SHERADIN BERISHA: POLITIKANËT DHE ABUZIMI ME PUSHTETIN!

Pashtriku.org, 2 prill 2018:
– Shteti ka buxhetin miliardëshe!
– Kush e synon pushtetin për ta menaxhuar buxhetin?
– Partitë politike me lidershipin e tyre!
– Ҫka janë në të vërtetë partitë politike?
– Janë struktura të organizuara politike që abuzojnë në forma të ndryshme me paranë publike!

***
Për mendimin tim në Dardani (Kosovë) të gjitha partitë politike dhe liderët e tyre që synojnë pushtetin ekzektutiv janë të njejtë, përjashto këtu Lëvizjen Vetevendosje, të cilës akoma s’ia kemi provuar pushtetin ekzekutiv në nivel qëndror. Rrjedhimisht rivalitetin e tyre politikë e ka ndërtuar ‘lufta e egër’ dhe e pakompromis për pushtet, e jo parimet apo morali i tyre politikë! Për gati 20 vjet rresht pas luftës në Kosovë, kemi parë se si lidershipi i partive “rivale” politike, gjatë zhvillimeve të ndryshme, e veçanërisht gjatë fushatave elektorale në debate të shumta televizive, nuk i kursejnë fjalët, për të artikuluar sa më shumë premtime të rreme e boshe, por edhe akuza dhe kundërakuza ndaj njëri tjetrit, për të joshur e mashtruar sa më shumë elektoratin e varfër.

Shikuar nga ky prizëm, “lufta” për pushtet këto parti i bënë të ndryshëm dhe mjaftë “armiqësorë” në sy të opinionit publik, ndërkohë që në jetën e përditshme shefat e tyre bashkëpunojnë mirë me kompanitë dhe firmat e shumta, të regjistruar në emër të vëllezërve, fëmijëve të tyre, të afërmve apo të miqve, të cilat përfitojnë tendere shumëmilionëshe (nga paratë e taksapaguesve) për ndërtimin e rrugëve, shkollave, shesheve, qendrave sportive, ndërtesave shumëkatshe etj.
Tashmë është bërë i ditur fakti se, kjo garniturë e politikanëve, para dhe gjatë luftës ka abuzuar e vjedhur qindra milonë marka gjermane, franka zvicerane, dollarë etj., nga fondi i 3%’it dhe Fondi “Vendlindja Thërret”, ndërsa pas luftës përveç parasë publike, e menaxhon kontrabandën me derivate të naftës, me narkotikë, me cigare… Për më tepër strukturat e tyre (edhe parapolitike) i kanë të rregulluar mirë raportet për menaxhimin e të gjitha kazinove (bixhozeve), bastoreve etj., në Kosovë, të cilat në këtë drejtim bashkëpunojnë me bosat e politikës dhe grupet tjera të interesit në rajonë e më gjerë. Dhe, rrjedhimisht nga të gjitha këto veprimtari të ligjshme e të paligjshme ata kanë krijuar pasuri përrallore.
Kjo oligarki, duke e shfrytëzuar fuqinë e pushtetit, në vendet më atraktive të Kosovës dhe jashtë Kosovës, ka ndërtuar hotele e lokale të natës për punë biznesi, pallate e shtëpi shumëkatshe, villa e supervilla luskoze…
Po t’i vizitojmë lagjet e Prishtinës: Veternikun, Taslixhen, Arbërinë, Dardaninë, etj., apo Liqenin e Badofcit, Grykën e Rugovës, Malet e Sharrit, Brezovicën, Parkun Kombëtar në Prevallë etj, etj., do të shohim, se sa rahatshëm bashkëjetonë kjo specie e politikanëve, ndërkohë që shumica e popullatës janë të papunë, dhe përballen çdo ditë me tmerrin e skamjes!
Dhe në fund!
Kur bëhet fjalë për fuqinë politike të shefave partiakë (në cilësinë e kryeministrit, të ministrave, të kryetarit të kuvendit apo të presidentit), kam vënë re, se fuqia e tyre nuk buron tërësisht nga vota e qytetarëve, (e cila vidhet, blihet apo manipulohet në forma të ndryshme), por impulsohet nga qendrat politike, diplomatike e financiare ndërkombëtare, të cilat kanë intersa dhe agjenda të ndryshme në Kosovë dhe më gjerë në rajon!
Nëse s’është kështu ma thoni si është ndryshe!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura