BASHKIM ABAZI: PASOJAT NEUROTIKE TË IDEOLOGJISË

Tiranë, 04. 09. 2015: Edhe pse nuk e dëshiron, qenia humane është e detyruar të ndjekë fatin e saj. Ekzistenca dhe sprova e ideologjisë nuk i përshtaten qenies transhendente, por fillesave të kushtëzuara burimore, që nuk e shmangin antropomorfizmin e saj. Nisur nga dyshimi për hullitë ideologjike të trazuara dhe mbi baza interesi jo vetëm të politikës anglo–saksone referoj me bindje iluminizmin e shek. 18 dhe ecuritë e tij në kohën moderne. Janë prezentë në pjesë të mirëpërcaktuara të orbis dhe gëlojnë të njëjtat mërmërima të shpirtrave të etur për pushtet dhe lavdi. Të jetuarit e përditshëm nëpërmjet mendimit përbën jetën e epërme. Jemi thjesht jashtë idesë dhe brenda vetëdijes tunduese të efektit të saj neurotik.
Në lojë, jo vetëm londineze, është ekzistenca e miteve, mitologjive dhe doktrinave pragmatiste të qartësuara nga e njëjta strukturë mendimi dhe veprimi, përjashtimisht të paarritshme për politikën dhe kryesisht të adaptueshme për të zgjedhurit. Në lojë është brezi i ri i liderëve elitarë, të seleksionuar edhe me vullnet trashëgimie folëse për një gjë, tundues për privilegje dhe memec për gjithçka.
Në lojë janë riciklimet e rrënjëzimeve historike, që nuk burojnë nga formësimet politike, as nga parullat, simbolet apo tingujt therës të kryqëzatave social–politike, por nga vetëdije primitive dhe shërbesa riti pagan.
Në lojën e fillimshekullit është rindarja, jo ribërja, e energjisë dhe territorit. Jam tejet i qartë për vizionin e nisur të projektit monark V. 1970 dhe pritshmëritë e tij në fundvitin 2025. Fabula e Zenonit “qeni shkon nga e tërheq hunda e vet” përligj kategoritë filozofike të mundësisë dhe realitetit, rastësisë dhe domosdoshmërisë. Mjerisht, në më shumë se dy dekada, mjedisi ynë ka përtypur me dhimbje psikoza të një ideali dhe idhulli politik të tjetërsuar nga i njëjti mentalitet, ndjesitë e të cilit do të vazhdojnë të trazojnë shpirtrat e lodhur të shqiptarëve.

(Ilustrimin e përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Përtej logjikës dialektike dhe në model kritik do të na duhet të përtypim të përkorë ligjësitë e pathyeshme të vendimmarrjeve jashtë dëshirës dhe vullnetit të kombeve. Jemi në kohën e çrregullimit të informacionit global me realitetin rajonal dhe kombëtar, duke demonstruar foshnjërinë e mendimit për ideologjinë dhe fizikën semantike. Për këtë na nevojitet si ajri dimensioni i katërt i kohës – e vërteta dhe jo mashtrimi, gënjeshtra, iluzioni, demagogjia, propaganda…
Mjaft ideologji me doktrina dhe parulla janë regjistruar në memorien e kombeve, duke i fshehur apo mos shpjeguar qëllimet e tyre dhe duke e nënkuptuar deshifrimin e ligjësive të arsyetimit logjik. Çdo entitet politik, brenda dhe jashtë llojit ideologjik, është i përfituar nga bërthama themelore, indet e së cilës ofrojnë boshllëk, mister dhe informacion të dekoduar.
E drejta e fjalës u përket elitave të mendimit logjik. Përtej vështrimeve shpotitës dhe therës do të na duhet të kapërcejmë me dhimbje çdo model apo sistem të një futurologjie memece. Koha dhe standardi i intelektit e teknologjisë e ka reduktuar kritikën e gjatë. Kam parazgjedhur qëndrime pranë universit të së vërtetës, pa e deklaruar atë, për të qetësuar shpirtin tim ngatërrestar.
Ideologjia është mbi filozofinë dhe fatkeqësinë e filozofëve të përfshirë në politikë. Ideologjia ka sunduar me modele edhe më barbarë, edhe më të fshehur sesa demokracia, një krijesë në fundin e dritës astral të Yjësisë së Luciferit. Pubertetet dhe lehonitë e sistemeve dhe mekanizmave funksionalë të tyre janë rrjedha të gjalluara nga interesa të pandryshuar të dominimeve me lulëzim dhe rrënjë të perandorive. Jemi në kohën e duhur për pllenimin e germave kuineforme me sistemet automatike të teknologjisë së dhënë me receta mjekësore të një eksperimenti dyshues dhe përpunues për qenien humane.
Larg energjisë negative dhe brenda sferës së qelqit do të na duhet të maturohemi për t’u mos u endur në tretësirën asfiksuese të absurdit të mendimit, pranë eposit filozofik dhe absolutisht të pamenduar te lajthitja dhe marrëzia e ideologjisë.
Ideologjia e pranon mëshirën e predikuesve dhe diktatorëve, politika në kohën më të keqe tregon dhëmbët, demonstron muskujt. Të pranojmë ekzistencën e merituar historike, le ta jetojmë realitetin e sendërtuar keq midis klithmave barbare të etërve të dyzuar e të tradhtuar në gjenezë dhe t’i drejtohemi autoritetit të arsyes për harmoni dhe drejtësi. Përulësia e qenies humane vjen jo nga frika ndaj Krijuesit, por nga nevojat dhe shtrëngesat për mbijetesë, qetësi shpirti dhe dinjitet moral.
Fatkeqësisht, kemi thyer diçka poshtë – shpirtin, dhe të rilindur jemi në pragun e rivlerësimit të identitetit kombëtar; këtë po e bëjmë me të njëjtën sindromë ndarëse dhe përfshirëse, të lajkatuar nga kënaqësi, që burojnë nga dhimbja. I gjithë ky profil ideologjik i kohës reale është i sendërtuar kundër mendimit të zakonshëm, gjysmë i vërtetë për inteligjencën dhe qartësisht brenda kufizave shkencore për oligarkinë e pushtetit.
Dashuritë e mëdha asnjëherë nuk kanë përfunduar në altarin e kultit. Urrejtjet ideologjike kanë prodhuar me tepri sundimtarë dhe kundërshtarë. Le të shpresojmë të ndriçuar në procesionin e vërtetë të qenies ontologjike me antropologji metafizike dhe aura shpirti jashtë rrethit tmerrues të errësirës, padijes dhe deformimeve psikike.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura