GJOKË DABAJ: HOMAZH PËR ENVER HOXHËN

(Durrës, 15. 10. 2012) – Unë, autori i këtij shkrimi, kam qenë 5 vjet në Tepelenë, i internuar nga organet shtetërorë të Enver Hoxhës. Kuptohet, nuk kam qenë kurrë anëtar i Partisë së Enverit. Gjithë jetën kam punuar e jetuar në zona të quajtura të thella dhe nuk kam gëzuar kurrë asnjë lloj privilegji në shtetin që qevesej prej Enver Hoxhës. Megjithatë, diktaturat mund të më detyrojnë TË VEPROJ siç duan ato, por nuk i lejoj vetes të jem aq i dobët, sa dhe të TË MENDOJ siç duan dikraturat.
Meqë për Enver Hoxhën, në këta 20 vjetët e fundit, veçanërisht këtu, në Rep. e Shqipërisë, është vepruar e folur në mënyrën më denigruese të mundshme, e ndiej për detyrë, si shqiptar, ndonëse jam prononcuar njëherë në vitin 1991, ta shpreh edhe njëherë publikisht qëndrimin tim. Duke qenë se i përkas inteligjencës shqiptare, të formuar në vitet 1960 e këndej, jashtë kufijvet shtetërorë të Rep. së Shqipërisë, mendoj që jap edhe mendimin e një pjese të asaj inteligjence dhe të atij populli. Me qenë se, qysh prej vitit 1967 jam edhe shtetas i Rep. së Shqipërisë, me qenë se kam jetuar e jetoj në këtë shtet plot një gjysmë shekulli, mendoj që jap edhe mendimin e një pjese të inteligjencës dhe të popullit të këtushëm.
Kjo ditëlindje e Enver Hoxhës, ky 16 Tetor, përkon edhe me 100-Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Edhe kjo është një arsye që për figurën e Enver Hoxhës duhet folur më realisht se ç’është folur e shkruar deri më sot.
Duhet folur më realisht, sepse puna ka shkuar deri aty, sa ky 100-Vjetor po festohet faktikisht duke përjashtuar prej tij 49 vjetët që lidhen me udhëheqjen e Atij Njeriu. Nuk po i njihet asnjë meritë Enver Hoxhës në atë gjysmë shekulli ekzistence të shtetit shqiptar. Për shkak të Tij, nuk po u njihet asnjë meritë as qindra mijë njerëzve që i ndenjën pranë dhe që punuan bashkë me të. Nuk po pranohet asnjë punë që ka bërë ky popull për gati 50 vjet nën udhëheqjen e Tij. Praktikisht, pra, po tentohet për ta festuar këtë 100-Vjetor PA GJYSMËN E 100 VJETËVET.

………………………………………………

Në ata afër 50 vjet, u ngrit, këtu në Rep. e Shqipërisë një pushtet i ri. Nuk po dekorohet askush nga pushtetarët e atyre dekadave. As i gjallë, as pas vdekjes. Përveç, nëse ka dalë kundër atij pushteti.
Në ata gati 50 vjet, ka pasur këtu kryetarë komitetesh ekzekutivë, sekretarë të parë komitetesh partie të rrethevet, ministra, kryeministra, anëtarë byroje të Komiteit Qendror të PPSH-së. Ka ekzistuar një aparat i tërë partiak e shtetëror. A nuk patën ata njerëz, ose të paktën dikush prej tyre, kurrfarë merite për këtë vend?!
Në ata gati 50 vjet, ka pasur këtu drejtues të ekonomisë nga më të përkushtuarit. Drejtorë fabrikash (Po ku janë fabrikat?), drejtorë uzinash (Po ku janë uzinat?), drejtorë kombinatesh të mëdhenj (Ku janë kombinatet?), drejtues repartesh të industrisë, drejtorë ndërmarrjesh tregtare, kryetarë kooperativash të suksesshme (Ku është bujqësia shqiptare sot?), deri edhe brigadierë që gdhiheshin dhe erreshin duke punuar, me një rrogë fare modeste. Askush nuk po kujtohet t’ua njohë meritat atyre udhëheqësve e drejtuesve të një ekonomie aspak të vogël, krijuar prej hiçit. (Krijuar prej hiçit e shndërruar prapë në hiç!)
Në ata gati 50 vjet, ka pasur këtu intelektualë, të cilët i kanë kontribuar këtij vendi jo pak në të gjitha fushat e shkencës dhe të kulturës. Ka pasur studiues të shquar të gjuhës shqipe, historianë, arkeologë, etnologë, krijues në fushën e letërsisë, aktorë të shquar teatri e kinemaje, regjosorë filmash, kompozitorë, interpretues të muzikës, këngëtarë, valltarë, drejtues të zotë të institucionevet tanë të shkencës e të kulturës. A po kujtohet kush t’i dekorojë këta për punën e tyre? S’e dimë.
Ka pasur inxhinierë, të cilët kanë projektuar e zbatuar në terren vepra të mëdha të industrisë. Inxhinierë ndërtimi, inxhinierë gjeologë, agronomë të shumtë, inxhinierë ujërash, projektues kanalesh të mëdhenj ujitës, projektues hekurudhash (Shkoi kot krejt mundimi i tyre!). Ka pasur ekonomistë të zotë, në qendër e në rrethe. Punonjësit e arsimit, profesorët e mësuesit, punonin në të gjithë vendin. Nuk po themi asgjë për kushtet. (Në një dhomë të ngushtë, ku ka banuar për një kohë shkruesi i këtyre radhëve, bashkë me gruan e me fëmijë të vegjël, kish me shumicë çimka dhe minj. Por duronim, sepse e shihnim që kish shumë pengesa në plotësimin e kushtevet.) Midis atyre mijëra shqiptarëve, shumica kanë punuar me përkushtim të jashtzakonshëm në shërbim pikërisht të këtij vendi, të këtij shteti, të kësaj pjese të Atdheut tonë. A po kujtohet dikush të dekorojë dikënd, prej këtyre mijëra heronjve të asaj kohe?! S’e dimë, se ende s’ka ardhur Festa. Por, me sa duket, as ka ndërmend të kujtohet kush për ta.
Në ata gati 50 vjet, ka pasur me qindra mijë punëtorë, shoferë, saldatorë, montatorë, mekanikë, tekstilistë, fonderistë, muratorë, kooperativistë, të cilët i kanë shkrirë të gjitha energjitë në shërbim të Atdheut, me fare pak pagesë, në krahasim me të njëjtët në botën e pasur kapitaliste. Askush nuk po tregon mirënjohje ndaj këtyre atdhendërtuesve. As me fjalë, le më me ndonjë formë tjetër respekti, si psh pakësim të papunësisë, lehtësime në punë biznesi, sjellje humane punëmbaruese në zyrat e shtetit…
Në ato gati 50 vjet, ka pasur ushtarakë që gjithë jetën e vet ia kanë kushtuar mbrojtjes së kësaj pjese të Atdheut, lirinë e të cilit mezi e kishim fituar. Mijëra oficerë dhe dhjetëra mijë ushtarë kanë qëndruar me përkushtim në mbrojtje të këtij shteti. (Ku është sot forca mbrojtëse e këtij shteti?!) Qindra policë dhe oficerë policie e kanë çuar jetën në mbrojtje të rendit publik të këtij shteti dhe në ruajtjen e sigurimin e jetës së shtetasvet të këtij vendi. Qindra, në mos më shumë, punonjës të Sigurimit të shtetit, kanë vënë në rrëzik jo vetëm jetën e vet, por edhe familjet e veta, në mbrojtje të pavarësisë së këtij shteti, por edhe në mbrojtje të të drejtavet për shqiptarët e mbetur jashtë kufijvet të këtij shteti. A po kujtohet kush t’u japë mirënjohje këtyre njerëzve? Përkundrazi, akuza nga më të palogjikshmet!
Në ata gati 50 vjet, edhe më parë, por sidomos mbas vitit 1960, kur Rep. e Shqipërisë u shkëput prej shtetit sllav të Rusisë, me qindra mijë shqiptarë jashtë kufijvet të Rep. së Shqipërisë i kanë mbajtur, mendjen, veshët dhe sytë, pikërisht te kjo pjesë e Atdheut të tyre që udhëhiqej nga Enver Hoxha. Fjalimet e Tij bubullues në mbrojtje të të drejtavet të shqiptarëvet, artikujt e “Zërit të popullit”, që lexoheshin nga disa herë në Radio-Tirana, në Radio-Kukësi, në Radio-Shkodra, këngët patriotike, të interpretuara me frymë të fortë inkurajuese, të gjitha këto kanë qenë në ata vite e vetmja përkrahje në Botë për shqiptarët që ishin lënë jashtë kufijvet të shtetit shqiptar qysh në 13-n dhe që kërkonin pa pushim liri dhe bashkim me shtetin amë. Dhjetëra mijë janë burgosur dhe kanë duruar tortura të tmerrshme, pikërisht sepse i referoheshin Enver Hoxhës dhe shtetit që e udhëhiqte Ai. Shqiptarët jashtë kufijvet të Rep. së Shqipërisë kanë bërë rreth 500 mijë vjet burg në shtetin e Ish-Jugosllavisë, një pjesë e mirë e të cilëvet i kanë pritur vendimet e gjykatavet me shprehjet: “Rroftë Shqipëria! Rroftë Enver Hoxha!” Dhjetëra mijë studentë e qytetarë të tjerë të Kosovës janë rrahur kafshërisht me akuzën se ishin enveristë. A po kujtohet kush, në këtë vit jubilar, për t’i dekoruar këta heronj, mbrojtës të identitetit tonë kombëtar?! Enver Hoxha i shpallte heronj ata kosovarë që ishin vrarë në luftëra kundër pushtuesvet.
Në ata gati 50 vjet, mijëra arbëreshë e arvanitas dhe mijëra shqiptarë të shpërngulur me dhunë në Turqi, e kanë simpatizuar Rep. e Shqipërisë, të udhëhequr nga Enver Hoxha. Kanë shkruar për këtë shtet, kanë ardhur dhe e kanë vizituar, janë krenuar me përparimet, janë mbështetur në përkrahjen prej ambasadavet të këtij shteti.
Në këtë mënyrë, çështja e Enver Hoxhës nuk është çështje vetëm e një njeriu, e Atij Njeriu. Personaliteti i Enver Hoxhës lidhet me jetën që ka bërë pjesa më e madhe e Kombit tonë, në thuajse gjysmën e këtyre 100 vjetëve. Kur themi, pjesa më e madhe, kuptojmë edhe ata që rrojnë jashtë kufijvet të Rep. së Shqipërisë dhe që i kanë tronditur stadiumet e Beogradit duke brohoritur: EHO! EHO!. A është e pranueshme të hidhen poshtë përpjekjet gjysmëshekullore të disa milionë shqiptarëve, për ta ndërtuar e mbrojtur shtetin e vet, pavarësinë e vet, për ta fituar pavarësinë një pjesë e tyre, sepse politika që ka ndjekur ai shtet na paska qenë e shtrembër?! Kush mund të na e mbushë mendjen që pikërisht kjo politikë që po ndiqet në këta 20 vjet, kundër Enver Hoxhës, nuk është e shtrembër?!
Unë nuk kërkoj, dhe besoj që askush me mend në kokë nuk kërkon që ish-të burgosurit politikë të brohorasin tani për Enver Hoxhën. Askush nuk mund dhe nuk duhet të kërkojë që ish-ballistët dhe pasardhësit e tyre të shprehen tani në favor të Enver Hoxhës dhe politikës që ai ka ndjekur ndaj tyre. (Përveç nëse e shohin vet të arsyeshme.) Askush nuk ka të drjetë dhe nuk duhet të kërkojë që ish-zogistët dhe pasardhësit e tyre ta lënë adhurimin ndaj Ahmet Zogut dhe të adhurojnë Enverin. (Përveç nëse e shohin të udhës vetë.) Më në fund, askush nuk kërkon dhe nuk duhet të kërkojë që përkrahësit e dikurshëm të Enverit dhe bashkëluftëtarët e Tij, ata që Enveri më vonë i arrestoi e i dënoi me burgje, të rideklarohen tani si përkrahës të Enverit. E gjithë kjo do të ishte absurde në çdo kohë, por sidomos tani, në kushtet e pluralizmit politik.
Mirëpo, ajo pjesë e Kombit tonë, e cila gjithë jetën e vet ka jetuar e punuar, e frymëzuar prej idevet të Enver Hoxhës, në shërbim të Atdheut, nuk ka asnjë arsye që sot të pozicionohet kundër Tij. Përveç “arsyes” së hipokrizisë. Nuk ka pasur arsye dhe as sot nuk ka arsye të pozicionohet kundër Enverit askush nga ata që e kanë dashur Enverin. Nuk kanë pasur arsye të pozicionohen kundër Enverit sidomos ata anëtarë të PPSH-së, të cilët i kishin bërë vetë (e theksoj: VETË) lutjet për t’u anëtarësuar në partinë e tij dhe të cilët, deri sa Enveri ishte gjallë, ai nuk i kish dënuar ata si kundërshtarë. S’i kish dënuar si kundërshtarë, se s’kishin qenë kundërshtarë të Tij. Për krejt atë masë anëtarësh të asaj partie, është vërtet turp i madh (e theksoj: TURP I MADH) që u pozicionuan kundër Tij, pasi Ai kish vdekur. Ata që e patën kundërshtuar Enverin dhe regjimin e tij para se ai të vdiste, dhe që për këtë kanë hëngër burgje e internime, meritojnë respekt edhe nëse prapë sot vazhdojnë të jenë kundërshtarë të asaj politike e vije. Ndërsa këta që e braktisën pas vdekjes, duke rendur pas çanakut, nuk meritojnë tjetër, përveçse përbuzje nga më grotesket. Nuk është fjala këtu për të mos njohur gabimet dhe fajet e Enver Hoxhës. Enver Hoxha nuk ka qenë Jezu Krishti, që të mos ketë bërë as gabime, as faje. U takonte pikërisht atyre që e ndoqën rrugën e Tij deri sa vdiq, t’i zbulonin e t’i pranonin gabimet e fajet, edhe të vetët, edhe të Tijët, por jo ta braktisnin, sepse në atë mënyrë ata braktisnin vetëveten.
Megjithatë, kjo punë tashmë ka ndodhur. Në Rep. e Shqipërisë ka 20 vjet që është vendosur diktatura e OPINIONIT dhe e KORRUPSIONIT.
Diktatura e opinionit është nga më të rrëzikshmet diktatura që njeh njerëzimi. Motoja e kësaj diktature është: “Nëse nuk mendon si unë, ti nuk je mirë nga mendtë.” Ky lloj diktature, diktatura e opinionit, u perhap midis shqiptarëvet, jo vetëm brenda, por edhe jashtë kufijvet të Rep. së Shqipërisë, me një forcë shumë të madhe dhe goditja kryesore ishte mbi figurën madhore të Enver Hoxhës. Duhej pa tjetër të mendoje që Enveri ka qenë i keq dhe kriminel, ndryshe mendja jote s’ish në rregull. Asnjë gazetë nuk mund të shkruante ndryshe. Asnjë televizion nuk mund të fliste ndryshe. Asnjë opinionist, përveç një Liliane, një Hysni Milloshi a ndonjë tjetri, që gjithsesi dukeshin pak të shkalluar (edhe nëse nuk ishin), nuk mund të dilte normalisht para kameravet dhe të bënte analiza shkencore për personin e Enver Hoxhës. Askush nuk mund ta mbante portretin e Enver Hoxhës në shtëpi të vet në dhomën e pritjes. Edhe po të doje, s’ta linte familja. “Hiqe, se na more në qafë!” Sado që, përveç opinionit, s’kish asnjë ligj që do të ta ndalonte një gjë të tillë. Askush nuk mund t’i mbajë veprat e Enver Hoxhës në bibliotekën e vet, aty ku rri dhe aty ku pret miq, se nuk lejon DIKTATURA E OPINIONIT.
Në Ulqin psh një shkollë ende edhe sot e mban emrin e Marshall Titos. Gjithkush e di që Titoja ka qenë një komunist. Gjithkush e di që Titoja ka burgosur njerëz shumëfish më tepër se Enveri. Regjimi i Titos, vetëm shqiptarëvet u ka shqiptuar gjysmë milioni vite burg. Regjimi i Titos pësoi të atillë disfatë, që, pas vdekjes së tij, në ish-shtetin e tij ndodhi genocid i paparë në Evropë, përveç atij të nazistëvet mbi popullin hebre. Megjithatë, askush nuk u thotë ulqinakëvet: “Ju s’qenkeni mirë nga mendtë!” Ndërkaq, po t’i mbushej mendja një shqiptari të Ulqinit të propozonte për t’i vënë një shkolle të atyshme emrin e Enver Hoxhës, krejt opinioni do t’i thoshte: “Ti s’qenke mirë nga mendtë!” Kjo është DIKTATURA E OPINIONIT.
Shihni ku e kanë çuar Rep. e Greqisë, ekonominë e atij vendi, udhëheqësit e atij shteti! Megjithatë, askush nuk sillet me ata udhëheqës ashtu siç jemi sjellë ne me Enver Hoxhën. Nuk ua marrin shtëpitë, nuk ua burgosin gratë, nuk ua prishin varret. Paratë e shtetit grek i kanë multimiliarderët e Greqisë. I kanë çuar në bankat e Zvicrës 600 a 700 miliardë euro, dhe kërkojnë t’ua zgjidhë krizën A.Merkeli. Kërkojnë para nga populli gjerman! Enveri s’mori asgjë për vete dhe s’mori asgjë me vete. A ka logjikë të vjellësh vrer ndaj një të tillë udhëheqësi?! Të prishësh fabrikat dhe çdo gjë që është ndërtuar nën udhëheqjen e Tij, jo për të, por për të fuqizuar shtetin dhe Kombin!?
Denigrimi i Enver Hoxhës, sigurisht që u shkon shumë për shtati gjithposhtërsibërësvet grekë dhe sllavë të Ballkanit. Ata kanë interes të madh që shqiptarët të mos e kenë një figurë historike, ku të mbështeten. Ata, edhe Gjergj Kastriotin Skënderbeun mundohen t’ua heqin shqiptarëvet. Ata nuk dëshirojnë (e kemi fjalën për opinionet shovinistë që janë dominues në ata kombe) që në krye të shqiptarëvet, as të ketë qenë, as të vijë një dalëzotës i Kombit Shqiptar dhe dihet që Enveri është ndër dalëzotësit më të shquar të këtij Kombi. Themi, dihet, sepse edhe ata që ndërtojnë opinione të kundërt, e dinë që Enverit, të paktën cilësimin patriot, nuk mund t’ia heqë askush.
Ndërkaq, pa hyrë këtë herë në analiza më të thelluara, mendimi im është që, as Evropës Perendimore, as SHBA-së, nuk u ka interesuar dhe nuk u intereson (OBJEKTIVISHT! Po them: OBJEKTIVISHT!) që shqiptarëvet t’u denigrohet një prijës, siç ishte Enver Hoxha. Ai vërtet ishte kundër regjimit kapitalist të atyre vendeve, por kjo nuk duhet t’i pengojë të kuptojnë që Enveri punoi këtu për të krijuar një Shqipëri të fortë dhe, një Shqipëri e fortë do t’i interesonte Perendimit shumë më tepër se denigrimi i një kundërshtari ideologjik. Kundërshtarë ideologjikë ata kanë në vendet e tyre me shumicë dhe nuk i denigrojnë në këtë mënyrë. Përse t’u interesonte ta bënin këtu në Shqipëri një gjë të tillë, sidomos mbasi Kombi Shqiptar deklaroi botërisht se heq dorë prej sistemit komunist?!
Diktatura e dytë, si thamë, është ajo e KORRUPSIONIT. Motoja e saj është: “Po nuk dhe ryshfet, nuk mbaron punë.” Po nuk mendove si unë, je i marrë. Po mendove që Enveri ka qenë i mirë, je i marrë. Por edhe po mendove që punët mund dhe duhet të kryhen pa ryshfet, prapë rrezulton i marrë, sepse, po i lë kalamajtë pa bukë, po mbetesh gjithë jetën pa punë dhe pa kryer punë. Në të dy rastet duhet t’i bindesh DIKTATURËS.
Zyrtarët që marrin ryshfete, NË THELB, nuk dallohen aspak nga llojet e tjerë të grabitësvet. Në vend të pistoletavet dhe automatikëvet shotgan, për të grabitur një bankë, këta përdorin stilolapsin dhe vulën zyrtare, për të grabitur cilindo qytetar që ka nevojë për firmën dhe për vulën e tyre. Në vend të çorapevet në kokë, që i vënë grabitësit e argjendarivet apo të autobusëvet, këta vënë postin zyrtar që ua ka dhënë pushtetmbajtësi.
Është plotësisht e kuptueshme përse një regjim të korruptuarish nuk i duron fare fjalët e mira që dikush mund t’i thotë për Enver Hoxhën. Enver Hoxha ryshfetçinjtë i gjurmonte dhe i burgoste si kriminelë. Një pushtet grabitësish nuk mund ta pëlqejë pushtetin që i arreston grabitësit.
Por, sidoqoftë dhe çfarëdo që të ndodhë: në histori, në ekonomi, në sistemin shoqëror, në përpunimin e opinionevet, në politikat e qeverivet, ENVER HOXHA MBETET NË HISTORINË E KOMBIT SHQIPTAR SI PERSONALITETI MË I SHQUAR, PAS GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT. Vetë fakti që kundërshtarët e Tij, korruptokratët, nuk mundën ta ndiejnë veten të sigurtë, pa shkatërruar çdo gjë që kish ndërtuar Enveri (jo për vete, por për popullin), tregon që Ai ka qenë MË I MADHËRISHËM edhe se ç’mund ta kemi përfytyruar ne, adhuruesit e Tij.
Në fund, e shoh të udhës ta njoftoj lexuesin edhe për një hollësi, e cila nuk besoj të jetë e parëndësishme. Unë, autori i këtij shkrimi, kam qenë 5 vjet në Tepelenë, i internuar nga organet shtetërorë të Enver Hoxhës. Kuptohet, nuk kam qenë kurrë anëtar i Partisë së Enverit. Gjithë jetën kam punuar e jetuar në zona të quajtura të thella dhe nuk kam gëzuar kurrë asnjë lloj privilegji në shtetin që qevesej prej Enver Hoxhës. Megjithatë, diktaturat mund të më detyrojnë TË VEPROJ siç duan ato, por nuk i lejoj vetes të jem aq i dobët, sa dhe të TË MENDOJ siç duan dikraturat.

……………………………………………….

DY ANËT E MEDALJES SË ENVER HOXHËS

MEDLJA 1

………………………………………

………………………………………………..

……………………………………………..

………………………………………………………

…………………………………………………………………

…………………………………………………………….

…………………………………………………………………….

……………………………………………………………

MEDALJA 2

Filmime të rralla: Enver Hoxha, Kadri Azbiu, Feçor Shehu dhe çmenduria e asaj kohe.

………………………………………………………

—————————————–

PASUESI I ENVER HOXHËS, SALI BERISHA:

Hysen Shoshori: Në ’75-ën Sali Berisha më tha: ‘të varet në litar’

………………………………………….

(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
5
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura