VLERËSIME PËR LIBRIN “GJURMË TË PASHLYESHME…” TË VEPRIMTARES BASRIE SAKIRI-MURATI

Pashtriku.org, 3 nëntor 2017: (“Nëse kërkon vetëm fjalë, pyet një burrë, nëse kërkon vepra, pyet një femër”! – Margaret Thatcher, 1925 – 2013)

Dr. Nermin Ademi: Libri “Gjurmë të pashlyshme”, kryevepër jetësore e veprimtares, Basrie Sakiri-Murati
Sot përfundova së lexuari librin e Basrie Sakiri-Murati, “Gjurmë të pashlyshme” dhe unë atë do ta titulloja kryeveprën e saj jetësore. E them këtë pasi atë nuk e shiqoj në prizmin e leksikografisë, fonetikës gjuhësore apo shpirtit artistik që ajo posedon (s’ka dyshim që ato premise janë denjësisht të përfshira) por nga thelbi që ajo përmban: sakrificën, guximin, shkathtësinë dhe dinjitetin e një shpirti të pastër rinor. Të jem i sinqertë, ende jam i emocionuar dhe them me vete, sa njerëz të pathyeshëm ka kjo botë kur janë në pyetje parimet, vlerat dhe idealet që e sendërtojnë atë si karakter. Impresionet janë gjithëpërfshirëse me një dozë xhelozie pozitive.
M’u atëherë kur kjo moshë që ende ishte në sythin e saj për të çelur në flladin pranveror, u ballafaqua me acarin Bolshevik duke sfiduar, luftuar, që në fund për t’a fituar të njëjtin. Shumë indikative është rasti për moshën kur ajo veproi: moshataret e saja josheshin pas një letargjie djaloshare që do të ishte shumë e natyrshme, ndërsa ajo i këndoi dashurisë së popullit, vendit të vet, fushave, maleve dhe prehjen e gjente, duke ia dedikuar dhe sakrifikuar veten idealit kombëtar. Duke shfletuar shënimet e Basries nuk hasa në rastin më të vogël që ajo të joshej nga mosha e saj adoleshente por bashkëveprimtarët e saj edhe pse i takonin moshave të përafërta, në raste të veçanta i përshkruante me shumë mallëngjim dhe krenari, me epitete sikur të gjithë të ishin vëllezërit e saj. Është madhështore!
Familja e saj u bë pre e sakrificës, ndaj lindi edhe kjo vigane për t’u bërë shembëlltyrë e një bote të re, duke reflektuar imazhin e një monomi kurioz për çdo moshë. Ajo i dha shumë Kosovës për mëvetësinë e saj, ndërsa sot mbi supet e saja ajo reflekton një personalitet me arritje profesionale edhe jashtë vendlindjes së saj. Basria nga një vajzë modeste e Llapashticës që luftoi për liri, sot ka thyer tabutë. Ajo me mund, guxim dhe sakrificë përsëri dëshmoi se mund t’ia arrijë çdo qëllimi, ku ajo sot është bërë një veprimtare e paqës. Të mëdhenjtë nuk presin urata por krijojnë dhe veprojnë për të dëshmuar për misionin që synojnë t’a përmbushin.
Si do të thotë Margaret Thatcher; -“Nëse kërkon vetëm fjalë, pyet një burrë, nëse kërkon vepra, pyet një femër!” apo Nancy Rathburn: -“Një femër e fortë e kupton se logjika, vendosmëria dhe fuqia janë po aq femërore sa intuita dhe lidhja emocionale. Ajo i vlerëson dhe i përdor të gjitha këto dhunti.” Autorja Basrie Murati në veprimtarinë e saj është dëshmia e gjallë për të konfirmuar dhe dëshmuar thëniet e lartëpërmendura.
Basria në historiografinë e çështjes kombëtare me stoicizëm hynë në plejadën e femrave shqiptare që kontribuan në avansimin e vlerave progresive. Ajo lodhet kur pushon, ndërsa ç’lodhet kur punon. Duke u nisur nga ky parim nuk dyshojmë aspak se ajo në një të ardhme të afërt do të na surprizojë edhe me dorëshkrime tjera.
Urime dhe suksese e Nderuar!
Dr. Nermin Ademi,
Bogovinë, korrik, 2017
* * *
Lebit Murtishi: Nëpër golgotat e Atdheut!
Vështrim Librit dokumetar «Gjurmë të pashlyeshme…» të autores (ish e arratisur politike) Basrie Sakiri – Murati!
Të shëtisësh nëpër kujtime, kryengritëse e fitimtare, të një Tringe a të një Nore të kohëve tona të paemër, të duket vetja si murg i zhytur në mijëra ëndërra të pakapshme dhe të paprekshme në asnjë kohë. Fati dhe udha ime deshi, që herë të takoj në udhëtime e herë të jem një bashkudhëtar me figurat emblematike të Atdheut tim – Shqipërisë!
Nga të gjithë mësova nga pak; para të gjithëve kam qenë një nxënës që ngul sytë e mbushtë me ëndrra në sytë e zjarrtë të rrëfimtares, të zbritur mbi këtë tokë nga dimensione të përgjakur për t’i dhënë pak jetë Atdheut! Ata, Ato ishin aty, dikur dhe sot, sot e përherë; ishin pranë jush, ishin pranë nesh, ishin pranë dhimbjeve të Atdheut, me gjithë përmasën e perëndishme, të vetëflijimit dhe të shpëtimit dhe, që lanë gjurmë prej heroizmash nëpër çdo faqe të historisë…
Autorja e këtij libri, mbushur me dhimbje e krenari prej kujtimesh epik-lirie, akoma frymon mes nesh. Do dëshiroja, unë si krijues poezish, që këto ngjarje prej trishtimi, veshur me ëndërra krenarie, një vashëz adoleshente e kohëve të pakohë, sot nënë e dy fëmijëve të rritur e të mrekullueshëm, t’i kushtoheshin dashurisë, pranverës, zogjëve, barit të njomë ku ndalen fluturat, por ajo kohë kishte gozhduar secilën ëndërr adoleshente në qelitë e heroizmit…
Basria është njëri emër prej më të dashurish emra epokash; Basria është personazhi, është objekti dhe subjekti i këtij libri të pambyllur. Të përgëzoj, motra ime dhe mijëra herë të falënderoj, që më ofrove mundësinë të lë dhe unë emrin tim në këtë libër dokumentar të shpërndarë nëpër golgotat e Atdheut!..
Lebit Murtishi, poet
Bern, Maj 2016

* * *
Në vazhdim lexoni një fragment nga kumtesa e shkrimtarit Xhemajl Kolgeci, mbajtur në Besianë (më 09.09.2016) gjatë promovimit të librit “Gjurmë të pashlyeshme” të autores Basrie Sakiri-Murati.

…Protagonistja, autorja e librit (Basrie Sakiri-Murati), në vitin e tretë të shkollës së mesme ishte propozuar nga shokët dhe shoqet e klasës për kryetare të klasës, por ajo nuk e pranoi këtë detyrë! Njëra nga arsyet e kundërshtimit ishte shumë domethënëse, ngase kryetarët e asaj kohe me servilizmin e tyre për pushtet po e rrënonin dinjitetin e qenies kombëtare, prandaj tek ajo sikur ishte krijuar një alergji ndaj këtij emri që edhe sot në liri, për fat të keq, janë bërë sinonim i korrupsionit e i lojalitetit të tepruar, i cili po i dëmton interesat qenësore kombëtare.
Protagonistët e këtij libri janë shokë të idealit që veprojnë duke rrezikuar të ardhmen personale madje edhe jetën e tyre, për të ardhmen e popullit të tyre. Ata vepruan, pa u ndalur asnjëherë, për ta ngritur vetëdijen dhe për të mbjellë dashurinë tek populli për Lirinë e Pavarësinë, aq të nevojshme sa vet jeta e njeriut. Protagonistë të librit janë edhe familjet e aktivistëve dhe shumë familje të tjera që i strehuan dhe i mbështetën pa hezitim.
Personazhet kryesor (veprimtarët) janë të rinj në moshë, por që kishin ngarkuar mbi supet e tyre të njoma barrën e rëndë të përpjekjeve me plotë rreziqe e sakrifica për lirinë e këtij populli të shumëvuajtur.
Autorja e shkrimeve të këtyre ngjarjeve me mjeshtërinë e një kronisteje me ide të qarta na sjellë tabllo të tilla veprimesh të cilat të duken sikur i sheh me sy, drejtpërdrejt personazhet dhe vendet ku vepronin. Me një stil dhe gjuhë të qartë, të kuptueshëm autorja rikrijon imazhe pamore, që gdhenden në kujtesë falë edhe figuracionit letrar origjinal të saj.
Xhemajl Kolgeci, shkrimtar
Vraniç, nëntor 2016

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura