai eshte nje shkrimtar krejt tjeterlloj, pa paraardhes. Edhe tani mbas 116 vjetesh duket se nuk ka pasardhes. Ai eshte gati i vetmuar, monumental, por askush si Migjeni nuk ka krijuar nje intimitet dhe grishje te jashtezakoneshme
Pa Migjenin letersia shqipe do te varferohej mjerueshem. Me Migjenin eshte dhe do te jete perhere universale, nje letersi urbane e nivelit boteror.
Migjeni eshte shkrimtari yne me konceptual i modernitetit letrar. Ata qe nuk e kuptojne kete te vertete sot, do ta kuptojne neser, ose s’do ta kuptojne asnjehere. Aq me keq per ta.
Migjeni nuk ka nevoje per apologji te stilit barok, as per lavdi te rreme te “idhujve pa krena“. Ai eshte i vetmjaftueshem, vertete i fragmentuar, por qe krijon si askush nje ploteri.
Atij nuk ka c’t’i beje harresa, as kur eshte dinake dhe e qellimeshme.
Vetem tani Migjeni po perjeton leximin e thelbshem te vepres se tij, nje lexim te ri, pikerisht ate lexim qe mungonte.
Disa estete te formuar si akademik Alfred Uci dhe dr. Anastas Kapurani kane botuar libra ndryshe, te guximshem dhe te vertete per Migjenin.
Sepse Migjeni eshte shkrimtari me i pakopromentuar, me nje trimeri civile te pashembullt, me nje art te madh per te thene te verteten. Ai perket shekujve. I vetedijshem.
Ai e hap vepren e tij me nje “Parathenie te Parathenieve “.
Vargu i tij i pare eshte “Perdite perendojne zotat“, pra shkaterron hierarkite e panevojeshme dhe shtrenguese, per emancipimin e historise dhe te artit.
Për një krijues të fuqishëm si Migjeni arti është i dyfishtë. Për të arti është jo vetëm lëndë artistike, por edhe koncept teorik institucional për vetë artin.
Krijimtaria e Migjenit është materie e gjallë dhe e pavdekshme e kulturës shqiptare. Spikat si një nga thesarët më të mëdhenj kombëtarë. Kjo krijimtari me një sens të patjetërsueshëm estetik dhe emancipues është e pakufizuar nga paragjykimet politike, nga steriotipet e sloganet ideologjizuese të çdo ngjyre qofshin.
Në të Migjeni na ka lënë dëshmi të memdimit të tij teorik për artin. Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe.
Si krijues i madh ai nuk mund të heshtëte dhe të mos shpallte përpara botës kredon e tij konceptuale, që lidhet me krijimet e tij.
Në shumë skica dhe proza të Migjenit lexuesi takon fragmente esesh të vërteta, të guximshme, disa herë të habitshme
***
Në 14 qershor 1936 Migjeni i dërgon një artikull në formë letre redaksisë së revistës përparimtare të kohës ”Bota e Re”.
Ky artikull ka një rëndësi të veçantë për mendimin eseistik kombëtar.
Dihet, që këtë lak kohor në faqet e ”Botës së re” u zhvillua një anketë, si dhe një debat për rolin dhe funksionin e artit në shoqëri. Shumë letrarë të kohës si Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi, Misto Treska, Nonda Bulka e të tjerë shpallën publikisht mendimet e tyre, për rolin, që duhet të luajë arti në shoqëri, duke theksuar sidomos anën utilitare të tij.
Migjeni në shkrimin e vet, që i dërgoi revistës del menjëherë si një kapacitet më i madh se sa bashkëkohësit. Ka një mendim më të lartë dhe të kultivuar, më të thellë dhe është kundër sociologjizmit vulgar, kundër katandisjes së artit në rolin e një mjeti të thjeshtëzuar politik, duke luftuar për pavarësinë relative të artit në shoqëri dhe sidomos për atë, që e bën artin art, dmth, për artistiken si koncepti bazë i pazëvendësueshëm i krijimtarisë në llojin e vet.
Nga kjo pikëpamje Migjeni tingëllon jashtëzakonisht aktual sot. Ai ka një koncept demokratik të zhvilluar dhe është kundër skemave politizuese, ideologjizuese që periudha moniste i krijoi si tabutë kryesore të vetvetes
Për të gjykuar vetë lexuesi po botojmë tekstin e kësaj letre, e cila gjendet në librin ” Krijimtaria e Migjenit” e studiueses Gentruda Entrej botuar shumë vite më parë ( ne vitin 1973 )
Për fat të keq ne nuk dimë se ç’u bë dhe ku ndodhet origjinali shqip.
KRYESORJA NË ART ËSHTË ARTISTIKJA
”Me interes i lexova të gjithë artikujt tuaj mbi artin. M’u dukën shumë të nevojshëm, të rëndësishëm dhe shumë bashkëkohorë veçanërisht orientimi ideor.
Na ka mbetur t’i bashkojmë mundësitë e paorientuara të artit të madh.
Ndoshta puna qëndron në atë, se në çfarë zhanri dhe simbas çfarë recetash do të shkruhet.
Mendoj, që kryesorja në gjithë artin është artistikja, që me talent dhe me drejtasi, pakompromis, të zbulojmë esencën shoqërore, morale e psikologjike të jetës intime, të njerëzve, të marrëdhënieve të tyre, që artin do ta pasuronte shpirtërisht dhe estetikisht.
Se është e drejtë domosdo, që arti duhet të jetë edhe ideor.Tashmë, është krejt pa interes, që lexuesi të lidhet me gjithfarë formulash ideore, që të mos guxojmë, që të ngacmojmë te lexuesi këtë reaksion ideor në mënyrë emocionale, përmes transformimit artistik.
Këtu nuk ndihmojnë as mendimet, as qëllimet më të mira, as frazat e larta vetëm mbi ”dobinë”.Nuk bën që poezia të shikohet vetëm si mjet i propagandës së ideve, madje edhe të atyre më përparimtare, e stili vetëm si instrument i mendimeve.
Arti ka nevojë për shndërrime të ndjenjave, të nervave. Dhe ku, përveçse në poezinë e mirë e të fuqishme t’i hiqet mendja lexuesit për ndërveprime të papritura dhe të fuqishme, duke qëndruar më mirë se sa në argumentet e formuara logjike.
Dhe a mundemi ne, duke kuptuar gjithë këtë, t’ia marrim të drejtën poezisë për zërin, që ka gjatë atyre ditëve, kur letërsia zgjidh detyra shoqërore kulturore?
Përse nuk do të mund të dallonim, për shembull, prapa simboleve mistike të muzës të cfilitur të Rembosë dhe Verlenit kërkimin e mjeteve shprehëse të vargut, synimin që të mos përshkruhet vetëm karakteri i jashtëm e që me guxim të depërtohet në fshehtësinë e ndjenjave dhe të mendimeve në lidhjet e fshehta midis botës dhe nesh
Përse të mos çmohet orvatja, e impresionizmit dhe e simbolizmit, të përafrohen sferat e gjinive të artit, të pikturës, muzikës dhe poezisë, orvatje e cila i ndihmon aq shumë njerëzimit të zbulojë të renë, faqen më të bukur të kulturës njerëzore?
Mos vallë poezia qytetare, sociale nuk ka të drejtë për përkryerjen estetike, apo detyra e saj është të jetë vetëm pllakat?
Satira është purgatori i madh i shoqërisë.
Dhe kështu në ditët tona do mund të pajtoheshim me Hegelin, se ”paraqitja përmes satirës në mënyrë të qartë lidhet me divergjencat e subjektivitetit dhe parimeve të tij abstrakte me realitetin empirik” dhe ”se prandaj ajo nuk e përbën as poezinë e as veprën e vërtetë artistike”… Para së gjithash një abstraktësi e tillë artistike, është karakteristikë për satirën didaktike retorike, e cila më duket, ju lutem, e ka thënë fjalën e vet në letërsinë evropiane të shekujve XV1 XV111, si dhe në letërsinë tonë të Rilindjes.
Përveç kësaj, ajo nuk e lind mendimin e shkrimtari ajo është e mbyllur në ”realitetin empirik” në të vjetrën e së shkuarës, duke mos dëshiruar të jipet dhe, duke mos pretenduar në madhështinë e vet të humbasë në të shumtuarën, që shpesh nuk ka pasur aq vet në jetën dhe në marrëdhëniet njerëzore, po ka qenë e vendosur keq midis synimeve dhe qeverisë, fjalëve dhe veprës, veprimeve reale dhe frazave të bukura
Prandaj satira është element përbërës i pashmangshëm i çdo arti të vërtetë demokratik, e autorizuar, që të vërtetojë të tërë idetë pozitive.
Të dish t’i dëftosh botës, duke i përdorur mjetet më të mira të fantazisë krijuese, vërtetësinë e saj të pasqyruar pa asnjë mashtrim optik do të thotë, që në mos të ndihmosh në çrrënjosjen e së keqes, gjithësesi të përcaktosh diagnozën e sëmundjes dhe t’i afrosh njerëzimit një shërbim të padiskutueshëm.Ju keni të drejtë plotësisht: ”ne s’kemi ç’ka të presim dhe në çka të shpresojmë nesër”
Populli ynë po vegjeton në injorancë të tmerrshme, ”i shtrënguar” kështu nga fanatizmi jeton i verbër në pikëpamje ideore.
Eshtë detyrë jo vetëm e shkrimtarit, po edhe e çdo biri të ndershëm të Shqipërisë të zgjojë te ai aftësinë për të menduar e për të luftuar për të drejtat e veta
Dhe natyrisht roli paçmueshëm në këtë raport i bie publicistikës, që përmes miniaturave të qarta, të shkurtra, të bindshme, t’u japë përgjigje të ngutëshme, si jehonë, të gjitha problemeve politike e shoqërore, nga zgjidhja e të cilave varet e ardhshmja e gjithë kombit e para së gjithash e popullit”.
***
PESË LETRA TË PANJOHURA TË MIGJENIT
Në vitin 1973 Universiteti i Leningradit (sot Peterburg) boton librin e Gertruda Entrej, të quajtur ”Krijimtaria e Migjenit”.
Ky libër i rëndësishëm i pari për llojin e vet për nga analiza e plotë në rrafshin eseistik për Migjenin tonë, për fat të keq, u injorua dhe nuk u morr në konsideratë nga stjudiuesit shqiptarë.
Kjo gjendje në ”aut” e librit jo vetëm që qe absurde, po veç të tjerave blokoi disa fakte shumë të rëndësishme dhe unikale të krijimtarisë origjinale të Migjenit, që i citon vetëm Entrej.
Gertruda Entrej ka qënë edhe profesore në Universitetin e Tiranës për shumë vjet, si dhe mikja intime e Ollga Luarasit, motrës së Migjenit. Në librin e letrave origjinale, si dhe të ditarëve të Migjenit,
Për fat të keq këto citime jepen të përkthyera në rusisht dhe jo sipas faksimileve në shqip.
Megjithatë duhet thënë se, problemi i autenticitetit të tyre, që është vënë herë herë edhe në dyshim, është në të vërtetë një problem që gjithashtu nuk duhet trajtuar nga pozita negacionit të plotë.
Përkundrazi, Ibrahim Rugova dhe Sabri Hamiti që para shume vjetësh në një përmbledhje antologjike të quajtur ”Kritika letrare” kanë përfshirë edhe një letër të Migjenit dërguar revistës ”Bota e re”, ku ai bën një rezyme të koncepteve të tij për artin dhe rolin e tij në shoqëri, duke mos e mohuar autenticitetin e shkrimit, duke e botuar atë.
Me të njëjtin qëndrim dhe predispozitë unë po shpalos tani fragmentet e pesë letrave të Migjenit, që citohen në librin e Entrejt.Letrat i dërgohen në harkun kohor 1936 1937 mikut të ngushtë të Migjenit, dëshmorit të ardhshëm të Luftës Antifashiste, Jordan Misjes.
Misja, ka qënë qënë bashkënxënës me Migjenin dhe Manastir, një intelektual i formuar, piktor, njeri i ideve të reja, ka shumë fotografi me Migjenin, si dhe lidhje të vazhdueshme me të, aq sa mbas vdekjes së Migjenit një pjesë e dorëshkrimeve të shkrimtarit ruhej në shtëpinë e Jordan Misjes dhe për fat të keq, mbas masakrimit të Jordanit nga fashistët u dogjën edhe dorëshkrimet e Migjenit, të lëna Jordanit.
Këtu pa dashur të bëj një analizë plotësuese dhe duke patur parasysh vetëm ekspozimin ad literam të letrave të Migjenit, mendoj se është në dobi të opinionit publik shqiptar njohja me këto dëshmi, të njërit nga figurat më të fuqishme dhe më të papërsëritëshme të kulturës shqiptare.
Fragmentet e letrave po i jap sipas rendit kronologjik
***
16 shkurt 1936: ”Njeriu është kuintesenca e gjithë asaj që jeton në tokë”.
***
8 mars 1936: ”Sipas Niçes liberalizmi në politikë do të thotë të shkosh pas vullnetit të dobësuar të plebeit, pa folur këtu për instiktete ulta të turmës, dhe mua më duket, që këto gjëra (është fjala për deklaratat e qeverisë liberale të Mehdi Frashërit, që sapo kish hipur në fuqi shënim i Gertruda Entrejt) janë thjeshtë lëmosha të mjera, që qeveria i bën popullit në mënyrë që të maskojë atë, që është kryesore”
***
20 maj 1936: ”Mjedisi,ose siç i thonë francezët ”Le milieu”, dhe në këtë kuptim përfshihet tërësia e normave dhe lidhjeve historike, shoqërore, fetare, etike, mbi të cilat shtrihet kuptimi i qytetërimit të këtij apo atij kombi dhe të cilat na rrënjosen ne që nga fëmijëria e hershme është i tillë, që përfaqëson një cenzë të rreptë të sjelljes njerëzore, që përcakton, gjë që tani është për të ardhur keq, jo vetëm veprimet, por bile edhe mendimet e njeriut… Kam ndjerë një kënaqësi të madhe nga ”Historia e një qyteti” dhe ”Zotërinjtë Gollovianë” të satirikut rus N. Shçedrimit.
Problemet serioze dhe politike, që ai ngre këtu në mënyrë të qartë duke përdorur fantazinë dhe groteskun ai i ruan në atë mënyrë, që motivimi real i veprimeve dhe nxitjeve njerëzore t’i përcaktojë.
Lexon dhe habitesh, përshkruhet mënyra ruse e jetesës dhe sa shumë politikë ka në të. Eshtë për të ardhur keq që ne nuk e njohim letërsinë ruse, shumë aluzione mëndjemprehta dhe serioze mbeten të pakuptuara. Gorki, sipas mendimit tim në shumë gjëra është trashëgues i Shçedrinit, si në pamfletet e periudhës së Samarës si dhe në librin ”Tregime ruse”.
Kurse Tolstoi është më i hollë. Në pamjen e jashtme te ai gjithçka është e qetë, deri në vogëlsitë ”reale”, por sa qartësi, thellësi dhe njohje të psikologjisë njerëzore ka prapa tyre. Jam i joshur nga letërsia ruse dhe në mënyrë të veçantë nga krijimtaria e kësaj treshe.Rilexoj, mendoj, kuptoj dhe çdo herë gjej nga ndonjë gjë të re.
Eh, sa shumë muungon satira në jetën tonë të shkretë!Po të marrësh e ti hysh jetës në imtësi ”nga poshtë lart” sipas shembullit të këtyre rusëve të mëdhenj, ndoshta do të bëhej më e pasur”
***
2 janar 1937: ”Në vitet e fundit letërsia jonë është shumë e njëanshme dhe këtu me vend është që të kujtojmë ”Etydin mbi Bejlin” të Balzakut. Ai e shikon letërsinë e Rilindjes si ”letërsinë e ideve”, kurse romantizmin ”si letërsinë e figurave”.
Letërsia jonë tani është ekstremi më i keq i njërës dhe i tjetrës: Ose ka shumë figura, ndërsa idetë nuk duken, ose ka ide pa art.
Pse ne të mos i bashkojmë të gjitha këto, duke marrë nga iluministët francezë pjesëmarrjen aktive të autorit të veprimeve, në mënyrë që ai të hapë përpara lexuesve perspektiva të mëdha, çka e lejon vetëm situata e dhënë e subjekteve.
Sa e mirë është psh. ”Kjo nuk është përrallë” e Deni Diderosë?Nuk e di për të tjerët, por unë personalisht do të doja ta konsideroja vehten nxënës të francezëve”
***
16 mars 1937: ”Megjithëse është e rëndë ta pranojmë, o shokë, por të gjitha këto zhvillime të freskëta demokratike, të cilat në mënyrë të ndershme dhe frymëzuese i arritën iniciatorët e rinisë të ”Botës së re”, u shembën nga një fund tragjik. Kërcënimi i fashizmit është bërë një gjë aq reale, saqë është vështirë të besosh e të shpresosh në mundësinë e një farë ndryshimi për më mirë”.
***
Siç kuptohet në këto fragmente nga pesë letra të Migjenit kanë ide tepër interesante dhe sinoptike për botëkuptimin dhe artin e tij. Aktualiteti i tyre është një kategori dinamike, që natyrisht nuk duhet parë In extremis, një tautologji ndonëse edhe tautologji shpesh në histori ka dhe do të ketë.
Këto letra që unë po i bëj të njohura për lexuesin shqiptar i kam përkthyer nga libri i Gertruda Entrejt
Une i kam dërguar një letër autores ne 1990, ku i kërkoja të dhëna plotësuese për letrat e Migjenit.
Ajo jetonte ende, ishtë e interesuar si gjithmonë për Shqipërinë, me dërgoi lajm, se megjithë gjendjen shëndetësore, jo të mirë dëshëronte të bënte një vizitë në vendin tonë.
Entrej pa dyshim do të na sqaronte edhe për aspekte të tjera të krijimtarisë së Migjenit, që ajo i dinte nga e motra e shkrimtarit.
Ne 2004 shkova ne Sant Peterburg,ne Fakultetin e letersise dhe te filologjise, ku kishte dhene kursin e gjuhes shqipe Prof. Gertruda Entrej,
Aty mesova lajmin tragjik se Entrej kishte vdekur …dy dite me pare arritjes time.Nuk e takova dot.
U interesova prane Ambasades Shqiptare ne Moske qe te beheshin perpjekje zyrtare per t’u njohur me dokumentat dhe doreshkrimet ne familjen e Gertrudes
Po deri me sot nuk eshte bere asgje.