BESNIK IMERI: PAIONIA E RE (III)

Vlorë, 4 gusht 2020:
Mbretëria e Maqedonisë në periudhën helenistike e eklipsoi shkëlqimin dhe zulmën e paionëve, madje ata u bashkuan dhe u shkrinë me maqedonsit; ashtu si epirotët, në periudha rënie u shkrinë me maqedonasit. Prandaj edhe Straboni, në ndonjë rast i shtrin maqedonasit deri në bregdetin e Epirit. Kjo, pasi kishin një gjuhë, të njëjtat zakone dhe tradita, madje dhe të njëjtën veshje. Prandaj edhe Han i quan Ilirët, Epirotët dhe Maqedonët si farëefis me njëri tjetrin.

Neritan Ceka duke ju referuar Strabonit (VII, 326) na thotë: “…gjithë viset gjer në Korkyrë disa madje i quajnë Maqedoni, për arësye siç thonë, se banorëte këtyre krahinave përdorin edhe të qethurën edhe të folurën, edhe klamydën, dhe gjëra të tjera në mënyrë të ngjashme, e disa janë dygjuhësh…”.1
Plutarku, kur rrëfen betejat e Pirros së Epirit me maqedonasit, në një rast Pirrua u fut midis rreshtave të ushtrisë maqedonase dhe u foli ushtarëve maqedonas (në një gjuhë shumë të kuptueshme për ta) që të braktisnin mbretin e tyre, Antigonin, gjë që ata e bënë me kënaqësi. Pra, gati gati ishin i njëjti popull.
Lidhur me këto ngjarje, Neritan Ceka në librin e vet “Ilirët” duke ju referuar Leonidës së Tarentit, tregon:
“Më 274 p.e.s, Pirroja u ndesh me Antigon Gonatin, mbretin e Maqedonisë (283-239), që po futej në Epir nga ana e Stenave të Antigonesë. Ai goditi praparojën e ushtrisë maqedone, të përbërë nga mercenarë galë, dhe pastaj ju drejtua falangës maqedone, duke e përfunduar luftën në një mënyrë të pazakontë. Plutarku (Pyrrh.24/8), që e tregon këtë ngjarje, shkruan se Pirroja “…duke ngritur dorën e djathtë dhe duke thirrur me emër strategët edhe taksiarkët (oficerët) tërhoqi pak nga pak me vete të gjithë këmbësorët e Antigonit, i cili iku…”.

Ilustrimi © Pashtriku.org

Nga plaçka e luftës, mburojat maqedonase u ekspozuan në tempullin e Zeusit të Dodonës, kur një pjesë e mburojave gale iu kushtuan tempullit të Athinasë Itone në Thesali, të shoqëruar me mbishkrimin në vargje të poetit Leonida i Tarentit: “Pirro Molosi ia kushton Athinasë Itone këto mburoja, që ua hoqi galatëve të fortë, pasi shkatërroi gjithë ushtrinë e Antigonit, dhe nuk është kjo një çudi e madhe, sepse aiakidët janë dhe tani luftëtarë, siç kanë qënë në të kaluarën”.2
Nga këto që u thanë më lart mund të mendojmë, se gjuha që flisnin Maqedonasit e lashtë, por edhe Paionët e lashtë, duhej të ishte shumë afër gjuhës së epirotëve. Fakti që Straboni në prag të erës së re i quan maqedonasit dhe epirotët gati si dy popuj të njëjtë, nga zakonet, traditat, veshja, madje edhe mënyra e të qethurit, që në lashtësi ka qënë aq e rëndësihme, sa që ndante popujt njeri nga tjetri; tregon se gjuha e tyre duhej të ishte i njëjti dialekt i pellazgjishtes, dhe, po të shprehemi me terma të sotshëm, maqedonasit duhet të kenë folur toskërisht, pra kanë qënë toskë.
Në të mirë të kësaj teze na vjen fakti, që kur Genti bëri marrëveshje kundër romakëve me mbretin maqedonas Perseun, të dërguarit e Perseut u paraqitën tek Genti me përkthyes, pasi nuk mund të merreshin vesh. Kjo tregon, për mendimin tim, se dialekti “geg” i Gentit ishte pak i vështirë për t’u marrë vesh me dialektin “tosk” të të dërguarve të Perseut.
Rrjedhimisht edhe ndryshimet e kufijve të dardanëve, maqedonasve, epirotëve, enkelejve, dasaretëve, parthinëve, taulantëve, ardianëve, labeatëve, diokleatëve etj ndiqnin parimin e fizarmonikës dhe madhësitë e shteteve të tyre ishin në përpjestim të drejtë me forcën e mbretërve të tyre, ndërsa Krahinat apo fiset, po themi, mbeteshin po ato pa asnjë ndryshim, pavarësisht se kush mbret i sundonte. Të njëjtën gjë vërejmë edhe në mesjetë, ku krahinat në zotërim të Arianitëve, Balshajve, Topiajve, Muzakajve, Dukagjinëve, Katriotëve etj, ishin të ndryshueshme në varësi të fuqisë së krerëve të tyre.
Maqedonasit në antikitet ishin pellazgë; sot, padyshim, nuk janë paraardhës as të grekëve, as të sllavo-bullgarëve; por pa asnjë diskutim quhen dhe janë të parë të shqiptarëve.
Por duhet të themi dy fjalë edhe për maqedonasit e lashtë. Çfarë janë ata trakë, helenë, argas apo paionë?! Për të kapur fillin e krijimit të shtetit maqedon dhe Maqedonisë së lashtë, mirë është të fillojmë nga legjendat. Çfarë thonë ato?
Herodoti tregon si origjinë të mbretërve maqedonas Argosin Pellazgjik në Thesali: “…Katragjyshi i Aleksandrit (bëhet fjalë për Aleksandrin e Parë, aleatin e Kserksit), në brezin e shtatë ishte Perdika, që kishte shtënë në dorë fronin e Maqedonisë në mënyrën që vijon. Nga Argosi ishin aratisur në tokën e Ilirisë tre vëllezër, pasardhës të Temenit: Gavani, Aeropi dhe Perdika. Nga Iliria ata kaluan në Maqedoninë e epërme dhe mbritën në qytetin Lebea…Vëllezërit arritën në pjesën tjetër të Maqedonisë në këmbë të malit Berni, që për shkak të të ftohtit të madh është i pakalueshëm në dimër. Dhe që nga shpatet e këtij mali, që kishin shtënë në dorë,, ata nënshtruan në fillim tokat përreth dhe pastaj, edhe pjesën tjetër të Maqedonisë…”.3
Nga sa thotë Herodoti del, se origjina e mbretërve maqedonas është pellazgjike, pasi ata janë nga fisi i Temenidëve të Argosit pellazgjik në Ftiotidë, Histeotidë apo Thesaliotidë. Ndërkohë, që emërtimi Maqedoni atëhere nuk përdorej, por Herodoti e përdor për lehtësi orientimi. Me siguri që nga Lebea të tre vëllezërit duhet të jenë larguar në drejtim të lindjes, ose të jugut, në malin Berni, ku ishte edhe epiqëndra e shtetit të ardhshëm maqedon. Tani ku është ky mal, vendësit duhet ta dinë më mirë, pasi ai është i pakalueshëm në dimër dhe besoj se mund të identifikohet sot. Ky mal mund të jetë edhe pjesë e vargmalit të Pindit.
Edhe Tuqididi shkruan se të parët e Maqedonisë ishin Temenidë të ardhur nga Argosi. Aty, në këmbë të malit Berni, mendohet se Perdika I u shpall mbret rreth vitit 700 p.e.s. Pas Perdikës vijnë këta mbretër: Argausi, Filipi I, Aeropi, Alketi, Aminta. Autorë të tjerë, përfshirë dhe Plutarkun, cilësojnë si themelues të dinastisë maqedonase Karanon nga Argosi (815 p.e.s). Pas këtyre mbretërve dinastia maqedonase vazhdoi me këta mbretër:
-Aminta I (540-500 p.e.s). tek ai mendohetse ështëstrehuar Pisistrati dhe më vonëdhe i biri i tij Tirani Hipia në vitet 510 p.e.s.
-Aleksandri I (500-454 p.e.s). Ai bashkëpunoi me persët në vitin 493 p.e.s me Mardonin. Aleksandri I strehoi Themistokliun në Pidna, kur ai u largua nga Mollosia (nga Admeti).
-Perdika II (454-413). Ai vendosi kryeqytetin në Edesa. Hipokrati (460-375) nga Kosi ishte mjek tek Perdika (Tuqididi-2.100).
-Arkelau (413-399 p.e.s). Euripidi shkoi tek Arkelau. Arkelau ndërtoi shumë kala dhe rrugë të drejta (Tuqidi-2.100).
-Mbretër të tjerë: Oresti dhe Aeropi II (399-394), Aminta II (393-369), Aleksandri II (369-364), Ptolemeu (366-364) dhe Perdika III (364-360).
-Filipi II (359-336) ishte djali i Amintës II. Në vitin 359 p.e.s ai e vendosi kryeqytetin në Pela. Nga perëndimi ai kufizohej me Epirin. Nga veriu me Ilirinë dhe Paioninë. Në lindje lumi Strimon ishte kufiri me Trakët. Në jug kufizohej me kolonitë greke të Kalkilikisë. Filipi mposhti helenët në betejën e Keronesë në vitin 338 p.e.s dhe krijoi Lidhjen e Korintit.
-Aleksandri III (336-323 p.e.s) i mbiquajtur Aleksandri i Madh…”.
-Pas vdekjes së Aleksandrit, perandoria u nda: Antipatri, Maqedoninë dhe Greqinë; Lisimaku, Trakën; Antigoni, Azinë e Vogël; Ptolemeu, Egjiptin; Perdika, Azinë. Në vitin 275 p.e.s ajo u nda: Seleukët në Azi; Ptolemeu në Egjipt; Antigon Gonati në Maqedoni.
-Antigon Gonati (275-243) u ndesh me Pirron e Epirit.
-Demetri II (243-225); Antigon Dosoni (225-220). Në 222 bëri aleancë me Demetër Farin.
-Filipi V (220-179). Në vitin 219 strehoi Demeter Farin në Pela. Në 217 bëri aleancë me Kartagjenën,por nuk zbarkoi në Itali duke e lënë Hanibalin vetëm në vitin 215. Në vitin 214 sulmoi ushtrinë romake në Apolloni dhe Orik. Lufta e I maqedonae (214-205). Në vitin 205 Roma beri paqe me Filipin në Foinike.
Në vitin 201 sulmoi qytetet helene në Egje dhe Azi të Vogël, sulmoi Trakën duke kaluar Strimonin dhe doli në Helespont. Lidhja Etole i kërkoi ndihmë Romës.
Në vitin 200 romakët zbarkuan në Apoloni dhe me ta u bashkuan ilirët (Skerdilaidi dhe Pleurati). Në vitin 198, Lufta II Maqedone. Flamini mundi Filipin. 197 paqja në Qinosefali. Maqedonia dorëzoi flotën, zotërimet në Greqi, 5000 ushtarë, haraç.
Lidhja Etole dhe Sparta u bashkuan me Antiokun e Sirisë kundër Romës në vitin 191.
-Perseu (179-168), vrau të vëllanë Demetrin. Në vitin 171 romakët zbarkuan në Apolloni. Perseu nuk i dha Gentit 300 talente ar për të paguar10.000 mercenarët galë. Në vitin 168 Paul Emili e mundi Perseun në Pidna. Romakët rrafshuan të gjitha kalatë, mbyllën minierat e arit.4
Në të mirë të kësaj teze, të origjinës pellazgjike të maqedonasve, flet edhe Zaharia Majani, i cili në shpjegimin që u bën disa fjalëve në maqedonisht gjen kuptimin e tyre tek gjuha shqipe: “…një fjalë maqedonase me interes të madh është ajo që përdoret nga Aleksandri i Maqedonisë në një prej letrave të tij: “skoidos”, të cilën Fon Hahnn-i e shpjegon si një lloj drejtuesi që Aleksandri dëshironte të angazhonte. Fon Hahnn-i e krahason këtë me fjalën shqipe “skuter”, “prijës i barinjve” (I, f. 227). Fillimisht unë kisha menduar për shqipen shikoj, “me vrojtue, me kqyr”…për ta bërë skoidos një mbikqyrës; do të nënvizonim shqipen “shkues”, (“lajmës, ndërmjetës”);por folja “shquaj, shqoj” do të përshtatej më mirë…”. 5 Unë mendoj, se ndoshta, më e përshtatshme do të ishte emri “shques” i njëjtë me atë që sot quhet zbulues.
Zaharia Majani flet edhe për një fjalë tjetër maqedonase, “indea”: “Sipas Kretschmer-it, fjala “indea” e maqedonishtes do të thotë “mesditë”. Unë këtë e shpjegoj me foljen shqipe “hinj”, “me hy” (M,164) “hyrja”, “fillimi i ditës”, sepse sipas O.Muller-it, dita etruske fillonte në mesditë.” 6
Nga referenca e mësipërme mendoj se përqasja e kësaj fjale maqedonase me shqipen është e drejtë. Por, sipas meje, Kretschmer-i është afruar tek kuptimi i saktë i saj. Përse? Sepse në shqip “hin-hyn dita” është me të njëjtin kuptim si shprehja “thyhet dita”, pra kalon mesdita, sepse pas mesditës dita fillon dhe pakësohet, të humbasë; njësoj si hëna kur fillon dhe zvogëlohet, që në gjuhën e popullit thuhet “hahet” ose “hin”; njësoj si teshat, për të cilat thuhet “hin-hyn në ujë”, pakësohen, zvogëlohën. Madje, në shqip, të vjetrit, qysh nga ora dymbëdhjetë e drekës dhe më tutje, kur takoheshin përshëndeteshin me shprehjen: “Si u ngryse”, një shprehje e njëjtë me “mirëmbrëma”. Kjo, si u ngryse, tregonte kahun e lëvizjes së ditës drejt mbrëmjës, pra ngrysjes. Dhe ky kah fillon në dymbëdhjetë e një minutë. Pra fillonte në mesditë – “hin-dita”.

VIJON …
___________
Referenca:
1 Neritan Ceka, “ Ilirët”,Bot.ILAR-2001, f, 224
2 Neritan Ceka, “ Ilirët”,Bot.ILAR-2001, f, 96-97
3 Herodoti, “Historitë”, L.IX, 137, 138, f, 502-503
4 Edvin Jasques, “Shqiptarët”,Bot.ILAR, f. 97,-102, 104, 107, 133
5 Zacharie Mayani, “Etruskët fillojnë të flasin”, Bot.F.Noli-2018, përkth.K.Hajdëri, f, 455
6 Zacharie Mayani, “Etruskët fillojnë të flasin”, Bot.F.Noli-2018, përkth.K.Hajdëri, f, 454
***
BESNIK IMERI PAIONIA E RE (II)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10339

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura