BEHXHET SHALA BAJGORA: MOS VDEKSHA SA TË JENË NË PUSHTET HASHIMI DHE BEHGJETI

Prishtinë, 13 qershor 2018: (Duhet të vdesësh që të vlerësojnë) – Ditë më parë ndërroi jetë sigurisht , deri më tani futbollisti më i mirë shqiptar , jo vetëm në Kosovë por në të gjitha trojet ku kanë jetuar dhe ku kanë luajtur futboll , Fadil Vokrri . Fadili rrjedh nga një familje 100 % futbollistike , babai Abdullahu ka luajtur në klubin futbollistik Llapi sikur edhe xhaxhallarët , Selatini dhe Muhameti kurse vëllai më i vogël , gjithashtu ka qenë futbollist i talentuar. Podujeva e Agim Veliut dhe Besiana e Adem Demaçit ka pasur futbollistë të shquar si Shaban Hajrullahu , Emin Simnica , Esat Mehmeti , Emin Ajvazi , Ibrahim dhe Ruzhdi Demiri, Fazli Llugaliu apo Xhorxh Besti llapjan , Ragip Çitaku i cili ka qenë i paparë kur e ka pasur topin në këmbë , muçollët gjithashtu dhe shumë të tjerë . Nga Besiana janë vëllezërit Xhaka dhe vëllezërit Ajeti që kanë bërë emër në futbollin ndërkombëtarë. Besiana ishte bërë qendër e shovinizmit dhe çetnikizmit serb të cilët e kishin në posedim qendrën e qytetit kurse shqiptarët jetonin në periferi , me përjashtim të familjes së Shaban Bajgorës , babushit tim të ndjerë e cila ishte enklavë e vetme shqiptare në qendër të Besianës. Për atë kohë Besiana ishte qendër e organizuar mirë , me lumin Llap i pastër si loti ku laheshim dhe peshkonim peshq , me një park të mrekullueshëm i cili u degradua sot e që nuk i ngjanë një parku të dikurshëm me asgjë , me një rrugë kryesore , me blinjë të shumtë që , përveç aromës , na shërbente edhe për dimër duke e përdorur çajin e blirit. Klubi futbollistik Llapi e më vonë edhe ai i henbollit kishin respekt në Kosovë dhe kishin shikues besnikë dhe lirisht mund të thuhet se më shumë shikues kishin atëherë këto dy klube se që kanë sot , së bashku. Në Besianë ishin disa familje me traditë e që respektoheshin midis vetes , sikur të ishin një familje. Ishin familja Fusha , Çitaku , Simnica , Lepaja , Muçolli , Blakçori që ishin bërthama e Besianës e që më vonë kjo strukturë ndryshoi për shkak të lëvizjeve të popullatës në kërkim të një perspektive apo jete më të mirë. Në Besianën e atëhershme kishte bohemë që jetonin nën ndikimin e zhvillimeve në Europë , duke filluar me ata që e dëgjonin muzikën rok përmes valëve të Radio – Luksemburgut dhe patriotëve që e dëgjonin Radio – Kukësin e që përndiqeshin nga regjimi i Serbisë. Pionerët e bohemizmit në Llap ishin Agim Çavdërbasha që bëri emër ndërkombëtarë në fushën e skulpturës , Avdush Hasani , artsist me famë botërore dhe Shaip Çitaku që bëri emër në grafikë. Këta e jetonin jetën ashtu si donin , pa iu nënshtruar skemave të atëhershme që ishin etabluar si standard moral i të jetuarit e që ishte shndërruar në arketip për vlera në një mjedis të rrënuar në aspektin social dhe material. Këtyre mysketirëve të parë të bohemizmit nuk u interesonin paratë prandaj u desh ta paguajnë një çmim për jetën që e zgjodhën. I pari ndërroi jetë Avdush Hasani e pastaj edhe Agim Çavdarbasha duke e lënë Shaip Çitakun ( baba i ambasadores Vlora Çitaku ) , pa krahë dhe pa motiv për ta vazhduar atë stil të jetës. Krahu i Radio – Kukësit identifikohej me Xhemajl Zeqirin ( gjyshin e këngëtares Dafina Zeqiri ) i cili , kulmin e shtëpisë ku jetonte me bashkëshorten Zizen , katër vajzat dhe dy djemtë, e kishte mbjellur me shumë antena dhe gjatë çdo feste kombëtare , Xhemajli arrestohej dhe mbahej në burgun e Besianës. Edhe gjatë çdo vizite që i bënte Kosovës krimineli Tito dhe kriminelët tjerë , “ kuksjani “ Xhemajl izolohej , deri në përfundim të vizitës. Ndonëse i pa shkollë , kur shkonim në shtëpinë e tij , ai na mbante orë të historisë duke i treguar fotot e personaliteteve të shquara kombëtare. Xhemajl Zeqiri ka mbeture i tillë deri kur ndërroi jetë. Gjenerata e patriotëve të rinjë të frymëzuar nga Met Podjeva , Jahja Fusha , Xhemajl Zeqiri dhe mbi të gjitha nga Baca i Madh , Adem Demaçi , ishin Shaban Shala, Xheladin Rekaliu , Hamit Berberi, Hakif Sheholli dhe të tjerët e vazhduan , me të gjitha sakrificat që duhej bërë rrugën e frymëzuesve . Shumë shkurtimisht për një të kaluar patriotike , politike , kulturore dhe sportive të Besianës.

Në atë kohë kishte respekt për ata që duhej respektuar . Skuqeshim në rrugë kur takonim mësuesin e parë , Shaban Zebica apo mësuesen Nexhmije. Bënim vizita të rregullta te Xhemajl Zeqiri kurse , për të uruar Bajramin fëmijët e familjes sime , së pari e vizitonim inxhe Zejnien ( gjyshe e Anita Haradinaj ) e pastaj familjen tonë të ngushtë . Kur bohemët e parë të Llapit më merrnin gjatë pelegrinazhit të tyre te lumi Llap , që për ne kishte kuptimin që e ka lumi Nil në Afrikë , ku pinin birra dhe luanin shah , ndjehesha si zot i vogël . Realisht , luaja mirë shah dhe në të shumtën e rasteve i fitoja lojët . Thuaja për çdo ditë luanim futboll të vogël në oborrin e shkollës fillore ku vokrrollët dhe Ragip Çitaku dominonin dhe bënin shou . Ragipi kishte një vëlla më të vogël , të talentuar , Fitimin i cili vdiq shumë i ri. Të njëjtin që luanim futboll , gjatë dimrit skijonim te Kisha e Podujevës , me ski të punuara nga tarabat e Nikollës që ia shkulnim . I fusnim në një kusi me ujë të vluar dhe pastaj bënim përpjekje t’ua japim formën e skive.
Fadil Vokrri ishte bindshëm më i miri në futboll të vogël apo fusball siç e quanim atëherë. Kishte këmbë si shtylla graniti dhe nuk kishe gjasa ta rrëzoje apo t’ia merrje topin . Pastaj kaloi në Prishtinë ku u bë yll i vërtetë për të kaluar në Partizanin e Beogradit . Ne atëherë , ndonëse ishim të padijshëm për politika të mëdha , bënim tifo për klubet e ligës së parë të ish – Jugosllavisë në bazë të preferencave politike. Ata që e donin më shumë pjesën serbe të Jugosllavisë kryesisht ishin me Partizanin apo Crvena Zvezden kurse ne , “ patriotët “ , ishim me Dinamon e Zagrebit apo Hajdukun e Splitit. Naivë ishim në atë kohë , u përmirësuam pakëz më vonë.
Kur Fadili luante në Beograd dhe për Jugosllavinë ne e donim dhe brohorisnim për te se ishte shqiptar dhe binim në delirij kur shënonte gol ( i shënonte shpesh ) sikur kur “ tranoheshim “ kur Nazif Gashi e mundi Beneshin apo kur Bogujevci , Hashani , Xhevdet Peci dhe Aziz Salihu i rrihnin ata që ne nuk mund t’i rrihnim e kishim shumë dëshirë t’i rrihnim.
Fadil Vokrri ishte futbollist i jashtëzakonshëm i cili , po ta kishte disiplinën e të bërit jetë sportive dhe të ushtronte si e bënë Ronaldo , sot do të ishte në 5 –shinë e futbollistëve më të mëdhenj botërorë . Fadil Vokrri , Ismet Bogujevci , Afrim Kusia , Luli dhe disa të tjerë ishte vala tjetër e bohemëve të Llapit , tash në rrethana tjera dhe mundësi tjera. Nëse Ismeti , një këngëtar i mrekullueshëm , Fadili , futbollist par exellance , Afrimi , këngëtar i mbushur me zë eksploziv dhe Luli , futbollist shumë i mirë , do të ishin dhënë ekskluzivisht pas të mirave materiale , Behgjet Pacolli dhe Ramiz Kelmendi sot do të ishin shegërt të tyre. Ismeti nuk ka pranuar kurrë , për asnjë çmim ta këndojë muzikë tallava për të fituar lekë por ka kënduar muzikë të pastër shqiptare për qejfin e shoqërisë me të cilët e ka kaluar një gjysëm shekulli jetë e në mesin e tyre ka qenë edhe Fadili . Me Fadilin jemi rritur sikur edhe me Ismetin ndërsa edhe raportet familjare i kemi shumë korrekte. Për Fadilin flasin ata që e kanë dashur , e kanë respektuar , e kanë njohur dhe kanë ndjerë dhimbje të sinqertë me vdekjen e hershme kurse, për mua është shumë brengosëse që për Fadilin sot po flasin profiterët politikë që , për së gjalli nuk ia kanë varur fare apo që kanë bërë përpjekje ta përmbysin nga posti që e ka pasur e tash , duan të vdesin për hidhërimin e madh që e kanë përjetuar për vdekjen e këtij mjeshtri të futbollit.
Ceremonia e varrimit të Fadil Vokrrit është dashur të bëhet nën përkujdesjes së Ministrisë për Kulturë , Rini dhe Sport e kurrsesi nga Kuvendi i Kosovës . Kuvendi i Kosovës duhet të merret me këso ceremonishë , mos e dhashtë Zoti me i ndodhë diçka Milaim Zekës , Zafir Berishës , Haxhi Shalës , Ganimete Musliut ; Danush Ademit apo Sllobodan Petroviqit . Kurse , për Duda Baljen as që duhet biseduar prandaj një lutje deri në qiell , O Zot ruaje Duden e për të tjerët , nëse të mbetet kohë e tepërt…!
Te ne është bërë si rregull që dikend e vlerësojmë vetëm kur të vdesë apo kur na duhet për përfitime politike . Prandaj edhe gruaja po më thotë shpesh : “ ishalla martohesh edhe një herë , për të më vlerësuar si duhet …” . Punë që nuk bëhet , martesa për herë të dytë është sikur ta siguroni një “ apartman “ të përjetshëm në Alkatraz .
Dy miq të mi të idealit , sakrificës , bashkëpunimit e që lë të kuptohet se jemi tre shpirtëra binjakë , Shkëlqesia e Tij , presidenti i Republikës së Kosovës , z. Hashim Thaçi dhe Z/kryeministri i Parë ( para Enver Hoxhës ) dhe Ministri për Punë të Jashtme , z. Behgjet Pacolli dhe unë , ( kurrkushi ) , reaguan shpejt , e shpallën të dielen si Ditë Zie kombëtare . Nga ky gjest i të parëve të Kosovës , kam mbetur pa gjumë . Të fortë janë , të fortë !
Asnjëri nuk e di datën kur kalon nga një gjendje e përkohshme , në një gjendje të përhershme . Dhe mirë është se është kështu sepse, po të ishte ndryshe të gjithë do të vdisnim përveç deputetëve të Kuvendit të Kosovës , që janë të pavdekshëm. E në veçanti Grupi që po lobon për v ( m )iza. Nuk e di nëse do të jetoj edhe 20 vjet , 30 , 40 apo dyzet ditë. Por , e kam një dëshirë që të mos vdesë sa të jenë në pushtet Hashimi dhe Begja sepse , Begja nuk do të shpallte as 10 minuta ditë zie për mua , që e vlerësoj dhe plotësisht do të jetë e pranueshme kurse Hashimi , në fejsbukun e vet do të shkruante aso fjalë për mua me të cilat fëmijët e mi do të binin në dilemë nëse unë kam qenë vërtet baba i tyre ! Apo , do të ma rreshtonte familjen sikur dikur në talim , do t’ua ndante një znaçkë e do të urdhëronte të më varrosin me nderime shtetërore sipas Protokollit të Gjylekarës dhe me orkestrën e Muçivërcës ! Ta shohim nëse kjo dëshirë do të më plotësohet !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura