Pashtriku.org, 17 prill 2018: Në përmbledhjen e shkrimeve te Ismet Hajrullahut “Koha e ribërjes” janë përfshirë artikuj të botuar në shtypin shqiptar në periudha të ndryshme. Në këto shkrime janë trajtuar tema që ngërthejnë në vete probleme, me të cilat është ballafaquar populli ynë në përgjithësi dhe në veçanti ajo pjesë e tij, që padrejtësisht ka mbetur jashtë kufijve të shtetit amë.
Në Evropë dhe në mbarë botën proceset krijuan hapësirë që çështjet e pazgjidhura të shumë popujve të nxirren në tryeza diplomatike. Në këtë kuadër, në këto shkrime, do të zërë vend edhe çështja shqiptare në Ballkan, që me gjithë sakrificat e mëdha që bëri populli ynë, në mungesë të një përkrahjeje parimore të fuqive të mëdha, mbeti e pazgjidhur. Edhe pse proceset politike ofruan favore në shërbim të zgjidhjes së vonuar të çështjes shqiptare, me gjithë angazhimet politike dhe me aktin më të lartë – luftës për liri – ajo nuk arriti të rrubullakohej e të zgjidhej përfundimisht edhe pas shembjes së Jugosllavisë së Versajes dhe pas krijimit të shteteve e të popujve të tjerë, që në veçori kombëtare nuk dallohen shumë.
Në shkrimet e kësaj përmbledhjeje ngrenë krye papajtushmëria me të arriturat tepër të vogla, porosia si të dilet nga kjo gjendje dhe përbuzja kundër atyre që janë të gatshëm t’i rrahin një mijë shtigje, që nuk çojnë askund, po jo njërin që çon aty ku duhet, kundër papjekurisë dhe servilitetit të të gjithë atyre që për një interes të vogël ose për pak pushtet i shkelin idealet kombëtare për liri dhe për bashkim kombëtar, për të cilat në luftrat ndër shekuj, po edhe në luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u derdh djersë e gjak.
Shpallja e Kosovës shtet i pavarur në këta artikuj cilësohet si një arritje jo e vogël, kur kihet parasysh pengesat dhe raportet ndërshtetrore në Ballkan e më gjërë, por jo si një e arritur që duhet të merret si diçka përfundimtare dhe e përkryer. Mundësitë që ofrojnë këto shkrime për ta çuar çështjen kombëtare përpara, në këto rrethana, janë të shumta dhe të ndryshme. Në shumicën e artikujve, sidomos në atë “Koha e ribërjes së Shqipërisë”, sipas së cilit edhe libri morri emrin” Koha e Ribërjes”, nxirren në pah problemet me të cilat ballafaqohet Kosova dhe trojet tjera shqiptare, që kannë ngelur jashtë trungut të Shqipërisë. Në këtë artikull theksohet se ka ardhur koha të nxirren në tryezë të gjitha opsionet. Opsioni më i pëlqyer, që nuk do të duhej të ishte tabu, as për partitë politike dhe as për politikanët këndej dhe andej kufirit, është krijimi i Shqipërisë etnike. Në të thuhet troq se zgjidhja e tanishme – pavarësia e Kosovës – është afatshkurtër dhe me plotë probleme të papritura që po i krijon dhe do t’i krijojë Serbia në kufirin shqiptaro – serb, kurse bashkimi i trojeve shiqptare në një shtet do të ishte zgjidhje afatgjatë, që do të krijonte siguri dhe stabilitet jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë popujt e Ballkanit. “… Prishtina e Tirana nuk duhen t’u tremben varjanteve të zgjidhjes, por t’i hartojnë ato sa më mirë që të jetë e mundur, sepse tani gjithçka është e mundur. Një Shqipëri, që do mbrrinte në lindje deri pranë kufirit bullgar, do t’i kthente shqiptarët në udhëkryqet e rëndësishme të Evropës. Do të ishte ribashkim i natyrshëm dhe një ngushëllim i vonuar. Ndoshta po bie kambana e ribërjes së Shqipërisë”
Angazhimet, shpeshherë të kota, ndoshta edhe të dëmshme, që pengojnë zgjidhjen e çështjes kombëtare, vihet në thumb të ironisë dhe të sarkazmit, “Pesqind vjet ishim milet, njëqind vjet Narod, dhe qe sa vjet Pipell, por popull ende jo! Ndoshta për disa kjo thënje duket humoristike, për disa paksa vulgare, por në fakt kjo batutë tregon realitetin tonë të hidhur tragjikomik”, – shpërthen klithma, që shkakton “rezultati” i përpjekjeve politike, në Artikullin “A do bëhemi popull”.
Thuaja në të gjithë artikujt e kësaj përmbledhjeje, edhe pse janë shkruar dhe janë botuar në kohë të ndryshme, para dhe pas luftës së fundit, vend me rëndësi zë porosia për çlirim dhe bashkim kombëtar, në disa nga shkrimet që u botuan mbas shporrjes së ushtrisë serbe nga UÇK dhe forcat e Natos, nxjerr krye shqetësimi për modelin, për përmasat e pavarësisë së një shteti, që për shqiptarët duhet të lindë i shëndoshë, jetëgjatë, ndërsa për Serbinë një shtet, minishtet, hiçshtet, që do t’ia hapte rrugën e kthimit të saj në Kosovë, gjithnjë me “mjete paqësore“, ose do ta mbante gjallë lakminë për ta ngopur sa më parë oreksin, duke zhvatur e përtypur Kosovën deri në zhbërje. Për t’ia ndalur hovin së keqes, krahas analizave që ofrojnë rrugëzgjidhje, ngrihen edhe akuza plot mllef, akuza që shënojnë vijën e kuqe që i ndan forcat në dy taborë, në servilë, në politikanë, që të verbuar për pushtet shkelin mbi gjakun e derdhur për liri, që para të mirave materiale e harrojnë edhe pavarësinë e Kosovës dhe në të pakënaqur, protestues, që nuk pajtohen me një pavarësi që nuk është pavarësi, që nuk pajtohen me një shtet që për hir të një pesë përqindshi të diskriminohet nëntëdhjetë e pesë përqind e banorëve. Këto akuza më së miri vihen re në artikullin ’ata që e kundërshtojnë Pakon e Ahtisarit’ në të cilin që në fillim shpërthen vreri; ‘masakrën e 10 shkurtit 2007’, ‘grupi i unitetit’, si dhe të gjitha institucionet e Kosovës përfundimisht janë shkëputur nga aspirata e popullit për liri dhe vetëvendosje.’ Në këtë artikull, dhe në të tjerë me argumente të forta hidhen poshtë tendencat e pushtetarëve të Beogradit dhe goditet fort politika qulle, që në emër të interesave të popullit dhe të vlerave të luftës për liri përpiqen ta arsyetojnë rikolonizimin e Kosovës.
Demostratat e 10 shkurtit 2007, që e kundërshtoi hapur Pakon e Ahtisarit, që krijoi privilegje në dëm të popullatës shumicë dhe në dëm të të gjitha pakicave të tjera në Kosovë, dhe masakra e kësaj dite, ku ranë dy dëshmorë dhe u plagosën 85 protestues, nxorrën në pah shumë probleme, që deri në atë ditë ishin nën rrogoz dhe u hapën sytë atyre që duan të shohin se çfarë rrobash po i qepen dhe po i vishen Kosovës.
Autori i këtyre shkrimeve, Ismet Hajrullahu, herët është përfshirë në vorbullën e ngjarjeve që mëtonin shtigje për zgjidhjen e çështjes shqiptare.
Si nxënës i shkollës së mesme, në vitet 80-ta u arrestua nga policia jugosllave dhe u burgos. Pas daljes nga burgu u detyrua të arratisej në Shqipëri. Që atëherë filloi të merrej me shkrime në të cilat trajtonte tema që kishin të bënin me zgjidhjen e çështjes sonë. Ne ‘Rilindja Demokratike’ dhe ‘Balli i Kombit’, në Tiranë dhe në shtypin ilegal ‘Zëri i Kosovës’, ‘Çlirimi’ që botoheshin në Gjermani dhe Zvicër, në të cilat botoi disa shkrime, ku kërkohej me ngulëm çlirimi i tojeve shqiptare dhe bashkimi kombëtar.
Çlirimi i Kosovës nga UCK-ja dhe forcat e NATO-s nuk e ndali hovin e shkrimeve të këtij autori. Toni dhe thumbi i kritikës, për zhvillimet politike, në shkrimet që botoheshin në shtypin e kohës të kësaj periudhe, janë më të mprehtë dhe më të ashpër. Në këtë kohë edhe pse ushtroi detyra me rëndësi, asnjëhërë nuk u kufizua të trajtonte edhe tema te nxehta për; Grupin e Unitetit, për bisedimet me Serbinë në Vjenë. Për Grupin Negociator, për decentarlizimin, për flamurin, për pavarësinë, për trashëgiminë e politizuar historike, fetare e kulturore serbe në Kosovë, për diasporën e vjetër (arvanitët e Greqise dhe arbëreshet e Italisë), për diasporënë re, për bashkimin kombëtar që i nxorën telashe me eprorë dhe me udhëheqës të politikës së ditës. Intervista me titull ’Kosova nuk ka bërë asgjë për diasporën’ botuar në ‘Epoka e Re’, në 17 korrik 2006 dhe publikimi në ‘Kosova Sot‘ i artikullit ‘Legjitimiteti i vjedhjes së trashëgimisë kulturore’, në të cilin kritikon ‘Grupin Negociator’, që; ‘Duke u pajtuar me vjedhjen, që i bëjnë serbët identitetit tonë, duke i quajtur kishat dhe manastiret e Kosovës serbe, do ta legjitimojnë teorinë shoviniste të Grashaninit, ‘se shqiptarët në këto vise kanë ardhur në shekullin XVIII- XIX’, prekën “sedrën” e disa qeveritarëve.
Nga autori u kërkua publikisht ta demantonte artikullin në të cilin kritikonte qeveritarët e Kosovës, që duke i trajtuar kishat ortodokse të Kosovës si kisha serbe , patën rënë në kurthin e politikës ekspansioniste te Beogradit, që në emër të pakicës serbe në Kosovë i politizonte dhe instrumentalizonte të gjitha problemet.
Me kërkesë të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Çështjeve jorezidente pasuan në vitin 2006 suspendimi, ndërsa në vitin 2007 përjashtimi nga puna.
Artikujt e përmbledhjes ‘Koha e Ribërjes’ ziejnë nga mllefi i pakënaqësisë për angazhime të mefshta, për zgjidhje gjysmake, që ofronin qoftë politikanët tanë, qoftë faktori ndërkombëtar, bëhen burim porosishë për daljen nga kjo gjendje plot amulli dhe trumbetojnë ide për një status të mirëfilltë të Kosovës, në veçanti për çlirim dhe bashkim kombëtar, si zgjidhje përfundimtare që do ta qetësonte njëherë e përgjithmonë Ballkanin, që në mos për të tjërat për çështjen shqiptare, moti është shndërruar në fuçi baroti.
Ali Aliu- Kelmendi, Prishtinë, tetor 2009