SI MUND TA PARANDALOJMË FTOHJEN DHE GRIPIN?!

Pashtriku.org, 11. 12. 2016: Ftohja e zakonshme dhe gripi janë gjendje të cilat japin simptoma lokale nga hunda, fyti dhe veshi, si edhe simptoma të përgjithshme, temperaturë dhe ethe. Ftohja e zakonshme dhe gripi mund të paraqiten në disa forma, duke filluar nga ato më lehtat deri te format e rënda. Te ftohja e zakonshme, simptomat e para paraqiten në fyt dhe mbesin si simptoma kryesore. Ndërsa te gripi dominojnë: ethet, dhimbja e trupit, mundimi në stomak, plogështia, si edhe simptomat tjera të përgjithshme. Nuk ka ndonjë mënyrë të sigurt shërimi për ftohjen dhe gripin, andaj parandalimi nga to duhet të jetë qëllimi juaj. Rruga më e mirë për të shmangur ftohjen dhe gripin është të tentoni të bëni jetë të shëndetshme.
Ja çfarë sugjerojnë mjekët anglez:
1. Lani duart
Shumica e shkaktarëve të ftohjes dhe gripit përcillen me kontakt direkt. Dikush që ka grip, teshtinë në duart e veta dhe pastaj prek telefonin, tastierën, një gotë kuzhine. Bakteret mund të jetojnë me orë, ndonjëherë edhe me javë dhe mund të përcillen nga personi tjetër i cili prek të njëjtat objekte. Andaj, lani duart tuaja më shpesh. Nëse nuk keni afër asnjë vend për larje, mbani salveta të lagura (me alkool) ose, fërkoni shumë fortë duar tuaja së bashku për një minutë a më shumë. Kjo, po ashtu, ndihmon të shkatërroni shumicën e baktereve të ftohjes.
2. Mos e mbuloni teshtimën dhe kollën me dorë
Pasi që bakteret dhe viruset kapen për dorë, mbulimi i kollitjes dhe teshtimës me duart tuaja rezulton me përcjelljen e baktereve tek njerëzit e tjerë. Kur ndjeni se teshtima ose kollitja po vjen, përdorni faculetë dhe pastaj hidheni atë menjëherë. Nëse nuk keni faculetë, largoni kokën tuaj nga njerëzit afër jush dhe kollituni në ajër.
3. Mos e prekni fytyrën tuaj
Viruset e ftohjes dhe gripit hyjnë në trupin tuaj përmes syve, hundës ose gojës. Prekja e fytyrës është mënyra më e shpeshtë me të cilën fëmijët pranojnë ftohjen dhe mënyra kyçe përmes të cilës ata e përcjellin këtë tek prindërit e tyre.
4. Pini lëngje të mjaftueshme
Uji pastron sistemin tuaj duke larguar helmet derisa hidraton trupin tuaj. Një i rritur normal, i shëndetshëm, ka nevojë për tetë gota lëngje (rreth 2 litra) çdo ditë. Si mund të dini nëse merrni mjaft lëngje? Nëse ngjyra e urinës tuaj është po thuajse e kthjellët, ju merrni mjaft. Nëse ajo është e verdhë e errët, keni nevojë për më shumë lëngje.
5. Përdorni saunën
Hulumtuesit nuk janë të qartë rreth rolit të saktë që saunat luajnë në parandalim, por një studim gjerman i vitit 1989 ka gjetur se njerëzit të cilët janë avulluar dy herë në javë, dy herë më pak janë ftohur se të tjerët. Një teori: Kur bëni saunë ju thithni ajër më të nxehtë se 80 gradë, temperaturë e lartë për mbijetesë të viruseve të gripit dhe ftohjes.
6. Dilni në ajër të freskët
Një dozë e rregullt e ajrit të freskët është e rëndësishme, veçanërisht në mot të ftohët, kur nxehja qendrore thanë dhe e bën organizmin më të prirë ndaj viruseve të ftohjes dhe gripit. Po ashtu, gjatë motit të ftohtë shumica e njerëzve qëndrojnë në shtëpi, që do të thotë se më shumë baktere qarkullojnë në dhoma të mbushura e të thata.
7. Bëni ushtrime aerobike rregullisht
Ushtrimet aerobike nxisin zemrën të pompojë sasi më të mëdha të gjakut; ju bëjnë të merrni frymë më shpejt duke ndihmuar transferimin e oksigjenit nga mushkëritë në gjakun tuaj; dhe ju bëjnë të djersiteni derisa trupi juaj nxehet. Këto ushtrime ndihmojnë ngritjen e qelizave natyrale të organizmit virus-vrasëse.
8. Hani ushqime që përmbajnë fito-substanca
“Fito” që do të thotë bimë dhe lëndët natyrale në bimë ju japin vitaminave në ushqim një rritje të fuqisë së veprimit. Andaj, në vend të tabletave vitaminoze, hani pemë dhe perime.
9. Hani jogurt
Disa studime kanë treguar se të konsumosh një filxhan në ditë jogurt, të pakët me yndyra, mund të ulësh ndjeshmërinë ndaj ftohjes për 25%. Hulumtuesit mendojnë se bakteret e dobishme, të pranishme në jogurt, stimulojnë prodhimin e lëndëve të sistemit imun të cilat luftojnë sëmundjet.
10. Mos pini duhan
Statistikat tregojnë se pirësit e rëndë të duhanit pësojnë ftohje më të vrazhda dhe më të shpeshta. Madje edhe vetëm të ndenjurit në prani të tymit të duhanit thellësisht shkatërron sistemin imun. Duhani e thanë hapësirën nazale dhe paralizon qimet e këtij kanali. Këto janë fije të holla të cilat mbulojnë membranën e mukozës së hundës dhe mushkëritë tuaja. Ato me lëvizjet e tyre të valëzuara, nxjerrin bakteret, viruset e ftohjes dhe gripit jashtë kanalit nasal. Ekspertët konfirmojnë se një cigare mund të paralizojë qimet për 30 deri në 40 minuta.
11. Pakësoni konsumimin e alkoolit
Përdorimi i tepër i alkoolit shkatërron mëlçinë, sistemin primar filtrues të organizmit, që do të thotë se bakteret e të gjitha llojeve nuk do të zhduken shpejt nga organizmi juaj. Rezultati është: pirësit e rëndë janë më të prirë ndaj infeksioneve fillestare, po aq sa edhe komplikimeve sekondare. Alkooli po ashtu dehidron organizmin-ai më shumë nxjerr lëngje nga organizmi se sa fut në të.
12. Relaksohu
Nëse mund ta mësoni veten tuaj të qetësoheni, do të mund edhe të aktivizoni sistemin tuaj imun në rast nevoje. Ka dëshmi se kur i aktivizoni aftësitë tuaja relaksuese, interleukinet e juaja shtohen në qarkullimin e gjakut. Interleukinet janë faktorët kryesorë në sistemin mbrojtës kundër shkaktarëve të ftohjes dhe gripit. Trajnoni veten tuaj duke pikturuar një pamje që ju jep kënaqësi ose që ju qetëson. Bëjeni këtë për 30 minuta në ditë për disa muaj me radhë. Mbani mend, relaksimi është një aftësi që mësohet. Kjo në të vërtetë është të mos bësh asgjë. Njerëzit të cilët tentojnë të relaksohen, por janë në fakt të lodhur, nuk tregojnë ndryshime në lëndët kimike të pranishme në gjak.
***
Për fund një recetë kundër gripit dhe ftohjes!
Receta kundër gripit dhe ftohjes:
– 1 qepë
– 2 gota ujë
– Lëngun e 1 limoni
– 2 lugë mjaltë
Udhëzimet:
Le të vlojë uji. Qepën e preni në copë dhe i vloni për 15 minuta. I nxirrni nga uji dhe i lini edhe për 10 minuta. Më pas nevojitet që të shtoni edhe dy lugë mjaltë dhe i përzieni mirë. Para se ta konsumoni, duhet të shtoni lëngun e limonit. Këtë përzierje duhet ta pini 3 herë në ditë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura