Pashtriku.org, 17 nëntor 2017: Dy ditë para mbajtjes së balotazhit mes kandidatit të Vetëvendosjes dhe atij të PDK-së, dega e LDK-së në Prizren ka thyer heshtjen duke dalë publikisht pro Vetëvendosjes. Tashmë LDK ka ndezur motorët për të mobilizuar strukturat për të bindur elektoratin e tyre për daljen në zgjedhjet e së dielës.
Gjatë ditës së sotme, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Prizren zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar për vendimin që do të marrin për zgjedhjet e 19 nëntorit.
Në fund dega ka vendosur në mënyrë unanime që të mobilizohen strukturat në mbështetje të kandidatit për Kryetar të Prizrenit nga radhët e Vetëvendosjes në Prizren, Mytaher Haskuka.
“Dega e LDK-së në Prizren vendosi sot që të mbështes kandidatin e VV-së, z.Mytaher Haskuka në zgjedhjet e së dielës. Pas diskutimeve, kryesia e LDK-së në Prizren kërkoi që të dilet në terren dhe të kërkohet mobilizim për të ndëshkuar PDK-në. Vendimi i Kryesisë është që të vazhdohet përkrahja për VV-së dhe largimin e keqeverisjes së keqe në Prizren”, – thanë burime brend kryesisë së LDK-së.
Më herët dhe kandidati i LDK-së, Hatim Baxhaku por dhe kreu i degës Haxhi Avdyli kanë deklaruar mbështetjen e tyre për kandidatin e “Vetëvendosjes”. Dihet se votat e LDK-së do të jenë përcaktuese për zgjedhjen e kandidatit të ri të komunës së Prizrenit.