PROF.DR.LUFTULLA PEZA: PROVAT PËR LASHTËSINË PELLAZGE TË GJUHËS SHQIPE JANË TË SAKTA, ATO DUHEN STUDIUAR!

Golem, 17 nëntor 2017: Gjuha shqipe është provuar me prova të shumta dhe të pa tjetërsueshme, që është gjuha më e vjetër e shkruar e familjes Indo-Europiane, ku ajo përbën një degë të veçantë. Gjer tashti dokumenti më i lashtë i shkruar i saj ndodhet në Kulturën Pellazge Vinkë-Turdas, ku në poçeri janë gërvishur fjalët: UJI dhe DORA. Gjuha shqipe gjatë historisë së saj të gjatë paraqitet në disa forma: si gjuha pellazge e Vinkës (koha e gurvonit), gjuha e Linearit B (ose e Mikenës) (koha e bronzit), gjuha pellazge e Lemnit, e Homerit, e Athinës dhe Korinthit, gjuha ilire, thrake, dake, hitite, gjuha shumere etj. Të gjitha këto janë stade historike, në kohë të ndryshme, të një gjuhe të vetme, që sot quhet gjuha shqipe. Për të vërtetuar këto janë shkruar shumë studime nga shumë autorë, që meritojnë vemendjen dhe duhet të lexohen para se të ndërmerret diçka për të shkruar për këtë temë.
M.Nano, gazetar dhe shkrimtarë, në librin e tij “Sanduiç” i hedh vështrim të përciptë gjuhës shqipe, por jep përfundim krejt të gabuar:
“…them, që shqiptarët ka shumë gjasa, që rrjedhin nga ilirët, por nuk është një tezë e kopsitur 100%. Jam skeptik për këtë aspekt. Sepse historia kërkon fakte….nuk bindet me pseudofakte”.
Qëndrimin e Nanos e mbështet edhe M.Abazaj, në një shkrim kohët e fundit, ku shkruan:
“Mirëpo a ka të drejtë M.Nano që shpreh skepticizmin e tij për këtë çështje? Unë them po! A janë gjetur
materiale të shkruara në gjuhën ilire për t’i krahasuar ato me gjuhën shqipe të sotme dhe të tregonin lidhjet midis tyre, evolucionin gjuhësor iliro – shqip. Nëse do ta kishim arritur këtë, do t’ia paraqesnim këto fakte botës shkencore, do t’i bindnim ata për gjenezën tonë, për identitetin tonë kombëtar. Por kjo nuk është arritur”. Është për të ardhur keq, që pa i studiuar materialet shkrimore ilire, përhapen këto ide të shtrembta.
Por e vërteta është krejt ndryshe, Ilirët, që përmenden për herë të parë në histori gjatë shekullit 6 p.e.s, . kanë qenë me kulturë të madhe. Provë për këtë është se ata e kanë zotëruar shkrimin dhe kanë lënë shumë mbishkrime, që gjenden në Apolloni, Durrës, Butrint etj. Ata kanë përdorur alfabetin e vet, të trashëguar nga pellazgët, paraardhësit e tyre.

Sot studiuesit shqiptarë, që studiojnë gjuhën shqipe dhe historinë, për problemin e prejardhjes së saj dhe të popullit tonë, janë ndarë në dy grupe kundërshtare:
1-Grupin dogmatik dhe konservator e përbëjnë studiues, që nuk ndërmarrin vetë studime të gjuhës ilire, thrake, pellazge etj., sepse përtojnë dhe ju qëndrojnë besnikë dogmave të mësuesve të tyre. Këta të fundit i bënë shkollat jashtë, në Austri etj., dhe atje mësuesit e tyre, që kishin njohuri të pakta për gjuhën shqipe, ju mësonin se gjuha shqipe rrjedh nga ilirishtja ose thrakishtja, por për këtë nuk ka prova, sepse ilirët nuk e kanë njohur shkrimin etj.
Çabej, Buda etj., pasi mbaruan studimet u kthyen në Shqipëri dhe puna e parë që bënë, ju dhanë studentëve të tyre, atë që kishin mësuar në leksione nga profesorët austriakë. Asnjë herë nuk u ulën për të studiuar vetë ilirishten, thrakishten etj., ndërsa për pellazgjishten, atë e skualifikikuan që në fillim. Kështu me shembullin e tyre personal dhe orientimet e gabuara dhënë nxënsve të tyre, të gjitha gjuhët e lashta të Ballkanit dhe të Anadollit nuk u studiuan asnjë herë dhe nuk studiohen as tani në akademi, Qendrën Albanololgjike, Fakulteti Histori-Filologji etj. Pse ndodh kjo? Ja si shprehet E. Çabej:
Duke folur për prejardhjen e popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij, E.Çabej nënvizon se “shqiptarët janë autokton dhe bashkë me grekët janë populli më i moçëm i Ballkanit”.
“Gjuhët e lashta të Ballkanit për mungesë mbishkrimesh të tyre, mund të thuhet se njihen pak ose aspak. Prej gjuhës së thrakasve ka disa mbishkrime..Prej gjuhës së ilirëve të Ballkanit nuk është gjetur gjer më sot asnjë mbishkrim”. Prandaj të dyja këto gjuhë mbeten pothuajse të panjohura për ne (Çabej, 1977, f.3). Këto i ka huazuar nga të tjerët, vetë asnjë studim nuk ndërmori për gjuhën ilire, thrake, pellazge etj.
Mosnjohja e Çabejt më pas përhapet në botë: “Në se ilirët janë një popull i dokumentuar mirë në antikitet, asnjë mbishkrim i thjeshtë nuk ka mbijetuar nga gjuha ilire”, shkruan studiuesi anglez, që ka studiuar gjuhët europiane, por që pak e njeh gjuhën ilire dhe shqipe (Woodard, 2008, f. 6).
Edhe për gjuhën pellazge, nisur nga mendimet e të tjerëve dhe pa ndërmarrë asnjë studim të vetin, Çabej shprehet:
“Pellazgët në burimet greke dhe romake përmenden si një shtresë etnike paragreke, jo më ekzistuese në periodën antike. Herodoti dhe Straboni flasin për ta për një kohë të lashtë, i paraqesin popull barbar d.m.th. jo grekë dhe me gjuhë të ndryshme nga greqishtja. I lokalizojnë në rajonin e detit Egje, kryesisht në Thesali me përhapje edhe në Epir, Azi të Vogël, Kretë dhe ishuj të tjerë…Ndonëse në kohë të reja janë pohuar disa lidhje të tyre me ilirët e me thrakët, duhet thënë se ai element etnik e gjuhësor, që mund të quhej me rezervë pellazg, për shumë arsye dhe të karakterit gjeografik, nuk mjaftojnë kurrsesi për të pohuar me një farë baze vërtetësie shkencore një birësi pellazge të popullit shqiptar”.
Por arkeologjia jonë ka vërtetuar se nuk ka ndërprerje kulturore në truallin shqiptar, në Ballkan dhe rajonin e Egjeut nga koha e gurit, bakrit, bronzit dhe hekurit. Kjo vërteton se ka përputhje kulturore nga paleohistoria edhe gjatë kohës historike.
Edhe në Encyclopedia Britanica shkruhet:
“The Albanians are apparently the most ancient race in southeastern Europe. History and legend afford no records of their arrival in the Balkan Peninsula”. (Siç duket shqiptarët janë raca më e vjetër në Europën jugëlindore. Historia dhe legjendat nuk afrojnë njoftime për ardhjen e tyre në gadishullin Ballkanik). Këto të dhëna vërtetohen edhe nga shumë autorë të tjerë.
Ja kjo është gjendja profesionale e këtij grupi, që e kanë lënë dhe vazhdojnë ta lë historinë dhe gjuhsinë tonë në prapambetje të madhe, në gjysmën e rrugës, krahasuar me atë të vendeve fqinj, që nuk janë në gjendje të zgjidhin origjinën e gjuhës dhe të popullit të vet, kur në popujt fqinj ky problem është zgjidhur me kohë. Është një zinxhir i ndryshkur: mësuesit e huaj jo plotësisht njohës të problemit, përgatitën nxënës me kualifikim jo të plotë, që kur u kthye në atdhe, me dogmat e mësuara në shkollë u bënë profesorë dhe akademikë, por problemin nuk e shtynë më tutje. Këta mësues nxënësit e tyre i ushqyen me dogmat studenteske dhe kështu prej këtyre nuk përgatitën profesionistë të mirfilltë, por të pa pjekur, jeshilë. Jeshilët gjuhën tonë e njohin deri në mesjetë, tek Formula e Pagëzimit, më tej nuk ka gjuhë shqipe për ata. Po kështu historia jonë është mbyllur brenda 28 mijë km2, që na la Konferenca famëkeqe Londrës, maqedonët, thrakët, arvanitët, hititët etj., nuk kanë asnjë interes të studiohen. Nga kjo shqiptarët e maqedonisë, Kosovës, arvanitët e Greqisë, arbëreshët e Italisë janë “dyndje” nga Shqipëria, që kanë shpërngulur sllavët, grekët, italianët etj. nga vatrat e tyre. Në këtë çështje historianët tanë përputhen me historianë grekë dhe sllavë.
Ja mendimi i Akademisë së Skencave të Maqedonisë:
“Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur nga Shqipëria veriore. Ata kanë kolonizuar viset në Maqedoni në shekullin e XVI, duke dëbuar maqedonasit nga shtëpitë e tyre. Vërshimin e tyre drejt Maqedonisë e ka mundësuar Ali Pashë Tepelena. Shteti i parë shqiptar është formuar nga Gjermania fashiste, e cila kufijt e këtij shteti i zgjeroi në rajonet e Maqedonisë Perëndimore. Shqiptarët, veç të tjerash, njihen edhe si malokë, primitivë”.( Enciklopedia e Maqedonisë).
Këto shpifje për shqiptarët i kanë thënë më përpara historianët serb, që përpiqen të argumentojnë se shqiptarët në Kosovë, Preshevë, Sanxhak etj., kanë ardhur nga Shqipëria.
Studiuesit konservatorë janë jo serioz, që mbështesin gjykimet e të tjerëve, pa ndërmarrë vetë studimet e duhura mbi gjuhën pellazge, ilire, thrake dhe historinë e tyre apo historinë e tyre. Si të tillë këtyre nuk duhet besuar, pasi nuk ndjekin rrugën shkencore.
Këta kaq dinë e kaq bëjnë, deri sa të kujtohet punëdhënësi, shteti, ministria dhe ti kontrollojë, tu kërkojë llogari dhe drunjtë e shtrembët ti zëvëndësojë me studiues të rinj të pasionuar, që të çojnë punën përpara.
Asnjë studiues serioz në botë nuk jep përfundime, pa u bazuar në vrojtimet e veta, duke shfrytëzuar të gjitha burimet letrare. Vetëm në Shqipëri u gjetën “studiues”, që nuk studiojnë vetë gjuhët e lashta, nuk i lexojnë të gjitha burimet letrare, por japin përfundime, ku ju qëndrojnë besnikë dogmave të mësuesve të tyre. Qendrimet e këtyre studiuesve të mefshtë dhe me përgatitje të mangët, i sjellin dëm të madh gjuhës, historisë dhe kulturës sonë; nga njera anë vetë nuk i studiojnë gjuhën pellazge, ilire dhe gjuhët e tjera të lashta ballkanike si motra me te, por nga ana tjetër shpërfillin shumë studime mbi këto gjuhë. Kjo përbën skandal në gjuhësinë tonë, që Ministria e Arsimit dhe e Shkencës nuk duhet ta tolerojë më gjatë.
Sot është e vërtetuar plotësisht se gjuha pellazge, ilire, thrake, hitite etj., janë mjaft të afërta me gjuhën shqipe, që vërtetojnë se gjuha shqipe rrjedh prej tyre.
2-Grupi realist, përbëhet prej studiuesve, të cilët vetë kanë ndërmarrë studimin e gjuhëve të lashta dhe në bazë të këtyre studimeve ka rezultuar se mbi bazën e shumë provave, gjuha shqipe ka afërsi të madhe me gjuhë e lashta: pellazge, (Krispi, De Rada, Kamarda, Thomopoulo, Kola, Peza & Peza, M.Abazaj, Kocaqi, I.Mati etj.), gjuhën ilire (N.Vlora-Falaski, Peza & Peza, I.Mati etj.), gjuhën etruske (Majani, N.Vlora-Falaski, Stilo, P.Laze etj.), gjuhën thrake, dake, hitite dhe gjuhët e tjera të lashta të Anadollit (L.Peza & L.Peza), gjuhën e lashtë shumere (A. Shuke), gjuhën sanskritre (F. Adamidi, P.Xheji), gjuhën koptike (F. Shiko), gjuhën e lashtë të Egjiptit (Katapano) etj. Studiuesit e sotëm punojnë vullnetarisht, nga pasioni dhe dashuria, që kanë për gjuhën dhe kulturën kombëtare. Shoqëria jonë ata nuk i paguan, megjithse i japin asaj vlera mjaft të mëdha, të pallogaritshme.
Cilat janë dallimet thelbësore midis përfaqësuesve të grupit realist dhe atij dogmatik?
TEZAT E DOGMATIKËVE:
-Gjuha shqipe rrejdh nga ilirishtja, por nuk ka dokumente shkrimore, ilirët nuk e njihnin shkrimin,
-Mbishkrimet në Durrës, Apolloni e gjetkë i përkasin gjuhës greke,
-Nuk përfillin themeluesit e albanologjisë: N.Keta, Z.Krispi, J. Hahn, De Rada, Kamarda dhe ndjekësit e tyre I.Tomopollo, S. Konda, Z.Majani etj.
-dokumenti më i hershëm i shkruar i gjuhës shqipe është “Formula e Pagëzimit” e shekullit 15,
-letërsia shqipe fillon me Mesharin, shek. 16;
-lidhje të gjuhës shqipe me gjuhë pellazge nuk ka,
-kërkesa që të zgjidhet origjina e gjuhës shqipe dhe e popullit shqiptar është “kërkesë romantike” e shekullit 18,
-arvanitët, shqiptarët e Maqedonisë, kosovarët, arbëreshët, nuk janë autotoktonë, por emigrantë nga Shqipëria gjatë mesjetës, ku përputhen me historianët sllavë dhe grekë,
-studimin e historisë dhe gjuhës shqipe e kanë kufizuar vetëm brenda 28 mijë km2, që na la Konferenca e Londrës, në kundërshtim me të vërtetën historike. Kanë lënë jashtë studimit rajonet e lashta shqipfolës të Ballkanit, Anadollit deri në Mesopotami, Itaslisë, Egjiptit etj. Kjo është masakër në historinë tonë.
Dogmatikët janë studiues të formuar nën ndikimin e dogmave të vjetruara të shekujve të kaluar, nuk përqafuan mendimin më përparimtarë të kohës, nuk studiojnë, kanë përfunduar doktoratura dhe studime, mbështetur në dogmat e të tjerëve. Prandaj në to ka mangësi serioze, që koha nuk i pranon. Teza antipellazge, që mbështesin është antishkencore, mbrojnë me fanatizën studimet e tyre gjysmake, që koha po i hedh poshtë çdo ditë. Këta i sjellin dëm të madh kulturës sonë.
Një nga përfaqësuesit më të zellshëm të dogmatikëve është M.Korkuti, i cili nuk len rast pa sulmuar prejardhjen pellazge të popullit dhe të gjuhës shqipe. Në vend të ndjekë rrugën shkencore, të bëjë oponenca të studimeve, të kundërshtojë provat për tezën pellazgjike, ai ndjek rrugën e thashethemeve, të përfoljes së këtyre studimeve dhe të autorëve të tyre, që atë nuk e nderon.
TEZAT, QË MBROJNË REALISTËT
-Gjuha shqipe rrjedh nga gjuha pellazge, nëpërmjet gjuhës ilire, maqedone, dardan, thrake, hitite, shumere etj.,që vërtetohet me shumë mbishkrime nga këto gjuhë të lashta, që përputhen me gjuhën shqipe,
-Mbishkrimet në Durrës, Apolloni e gjetkë i përkasin gjuhës ilire dhe jo greke,
-Dokumenti i shkruar më i hershëm në gjuhën shqipe ndodhet në Kulturën Pellazge Vinkë-Turdas:janë të shkruara fjalët: UJI e DOR, mijëvjeç. VI p.e.s.
-Letërsia shqipe fillon me Iliadën dhe Odisenë e Homerit,
– Origjina e gjuhës shqipe dhe e popullit shqiptar janë të zgjidhura përfundimisht: ata rrjedhin nga pellazgët,
-Pellazgët shpikën alfabetin, që e trashëguan ilirët, maqedonët, jonët, athinasit, grekët dhe romakët.
-Origjina e gjuhës shqipe dhe e popullit shqiptar është kërkesa nr. 1 për të gjithë studiuesit
-Studimet e Ketës, Krispit, Hahnit, De Radës, Thomopoulos, Kondës, Majanit janë themelet e albanologjisë,
-arvanitët, shqiptarët e Maqedonisë, kosovarët, arbëreshët janë mbetje të popullsisë autoktone shqipfolëse pellazge në këto vende.
-Për studimin e saktë të historisë sonë duhet të studiohet historia e popujve të lashtë të Ballkanit, Anadollit deri në Mesopotami, Italisë, Egjiptit të lashtë dhe Mesdheut, ku kanë qenë shtrirë në kohrat e lashta shqipfolësit.
Studiues seriozë i kanë studiuar vetë gjuhët, kulturat dhe qytetërimet e lashta dhe rrjedhimet i kanë tepër të bazuara shkencërisht, prandaj studimet e tyre duhen besuar dhe pranuar plotësisht.
DOKUMENTE SHKRIMORE ILIRE
Më poshtë po paraqesim disa nga mbishkrimet ilire, nga Durrësi, Apollonia, trajtuar më parë nga N. Vlora (2004). Këto vërtetojnë se ilirët e kanë zotëruar shkrimin dhe e kanë shkruar gjuhën e tyre. Këto mbështesin mendimin e vazhdimësisë gjuhësore iliro-shqiptare.

1-MBISHKRIMI ILIR “FIMIA” . Është gjetur në Apolloni (Fier) (fig. 1) dhe i përket shekullit III p.e.s. Është shkruar me germat e mëdha të abecedarit pellazgo/ilir:
FIMIA XIYNERON XAIRE = FËMIA HYJNERON HAIRE,
që donë të thotë: Fëmija ka mbritur në qiell tek zoti (Hylli), i qoftë me hajër.
Në muret e enës është gdhendur edhe kryqi ilir. Shumëkush mendon se kemi të bëjmë me kryqin e krishterë, por ky është kryqi pellazgo/ilir, i përdorur gjatë shekullit të III p.e.s., i cili e ka origjinën e tij nga pellazgët e Vinkës dhe u trashëgua nga ilirët dhe popujt e tjerë. Më pas kryqin si simbol të vetin e bëri kristianizmi në Perandorinë Romake në fillimet e erës sonë.
Nga mbishkrimi “Fimia” kemi tri fjalë ilire, që me ndryshime fare të vogla, përputhen me fjalët e sotme të gjuhës shqipe: FIMIA=FËMIA, XIYNERON= HYJNERON, XAIPE= HAIRE, për hajër.
Siç shihet fjalët ilire janë njëlloj me fjalët e sotme të gjuhës shqipe, pavarësisht se ka ndryshime të vogla në drejtshkrim. Nga ana tjetër edhe germat e përdorura në mbishkrim janë germa të abecedarit pellazg, i cili shfaqet për herë të parë në Qytetërimin Pellazg Vinkë-Turdas-Dispylio, gjatë gurvonit, mijëvjeçari 6 p.e.s.

2-MBISHKRIMI “KALIN” (fig. 2), është gjetur në Apolloni dhe i përket shekullit III p.e.s.
= KALIN HAIRE = KA LIN (dur) PËR HAJËR = KA LINDUR [fëmija], QOFTË ME HAJËR. Në këtë mbishkrim fjalët ilire janë shkruar me germat pellazgo/ilire dhe të gjitha këto fjalë janë në përdorim sot në gjuhën shqipe. KA=KA, ΛHN = LIN, lindur, XAIPE=HAJRE

IV-MBISHKRIM NGA DURRËSI (fig.3) i përket shekujve II-I p.e.s. Durrësi është themeluar në vitin 627 p.e.s. nga ilirët në një vendbanim neolitik më të lashtë. Për deri sa ky qytet i lashtë ka dy emra Epidamn dhe Dyrrah, ka mundësi që të kenë qenë fillimisht dy vendbanime neolitike njeri pranë tjetrit, me emrat përkatës, të cilët me zmadhimin e tyre u bashkuan më vonë, prandaj mbetën të dy emrat e lashtë, që vijnë nga gjuha ilire: EPIDAMN = kur E PI të bën DAMN (= dam); DYRRAH = DY RRAH = Dy rrathë, dy kodra.
Në mbishkrim, gdhendur me germat pellazgo/ilire, lexojmë: TEITOCTEIMHNOC XAIPE = ku po të ndahen fjalët bëhet: TE I TOC TE I MH NOC XAIPE, ku po të plotësohen germat e shkurtuara bëhet:TE IS TOK TE IS MADHE NOC HAIRE. Pra kuptimi i gjithë është: TI JE NË TOKË, TË ËSHTË NATË E MADHE, ME HAJËR.
Vihet re që të gjitha fjalët ilire të mbishkrimit janë njëlloj si në gjuhën e sotme shqipe.
Në mbishkrim vejmë re që fjala “NOC” = “NOT”apo “NAT” shënohet si fjalë pellazgo/ilire, që shpreh natën, por që ka hyrë edhe në gjuhët sllave p.sh. në gjuhën çeke NOC ose gjuhën ruse NOÇ. Këtu kemi një shembull të ndikimit të gjuhës ilire mbi gjuhët e tjera Indo-Europiane dhe konkretisht në gjuhët sllave. Ka edhe mjaft mbishkrime të tjera, që duhen studiuar.
AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE VARET NGA PRANIMI I TEZËS PELLAZGJIKE
Ka një mospërputhje të thellë në veprën e Çabejt dhe në gjuhësinë shqiptare: nga njëra anë pranojnë autoktoninë e ilirëve dhe shqiptarëve, por nga ana tjetër nuk pranojnë asnjë lidhje të tyre me pellazgët. Ahere nga erdhën ilirët? Ka dy mundësi për prejardhjen e ilirëve: ilirët ose kanë ardhë nga jashtë, emigruan nga vende të tjera në truallin e tyre ballkanik, pra janë të ardhur, ahere ilirët nuk janë autoktonë. Mundësia e dytë, iliët janë vendas, autoktonë dhe në këtë rast ata e kanë origjinën në popullatën e lashtë, parailire, që ka populluar Ballkanin dhe rajonin e Egjeut.
Për mundësinë e parë, të ardhjes së ilirëve nga jashtë, shkenca nuk ka asnjë të dhënë, edhe arkeologjia jonë e kundërshton tezën e ardhjes së ilirëve. Ngelet vetëm mundësia e dytë, që ilirët e kanë origjinën në popullatën parailire, që ka banuar rajonin Ballkanin, Egjeut dhe Mesdheun, që ahere quhej Pellazgjia (Herodoti). Kjo popullatë më e lashtë se ilirët dhe vëllezërit e tyre të një gjaku: thrakët, maqedonët, epirotët, dakët etj., që ka banuar Ballkanin dhe rajoninn e Egjeut njihen nga historia si pellazgë nga Homeri në Iliadë dhe Odise dhe nga Herodoti etj. Pra mundësia e vetme është që ilirët e kanë origjinën nga pellazgët
Këto teza mbështeten edhe nga studiuesit serioz grekë, që skruajnë:
“ Pellazgët janë stërgjyshër të shqiptarëve të lashtë, të cilët banonin në pjesën më të madhe të botës, që njihej asokohe. Ata ndërtuan vepra me vlera kolosale, që ja kanë lënë trashëgim njerëzimit”. (Enciklopedia e Madhe Greke, 1932, vëll. 19, faqe 873, që ndodhet në Bibliotekën publike “Sh. Musaraj, Vlorë, cit. nga Ç.Hoxha).
Studiuesi italian i kohës sonë Domenico Raso, në librin e tij “La cereali nella Calabria Pelasgica” 2011, shkruan:
“Kur pellazgët unë i gjej në Kalabri, Siceli e Toskanë, si ka mundësi të mos i njohin shkencëtarët shqiptarë? Nuk është i tyre mali i perëndive pellazgjike Tomorri? Mirë ata grekë nuk i njohin, pasi u rrëxojnë të pangriturën ndonjëherë Greqi, por paska edhe shqiptarë?”
Për deri sa shkenca pranon pa asnjë dyshim, që ilirët kanë qenë autoktonë në truallin ku kanë jetuar, duhet të pranohet pa asnjë mëdyshje edhe prejardhjen e tyre nga popullata më e vjetër, para ilire, pellazgjike, që ka banuar këtë truall. Mënyrë tjetër shpjegimi shkencor nuk ka.
Kush nuk i bindet këtij arsyetimi shkencor, është larg arsyes shkencore, larg qëllimit shkencor, që mbështet vetëm të vërtetën dhe vepron qëllimisht kundra kombit shqiptar.
Abuzimi i disa studiuesve me këtë çeshtje, tejkalon çdo llogjikë shkencore. Ata pranojnë autoktoninë e ilirëve, por nuk pranojnë prejardhjen e tyre nga popullata para ilire e kohës së bronzit, që ka banuar Ballkanin, popullata pellazgjike. Ky qëndrim përbën shkelje të rëndë të arsyetimit shkencor, që dëshmon për mangësi në përgatitjen profesionale dhe dallavereve jashtë shkencore.
Golem, 17 nëntor 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura