ELIFE LUZHA: LIBERALIZMI DJE DHE SOT

(Prishtinë, 16. 03. 2012) – Organizimet e shoqërisë njerëzore kanë kaluar nëpër një varg sistemesh, të cilat pashmangshëm ndikuan në kanalizimin e rrjedhave përgjatë historisë. Në kuptimin më të thjeshtë të fjalës, sistemi përbën ide të ndërlidhura me rregulla, respektimi i të cilave krijon, siç thoshte Aristotel, “rend midis njerëzve të cilët jetojnë në shtet”. “Në të kundërtën”, vazhdonte ai, “mospërfillja e atyre rregullave do të shkaktonte kaos”.
     Është thënë se periudha e mitologjisë greke pati një sistem të shkëlqyer sa i përket qeverisjes me problematikat e shoqërisë në atë kohë. Hyjnorët e Olimpit me Zeusin Zot, i përmbushnin të gjitha detyrimet në bazë të pushtetit që kishin. Megjithatë as sundimi i Zotit Zeus nuk qe i përjetshëm. Shekuj më vonë Edmund Bruke gjykonte se “Absolutizmi dhe të drejtat hyjnore ishin modelet e fundit politik, si formë e qeverisjes së lashtë”. Qeverisja me elemente liberale, apo sundimi i shumicës (polyarchy), i dha fund qeverisjeve tradicionale hyjnore, autokratike e oligarkike dhe që nga shekulli V p.e.s. (kur edhe u paraqit) e deri në shekullin VI p.e.s., ekzistoi vetëm në Athinë. Që në atë kohë burrështetasi athinas, Perikleu, të gjithë qytetarët i kishte shpallur të barabartë para ligjit. ”Asnjë qytetar nuk mbetet jashtë punëve të shtetit, nëse ai mund të kontribuojë”, thuhej në dekretin e tij. Po në këtë vijë gjykimi, shekuj më vonë, Presidenti amerikan Xhekson sikur e plotësoi vendimin e Perikleut, duke shtuar: “Jo vetëm administrata, por të gjitha postet zyrtare shtetërore i takojnë popullit”. Veçuam këta shembuj për të dëshmuar rrugëtimin qindrashekullor të qeverisjes liberale, të cilën Linkoln do ta quajë: “qeverisje e popullit nga populli dhe për popullin”.
     Fjala liberalizëm rrjedh nga fjala latine “liber” që do të thotë “i lirë”. “E liria është e drejtë për të bërë gjithçka që ta don zemra, përveç asaj që bie në kundërshtim me lirinë e tjetrit” thoshte Konica ynë i madh. Xhon Loku gjykonte se njerëzit nga natyra janë të barabartë dhe të lirë, prandaj “jo qeveria por natyra i pajis njerëzit me të drejta natyrore”. Ishin pikërisht këto parime që u mbështetën në Deklaratën Amerikane për Pavarësi si dhe në Deklaratën për të Drejtat e Njeriut, dalë nga Revolucioni Francez. Me një fjalë idetë iluministe të shekullit XVIII dhe sidomos Revolucioni Francez, me sloganet e njohura për “Liri” dhe “Barazi” i kontribuuan zhvillimeve liberale, apo lindjes së liberalizmit klasik që pasoi me ndarjen e pushteteve: Legjislativit, Ekzekutivit dhe Gjyqësorit. 
     Nuk ka dyshim se nën ndikimin e Revolucionit amerikan, por edhe atij francez, sistemi liberal si ideologji dhe praktikë politike për të parën herë u instalua në Britani më 1819 (atje njihet si lëvizje kombëtare), edhe pse ndarja e pushteteve si karakteristikë e sistemit liberal në plotëni për të parën herë u realizua në SHBA me kushtetutën e vitit 1787. Gjithsesi kjo dëshmon traditën liberale demokratike në botën anglosaksone të njohur që nga viti 1215 me “Magna Karta”, (Magna Carta 1215 – Sh.B) nëpërmjet së cilës pushteti i sovranit (mbretit) u kufizua me ligj dhe parlamentarizmin britanik, të praktikuar që nga vitit 1689, pas fitores së Parlamentit mbi Monarkinë.

     Liberalët (Niçe i quante inferiorë, kurse Marksi i quante borgjezë që synojnë t’i legjitimojnë pozicionet e veta sipërore), njihen si mbrojtës të meritokracisë, mbështetës të arsyes, bindjes e drejtësisë. Konkurrenca mes partive politike si dhe ajo në ekonomi, janë karakteristikë që e përgjithësojnë kornizën e sistemit me qeverisje liberale. Duke lartësuar këto vlera, Xhon Rolls ishte i mendimit se shteti liberal “mundet dhe duhet të jetë një siguri dhe drejtësi për shoqërinë”. Por kjo nuk mund të arrihet pa avancimin dhe respektimin e autoritetit ligjor, ngase “në jetën e përditshme liritë dhe të drejtat nuk janë të pa fundme, ato duhen kufizuar, sepse vetëm kjo sjell shtetin e së drejtës” gjykonte Kant.
    Gjykuar sipas teorive politike, para se të konsolidohej konstitucionalizmi, qeverisjet liberale ishin të brishta. Studiuesit gjykojnë gjithashtu se zhvillimet ekonomike janë faktori vendimtar për suksesin e një qeverisje liberale. Me këtë pajtohej edhe studiuesi i demokracisë konsociative, Limphart, i cili ndër faktorët për sukses të demokracisë liberale rendit edhe pluralizmin social, kulturën politike si dhe përbërjen homogjene të popullsisë. Pikërisht mungesa e këtyre faktorëve, por edhe përhapja e ideve socialiste pas viteve 1800 (kur u shënuan përplasje të mëdha mes liberalëve dhe socialistëve), e penguan shtrirjen e liberalizmit demokratik. Duke marrë këtë shkas studiuesi Filo, vitet 1815-1870 i karakterizon si “vite të agjitacionit liberal”, me rezultatet e dukshme tek në vitet 1870-1914”. Ndryshe këto njihen edhe si vitet e evoluimit të liberalizmit drejt demokracisë dhe pothuaj të gjitha shtetet evropiane dominoheshin nga qeverisje konstitucionaliste. Por ishte kriza ekonomike e vitit 1920, e njohur si “Depresioni i madh” që edhe njëherë e zmbrapsi shtrirjen e ideologjisë liberale.
     Në këtë kohë klika e Ahmet Zogut edhe në Shqipëri e përmbysi qeverisjen demokratike të Fan Nolit, e njohur si demokraci e parë parlamentare në rajon. Të dhënat e vitit 1920 na japin një pamje më të detajuar rreth ndryshimeve sistemore që ndodhën atë kohë, sipas të cilave ekzistonin 35 qeveri kushtetuese, numër ky që u zvogëlua në 17 më 1938, për të rënë në 12 qeveri të zgjedhura me votën e lirë më 1944. Pas vitit 1945 idetë e Rusveltit e ndihmuan fitoren e liberalizmit në Perëndim, përderisa një pjesë e madhe e Evropës, përfshirë Shqipërinë edhe për gjysmë shekulli do të sundohet nga diktatura famëkeqe komuniste.
     Sipas Limphart më 1980 kishte vetëm 50 vende me qeverisje demokratike, madje jo të plotë. Sot, nga mbi 190 shtete të botës, 123 prej tyre (përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën), zbatojnë modelin e qeverisjes liberale. Falë shtrirjes së ideve liberale e ashtuquajtura ideologji komuniste me produktin e vet totalitarizmin vrastar përfundoi e dështuar. Kjo u ndje sidomos në fundshekullin e kaluar, pas rrënimit të Murit të Berlinit më 1989, por edhe në fillimshekullin tonë, me përmbysjen e diktaturave disadekadëshe edhe në Tunizi, Egjipt e Libi. Sipas shkencave sociale “fenomenet politike janë produkt i faktorit social”. Dhe në fakt mobilizimi social dhe zhvillimet politike janë rezultat i modernizimit shoqëror. E kjo vjen nga “integrimi nacional”, thotë Hatington.
EKONOMIA LIBERALE
“Shtrëngimet politike dhe ekonomike janë kërcënimi më i madh për lirinë individuale”. Hayek
     Krahasuar me sistemet tjera politike, sistemi me qeverisje liberale ka treguar jetëgjatësinë më të madhe në histori. Pa dyshim se liria dhe e drejta e individit për të zgjedhur lirshëm si dhe ekonomia e tregut janë karakteristikat e veçanta që përbëjnë edhe bazën e kualitetit dhe jetëgjatësisë së këtij sistemi. E “liberalizmi ekonomik është bazë edhe e atij politik” vlerësojnë studiuesit. Në fakt ndarja mes publikes dhe privates është e njohur që nga Republika Romake, megjithëse politika të caktuara shtetërore si veprimtaritë ekonomike, ishin të mbrojtura me ligj, pasi vetëm kështu parashihej zhvillimi ekonomik, e me këtë edhe fuqizimi i kombit. Ekonomia e mirëfilltë liberale filloi të zhvillohet në shekullin e tetëmbëdhjetë, me lindjen e liberalizmit klasik apo teorisë “Laissez-faire”, e cila nën vazhdën e ideve iluministe mbronte parimet e “lirisë natyrore” edhe në ekonomi. Themeluesi i saj, Adam Smith kritikonte markantalizmin dhe kundërshtonte ndërhyrjen shtetërore në ekonomi. Ai gjykonte se ekonomia është “degë ndihmëse e urtësisë qeverisëse”, prandaj shteti duhet të luajë rolin e vet në mbrojtjen e pronësisë, pasi është parakusht për investime dhe zhvillim ekonomik. Në kundërshtim me teorinë marksiste, Smith, ishte i bindur se: “jo shteti, por ekonomia e zhvilluar nga dora e padukshme e tregut të lirë, mund të sjellë barazinë shoqërore”. E kjo do të rezultonte me zhdukjen e klasave dhe minimizimin e kundërthënieve ideologjike që vijnë si pasojë e statuseve të ndryshme sociale. Por viti 1870 shënon fundin e teorisë laisez-faire dhe të liberalizmit klasik.
     Zhvillimet politike dhe sidomos shtrirja e ideve socialiste në atë kohë i kontribuuan lindjes së një epoke të re, asaj të liberalizmit modern apo shtetit të mirëqenies sociale. Një kontribut meritor në këtë drejtim i dedikohet teorisë së Kejnsit, i cili duke kritikuar teorinë e A. Smithit mbështeste ndërhyrjen shtetërore në ekonomi. Madje sipas tij, ndërhyrja në veprimtarinë ekonomike dhe sociale është “detyrim shtetëror”. Ai vlerësonte rëndësinë e menaxhimit të politikave fiskale, pasi sipas tij “përcaktojnë shkallën e zhvillimit ekonomik dhe papunësisë së një vendi”. (Vallë e çfarë do të thoshim në këtë rast për Kosovën, ku nga 65 mijë biznese vetëm 13 mijë janë të fiskalizuara)?!
     Si doktrinë, liberalizmi modern, u ideua nga konservatorët britanikë të cilët synonin ta pengonin shtrirjen e ideve socialiste, gjë e cila sipas tyre do të kishte sukses vetëm duke ndërtuar një demokraci të mirëfilltë liberale. Kjo përveç tjerash nxiti edhe ndryshimin e qasjes ndaj politikave sociale nga ana e kryeministrit britanik të asaj kohe, B. Disrael, por edhe të burrështetasve tjerë në perëndim. Kështu, në gjithë Evropën u krijuan sistemet e ekonomisë mikse që çuan në shtetëzimin e disa ndërmarrjeve private si në Britani dhe Francë.
     Me një fjalë e ashtuquajtura epokë e liberalizmit modern apo kejnsianizmit i përballoi kohës edhe 30 vjet pas LDB, deri më 1970, kur nën ndikimin e teorive ekonomike me parullën “për tregun e lirë” u rishfaq në horizont një epokë e re, ajo e neoliberalizmit (forma më e re e kapitalizmit), e cila në një mënyrë e riktheu në jetë teorinë e liberalëve klasikë, apo të laissez-faire.
     Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, shtrirja e neoliberalizmit mori hov sidomos në perëndim (në SHBA me R.Regan dhe në Britani me M.Thatcher, të cilët nën ndikimin e teorisë së Milton Friedman, e ndryshuan qasjen e tyre ndaj politikave ekonomike). Por, as atje nuk u realizua në plotëni, sidomos kur kemi parasysh përpjekjet e dështuara të znj.Thatcher për të privatizuar shërbimin publik shëndetësor. Ideologjia neoliberale përjashton rolin kontrollues të shtetit në ekonomi. Përkundrazi, sipas neoliberalëve ekonomia e tregut është ajo që përcakton politikat qeveritare. Megjithatë kriza e fundit financiare (me zanafillën e saj në SHBA, por e zgjeruar sidomos në eurozonë) ka dëshmuar se ndërhyrjet shtetërore në ekonomi janë të domosdoshme për të shpëtuar nga bankroti ekonomik, jo vetëm kompanitë e mëdha (si publike edhe ato private), por edhe vetë subjektivitetin shtetëror. E kolapsi ekonomik mund të ndodhë “aty ku tregu vepron krejt pa norma e rregulla, nga se aty ka një dorë të fshehur që i çon gjërat për dreq” do të thoshte Xhon Rolls.
     Me neoliberalizmin ndërhyrjet, apo kufizimet shtetërore në ekonomi kanë marrë formë të re veprimi dhe realizohen nëpërmjet rregullave e standardeve të përcaktuara sipas parimeve ndërkombëtare, respektimi i të cilave në njërën anë pamundëson krijimin e monopoleve të mëdha, kurse në anën tjetër fuqizon konkurrencën e lirë tregtare. Përkundër faktit se zhvillimet e demokracisë e kanë zbehur besimin në “fuqinë e dorës së padukshme të tregut të lirë”, kurse neoliberalizmi po akuzohet si shkaktar i tkurrjes së sovranitetit politik dhe financiar të shteteve, shtrirja e ekonomisë së tregut, duke i tejkaluar barrierat kombëtare e rajonale, gjithnjë e më shumë po e ushtron ndikimin e vet në mbarë hapësirën globale.
– Autorja është e diplomuar në Kolegjin Universitar VICTORY – Fakulteti i Politikës Ndërkombëtare dhe Diplomacisë – Prishtinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura