UKSHIN HOTI: FILOZOFIA POLITIKE E ÇËSHTJES SHQIPTARE (III)

Pashtriku.org, 13. 05. 2018: Kosova formalisht nuk ndodhet në gjendje lufte, por në gjendje okupimi. Është shpallur, por nuk është konstituuar si shtet, ndonëse do të konstituohet si e tillë dhe do të jetë shtet. Ndërkaq gjendja shpirtërore e popullsisë është e rëndë.
3. SHTETI DHE INTERESAT VITALE TE KOMBIT – I
A) Teoritë e proveniencës së Perëndimit

Politika e jashtme si realitet është pjesë e politikës në përgjithësi, ndërkaq si shkencë, është degë e shkencave politike. Teorikë të ndryshëm definimit të saj i qasen në mënyra të ndryshme. Në Jugosllavi definimi i saj mbështetej më tepër mbi botëkuptimin për dykahshmërinë e proceseve politike: “Proceset politike janë dykahëshe, -shkruan N.Pashiq, -ato shprehen në njërën anë përmes formave të ndryshme të veprimit të vetëdijshëm dhe të ndikimit të shoqërisë në …shtetin dhe në politikën e shtetit, dhe nga ana tjetër, përmes ndikimit retroaktiv të shtetit në shoqëri dhe në të gjitha raportet shoqërore.” (shih N.Pashiq, op.cit.f.29.30) Botëkuptimi i tillë reflektohet në definimin e politikës së jashtme si art ose mjeshtëri apo kompleks metodash për realizimin e interesave të shtetit. Vladimir Ibler, psh. politikën e jashtme e definon si politikë “e cila tenton të gjejë dhe të zbulojë rrugën që duhet ndjekur në mënyrë që në kushtet konkrete të bashkësisë ekzistuese ndërkombëtare shtetit të vet t’i sigurohet një pozitë sa më afatgjatë dhe sa më e mirë si dhe përparësi tjera llojesh të ndryshme” (Shih Vladimir Ibler, Medjunarodni Odnosi, Hrestomatija Politicke Znanosti, Zagreb, 1971, f.17). Kujdesi që të theksohet realizimi i interesave të shtetit e jo të kombit është veti e përbashkët për shumicën e definicioneve që mbështeten mbi botëkuptimin dualist të proceseve politike. Jugosllavia, si shtet multinacional, ngritej mbi principin e proklamuar të barazisë së kombeve, andaj nuk mund të bëhet fjalë për realizimin e intersave të kombit, meqë automatikisht do të shtrohej pyetja se për interesat e cilit komb ishte fjala. Theksimi i realizimit të interesave të shtetit e jo të kombit, siç do të shihet pak më vonë, ishte gjithashtu veti e teorive që buronin nga vendet e ish-socializmit real. Këtu poashtu ndikonte përbërja multinacionale e shtetit (sidomos e BRSS), por edhe orientimi ideologjik, sipas të cilit shteti ishte në funksion të klasës e jo të kombit. Përderisa në Jugosllavi vetëqeverisja socialiste, logjikisht e barazonte klasën me kombin, andaj shteti duhej të funksiononte mbi raportin dialektik të këtyre dy komponentave, në vendet e real-socializmit shteti ideologjikisht duhej të funksiononte si instrument i klasës. Politika e jashtme e shtetit të tillë nuk mund të ishte tjetër përveçse instrument (art, kompleks metodash) praktik në funksion të ideologjisë dominante shoqërore -komuniste. Kategoria e klasës esencialisht shtrihet në përmasa botërore. Për këtë shkak, politika e jashtme e kuptuar në këtë kontekst (d.m.th. të klasës) në esencë ishte ekspansioniste, prandaj ajo në Perëndim konsiderohej si e rrezikshme për interesat e tyre, sidomos për shkak të faktit se shteti sovjetik, si një fuqi e madhe, realisht mund ta rrezikonte pozitën e vendeve perëndimore.

Mendimi politik i botës perëndimore, siç e tregon Roj Mëkridis (Roy C. Macridis), por edhe shumë të tjerë, me kohë i kristalizoi dy qasje ndaj politikës së jashtme: a) qasjen personaliste, ndonjëherë të emërtuar si qasje ideologjike, e cila politikën e jashtme e konsideronte shprehje ose refleksion të politikës së brendshme, “thjesht, shprehje të bindjeve dominante politike, sociale dhe religjioze”. Kjo ishte një qasje tradicionale e botës së Perëndimit, e cila raportet e shtetit me botën i shihte në suaza psikologjike, i “konsideronte motivet ose ideologjitë e udhëheqësve ose të qeverive si përcaktues qenësorë, nëse jo edhe të vetëm, të politikës”. Nga kjo gjë nuk është e vështirë të konstatohet, së bashku me Roj Mëkridisin, se politika e jashtme “konsiderohej funksion i sistemit politik në veprim ose të preferencave apo të bindjeve të liderëve politikë që e zbatonin programin e tij” (të sistemit politik). Është interesant se një botëkuptim i tillë tradicional mbi politikën e jashtme, për të cilin tani lirisht mund të thuhet rudimentar, nëse jo edhe primitiv, ishte mjaft i përhapur në disa qarqe me rëndësi politike në Jugosllavi, por edhe në Kosovë. Ndoshta për shkak se kjo u përgjigjej ambicjeve lideriste në të gjitha nivelet apo mentalitetit të thjeshtësuar bajraktarist, i cili ndër ne akoma sundon në mënyrë të papenguar. Kjo, natyrisht, i dha krahë kritikës serbe të na akuzojë për voluntarizëm në raportet me Shqipërinë, veçse kritika e tillë nuk ishte e sinqertë, meqë mbështetej pikërisht mbi premisa të një bajraktarizmi shqiptar, që mund të arsyetohej me pazhvillueshmerinë e mendimit politik ndër ne e madje edhe me një lloj të fetishizmit të këtij lëmi të veprimtarisë politike. Mirëpo mendimi politik serb gjithsesi nuk i ka këto justifikime. Ai shpjegohet me ambiciet dhe me synimet që kombit të vet (serb) t’i sigurohet një pozitë e privilegjuar dhe jo e barabartë me të tjerët, ose ndoshta edhe për ta eliminuar sindromin e të vetmuarit.
Mirëpo qasje të tilla në politikë rezultojnë në konsekuenca të padëshiruara. Mëkridis do të thoshte se i bëjnë padrejtësi elementeve kontinuitive të politikës së jashtme. Me fjalë të tjera, ato, d.m.th. qasjet ideologjike ndaj politikës së jashtme, nuk mund t’i shpjegojnë kontradiktat objektive të pranishme në praktikën politike. Ato, psh., nuk mund ta shpjegojnë faktin se përse partitë opozitare, kur vijnë në pushtet, në shumicën e rasteve, (pothuajse rëndom), e ndjekin të njëjtën politikë të jashtme si edhe garniturat e mëparshme politike? Përse nuk mund të dalin jashtë suazave të përcaktuara politike të definuara si interesa themelore të shtetit? Për këtë shkak, por edhe për shkaqe të tjera, b) qasja e dytë, analitike, e zhvilluar gjatë tre shekujve të fundit (XVIII,XIX dhe XX) e pretendon plotësimin e së parës. Sipas botëkuptimit analitik, politika mbështetet mbi një shumë të caktuar të determinantave “duke përfshirë traditën historike të shteit, lokacionin gjeografik, interesat dhe qëllimet nacionale dhe nevojat e sigurimit”. Determinantat e theksuara në të vërtetë janë elemente që e përcaktojnë kontinuitetin e politikës së jashtme. Andaj çdo burrështeti që kërkon t’i formulojë qëllimet e politikës së jashtme dhe t’i realizojë ato në praktikë, doemos duhet t’i marrë parasysh “disa kufizime të palëvizshme” që i nënkuptojnë determinantat në fjalë. Pavarësisht nga bindjet filozofike, politike apo religjioze të individëve “ekzistojnë interesa të gjerë strategjikë të lidhur intimisht me pozitën gjeografike të kombit dhe me rolin ndërkombëtar që duhet ruajtur”. Këto interesa me kohë kristalizohen si pjesë e mendimit kolektiv “të mendjes nacionale” e cila pastaj edhe vetë shndërrohet në determinantë të veçantë të politikës së jashtme. Interesat e shtetit në këtë mënyrë paraqesin “suazën brenda së cilës doemos duhet të zhvillohet kontesti i brendshëm politik rreth politikave të jashtme”. Disa nga faktorët determinantë ndikojnë në ndryshimin e perceptimit të interesave ose të qëllimeve të politikës së jashtme. Faktori teknologjik, p.sh. “mund të kërkojë rivlerësim të vazhdueshëm të sigurimit nacional” (shih për këtë Roy C.Macridis, Foreign Policy in World Politics, fifth edition, Engelood Cliffs, New Jersey, 1976, f.3-5). Ndryshimi i situatës politike në Evropë poashtu e kërkon rivlerësimin e interesave dhe të qëllimeve strategjike të shteteve, të mëdha e të vogla, por edhe të kombeve brenda tyre, në kontinentin e Evropës. Ky është edhe njëri nga qëllimet e këtyre artikujve.
Shteti si subjekt ndërkombëtar
Politika e jashtme si kompleks metodash për realizimin e interesave të shtetit është shprehje e shtetësisë së shtetit apo e sovranitetit të kombit. Me norma juridike të së drejtës së brendshme, dhe me norma të veçanta të së Drejtës Ndërkombëtare Publike, përcaktohen organet të cilat i kanë në kompetencë disa sfera më të rëndësishme të politikës së jashtme. Në të vërtetë, me normat e së Drejtës Ndërkombëtare Publike precizohen organet titullare të komunikimit ndërkombëtar (shefi i shtetit, ministria apo ministri i punëve të jashtme, organet e përfaqësimit diplomatik), dhe shteti si i tillë njihet si subjekt më i rëndësishëm i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, por edhe i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Politike. Aty-këtu, njësitë federale të shtetit federal e gëzonin të drejtën e përfaqësimit në OKB, si p.sh. Bellorusia dhe Ukraina e BRSS, por ato nuk mund të merreshin me aktivitete ndëkombëtare të cilat nuk do të ishin në harmoni me kushtetutën e federatës sovjetike. Njësitë federale në Jugosllavi, sipas kushtetutës së vitit 1974, nuk ishin subjekte të së Drejtës Ndërkombëtare Publike, por të tilla nuk ishin as Kuebeku në Kanada, Skotlanda apo Uellsi në Britani, Baskia në Spanjë e Francë, Flandria në Belgjikë apo Bretanja në Francë. Njësitë federale në Jugosllavi mund të merreshin me “realizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar”, “të vendosnin, të mbanin dhe të zhvillonin” raporte, por vetëm me “organet dhe organizatat e shteteve tjera” dhe brenda suazave të politikës së jashtme unike të vendit. Pozitë të ngjashme, me një volum më të vogël, kishte edhe Kosova. Ndryshimet në Evropë natyrisht edhe në këtë plan kërkojnë rivlerësime të cilat megjithatë akoma nuk mund të jenë kategorike, ndonëse dëshirat janë të qarta.
E Drejta Ndërkombëtare Publike i rregullon, përmes normave juridike, raportet midis shteteve, ndërkaq vetë këto raporte paraqesin aktivitetin e shtetit në ambientin ndërkombëtar. E Drejta Ndërkombëtare Publike e synon formalizimin total të raporteve midis shteteve, përderisa motivi kryesor i veprimtarisë së shtetit është forcimi i pozitës së tij në relacionet ndërkombëtare. Këto dy tendenca mund të jenë kongruente, por jo gjithmonë: në qoftë se logjika e brendshme e normave juridike shprehet si tendencë e vazhdueshme për rregullimin total të sjelljeve politike të shteteve, ato nuk mund të përmblidhen të tëra me norma juridike: aktiviteti informativ, i spiunazhit, i kontraspiunazhit; lufta psikologjike, monopoli teknologjik etj. janë esenciale për politikën e jashtme të çdo shteti, por ende nuk janë krijuar mundësitë për rregullimin e tyre ndërkombëtar juridik. Me fjalë të tjera, kufiri midis së drejtës së shtetit që të veprojë për realizimin e interesave të veta në ambientin ndërkombëtar dhe normave juridike ndërkombëtare nuk është tërësisht i precizuar. Duket qartë se e tërë veprimtaria e jashtme e shtetit nuk mund të rregullohet me norma juridike. Andaj pyetjes se a janë shtetet tërësisht sovrane në veprimet e veta politike nuk është lehtë t’i jepet përgjigje e plotë dhe kategorike. Do të kalojë edhe shumë kohë, në qoftë se do të bëhet fare e mundshme, që bashkimi i Evropës ta eliminojë nevojën e dhënies së përgjigjeve të tilla. Sovraniteti, siç dihet, është koncept politik që shënon raportin themelor midis bartësit të pushtetit dhe pushtetit, princip i pushtetit suprem dhe të pakufizuar të individit, kur është fjala për monarkinë (diktaturën personale), të popullit, kur është fjala për demokracinë, të shtetit, kur është fjala për raportin me shtetet tjera. Shteti konsiderohet sovran në raport me shtetet tjera sepse, tek e fundit, për realizimin e interesave të veta, mund të zhvillojë edhe luftë. Megjithatë, edhe në luftë ato nuk janë tërësisht sovrane. Janë të kufizuara në veprimet e tyre, qoftë me norma juridike, për të cilat janë marrë vesh mes vete, qoftë me ato morale, të cilat gjatë shekujve janë kristalizuar si të tilla. Me fjalë të tjera, sovraniteti i shtetit (subjektit ndërkombëtar juridik dhe politik) nuk është absolut. Kufiri i sovranitetit në kohë lufte është ajo që përgjithësisht cilësohet si jo njerëzore (p.sh. kanibalizmi ose trajtat tjera të keqtrajtimit të robërve të luftës, janë të ndaluara edhe me norma morale në luftë, e jo vetëm me norma të së drejtës së luftës). Në kohë paqeje kufiri i tij (i sovranitetit) në njërën anë ndodhet tek sovraniteti i shtetit tjetër dhe nga ana tjetër, në atë që zakonisht konsiderohet e pranueshme në relacionet ndërkombëtare politike (p.sh. dënimi i veprimtarisë agresive). Shteti (subjekt i së Drejtës Ndërkombëtare Publike), vepron në ambientin ndërkombëtar të cilin e përbën tërësia e raporteve ndërkombëtare të shteteve dhe të subjekteve e të faktorëve të tjerë politikë.
Mirëpo ambienti i tillë ndërkombëtar, ose bashkësia ndërkombëtare, i krijon edhe ligjshmëritë e veta objektive të zhvillimit. Hulumtimin e tyre e ka për detyrë Shkenca mbi Marrëdhëniet Ndërkombëtare Politike ose edhe Politika Ndërkombëtare. Është me rëndësi se analiza e ligjshmërive objektive që ndikojnë në zhvillimin e bashkësisë ndërkombëtare i ndihmon ndriçimit të faktorëve që ndikojnë në veprimin e shteteve dhe anasjelltas, analiza e motiveve dhe faktorëve të veprimit të caktuar të shteteve, subjekteve individuale, i ndihmon perceptimit më të drejtë të tërësisë së bashkësisë ndërkombëtare. Shteti është subjekt më i rëndësishëm edhe i Politikës Ndërkombëtare, por nuk është i vetëm dhe as unik. Në rrethanat e ndryshuara të Evropës, megjithatë duhet pritur ta vazhdojë rolin e vet si të tillë, ndonëse mund të pritet (në kushtet e Evropës së Bashkuar) edhe folklorizimi i këtij roli (të shteteve të vogla).
Shteti në funksion të kombit
Botëkuptimi se vetëm shtetet (subjektet ndërkombëtare) mund të bëjnë politikë, dhe se nuk ka politikë jashtë tyre, mbështetet në kuptimin hegelian të shtetit si një e mirë supreme, ose edhe si një inkarnacion organizativ i shoqërisë. Politikisht, kjo do të thotë se shteti ndodhet në “funksion të plotësimit të nevojave të qytetarëve” (shih Joseph Frankel, The Making of Foregn Policy, Oxford University Press, London, 1967, f.55). Nisur nga një aspekt idealist, vërtetë do të duhej të ishte ashtu. Siç do të thoshte Frankeli, njerëzit “e shpikën” shtetin për t’i plotësuar nevojat e veta. Dhe shtetet rëndom, së paku ato regjime që e gëzojnë legjitimitetin e pjesës më të madhe të popullsisë, përpiqen t’i plotësojnë nevojat elementare të popullsisë. Mirëpo problemi në nivel teorik paraqitet së bashku me pyetjen se çka konsiderohet nevojë elementare në kohën e dhënë dhe çfarë është plotësimi i tyre në raport me mundësitë ekzistuese të shtetit? Nga ky aspekt edhe Frankeli detyrohet të konstatojë se “shtetet mbeten rojtarë të kulturave nacionale, por tani janë të paafta të ofrojnë siguri, dhe në shumicën e rasteve nuk mund ta sigurojnë mirëqenien ekonomike”(vep.cit, f. e njëjtë). Ndërkaq teorikë të tjerë e vënë seriozisht në pyetje edhe funksionin e mbrojtjes së vlerave kulturore (p.sh. nga imperializmi kulturor) por jo edhe nga aspekti parimor, nga i cili zhvillohet kjo analizë. Nga ky aspekt, Xhon Stësinger (John G. Stoessinger) e bën identifikimin e plotë të shtetit me kombin: “Bota jonë, -shkruan ai, -është e përbërë prej më tepër se 100 shteteve-kombe”. Ndërkaq, “…ajo që në kohën tonë e përbën kombin mund të cilësohet si vijon: e para, dhe më e qenësishmja, kombi është njësi sovrane politike; e dyta, është populli, i cili, meqë disponon me një identitet të theksuar kolektiv, të krijuar me përfytyrimin e përbashkët mbi të kaluarën dhe të ardhmen e vet, e përjeton një shkallë më të lartë ose më të ulët të nacionalizmit. Dhe më në fund, kombi është popullsi e cila e banon një territor të caktuar, e njeh qeverinë e përbashkët, dhe zakonisht, ndonëse jo gjithmonë, e ka një gjuhë dhe një kulturë” (shih J.G.Stoessinger, The Might of Nations, Random House, N.Y. 1967, f.7-8). Kombi, sipas këtij botëkuptimi, është popullsi e mishëruar me shtetin dhe jo kategori historike dhe as instrument i klasës. Ato (kombet) janë vetëm abstraksione që synohen përmes nacionalizmit të kuptuar si tendencë e vazhdueshme e emancipimit. Ndërsa vetë emancipimi nuk është tjetër pos “forcë kohezive” kundër dominacionit të huaj ose edhe “forcë lëvizëse” për emancipimin dhe pavarësimin e kombeve (shih vep.cit.f.83-89). Në identifikimin e kombit me shtetin edhe më i përcaktuar është teoriku zulmëmadh amerikan Hans J.Morgenthao, për të cilin “kombi si i tillë, nuk është entitet empirik”. Nga kjo premisë gjenerale ai e nxjerr përfundimin se kombi është abstraksion i numrit të individëve të cilët i kanë disa karakteristika të përbashkëta”. Ajo që i bashkon këta individë është tendenca për fuqi në plan të brendshëm apo ndërkombëtar. Kombin e përbën pozita e tij gjeografike, pasuritë natyrale, kapacitetet industriale, teknologjia, morali dhe elemente tjera të ngjashme. Në të vërtetë, kombin e përbëjnë të gjitha elementet që e përbëjnë shtetin (shih Hans J. Morgenthao, Politics Among Nations, A.A.Knopf, N.Y.1967, f.97-100). Njësoj decidiv si edhe Morgentao në identifikimin e kombit me shtetin është edhe profesori i shquar i politikës ndërkombüëtare në Universitetin En Erbor (Ann Arbor) në Miçigen, i cili mund të quhet lirisht anatomist i politikës: “Kombi, në rend të parë dhe mbi të gjitha, -thotë ai,-është njësi politike (“a potencial unit”). A.F.Organski, siç quhet ky profesor, natyrisht e ka të qartë se kombi dhe shteti nuk janë pikërisht një. Andaj ai shpjegon më tutje: “Thënë në mënyrë më specifike, kombi është njësia më e gjerë politike që nuk njeh asnjë superioritet politik. Anëtarët e të njëjtit komb mund të kenë, dhe zakonisht kanë të përbashkët, më tepër gjëra se sa qeverinë dhe territorin e njëjtë. Ata poashtu mund të kenë ekonomi, gjuhë, kulturë, religjion, ideologji politike dhe histori të përbashkët. Megjithatë, është me rëndësi të theksohet se këto karakteristika të tjera, ndonëse janë të zakonshme, nuk janë universale. Njeriu, faktikisht, mund të mendojë për përjashtime gati në çdo rast. E vetmja cilësi të cilën e ndajnë të gjithë anëtarët e kombit dhe për këtë nuk mund të ketë përjashtime, është ajo se ata të gjithë ndodhen nën jurisdiksionin e së njëjtës qeveri” (shih: A.F.K. Organski, World Politics, A.A.Knopf, N.Y.1968, ed.II i reviduar, f.18/7).
Në kontekst të përbërjes multinacionale të shtetit, sipas botëkuptimeve të theksuara, shqiptarët në Jugosllavi do t’ishin vetëm “nationality (nacionalitet -shtetas), kuptimi i së cilës te anglosaksonët nxirret nga identifikimi i theksuar i kombit me shtetin, andaj, në instancën e fundit, kuptohen si jugosllavë! Insistimi për t’i paraqitur si të veçantë, si komb më vete e jo si jugosllavë, në frymën e botëkuptimeve të këtilla do t’i nxirrte si grup etnik, për të cilin do të ishte i kuptueshëm nacionalizmi si formë e luftës për ndonjë copë më të madhe të pushtetit, por jo edhe për t’u ndarë nga pushteti i vendosur një herë. Në thelb të teorive anglosaksone mbi kombin dhe identifikimin e tij me shtetin qëndron e vërteta e kohëshme (kohësisht e përcaktuar) e shkencës e Theodor Adornos, për të cilën u fol më heret (shih artikullin “Për një qasje shkencore të politikës në Kosovë”, DEA, nr.4.1991) dhe e kuptuar si e vërtetë e krijuar së bashku me kohën: shtetin multinacional nuk e përbën një komb, por me kohë mund ta përbëjë një komb; Evropën e përbëjnë shumë kombe dhe shumë shtete, por proceset integrative të mbështetura nga politika e planifikuar e qeverive, me kohë do t’a shndërrojë në një komb-shtet.
Po Kosova? Shteti në funksion të demokracisë
Për kombet jugosllave, duke i përfshirë edhe shqiptarët në Jugosllavi, problemi qëndron tek mënyra e integrimit në Evropë, së bashku apo individualisht? Për shqiptarët në Jugosllavi problemi është edhe më specifik: së bashku me Shqipërinë apo me jugosllavët? Dhe përgjigja varet nga rëndësia që i jepet qëllimit, bashkimit të Evropës; nga vlerësimi i rëndësisë dhe i kapaciteteve të faktorëve të veçantë (kombeve individuale) dhe nga vendosmëria për ruajtjen e paqes në këto treva. Karakteristika kryesore e teorive në fjalë është rezonimi në suaza të fuqisë. S’ka dyshim se forcat politike në prapavijë të teorive të shtruara janë fuqimisht të interesuara për bashkimin e Evropës pikërisht edhe për shkak të këtij rezoni. Pikësynim ideal i këtij bashkimi do të ishte një Evropë e bashkuar pa kufij të brendshëm të shteteve, por ky tani për tani është vetëm një pikësynim ideal, jo edhe realitet i mundshëm. Për këtë shkak, pavarësisht nga shembulli gjerman, ato mund ta përkrahin në këtë fazë një bashkim të shteteve ekzistuese të Evropës, por jo dhe të kombeve të tyre individuale. Jugosllavia, si shtet multinacional, dikur shtet-tampon i drejtpeshimit të forcave, tani sërish i nënshtrohet ndikimit të raporteve globale. Me fjalë të tjera, dekompozimi i saj eventual nuk mund të jetë çështje e raportit vetëm me njërin nga polet e dikurshme të bipolaritetit të forcave. Një gjë e tillë do të ishte hyrje në dekompozimin e BRSS, e kjo ka pak gjasa të ngjajë pa trazira të mëdha, dhe aq më tepër, për shkak se rezonimi i tillë i fuqisë është prezent edhe tek pala tjetër.
Po qe se sipas teorive në fjalë, lufta e kombeve për pushtet, (fuqi), është imanente në vetë natyrën e kombit, autorët e tyre nuk janë naivë që të mos e dijnë se shqiptarët janë komb ashtu si dhe kombet tjera të formuara, dhe se është poashtu në natyrën e këtij kombi, ashtu si dhe te kombet tjera, synimi për t’u shtetëzuar, për të pasur pushtet dhe për ta maksimalizuar fuqinë. Ato forca natyrisht do të mund ta përkrahnin Shqipërinë e demokratizuar (është në natyrën e gjërave në Perëndim që shtetet ta përkrahin shtetin) në funksion të “përmirësimit” të “gabimeve” historike, pos nëse nuk ekzistojnë interesa tjera më të mëdha. Në një rast të tillë kjo gjë do të ishte kundër logjikës së tyre dhe është e kotë të shpresohet, pasiqë shteti, në kontekst të këtyre botëkuptimeve, njeh interesa dhe jo emocione. Një përkrahje e tillë doemos do të haste në kundërshtimin e serbëve në funksion të pararojes së interesave ruse (sovjetike) dhe përsëri do të varej nga interesat për bashkimin e Evropës, nëse një përkrahje e tillë do të ishte efikase. Në funksion të përkrahjes së Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë përsëri do të hasnin në kundërshtimin e njëjtë. Ndërkaq, në funksion të përkrahjes së Kosovës për ta bashkuar Shqipërinë me veten, për shqiptarët shtrohet pyetja se ku do të mbetej Kosova, brenda Serbisë apo brenda një republike të shtatë shqiptare në Jugosllavi? Ne kemi qenë gjithmonë të mendimit se Shqipëria duhet ta ruajë pavarësinë e vet dhe se Kosova duhet të jetë Republikë e barabartë me republikat tjera në Jugosllavi. Procesi i bashkimit të shqiptarëve është dashur të zhvillohet brenda suazave të proceseve integruese të Evropës, përderisa vetë integrimi i Evropës nuk mund të imponohet pa luftë. Ajo mund të akceptohet si bashkim i vullnetshëm i të gjitha palëve të interesuara, dhe jo si imponim i njërës palë ndaj tjetrës. Mendonim se përparësitë e këtij solucioni të çështjes shqiptare ishin të trefishta: 1. Nuk do ta shkaktonte acarimin tejmase të raporteve ndërnacionale, 2. Do të ishte solucion efikas dhe i pranueshëm për të gjitha palët e interesuara pos për shovenizmin serbomadh, dhe 3. Nuk do ta lejonte instrumentalizimin as të shqiptarëve dhe as të serbëve në funksion të interesave të huja globale apo regjionale. Mirëpo, tani një kohë të gjatë është duke ngjarë e kundërta: më parë refuzimi, e pastaj edhe okupimi serb i Kosovës u parapri me mos-deklarimin e qartë të partive politike shqiptare në favor të Republikës së Kosovës. Solucionin e këtij mat-pozicioni të tanishëm do ta bjerë padyshim koha, por është detyrë e jona të theksojmë se instrumentalizimi, çfarëdo qoftë dhe i kujtdoqoftë, nuk është bërë ndonjëherë në histori në të mirën e popujve, por vetëm në të mirë të interesave afatshkurtra (jo afatgjata) të nomenklaturave të tyre, të brendshme apo të jashtme. Dhe meqë vetëm popujt janë të përjetshëm dhe jo nomenklaturat e tyre, atëherë është e qartë se në plan të përgjithshëm, tehu i luftës duhet të shkojë drejt ndërtimit të raporteve të njëmendëta demokratike në kuptimin e autenticitetit të kushteve konkrete të Republikës së Kosovës, në drejtim të konfrontimit të njëmendët ideor dhe teorik me ata që Kosovën e pandehin oborr eksperimentimi dhe sprovimi të raporteve gjithëjugosllave dhe gjithëballkanike me qëllim të konstatimit se a është e mundur që të çlirohen nga “sindromi i vetmisë” së tyre, nga mbështetja në vëllezërit e mëdhenj dhe nga instrumentalizimi i vetes në interes të politikave të huaja; me ata që atë e pandehin si parcelë ekzotike të përzjerjes së kulturave dhe të qytetërimeve në truallin e Evropës për të sprovuar qëndrueshmërinë e teorive të llojllojshme globale e me qëllim të konstatimit se a do të ishte i mundshëm respektimi i aspiratave legjitime shqiptare, dhe me ata që me shekuj u mësuan të peshkojnë në ujëra të turbullta. Kosova ka shumë kundërshtarë, jo vetëm të drejtpërdrejtë (se askujt nuk ia pati zënë rrugën), por edhe të tjerë, që e provojnë drejtpeshimin e forcave. Po qe se Inteligjencia e Kosovës (në radhë të parë ajo shqiptare, por edhe të tjerët) tregohet sterile në perceptimin e kontekstit real të forcave dhe të drejtimeve realisht të mundshme të zhvillimit të mëtejshëm të proceseve politike, atëherë ajo sërish do të bjerë në provim. Gjer kur? Përse akoma po zgjat injorimi i heshtur dhe bllokimi i “Demokracisë Autentike”? A thua njëmend pritet të mos dihet se heshtja është e lidhur me inteligjencinë dhe bllokimi me shtetin? Proceset demokratike të Evropës e nënkuptojnë emancipimin e inteligjencisë nga shteti dhe instrumentalizimin e shtetit në funksion të demokracisë. Përse kjo gjë akoma nuk po ngjet dhe a ekziston vërtet bindje e njëmendët se është duke u vepruar drejt, në kongruencë me qëllimet që i nënkupton Evropa dhe që i synon Kosova, Jugosllavia dhe Ballkani?
Shteti në funksion të interesave vitale të kombit
Shteti i identifikuar me kombin, shteti-komb, sipas teorikëve të botës perëndimore, ndodhet në funksion të interesave kombëtare, në funksion të kombit dhe jo të klasës. Në përcaktimin e interesave kombëtare, pjesa dërrmuese, por jo edhe të gjithë teorikët e politikës, nisen nga një paralelizëm me botëkuptimin darvinist apo Hobsian mbi natyrën e njeriut të cilësuar si agresive. H.J.Morgentao mendon se përmes agresivitetit njeriu i realizon qëllimet e veta të cilat mund të konsiderohen si interesa. Morgenthao është përfaqësuesi më eminent i drejtimit realist në teorinë politike. Në thelb të botëkuptimit realist mbi interesin ndodhet kategoria psikologjike e aspiratës së njeriut për t’u bërë i fuqishëm, me qëllim të sigurimit, më parë të jetës së vet, pastaj edhe të mundësive të tjera që shkojnë bashkë me zhvillimin e njeriut. Morgentao në të vërtetë, e bën zgjerimin e kësaj kategorie (të interesit) duke e aplikuar te shteti dhe duke e ngritur në raportet midis shteteve: “Indikacioni kryesor që i ndihmon realizmit politik për ta gjetur rrugën në panoramën e politikës ndërkombëtare është koncepti i interesit të definuar si fuqi”. Sepse, interesi i definuar në këtë mënyrë, mendon Morgentao, “…e jep lidhjen midis arsyes që përpiqet ta kuptojë politikën ndërkombëtare dhe fakteve që duhen kuptuar. E përcakton politikën si një sferë autonome të aksionit dhe të kuptimit, të ndarë nga sferat tjera, siç është ekonomia (e kuptuar në suazat e interesit të definuar si pasuri) etika, estetika apo religjioni. Pa këtë koncept, teoria e politikës ndërkombëtare apo të brendshme, do të ishte tërësisht e pamundshme (vep.cit.f.5). I preokupuar tërësisht me kategorinë e interesit, Morgenthao konstaton kategorikisht se “Ideja e interesit është vërtetë në thelb të politikës dhe se nuk dëmtohet nga koha dhe hapësira”. Për ta plotësuar argumentimin e kësaj teze të shtrirë në kohë dhe në hapësirë ai shërbehet me pohimin e Tuqididit se lidhja e interesave është lidhja më e sigurt, qoftë midis shteteve, qoftë midis individëve” (koha antike); të Dizraelit: “shtylla e vetme e bashkimit që zgjat midis kombeve është mungesa e interesave të kundërta”(shek.XIX) apo të Georg Washingtonit: “Interesi është princip sundues i gjithmbarshëm”. Dhe Morgentao përfundon me tezën se “Politika ndërkombëtare, si çdo politikë, është luftë për fuqi”(vep.cit.f.25).
Në shpjegimin e këtyre koncepteve ataviste dhe të ligjit të xhunglës është edhe më i vrazhdët psikologu amerikan Kristiën Bej (Christian Bay) i cili gjithashtu niset nga premisa të ngjashme mbi natyrën e njeriut. Ai niset nga një fakt banal i jetës që thotë se çdo individ esencialisht lind për të jetuar, dhe se prandaj interesi i tij esencial (vital) është të mundësuarit e jetës përmes ndikimit në kushtet e dhëna objektive ose në rrethin shoqëror. Frojdi këtë tezë do ta ilustronte me reaksionet instinktive të foshnjave ndaj rrethit (së ëmës) si dhe ndaj nevojave dhe kërkesave të saj. Mirëpo këtë tezë frojdiste K.Bej e ngriti në nivelin e parimit: “Interesat më vitale të individëve brenda kombit janë mbrojtja e jetës dhe e rrënjës së saj, si edhe ruajtja e lirisë nga lloje të tjera të dhunës”. Po si shpjegohet atëherë gadishmëria e njerëzve-individë që ta flijojnë jetën e tyre për një ideal ose për atdhe? Si shpjegohet ndjenja e patriotizmit tek njerëzit, individët apo në shoqëri? Gjithnjë psikolog politik, K.Bej edhe për këto pyetje ka shpjegime të ngjashme: interesi vital i kombit-shtet, ose i kombit të organizuar si shtet, është sigurimi nacional i cili te ai reduktohet në ruajtjen e jetës së kombit apo të kombit shtet. Ndërkaq, preokupimi më vital i sigurimit nacional (këtë do të duhej ta mbanin mend forcat e armatës dhe të policisë) është të penguarit e luftës ose të vëllimeve të ngjashme të shkatërrimit që rezultojnë nga shtypja. Dhe preokupimi i dytë vital është evitimi i situatave ku shoqëria në masë të madhe do t’i nënshtrohej dhunës, qoftë përmes dominacionit të huaj, qoftë përmes diktaturave autoktone. Me fjalë të tjera, interesi i dytë vital për Bejin është i lidhur me ruajtjen e lirisë dhe me demokracinë brenda shtetit të dhënë. Ndjenja e patriotizmit andaj shpjegohet me interesin e njerëzve që t’i evitojnë situatat rrënuese të cilat mund të rezultojnë në shkatërrime të mëdha të jetës dhe të sigurisë së lirisë, si suazë e autokreacionit, vetëkrijimit ose të vetëzhvillimit të njeriut në shoqëri, të shoqërisë në shtet dhe të shtetit në ambientin ndërkombëtar. Mirëpo siguria, qoftë individuale, qoftë kolektive, nuk është absolute. Për këtë shkak, sipas K.Bejit, “qëllimet tjera të sigurimit nacional konsistojnë nga arritja e mëvehtësisë për nxjerrjen e vendimeve unilaterale të qeverisë nacionale dhe nga maksimalizimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke i zgjeruar format instituciuonale të mbrojtjes së tyre”. Në thelb, ai e identifikon interesin me të drejtën, nga e cila rrjedh se e drejta e jetës është elementare dhe e para (krahaso: K.Bay, The Structure of Freedom, Stanford University Prss, California, 1970). Në qoftë se pra, do të shtonim ne, e drejta është tendencë e vazhdueshme e rregullimit normativ të jetës politike të demokracisë, dhe nga ky aspekt, demokracia është politikë e rregulluar me të drejtën, ose që mbështetet në norma juridike, interesi i shtetit andaj realizohet në realitetin objektiv përmes metodave të lejueshme, legale: në kohë paqeje -përmes diplomacisë, ndërsa në kohë lufte -përmes luftës.
Operacionalizimi i teorisë -shembulli i vashës
Kosova formalisht nuk ndodhet në gjendje lufte, por në gjendje okupimi. Është shpallur, por nuk është konstituuar si shtet, ndonëse do të konstituohet si e tillë dhe do të jetë shtet. Ndërkaq gjendja shpirtërore e popullsisë është e rëndë. Poezitë e cituara të një vashe në faqen e parë të DEA-s nr.5 asociojnë pyetje të mëtejshme: cila është e drejta e saj elementare dhe e para në kontekst të teorive të shkoqitura? Ideali i saj i republikës duket sikur është vetë jeta. Demokracia e saj dhe e të tjerave si ajo duket se është çlirimi i dyfishtë, nga prangat e së drejtës zakonore dhe nga ato të robërimit politik. Jeta dhe liria e shkoqitur si republikë janë bërë një. Gjendja e saj shpirtërore është një apel i fuqishëm drejtuar të gjitha forcave politike për çlirimin e saj të kuptuar si sendërtim i idealit: “Në vdeksha e re, të mos qajë askush për mua”. S’ka asnjë teori me të cilën do të mund të arsyetoheshin fjalët e tilla të vashës, dhe nuk ekziston forcë që do të mund të pajtohej me vdekjen e saj apo të kujtdo qoftë në moshën e tillë rinore. Andaj, le të jetojë vasha dhe le të jetojë Republika! Teoritë le të shërbejnë për kthjellimin e mendjes.
Vazhdimi i teorisë, shkallëzimi i interesave
Shumica absolute e teorikëve të politikës, pavarësisht nga orientimet ideologjike, në një mënyrë apo tjetër, e akcepton rangimin e parashtruar organik të interesave: interesi vital nacional përgjithësisht lidhet me pavarësinë, me sigurinë, me ekzistencën nacionale apo me ekzistencën e shtetit. Interesi i kuptuar në këtë mënyrë barazohet me qëllimin: është interes vital i kombit-shtet të formuar tashmë një herë që të ekzistojë. Ky është njëherit edhe qëllimi i tij. Mirëpo qëllimi definohet pak më ndryshe nga interesi, i cili mund të jetë thjesht edhe ndjenjë e lidhur me gjendjen ekzistuese të gjërave (interesi i ekzistencës). Ndërkaq, qëllimi definohet si “gjendje e ardhshme e gjërave, të cilën ndokush e konsideron si të dëshirueshme dhe të vlefshme për t’u përpjekur për ta realizuar”(A.F.Organski, vep.cit.f.62). Megjithatë, në një farë shkalle, doemos do të vijë gjer te identifikimi i interesit me qëllimin. Interesi i ekzistencës p.sh., mund të duket qëllim në vete, ndonëse në thelb çështja është e diskutueshme: asnjë gjallesë dhe asnjë entitet nuk lind vetëm për të ekzistuar. Ekzistimi vetëm për vete nuk ka ndonjë kuptim. Ekzistenca si gjendje e dhënë mund të ketë kuptim vetëm si gjendje-pritjeje, potencial vetëkrijimi dhe krijimi. Mirëpo edhe në këtë shkallë duhet bërë përpjekje për të ekzistuar pa frikën se ndokush mund ta cënojë ekzistencën time. Me fjalë të tjera, duhet forcuar për t’u bërë sa më pak i lëndueshëm, sa më pak i cenueshëm dhe sa më imun ndaj goditjeve të jashtme. Pasi që të jenë siguruar këto dy gjëra (ekzistenca dhe rezistenca), mund të luftohet për vlerat tjera, të cilat mund të jenë kompetitive ose absolute, të qarta ose difuze, statike ose dinamike etj. Për Xhon Stësingerin nuk ekziston një koncept i vetëm me të cilin do të shpjegohej interesi nacional për shkak se ai i nënshtrohet ndryshimeve konstante (The Might of Nations, vep.cit.f.31). Megjithatë Organski, duke u nisur nga fakti se ato, d.m.th. interesat, mund të jenë të panumërta, e bën një kategorizim të ngjashëm: a) ato për të cilat është i interesuar një segment i rëndësishëm, në mos shumica e popullsisë, b) ato, realizimi i të cilave ndihmohet nga qeveritë nacionale, dhe c) ato, të cilat kanë efekte të konsiderueshme te pjesëtarët e kombeve tjera. Ai e pranon ekzistencën e interesave kompetitive (maksimalizimi i fuqisë) dhe të atyre absolute, por ky tipologjizim e përshkon tej për tej ndarjen e qëllimeve nacionale në 4 kategori të tjera të gjera: a) fuqia si qëllim nacional mbështetet në faktin se çdo vend kërkon të jetë zot në shtëpinë e vet dhe i lirë nga kontrolli i huaj. Në këtë kuptim, fuqia ose forca nuk është qëllim në vete, por vetëm instrument për realizimin e qëllimeve të tjera. Nga ky aspekt, duke iu kundërvënë Morgentaos, ai thekson se “të gjitha shtetet përpiqen që së paku ta ruajnë minimumin e fuqisë, në mos për tjetër, atëherë për të gjallëruar si entitet politik (vep.cit.f.66). Pasuria është qëllim kompetitiv, por edhe absolut. Si minimum ajo është e domosdoshme për ekzistimin e shteteve. Ajo e përfshin territorin adekuat, pasuritë natyrale dhe tepricën e prodhimit (mbivlerën) e cila shfrytëzohet për investime të mëtejshme dhe për mirëqenien e elitës së shtetit. Pasuria shprehet përmes standardit të jetës dhe është karakteristikë e shoqërive dinamike, por edhe e të gjitha kombeve moderne, c) qëllimet kulturore. Meqë shumica e shteteve nuk janë vetëm njësi politike por edhe kulturore, ruajtja e vlerave kulturore është poashtu interes nacional i çdo shteti. Këto vlera shprehen si mënyrë e jetës së përbashkët (p.sh., “american Way of life”), si preferencë e gjuhës së përbashkët ose edhe të institucioneve politike, ekonomike dhe religjioze. Pavarësia si interes vital i çdo shteti “e mundëson afirmimin e kulturës nacionale, ndërsa pushtimi i huaj mund ta absorbojë ose radikalisht ta ndryshojë”(vep.cit.f.69). Për ruajtjen e vlerave kulturore shtetet përdorin instrumente të ndryshme politike (p.sh. kufizimi i imigrimit në vendet anglosaksone dhe në Evropë). Mirëpo kultura gjithashtu mund të jetë edhe barrierë për ndryshimet e nevojshme teknologjike, sidomos në vendet në zhvillim. Andaj, Organski e quan politikë të drejtë të qeverive të këtyre vendeve atë që i lejon ndryshimet në kulturën e vendeve të tyre në përputhje me traditën pozitive kombëtare dhe me kërkesat e epokës, d) paqja, si interes nacional, do të thotë mungesë e luftës që shteteve ua siguron realizimin e interesave të tjera të lidhura me maksimalizimin e fuqisë. Shumica e teorikëve të proveniencës perëndimore bën klasifikime të ngjashme të interesave, por duke i plotësuar interpretimet. Marksistët dikur e bënin dallimin midis a) interesave unike (që e gëzonin përkrahjen e pjesës më të madhe të popullsisë) dhe atyre divergjente (që u shërbenin grupeve të ndryshme brenda shoqërisë). Teorikët e botës perëndimore këto i emërtonin si interesa të qarta dhe difuze; b) midis interesave nacionale dhe atyre humanitare. Distinkcioni mbështetej në pyetjen se a thua interesi i përgjithshëm i një shteti është i dobishëm edhe për shtetet tjera dhe për njerëzimin në përgjithësi? Vështirësia e këtij distinkcioni lidhet me çështjen e insistimit të shteteve në karakterin universal të qëllimeve të tyre. Britanikët dikur mendonin se “Paxa Britanica”, d.m.th. paqja e vendosur me imponimin britanik, është në interes të të gjitha kombeve, sikur që këtë sot e besojnë amerikanët; c) midis qëllimeve të përgjithshme dhe atyre specifike. Në të vërtetë, qëllimet zakonisht janë specifike, por prezentohen si të përgjithshme; d) midis qëllimeve të proklamuara dhe atyre aktuale (kur shtetet proklamojnë realizimin e qëllimeve të caktuara dhe pastaj, në vend të tyre e bëjnë realizimin e qëllimeve të tjera), dhe e) midis qëllimeve të status quo-së dhe atyre dinamike (kur gjendja ekzistuese e gjërave konsiderohet e përshtatshme për realizimin e interesave të caktuara, përkatësisht, kur ndryshimi i kësaj gjendjeje e bën të mundur realizimin e tyre praktik.
Klasifikimet marksiste të interesave, ndonëse me interpretim të veçuar, esencialisht nuk ndryshojnë nga klasifikimet e teorikëve të tjerë të Perëndimit. Për këtë shkak ato do të konsiderohen si kontribut i veçantë ndaj zhvillimit të mendimit politik mbi këto çështje, por nuk do të pajtohemi me relativizimin e nacionales në favor të klasores. Andaj, ndonëse rangimet e ngjashme të interesave nuk mund të jenë imune nga kritika, do të përfundojmë me klasifikimin që e bëri Profesor Northexhi (F.S.Northedge) nga Londra. Duke tërhequr vërejtjen mbi faktin se artikulimi i interesave ndryshon në mënyrë konstante gjatë kohës, fillon nga 1) ajo që quhet interes vital i kombit, të cilin e identifikon me vetprezervimin, me ruajtjen e integritetit fizik të vendit dhe të unitetit të popullit apo popullsisë, kur është fjala për vendin multinacional. Menjëherë pas tij vjen 2) ruajtja e pavarësisë, që e nënkupton lirinë relative të shtetit për të mos e lejuar përzierjen në punët e tij të brendshme; 3) tërësia e atributeve që nënkuptohen me fjalët influencë, autoritet ose status, 4) totaliteti i interesave materiale të shtetit (investimet, por edhe ruajtja e status quo-së, që i përgjigjet vendeve të zhvilluara, dhe 5) lufta për rritjen e standardit (shih F.S.Northedge, The Foreign Policyes of the Powers, The Freedom Press, N.Y.1974, f.20-21)
Kritika franceze, konteksti evropian
Kritika franceze ndaj botëkuptimeve anglosaksone të kategorisë së interesit ka përmbajtje të njëjtë: maksimalizimin e fuqisë, por kontekst të ndryshëm, pozitën e Francës në Evropë. Gjatë dy shekujve të fundit (XVIII-XIX) Franca e konsideronte veten si fuqi më të madhe ushtarake të Evropës, ndonëse vazhdimisht ndodhej në raporte rivaliteti me Britaninë e Madhe. Ka qenë e mundur prej koalicionit të madh evropian në luftrat e Napoleonit (fillim i shek.XIX), por kjo nuk ka ndikuar në humbjen e vetëbesimit kolektiv: “Zotëri, -thoshte Tallierandi, – e nënshtruat me shpatë Francën, por s’do të mund të uleni dot mbi majën e saj”. Fjalët e Tajleranit, ministër i atëhershëm i punëve të jashtme, e kishin kuptimin e barazisë, në mos edhe të superioritetit të Francës, në raport me secilën fuqi evropiane veç e veç. Territori asaj ia mundësonte daljen në det (Oqeani Atlantik) dhe shndërrimin në fuqi detare. Rivaliteti me anglezët, në kohën moderne, lidhej me kontrollin e rrugëve detare që të çonin në kolonitë e tyre në Afrikë dhe Azi. Ndërkaq, në Lindje, që nga lufta me prusianët (1870), gjermanët u shndërruan në një rival të saj të rrezikshëm për shkak të resurseve më të mëdha natyrore dhe për shkak se me numrin e popullsisë dhe të shtimit vjetor të saj (prej vitit 1905 Gjermanisë i shtoheshin nga 5 milionë banorë të rinj në vit) ia tejkaloi Francës: “Prej vitit 1870, dhe aq më tepër, prej vitit 1914 e këtej, shkruan një historian i njohur, -Franca në mënyrë morbide ishte e vetëdijshme për dobësitë e veta në raport me Gjermaninë”(shih E.H.Carr, International Relations Between the Two World Wars, St.Martin’s Press,N.Y.f.26). Ky vullnerabilitet bënte që francezët interesat e tyre nacionale t’i perceptonin në “miqësi me rusët, në njërën anë, dhe në përpjekje të vazhdueshme për posedimin e Rhinit (Rajnës) dhe të urave të saj në anën tjetër”. Në qoftë se kjo nuk tregohej e mundshme, atëherë ajo e tentonte posedimin e bregut të saj lindor (nga ana e Francës) ose së paku demilitarizimin e kësaj zone, qoftë edhe për një kohë të caktuar, siç ishte rasti me marrëveshjet e Versajit të vitit 1918. E ndodhur midis rrezikut nga ekspansioni gjerman dhe rivaliteti detar me anglezët, gjatë një kohe të caktuar, interesin e sigurimit të saj (interes vital) e kërkonte në rolin e rojtarit të status quo-së territoriale që ishte vendosur në kuadër të Ligës (Lidhjes së Kombeve), e pastaj edhe në rolin e garantit të një varg marëveshjesh që njihen me emrin e Antantës së Vogël (Çekosllovakia, Rumania, Jugosllavia) e cila esencialisht, përkundër animozitetit me komunizmin Sovjetik, prapseprapë, si një rryp gati i pandërprerë i shtrirjes së sllavizmit gjer në Adriatik, e siguronte Francën nga depërtimi gjerman.
Duke u nisur nga perceptime të tilla të pozitës gjeopolitike të Francës, Pjer Rënuvë e Zhan Baptist Dyrosell, (Pierre Renouvin dhe Jean Baptiste Duroselle) bënë nga një vështrim kritik lidhur me kategorinë e interesit; “Ideja mbi interesin nacional, -thonë këta, -korrespondon me besimin në të vërtetë konfuz që në një situatë të dhënë, objektivisht është e mundur të përcaktohen qëllimet, të largëta dhe të afërta, të cilat kombet duhet t’i ndjekin” (shih P.Renouvin, J.B.Duroselle “Introduktions a l histoire des Relations Internationales, Librairie Armand Colin, Paris, 1970, f.134). Për Francën, e cila kolonitë e veta i konsideronte departamente të shtetit francez, identifikimi i interesave të vendeve të kolonizuara me interesat çlirimtare që i artikulonin elitat e tyre nuk ishte i pranueshëm. Për këtë shkak, Renuvë dhe Dyrosell, të dëshpëruar me politikën e qeverive të veta (që ndërroheshin sukcesivisht), sepse nuk e gjenin dot rrugën e harmonizimit të këtyre interesave, pyetën: “A thua interesat superiore të shtetit, të involvuara aq shpesh, mos janë, përveç në raste të rralla, një mënyrë e kamuflimit të interesave shumë më pak fisnike, dhe gjithsesi të veçanta?”(vep.cit.f.135). Megjithatë, pavarësisht nga hamendjet, konstatojnë se “Të gjithë burrat e shtetit me përgjegjësi, doemos duhet të formojnë, dhe objektivisht e formojnë, një përfytyrim, më pak ose më shumë stabil, më pak ose më tepër preciz, më pak ose më tepër të elaboruar, mbi interesin nacional”(ibd). Dhe ky gjithsesi nuk mund të jetë identik me atë të anglo-saksonëve (gjë që i prekte amerikanët) të cilët vazhdimisht pohojnë se interesat e njerëzimit në tërësi, dhe jo ato të kombeve të tyre, e paraqesin qëllimin primar të aksioneve të tyre. “Ata, anglosaksonët, të rrethuar me vende të dobëta ose miqësore, gjë që nuk ishte rasti me Francën, dhe larg nga Evropa, duke disponuar territor kolosal me resurse të begatshme (sidomos amerikanët) shumë shpejt filluan të besojnë se kjo pozitë e jashtëzakonshme rezultonte nga një mbrojtje speciale e providencës, në mbështetje të karakterit moral të politikës së jashtme amerikane” (vep.cit.f.316). Autorët në fjalë në të vërtetë aludojnë në pozitën e avancuar të shoqërisë amerikane në raport me ato të Evropës, dhe në angazhimin amerikan në favor të demokracive evropiane (luftërat botërore). Përndryshe, H.Morgentao dhe Xhorxh Kenan e filluan të parët kritikën kundër botëkuptimeve të tilla amerikane (American Diplomacy, 1950), duke u mbështetur në parimin i cili thotë që “zotimi se do të jesh i virtutshëm nuk është vetë virtuti”, dhe pasi që aksionet politike amerikane filluan shpesh të binin në kundërshtim me parimet e doktrinës. Për autorët e përmendur francezë, esenca e çështjes reduktohet në pyetjen nëse morali privat dhe interesi nacional i formuluar dhe i kuptuar më së miri mund të koincidojë me interesin e njerëzimit në tërësi? Në zgjidhjen e kësaj çështjeje u thirrën në Enciklikën “Pacem in Terris” (Paqa në botë) të Papës Xhovani XXIII, sipas së cilës “i njëjti ligj moral që e rregullon jetën e njerëzve, duhet gjithashtu t’i rregullojë edhe raportet midis shteteve”. Vështirësia megjithatë qëndron në shquarjen e interesave të njëmendëta nacionale, meqë interesat partikulare, të veçanta dhe egoiste, shpesh vishen me petkun e të parit. Gjithnjë duke pasur parasysh pozitën e Francës, autorët e përmendur francezë interesin nacional e kuptojnë si sigurim të shtetit (pa marrë parasysh se çfarë, homogjen, multinacional, historik apo tjetër) të cilin e përbëjnë elementet në vijim: a) ruajtja e pavarësisë dhe sovranitetit, b) ruajtja e integritetit territorial, c) ruajtja e popullsisë, etj. Sigurimi mund të jetë aktiv (kur kërkohet sigurimi i vijës së mbrojtjes strategjike, duke e pushtuar atë) ose pasiv (evitimi i luftës, kompromisi me qëllim të përfitimit në kohë ose të realizimit të qëllimeve të tjera). Pasi që të jenë siguruar elementet përbërëse të sigurimit nacional, shtetet mund të zgjedhin prioritetet midis:
-serisë së qëllimeve abstrakte: fuqia, pasuria, vlerat, dhe
-serisë së qëllimeve konkrete: hapësira-ari-popullata (vep.cit. f.324).
Nga ky rangim i interesave kombëtare nuk është vështirë të konkludohet se megjithë kritikën në adresë të teorive anglosaksone, edhe teoria franceze e P.Rënovënit dhe J.B.Dyrosellit në të vërtetë është e ngjashme. Ndryshimet kanë të bëjnë me tendencën që edhe në nivel teorik Francës t’i sigurohet një vend i veçantë, një status origjinal në mesin e teorive të tjera të proveniencës perëndimore, të cilën Dë Goli përpiqej ta siguronte në planin praktik politik.
VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Pashtriku.org, 13. 05. 2013 – Kosova formalisht nuk ndodhet në gjendje lufte, por në gjendje okupimi. Është shpallur, por nuk është konstituuar si shtet, ndonëse do të konstituohet si e tillë dhe do të jetë shtet. Ndërkaq gjendja shpirtërore e popullsisë është e rëndë.

Po Kosova?
Shteti në funksion të demokracisë

( VIJON… )

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura