FAHRI DAHRI: ANTISEMITIZMI BALLKANIK!

Itali, 16 nëntor 2018: Urrejtja, paragjykimi, shtypja apo diskriminimi kundrejt hebrenjve dhe hebraizimit është quajtur “Anti-Semitizëm”.
Për të shtjelluar trajtesën, e cila lidhet me ngjarjet e ditës, por që janë rrungala prenjsh dhe lumenjsh shekullorë, hera herës më duhet të ndalem tek disa përkufizime, të cilat nëpërmjet analizave do na ndihmojnë për të arritur në konkluzione të drejta, të sakta dhe të përshtatshme.

A ka dominim “antisemitizmi” në Ballkan, dhe si qendron e vërteta?
Semitikët konsideroheshin pasardhësit e Shem-it, ku përfshihen hebrenjtë dhe myslimanët e Lindjes së Mesme (të gjithë banorët e hapësirave territoriale të Lindjes së Mesme). Lindja e Mesme është sinonim për “Lindjen e Afërt”, ku zakonisht përfshihen shtetet e Azisë Perëndimore dhe pjesërish të Afrikës Veriore. Më vonë termi u është referuar hebrenjve. Antisemitizmi është paragjykimi, urrejtja, ose diskriminimi kundër një personi ose ndonjë grupi shoqëror, popujve, pakicave etnike, racore.
Në Europë, gjatë L2B, krahas antisemitizmit lindi edhe “holokausti”. Tashmë janë të njohura argumentetet, ku për të njëjtat ngjarje apo veprime, mbahen dy qendrime, sipas pozicionit përballë ngjarjeve të rënda, njëra sjell argumente justifikuese; tjetra sjell argumente kundërshtuese. Kështu ndodh edhe me qendrimet ndaj antisemitizmit dhe holokaustit Ballkanik.
Njëra palë (vrasësi) e përcakton Holokaustin si mashtrim i një konspiracioni hebre, i cili kishte si qellim për të avancuar interesat e tyre në kurriz të popujve të tjerë, dhe për të justifikuar krijimin e shtetit të Izraelit. Në këtë kuptim, mohimi i Holokaustit, në përgjithësi konsiderohet si një teori antisemitike konspirative.
Pala tjetër (viktima) e përcakton termin “Holokaust” gjenocid, që Gjermania naziste dhe aleatët e saj, kryen ndaj hebrejve të Europës. Hebrejtë në gjuhën e tyre (hebraike), termin haolokaust e quajnë Shoah (katastrofë, shkatërrim).

Vitet e fatkeqësive të mëdha ndaj popujve të Europës ikën, dhe popujt larg emocioneve të atyre dramave dhe kasaphanave, kanë kthjelluar mendjet dhe kanë gjetur anët e mira dhe të këqia të atyre ngjarjeve të llahtarshme, midis tyre është definuar edhe holokausti, i cili as më pak e as më shumë është përcaktuar, terror, asgjësim total dhe ka sinonim kataklizmat, shkatërrimet, vrasjet masive, katastrofat, masakrat, asgjësimet, shfarosje, hakmarrje, gjenocid, deri në aktin e fundit spastrimin etnik.
Sipas Bernard Lazare (14.06.1865 – Paris, 1.07.1903) identifikohen tre forma të antisemitizmit: Antisemitizmi i krishterë, antisemitizmi ekonomik, dhe antisemitizmin etnik ose etnologjik; ndërsa William Brusteini (Zv.President për Strategjitë Globale dhe Çështjet Ndërkombëtare, Professor of History at West Virginia University), emëron katër kategori: fetare, racore, ekonomike dhe politike.
Këto akte ç’njerëzore janë vërtetuar gjatë shekullit XX dhe vazhdojnë të veprojnë edhe në shekullin XXI, nga shtetet të cilat sforcërisht i etiketojnë dhe etiketohen ”demokratike”. Krahas sa u tha, shoqëria njerëzore përmban edhe disa vese të tjera,urrejtjen, e cila është emocion njerëzor që paraqitet si efekt i agresivitetit të mbledhur kundër një personi ose ndonjë grupi shoqëror, popujve, pakicave. Urrejtjet e drejtuara kundra etnisë dardano-arbëroro-epirote, të pamotivuara, të rënda në ndjeshmërinë e personalitetit tonë, janë, siç shprehet populli, “urrejtje qorre”, pa mbështetje logjike.
Gjithashtu në shekullin XX-të, lindi edhe “Aparteidi”, me fillesë në Afrikë, me të cilin përcaktohet diskriminimi sistematik dhe i legalizuar, ndaj një personi, grupnjerëzish, racash, etnie apo fetare. Faktikisht “aparteidi”, është përdorur nga të huajt gjërësisht edhe ndaj mjedisit shqiptar. Më të theksuara, radikale, të papërmbajtura dhe tejet të skajshme kanë vepruar ndaj pakicave etnike shqiptare, të rajonit të Kosovës, të Çamërisë, Iliriadës, të cilët kaluan bashkë me trojet e tyre padrejtësisht në shtete të tjera.
Në vijim do përqendrohemi tek shtjellimi i disa lëvizjeve të kohës së fundit, të cilat ngritën krye duke përdorur veprime maskuese ndaj ngjarjeve të vërteta, me spostim jo dashakeqës, por armiqësor, jo vetëm për qëllime politike, por nxitës të nacionalizmit ekstrem dhe destabilizues deri në cënim të sovranitetit të vendit. Raste të cilat zbardhojnë dhe zbulojnë realisht veprimet antishqiptare, si ndaj shtetit Shqiptar dhe pakicave që aksidentalisht ndodhen sëbashku me trojet e tyre nën pushtimin e shteteve të tjera, gjatë mbi 100 viteve.
Shtjellimin do ta realizojmë duke marrë për referim dy qendrime të ndryshme, për të njëjtën ngjarje dhe argumentet dy palëshe, nga ku dallohen shumë qartë mashtrimet dhe të vërtetat, si dhe shfaqen haptazi si karakteret paqedashës dhe ato agresive të palëve në diskutim. Për palë do përfshijmë personalitetet që kanë mbajtur qendrimet e tyre, jo të grupuar sipas shteteve, por sipas këndvështrimit të tyre për të njëjtën ngjarje.
Ky ballafaqim qëndrimesh, do të tregojë seriozitetin dhe sinqeritetin ndaj të vërtetave, dhe do të zbulojë dy fytyrësinë e trajtimit të problemeve nga pikëpamja politike, njëherazi dhe përdorimin e “antisemitizmin” racor, politik, ekonomik dhe fetar, i pranishëm edhe në shekullin XXI.
Analizë nuk ka për qëllim të faktorizojë elementët pozitivë dhe negativë të ngjarjes konkrete (ngjarjes së Bularatit), por shërben për të bërë të mundur ndërgjegjësimin e shoqërive njerëzore të të dy shteteve tona dhe më gjërë, lidhur me mundësitë reale për të kuptuar mashtrimet, nxitjet nacionaliste ekstremiste, urrejtjet qorre, si etniko-racore, politike, ekononike dhe fetare. Po ashtu për të siguruar këndvështrime realiste në mbajtjen e qendrimeve të drejta ndaj ngjarjeve të cilat mjeshtërisht manipulohen nga politikat, ekstremistët nacionalë, racorë, fetarë dhe ekonomikë.
● Fillimisht do të trajtojmë shkurtimisht qendrimet realiste, të sakta dhe të sinqerta të disa personaliteteve nga të dy shtetet fqinjë, ndaj ngjarjes në Bularat me datë 28 tetor 2018:
Qendrimet e qeverisë shqiptare:
●- Pas vrasjes së 35-vjeçarit në Bularat të Gjirokastrës, ka reaguar shefi i qeverisë shqiptare: “Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falënderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste”.
Reagime të disa personaliteteve të shtetit Grek:
● – Ish-ministri i Jashtëm grek, Theodoros Pangalos, mes të tjerash deklaron: “Jam kundër faqezinjve që sulmojnë policinë. Kushdo që ka armë në dorë duhet të qëllohet. Policia veproi siç duhet të vepronte në SHBA a vendet nordike”. “Nuk bëhet politik e jashtme me kush është më i fortë, kush bërtet më shumë. Me një ekonomi të shkatërruar nuk mund ta themi këtë. Greqia duhet të zgjidh problemet e saj me aleanca me fqinjët e saj. Unë pash në fotografitë të publikuara se kishte flamuj kudo në fshatrat, nuk e kuptoj ketë që thonë se nuk e lejuan të vendosi flamur. Nuk e kuptoj se ca deshi ai (Katsifas) të shkonte nga Greqia të vendoste flamuj aty? Nuk kishte kush ta bënte aty?”, u shpreh Pangalos.Gazeta Dita, dt . 01.11.2018
●- Zv/ presidenti i Parlamentit Europian dhe deputet i partisë së kryeministrit grek Aleksis Cipras, Dimitrios Papadimoulis u shpreh: “Greqia si anëtari më i vjetër i familjes evropiane në Ballkan, dhe më i fuqishmi dhe më i pasur, duhet të jetë pionier në mënyrë që faktet e tilla të trishtuara të trajtohen me kujdes dhe seriozitetin e duhur. Ajo që është tani e rëndësishme është të ulen tonet, të ndalohen të tjerët që ngatërrojnë këtë temë politikisht nga politika që po luajnë në të dyja anët e kufirit. Natyrisht ky njeri kishte pikëpamje ekstremiste, me sa duket kishte kallashnikovin dhe qëlloi. Në Athinë dhe në Tiranë janë kundër dhunës, por edhe kundër luftës së armatosur, si një metodë për arritjen e qëllimeve politike, nuk duhet ta heroizojmë Kostandinos Katsifa. Duhet të sqarohet nëse Katsifas mund të neutralizohej pa u vrarë. Ky ping pong mund të përkeqësojë jetën e pakicës greke në Shqipëri“.
●- Me datë 28.10.2018. Ministrja greke e Arsimit, tregoi vizitën në Shqipëri dhe u shpreh se:”i nderuam ushtarët mes malesh pa problem, flamujt tanë nuk u ulën, por valëvitën lart. Homogjeni me kallashnikov kërcënoi dhe na quajti tradhëtarë”.
●- Nikos Filis, ish-ministër i Arsimit dhe deputet i partisë qeverisëse Syriza, në një intervistë për “Tv Creta”, deklaroi se Kaçifas u vra në Jug të Shqipërisë dhe jo në Vorio-Epir, sikurse përflitet në qarqet antishqiptare. “Është Jugu i Shqipërisë. E them sërish dhe jam i kujdesshëm në atë që them. Është Jugu i Shqipërisë dhe jo Vorio-Epiri. Janë territore shqiptare, ka dominim të popullsisë shqiptare dhe aty jeton edhe minoriteti grek, që fatkeqësisht është në një masë të vogël për shkak se janë larguar. Por kjo është histori tjetër“. Deputeti grek ka argumentuar gjithashtu se veprimi i policisë shqiptare, që iu kundërpërgjigj breshërisë së kallashnikovit të qëlluar nga Kostandino Kaçifas, është tërësisht i mirëkuptuar. “Një person merr kallashnikovin në një vend të huaj dhe ngre flamurin grek. E imagjinoni dot sikur një turk të vijë në Traki me kallashnikov dhe të ngrejë flamurin turk e të qëllojë kundër policisë, çfarë do të thonit?”.
● 14 deputetë të Syrizës, padisin stacionin televiziv “Star”. Postuar: 07/11/2018.- Stacioni televiziv kombëtar grek “Star” është paditur nga 14 deputetë të “SYRIZA” për lajme të rreme në lidhje me vrasjen e Kostandinos Kacifas nga autoritetet shqiptare. Anëtarët e partisë në pushtet, denoncojnë televizionin “Star” se ka transmetuar informacion të rremë duke kontribuar në mashtrimin e opinionit publik sidomos për një çështje të ndjeshme si kjo e vrasjes së Kacifas që përfshin marrëdhënien Greqi-Shqipëri.
“Lajmi i ditëve të fundit ku thuhet se Konstandinos Katsifas nuk u vra gjatë një shkëmbimi zjarri por u arrestua më pas u vra në mënyrë makabre nga forcat policore shqiptare në fshatin Bularat me 28 tetor 2018 është një shqetësim i madh për ne. Ky incident i rëndë u shfrytëzua për të nxitur nacionalizma të pavend në publik nga televizioni “Star” dhe nga faqe interneti të dyshimta për besueshmërinë e tyre.”, thuhet në një pjesë të denoncimit nga deputetet.
Sipas “Albeu” jepen edhe emrat e deputetëve që denoncuan televizionin “Star”. Së fundi, ata u kërkojnë ministrave përgjegjës:
“• Çfarë iniciativash keni ndërmarrë për të rivendosur të vërtetën?
● Çfarë veprimi do ndërmarë Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit për këtë çështje?
● A do të sanksionohen përgjegjësitë e stacionit televiziv “STAR” për këtë incident”.
Këndvështrimet ndaj ngjarjes, tregojnë ngjyrimet antisemitike, halokaustin aparteidin dhe ekstremet politike.
Personalitete të opozitës shqiptare, lidhur me “Bularatin”, mbajnë qendrime thjeshtë politike, për intresa partiake. Për “hir” të politikës, u sulmua qendrimi i shtetit Shqiptar. Qendrime të cilat, për situatën, u vinin për shtat veprimeve dhe thirrjeve antishqiptare.
Trajtojmë disa nga këto deklarime, për gjykim të pavarur të lexuesve.
a) Përfaqësues i PD-së: “Të dashur miq, dje një banor i Bularatit, anëtar në forcat e armatosura të Greqisë ka hapur zjarr për motive ekstremiste edhe ndaj policisë. Natyrisht në çdo rast që hapet zjarr drejt policisë kësaj të fundit i lind e drejta ligjore të neutralizojë burimin e zjarrit. Kur them të neutralizojë nënkuptoj me ketë dorëzimin e kriminelit që hap zjarr, plagosjen e tij dhe së fundi edhe asgjesimin e tij kur dy të parat janë ta pamundura. Pavarësisht aktit të dënueshem që vuri në rrezik forcat e rendit, i shpreh ngushellime njerëzore familjes së viktimës. Duke dënuar disa reagime zyrtare të Athinës por edhe të Tiranës, që duan të përdorin rastin për qellime politike. Konsideroj të nevojshme një hetim të plotë dhe transparent të kësaj ngjarje. Me këtë rast bëj thirrje për nderprejen e histerisë primitive antishqiptare në Athinë dhe asaj antigreke në Tiranë, që nuk i sherbejnë as të vertetës dhe as bashkëpunimit mes popujve dhe vendeve tona!”.
b- Përfaqësues i Partisë Demokratike, në bashkëbisedimin me gazetarët ditën e sotme, e konsideroi vrasjen në Bularat si “ngjarje kriminale që duan ta kthejnë në ngjarje politike”….“Rama kërkon që të zhvendosë në mënyrë artificiale vëmendjen, duke pompuar një ngjarje kriminale që duhet trajtuar si kriminale. Është tregues i gjendjes ku ndodhet ai dhe qeverisja e tij. Ai kërkon të largojë vëmendjen nga fakti që nuk kemi qeveri, por një bandë kriminale që na drejton”, deklaroi Basha. “Ai jo vetëm përdor ngjarje të tilla kriminale, por edhe prodhon ngjarje që çojnë në destabilizim të vendit dhe rajonit”. (Sipas gazetës “Dita” dt.30.10. 2018).-
Qendrimet ndaj ngjarjes së Bularatit, në një farë mënyre dakortësuan Athinën me partitë neo-naziste (si: Agimin i Artë, Demokracia e re dhe organizatat homologe të MAVI-së) ndaj shtetit Shqiptar. Njëherazi u pa dhe zhgënjimi i shtetasve shqiptarë, të cilët minoritetin e kanë respektuar më mirë se çdo shtet tjetër duke e konsideruar me vetëdije “urëlidhëse” mes dy popujve; por disa prej tyre, nisur nga qendrimet ndaj ngjarjes, dhe jo vetëm kjo, e vunë në dyshim dhe identifikojnë me “uranxitëse” dhe baza strehimi për ultranacionalistët homogjenë, në krijimin e mundësive për realizimin e fantazmës Vorio-Epir. Zhgënjimi ishte i pritur dhe i njohur për ata, por rasti reflektoi edhe shpresa të humbura!.
Ja disa qendrime dhe thirrje ekstremisto-nacionaliste që, “vlojnë” në idetë e shtetit të “Megalloidesë”:
c- Eurodeputetja, Eleni Theocarus pjesë në Grupin e Konservatorëve dhe të Reformistëve në Parlamentin Europian është shprehur: “Besoj se jemi përballë një dhunimi të madh të të drejtave njerëzore të komunitetit grek të zonës. Ngjarjen e konsideroj vrasje dhe dua që njerëzit që ndodhen në Bruksel të dëgjojnë zërin e të ëmës së Kaçifas. Sepse burgosja që mund t’i ndodhte të birit nuk krahasohet me dhunimin e të drejtave themelore të njeriut”.
Për kujtesë, eurodeputetja qipriote në fjalë, në dhjetor të vitit 2016 ndodhej në Tiranë, në një aktivitet të organizuar nga PBDNJ, ajo u ekzaltua, u frymëzua (uplift) dhe me pompozitet, deklaroi: “Gjendem mes greqizmit të Vorio-Epirit, i cili prek këto toka të shenjta të një vendi grek të lashtë që ka ngelur jashtë kufijve të shtetit Grek”. Pas incidentit të para 10 ditëve, ku humbi jetën Kacifas ajo do të deklaronte: “Shqipëria nuk do të hyjë me gjak në Bashkimin Europian”. Po në ditën e varrimit të ekstremistit Kacifas, ajo u shpreh sërish: “Rasti tregon se sa respektohet minoriteti në Shqipëri. Të cilësojnë terrorist, të çmendur. U përpoqën të të vrisnin edhe me harresën e tyre. Ti re për bashkimin tonë. Rrugë të mbarë në parajsë. Krimi jot i vetëm është që ti e doje shumë Greqinë. Je i pavdekshëm”.
Bazuar në qëndrimet e saj, lidhur me ngjarjet dhe thirrjet raciste në Bularat, nxitjen e urrejtjes dhe pretendimeve territoriale, Shqipëria e shpalli person të padëshirueshëm eurodeputeten qipriote.
ç- Mitropoliti i Konicës, Konstantinos Andreas, i bën thirrje shtetit grek të “ndërhyjë” për të çliruar “Epirin e Veriut”. Në letrën e tij thuhet se “shqiptarët e urrejnë helenizmin”. “Pavarësisht se sa shumë përpiqen shqiptarët, helenizmi i Epirit të Veriut nuk do të çrrënjoset”. “Ne të gjithë mendonim se krimi i fundit i shqiptarëve do të ishte ai i vrasjes së katër të rinjve nga Aliko, më 12 dhjetor të 1990. Por shpejt instikti nxorri në pah terrorizmin e ri shqiptar dhe krimin kundër grekëve në Veri. Kështu në gusht të 2010 u vra Aristoteli Goumas nga Himara, vetëm se fliste greqisht”. “Dhe tani në 28 tetor 2018 vritet Kostandin (trimi) Kacifa, nga Bularati i Gjirokastrës, sepse ngriti flamurin grek të madh në varrezat e ushtarëve heronj grekë (??!). Tani shqiptarët vazhdimisht pretendojnë njëmijë justifikime për të mbuluar krimet e tyre. Ne i bëjmë thirrje shtetit grek dhe autoriteteve të insistojnë në sqarimin e krimit. Në mënyrë që të ndalojnë fatkeqësitë në Epirin e Veriut nga shqiptarët e paskrupullt, duke iu drejtuar të gjithë grekëve i bëj thirrje që të kuptojnë, se zgjidhja e vetme për të shpëtuar grekët nga vendi barbar fqinj është vetëm një: “Bashkimi i Epirit të Veriut me Greqinë”, thuhet në letrën e mitropolitit.
Në këtë shkrim nuk dëshiroj t’u bëj komente deklarimeve pro dhe kundër, ato i takojnë lexuesave, por për thirrjet e këtij prifti them vetëm kaq: Hipokrizi, nuk tregon të vërtetën, por e përdor ngjarjen duke mashtruar në shërbim të qëllimit të kishës ortodokse greke për shtrirjen e helenizmit.
e- Një incident me flamurin grek në një varkë në ishullin e Kretës, ka shkaktuar reagime dhe në qendër të vëmendjes, pa asnjë burim informativ, janë akuzuar shqiptarët. Kur mbas sqarimeve rezultoi se ishin disa nxënës francezë, që kishin udhëtuar drejt Kretës nga Franca. Ata kishin ulur flamurin grek nga një shtyllë. Dikush nga qytetarët e rastit e fotografoi momentin dhe pa një pa dy nxituan të informonin se mbas atij akti ishin shqiptarët. Po ashtu vrapuan edhe mediat greke dhe pa hezitim e pasqyruan lajmin se autorët e heqjes së flamurit Grek ishin shqiptarët.
Në të vërtetë rezultoi se akuza ndaj shqiptarëve ishte e sajuar. Sqarimin dhe të vërtetën e informoi e përditshmja greke “I Efimerida”, e cila shkroi se personat që mendoheshin të ishin shqiptarë për uljen e flamurit grek, në fakt janë francezë, pjesë e një grupi prej 40 nxënësish që kishin shkuar në ishullin e Kretës. Edhe policia greke nisi hetimet pas bërjes publike të kësaj ngjarje dhe zbuloi se asnjë shqiptar nuk ishte i përfshirë. Mbasi u sqarua se si ishte e vërteta, shtypi grek shkruajti se nga verifikimet rezultoi që as nxënësit francezë nuk kishin synim të përdhosnin flamurin e Greqisë, por dëshironin që ta merrnin si suvenir pas largimit nga Greqia. Kuptohet dy fytyrësia, justifikim për francezët, ndërsa po të ishin shqiptarë, reagimi do ishte krejt ndrydhe, siç dhe u informua.
Një incident i cili është shumë domethënës për qendrimet greke ndaj shqiptarëve! Qendrimi i palës greke ndaj incidentit me flamurin, na kujton njëshmërinë e qendrimit të shtetit Grek ndaj shteteve nazifashiste, të cilat e pushtuan. Shteti Grek, me që ato ishin dhe janë shtete të fuqishme, krijoi marrëdhënie diplomatike, bashkëpunimi dhe miqësie, ndërsa me shtetin Shqiptar, megjithse nuk zhvilloi luftime me Greqinë, vazhdon të mbajë “Ligjin e Luftës”. Nxënësit francezë, janë të shtetit Francez, me qënë se janë të tillë, ata e donin flamurin grek për “suvenir” (një qendrim me dy anë pozitive, sipas palës greke: “vlerësimin” e flamurit grek dhe “justifikimin” e veprimit të nxënsave francezëe; nëse do ishin nxënës shqiptar, të shtetit Shqiptar, do akuzohej Shqipëria në Bruksel po se po por deri edhe në OKB.
Fahri Dahri 12.11.2018
ANTISEMITIZMI BALLKANIK (Pjesa e dytë)
Opinione dhe komente!?
Ndaj ngjarjes dhe të dy qendrimeve, atyre realiste dhe atyre të kamufluara për të nxitur destabilizim dhe pengesa në bashkëpunimin mes shteteve fqinj, janë bërë shumë opinione dhe komente prej qytetarëve nga të dy shtetet fqinje.
Qendrimet e disa prej opinionistëve dhe komentuesave të ngjarjes së Bularat:
● Lexime. Datë 05.11.18. M. B.: “Pas Bularatit, ushtarët grekë duhet të përcillen në atdhe”.“Ngjarja e Bulararit, ku një i vetëquajtur “ushtar i Vorio Epirit” u ekzekutua ndërsa sulmoi pa asnjë shkak Policinë e Shtetit shqiptar, ka risjellë në vëmendje pasojat që mund të ketë në të ardhmen ekzistenca e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në jug të vendit gjatë luftës së largët italo-greke”. Komentuesi mbasi e trajton realisht ngjarjen, duke respektuar rregullat e bashkëpunimit dhe fqinjësisë mes dy popujve dhe shteteve tona, me vizion shkencor dhe progresist shfaq mendime në ndihmë të negociatorëve për marëveshje të sinqerta, me reciprocitet dhe të lihen mënjanë thirrjet për “superioritetin ushtarak të Greqisë”.
Në koment-opinionin e tij, vazhdon: “Nuk ka dyshim që qeveria e zotit Cipras ka pasur një politikë me mirëkuptuese me Shqipërinë dhe siç thotë Pangollos, e ka kuptuar se konflikti me Shqipërinë dhe fqinjët veriorë në tërësi e çon vendin helen në izolim dhe armiqësi rrethore, prej së cilës humbet vetëm Greqia. Por siç duket, grupet ekstremiste në atë vend që nuk mund të jetojnë pa konflikte dhe armiqësi me shqiptarët janë duke i fryrë zjarrit të urrejtjes dhe spekuluar me një veprim rutinë të policisë shqiptare si të çdo policie tjetër në botë, kur një person, kushdo qoftë ai, kërcënon jetën, pasurinë, rendin publik dhe ekzistencën e qytetarëve të tjerë, aq më tepër kur kap armët edhe ndaj Policisë së Shtetit, siç bëri greko-shqiptari. Ishte e lodhshme, raskapitëse dhe dëshpëruese konspiracioni grek për ta përfshirë policinë shqiptare në një konflikt dhe krim me motive etnike ndaj një qytetari shqiptaro-grek”. “Kjo histeri e radhës ishte një tjetër turp i atyre që e bënë. Askush në Shqipëri nuk ka ndezur histeri antigreke edhe kur në burgjet e Greqisë janë ekzekutuar qytetarë shqiptarë që vuanin dënimet në këtë shtet… Askush në Shqipëri nuk e ka ngatërruar, as nuk e ngatërron një minoritar grek kriminel, apo terrorist me gjithë komunitetin grek në Shqipëri…. Por, a mundet që incidenti tragjik i Bularatit të ishte një provë? Ka shumë mundësi”
● Komentuesi A. E. Me 5.11.2018, mbështet opinionin e mësipërmë si vijon:
-Zoti M. përgëzimet e mia më të sinqerta. Një thirrje e fortë, serioze, e paanshme dhe e domosdoshme për tu mbajtur parasysh nga shteti Shqiptar. Nuk jemi as për luftë, as për të mbajtur pushkët të ngrehura, as për të treguar trimëri. Jemi vërtet tolerantë, por jo të nënështruar, as e kemi dhe as e ndjejmë veten inferiorë, kushdo që kërkon të bashkëpunojë me ne, duhet të ketë të qartë se është i mirëpritur, i mirëkuptuar, por mos t’u shkojë mendja se mundet të na poshtërojnë, apo të na nënvleftësojnë.
Ne shkruajmë dhe flasim me kujdes, mes rreshtave të shkrimeve është mirë që të tjerët, kushdo qofshin, të arrijnë të kuptojnë tolerancën tonë dhe më e rëndësishmja të kuptojnë se toleranca brenda saj ka respektin për njerëzit, dëshirën që të mos i prekim në sedër të tjerët. Edhe kur ata gabojnë, ne u a themi me kujdes, që ata të korigjohen dhe të marrin kthesat e duhura. Por ja që ndodh edhe të mos na kuptojnë, bile na i marrin si “përulje”… Ne, vërtet bëjmë lëshime, por ja që nuk kuptohemi si duhet, tolerancat, lëshimet (jo bazike) na i marrin për dobësi, gjoja se i “lëpihemi” dikuj. Është fatkeqësi për fqinjët kur nivelin e lartë të ndjeshmërisë njerëzore dhe ndërgjegjen kombëtare që ka populli ynë, ata na e marrin për dobësi, duke e konvertuar me frikën.
Ne u a kemi thënë dhe stërthënë ndërshekuj se frika tek ne nuk ka ekzistuar, ajo nuk ka shans të hyjë në kufijt e shtetit Shqiptar. E keqja tek fqinjët është se disa shtetarë të tyre flasin për marrëdhënie fqinjësore etj, por realisht ata nuk kanë qenë dhe as janë seriozë, as të sinqertë. Ata me veprimet e tyre ndërhyjnë edhe hajdutshe për të na destabilizuar dhe ka raste që e kanë realizuar. Por, kur tolerancat tona merren si “frikë” dhe ata i kap euforia, është vërtetuar se i madh e i vogël mobilizohemi dhe, si dikur e përherë, hedhim “gunat për mbi tela”. Grykat e maleve dhe dallgët e detrave oshëtijnë si vetëtima, godasin errësirat dhe ruajnë dritën e lirisë. Këtë karakter shqiptar, mirë është të mos e harrojnë ata që mendojnë se janë “më të fortë”. Fortësia është e pa matshme tek ne kur atë e kërkon Atdheun dhe Populli ynë.
● A. E. më, 04.11.2018, tek “Bashkimi i Shqipërisë” për shkrimin e datës 17 tetor 2018 të autorit D. A. me titull: “Cilat janë mundësitë dhe alternativat e rikthimit të popullatës çame në krahinën shqiptare të Çamërisë, pikërisht në vatrat, shtëpitë e tyre stërgjyshore”, shkruan: “Sot mu dha mundësia të lexoj shkrimin tuaj. Revolta që lexohet është rrjedhojë e një realiteti fatkeq. Zgjidhjet janë të shumta, por ato varen nga sasia dhe cilësia i nderuar dashamirës, për të cilat shkurtimisht kam parasysh:
a) Me sasinë: -Kush e coptoi Shqipërinë etnike? Shumica. Sasia, -Fuqitë e Mëdha!. – Kush e lejoi shtetin Grek të trefishojë territorin dhe popullsinë në mbi tre herë, mbas viti 1913? – Përsëri sasia (Fuqitë e Mëdha) e shoqëruar me cilësinë: Krishterimin Europian!
b) Kush e krijoi shtetin Grek, kur ky shtet nuk ka ekzistuar asnjëherë?: – Sasia dhe cilësia. Konkretisht shteti Rus, Bismarku, diplomacia londineze (siç e trajtoni edhe ju) dhe “Megalloidhea”, (Ide e mbështetur tek shtimi dhe zgjerimi i helenizmit, me përcaktimin se kombi përcaktohet nga besimi fetar, konkretisht çdo ortodoks është grek.
c) Është cilësia i nderuar dashamirës. -Kush dhe kur është financuar shteti shqiptar dhe banorët autoktonë të Kosovës, Iliriadës, Çamërisë si dje dhe sot me fonde dhe përkrahje deri edhe tek mundësitë për të joshur politikanë grekë, serbë, etj, që ata të të propagandojnë kundër shtetit të tyre dhe të mbështesin kauzën shqiptare? Askush. Përkundrazi sabotime, bllokada, destabilizime ndaj nesh. Ju me siguri e dini që shtetet serbe dhe greke kanë derdhur para të madhe dhe vazhdojnë të derdhin duke joshur politikanë, media, intelektualë të zëshëm dhe të pa shumë zëshëm, deri edhe dhënie para kesh për çdo muaj, jo një, dy apo tre personave, por mbarë atyre që kanë status minoriteti si dhe disa ortodoksë apo myslimanë shqiptarë, që varfëria i detyron të deklarohen grekë për të fituar ato dy kacidhe “Eurosh”, që edhe kur kafshojnë bukën, qajnë nënzë për hallin që u ka rënë dhe për këtë pabesi ndaj vendit të tyre.
Ju tregova shumë shkurt disa arësye që e pengojnë alternativën tuaj shumë dashamirëse. Kush do ta financojë atë komunitet me çadrat dhe mjetet e jetesës, të familjeve të shqiptarëve çamë, nëse ngujohen atje ku ju rekomandoni?
E lëmë shtetin shqiptar të sotëm, se siç dihet nuk e lejojnë kushtet në të cilat ndodhet, mbasi partitë politike, me veprimet e qendrimet e tyre, nuk merakosen për këto probleme. Hall i madh që ato i ka zënë, është kasaforta e “florinjtë” që e sigurojnë me marrjen e pushtetit!.
Le të njihen lexuesit e këtij portali të nderuar mbarëshqiptar edhe me këtë koment, i cili nuk e anashkalon problemin, por tregon pengesat serioze me të cilat shoqëria etnike shqiptare ka mbi 100 vjet që ndeshet dhëmbë për dhëmbë dhe e vetme me oreksdashësit nacionalistë, etno-fetarët greko-serbë. Ndikimi i tyre i gjithëpranishëm dhe i përhershëm ka qenë dhe është tepër pengues në ecurinë e shtetit Shqiptar.
Mos harrojmë se ç’farë po ngjet këto ditë, që një ekstremist i armatosur, kërkon brenda Shqipërisë një zonë gjeografike për ta bërë pjesë të një shteti tjetër dhe për këtë qëllon rendin. Kur atij ju dha përgjigja e duhur, u ngrit i madh e i vogël në shtetin fqinj dhe jo vetëm ai kundër nesh, deri edhe diplomatë të huaj, të cilët e kamufluan ngjarjen dhe vrasësin, banditin e morën në mbrojtje, me “sloganin e njohur” se ai ishte minoritar dhe si të tillë ata kanë mbrojtje nga anëtarësia e BE-së, pavarësisht “bëmave” apo “vicklave” të ç’fardo qofshin. Mos harrojmë edhe reagimet në mbrojtje të vrasësit, prej disa personaliteteve të vendit tonë, për përfitim politik se gjoja duhesh ruajtur një jetë. Sigurisht duhet ruajtur jeta e kujtdo, por ka limite të cilat po u tejkaluan, vjen përgjigja ligjore e duhur në rrethana të caktuara.
● A.E. Komenton më 31.10.’18, tek ”Bashkimi i Shqipërisë”, mesazhin e z. A.G. me rastin e promovimit të librit: “Rilindja e Shtetit të Çamërisë”, më 06.10.2018 në Vlorë. “I nderuar Z. G. E lexova mesazhin tuaj. Historikisht jam dakord lidhur me territorin etnik shqiptar dhe çlirimtarët që krijuan shtetin Grek në hapësirën territoriale të para trembëdhjetës. E ndjek vazhdimisht situatën gjeopolitike të Ballkanit, ju lexoj edhe juve dhe ata që ju permendni vazhdimisht që paskeni krijuar ”Republikën e Çamërisë”. Komenti nuk ka ndonjë qëllim tjetër veçse kërkon një përgjigje prej jush: Kjo Republika e Çamërisë, që më heret jeni deklaruar se do të jetë si konfederatë edhe me shtetin Grek (kështu më kujtohet në mos gaboj), ç’farë zonash gjeografike do të përfaqësojë?. Nëse do jetë konfederatë, ju lutem mos më keqkuptoni, mundësisht na sqaroni, sepse kjo më kujton diçka që ka “nxjerrë kokë” në vitin 1914, por që nuk u pranua nga askush as nga Fuqitë e Mëdha. Më jep përshtypjen se indirekt ndërron ngjyrë nga “Vorio Epir” në “Republikë e Çamërisë” dhe në Konfederatë me shtetin Grek. Po Republika e Shqipërisë ku do mbetet? A do të jetë pjesë edhe kjo në atë konfederatë, apo në ‘të do përfshihet edhe ndonjë ”copë- tokë” e Shqipërisë së Jugut?. Nuk besoj se bëhet fjalë për 1914 e Korfuzit!. Përgjigja në sqarim të dyshimeve, do të rrisë shpresat dhe besimin se Shqipëria do të bëhet.
● Ndërsa me datë 07/11/ 2018, Një personalitet i njohur si “Avokati”, në shkrimet e tij mes të tjerave shprehet: “Banditi grek është pjesë e marrëzisë së vjetër greke antishqiptare… Një bandit grek që erdhi për të vrarë shqiptarët, po trumbetohet si hero në Greqi, dhe në Shqipëri po hesht edhe shteti, edhe media. Janë të blerë sigurisht..Kurse grekët e shohin se nuk ka më të ardhme gënjeshtra greke për historinë arbërore, dhe ndihen të tromaksur në patologjine e tyre njëqind e pesëdhjetë vjeçare. I kanë bërë të gjitha kundër shqiptarëve: i kanë vrarë, i kanë quajtur turq, nuk i kanë lënë të flasin shqip, dhe i kanë masakruar për një këngë shqiptare. Me një kishë greke që nuk ka lidhje fare me humanizmin e Jezu Krishtit, por me mentalitetin oriental të masakrimit që po vijojnë edhe sot si në njëqind e pesëdhjetë vjet të vjellin vrer kundër shqiptarëve”.. “
Turp për një politikë mesjetare dhe të inkriminuar greke që ngre në qiell një vrasës ordiner! Por është urrejtja antishqiptare që i shtyn në këtë moçal mesjetar, sepse e dinë që historia e re e Shqipërisë së përkrahur ndërkombëtarisht, i lë zbuluar këta si pushtues territoresh shqiptare, falsifikatorë të historisë dhe të inkriminuar në genocidin antishqiptar që nga Janina e deri në Prevezë”. “…ka nisur rimëkëmbja historike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve si botë arbërore në Ballkanin Perëndimor. Dhe kjo do të vijojë në rrugën që ka nisur, se kjo është politika e re ballkanike e drejtuar nga Uashingtoni dhe Berlini”.. ”Arbëria do të ribashkohet si komb shqiptar. Në Arbëri është kthyer Gjergj Kastriot Skënderbeu, dhe këtë duhet ta dinë mirë që nga Moska e deri në Beograd e Athinë. Unifikimi i botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor është kërkesë e kohës dhe një tendencë e sotme historike”.
● Bashkia e Dropullit. Institucion administrativ në strukturat shtetërore të shtetit Shqiptar, duke qenë se përfaqëson një komunitet etnik jo shqiptar, anashkalon të vërtetën e ngjarjes. Ajo “përballon” me fondet e taksapaguesve të shtetit Shqiptar, ceremoninë mortore, të një “ushtaraku” të ardhur enkas për të “çliruar” një pjesë të Shqipërisë së jugut, pra ndofta edhe shpresën e kësaj bashkie.
Njihemi me vendimin që mori ajo bashkimi. “Vendimi është marrë në një mbledhje jashtë radhe dhe nënkryetari Mihal Mano ka thënë për mediat se familja e 35-vjeçarit është e varfër dhe nuk ka mundësi financiare të paguajë vetë shpenzimet e varrimit. Sipas tij ngjarja është e ndjeshme për komunitetin e minoritarëve në jug të Shqipërisë. Në mbledhjen jashtë radhe të Bashkisë së Dropullit të gjithë këshilltarët e bashkisë, njëzëri, si minoritet grek, vendosëm të mbajmë një qëndrim për ngjarjen e ndodhur. Vendosëm që të paguajmë zyrtarisht shpenzimet e varrimit dhe të qëndrojmë në lartësinë e situatës. Mbajtëm një minutë heshtje për Konstandino Kacifas. Do të mbështesim edhe me mikrofonë dhe foni zhvillimin e ceremonisë”.
● Pikëllimi për ngjarjen, mori dhénë. Fill mbas Bashkisë së Dropullit, “heroi” për çlirimin e Shqipërisë së Jugut, duhej të arrinte t’u mbyllte gojën, t’u mjeronte mendjen dhe ngurtësonte zemrat deputetëve të parlamentit Grek, të një shteti anëtar i BE-së dhe pretendues i “shpikjes” së demokracisë botërore! Me datë 09.11.2018 u mbajt një minutë heshtje në kujtim të Konstantin Kacifas në parlamentin grek me propozimin e kryetarit të saj Nikitas Kaklamanis. “Unë kërkoj miratimin e Parlamentit, sepse nuk parashikohet në Rregulloren e Punës, të mbajë një minutë heshtje”, tha Nikitas Kaklamanis, duke hapur seancën plenare të sotme. “Ne shprehim simpatinë tonë të palëkundur ndaj familjes së Epiriotit Konstantinos Katsifas dhe dënimit të çuditshëm të policisë shqiptare në Bularat”.
● Ndaj kryerjes së këtij akti vjen reagimi i gazetarit investigativ z.A.H, i cili përmes një postimi në Facebook është revoltuar dhe ka ironizuar vendimin e paralamentit grek që mbajti një minutë heshtje për Kacifas duke e cilësur se ky është një veprim i paprecedentë sepse ai u vra jo si një person i thjeshtë por si një ekstremist që luftoi me shkëmbim zjarri 5 orë me policinë shqiptare. “Për ata që kishin besim te sjellja “europiane” e institucioneve greke, ja ku e keni institucionin me të lartë të Greqisë, parlamentin e një vendi të BE-së që mban një minutë heshtje në nderim të një terroristi ekstremist që u vra pas 5 orësh shkëmbimi zjarri me policinë shqiptare”. (Sipas gazetës “Sot”, dt.10.11.2018).
● Në një shkrim tjetër lexohet se: “Pamjet e trupit të Kacifas në arkivol kanë bërë xhiron e rrjetit. Ato janë tregues tronditës i faktit se sa shpejt ndizen emocionet në rajonin tonë. Disa mund të thonë se ky është një episod i veçuar që nuk do trazojë shumë ujërat mes dy vendeve. Megjithatë ai tregoi edhe njëherë se mediat kanë një rëndësi themelore kur bie fjala për ekuilibra të brishta në gadishullin tonë”.
● Shtjellimi i të vërtetës duke u zëvendësuar me spostimin e ngjarjes në favor të nxitjeve etnike rezidente në Shqipëri, në respekt të së vërtetës dhe të tolerancës u shpreh dje edhe Kryeministri Edi Rama. Ai ka reaguar sërish për deklaratat që pasuan ngjarjet e djeshme në Bularat si nga Greqia ashtu dhe nga Shqipëria. “Sipas kokave të përndezura të politikës greke e kazanëve të atjeshëm, dje i paskam hedhur benzinë zjarrit, ndërsa sipas Kadrinjve tanë politikë e mediatikë paskam pranuar në heshtje përdhosjen e vendit! S’ka më mirë se sa i sulmuar nga dy palë qirie Kadrinj që s’i duhen dreqit”, shkruan Kryeministri shqiptar.
● Në përfundim, me përmbledhjen e disa opinioneve dhe qëndrimeve, ndaj të njëjtës ngjarje, e shtjelluar prej tyre në dy këndvështrime, synohet mbajtja e kujtesës historike. Besoj në mirëkuptimin e opinionistëve dhe komentuesve, lidhur me citimet dhe i falenderoj për mendimet e tyre, pavarësisht qedrimeve të ndryshme. Është pikërisht qendrimi ndryshe i tyre, që ndihmon në shkrimin e historisë lidhur me marrëdhëniet mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Greqisë
Epilog
Të nderuar lexues. Besoj se për të gjithë është e qartë mjeshtëria greke për të kameleonizuar ngjarjet dhe për ti ngritur ato nga hiçi në piedestal, duke rrëmbyer zemrat dhe mendjet e atyre njerëzve që dinë veç të urrejnë, të nxisin racizmin dhe përpiqen për helenizim edhe aty ku mbretëron pamundësia. Një “ithtar” i armatosur, i stërvitur dhe i porositur prej tyre, guxoi të sulmojë rendin e një shteti dhe u vra. Erdhën “porositësit” dhe nga vrasës u përpoqën ta bënin hero, sepse në zemrën dhe shpirtin e tij, sipas tyre, ishte “rrënjosur” idea e çlirimit të një territori ku duhet të vendoset helenizmi.
Zhurmat e mediave, jashtë dhe brenda, me të vërteta, të pavërteta, të sajuara dhe të parapërgaditura, arritën të krijojnë dhe të tërheqin opinione në favor të qëllimit të tyre se Shqipëria e jugut na qenka një “Vorio Epir”. Një emërtim i një zone që nuk ka qenë dhe as nuk është e njohur as historikisht dhe as gjeografikisht, por një sajesë racisto-fetare e vitit 1914, gjoja tokë helene. Vrapuan andej dhe këndej kufirit të ekzaltuar me mendimin se u arrit “pushtimi” dhe mitropolitët ortodoksë bënë gati meshat e rastit. Por një dorë e fortë intelektuale, patriotike, paqëdashëse dhe e fqinjësisë së mirë nga të dy qeveritë, jo vetëm nuk i përfillën “kukuvajkat vajtuese”, por i lanë me gisht në gojë, brenda “ngrehinës” së tyre ogurzezë.
Qendimi shtetëror në bashkërendim me kërkesat e kohës, u vërtetua dhe u saktësua edhe me reagimet e të dy kryeministrave, të të dy vendeve, zotërinjtë Edi Rama dhe Aleksis Tsipras. Ata theksuan se kjo situatë nuk prek marrëdhëniet e mira mes dy shteteve dhe se dialogu do të vazhdojë. (Sipas gazetës “Shqip.com”, dt. 09.11. 2018). Ngjyrimet e kësaj ngjarjeje, nisur nga përvoja personale dhe njohja e historisë së vërtetë, lidhur me marrëdhëniet e shtetit Grek me banorët e rajonit të Çamërisë nga viti 1913 deri në vitin 1945 dhe në vazhdim, më sollën një shëmbëlltirë të re, me një përvojë tjetër të kahershme greke. Edhe me këtë ngjarje, grupet ekstremiste në shërbim të “Megalloidesë”, u përpoqën të mashtronin si atëhere, me ngjarjen tragjike të viteve 1944-’45, ku dora e “helenizmit” arriti të shfaroste një popullsi autoktone të rajonit të Çamërisë. Në ato vite, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, u rekrutuan prej saj me detyrim, djem dhe burra shqiptarë, të cilët u inkuadruan në ushtrinë okupuese, kundër shtetit Grek. Këtë akt, shteti Grek, me mjeshtëri “orkestroi” akuzuat se shqiptarët e Çamërisë paskan marrë pjesë me okupatorin. Shteti Grek me mashtrim dhe dredhi akuzoi duke njësuar ushtarët e Shqipërisë, të cilët, siç dihet u përfshinë në tre batalione me ushtarët italianë (dhe më pas dezertuan), qëllimisht me shqiptarët e rajonit të Çamërisë, gjoja se ishin banorët çamë që luftonin kundër Greqisë.
Shteti Grek enkas “kurdisi” akuzën e padrejtë ndaj banorëve autoktonë të Çamërisë. Me anën e mashtrimeve dhe iluzioneve, arriti të siguronte përkrahjen e “Boshtit” dhe ”Aleatëve” të kohës. Akuzë e cila vazhdon të përdoret me sukses edhe sot. Para dy-tre vitesh, në mënyrë lajkatare, ish Ministri i jashtëm Grek, N.Kotsias, është munduar të analizojë shqiptarët dhe ka arritur në përfundimin duke na ndarë, veçuar në dy kategori: “Në shqiptarë normalë dhe në shqiptarë jonormalë”. Shqiptarët e Çamërisë i quan jonormalë. Anormalitetin e çamëve e lidh pikërisht me akuzën e sajuar dhe me dredhi përpiqet të bëjë diferencime, me synim që ndaj shqiptarëve të Çamërisë, të nxisë urrejtjen edhe tek pjesa tjetër e shqiptarëve. Manovrimet e palës greke, kanë qenë dhe janë të pandërprera ndaj gjithë etnisë shqiptare. Ndërsa ndaj shqiptarëve të Çamërisë akuzat, mashtrimet dhe dredhitë kanë 74 vjet që përsëriten e përsëriten dhe me qenëse nuk gjejnë argumente mbështetëse, vazhdojnë llomotitjet duke përdorur si plagjiaturë shkrimet dhe idetë e lëna “amanet” nga prindërit dhe gjyshërit e tyre. Fatkeqësia e banorëve autoktonë, të etnisë shqiptare në rajonin e Çamërisë qendron tek mungesa e miqve, prandaj nuk u hiqet fantazma e shenjës!.
Normaliteti dhe jonormaliteti i shqiptarëve, më gjatë është trajtuar në artikullin: “Normaliteti dhe jonormaliteti i shqiptarëve”, botuar në vitin 2016 dhe i përfshirë në librin: “Realitete që vuvosin (mbyllin gojën) akuzave greke”.
Kjo është ngjashmëria për këto dy ngjarje që janë dhe do të përsëriten deri në ndërgjegjësimin e shoqërisë njerëzore, që besimet fetare nuk mund dhe nuk duhet të përcaktojnë etnitë, racat dhe kombet.
Qëllimi i shtetit Grek, është i qartë dhe i përmbahet me besnikëri predikimeve të “Megalloidesë”, ku kërkohet me çdo kusht dhe me çdo mjet të përhapet dhe të zgjerohet helenizmi bizantin.
Detyrimisht ndaj kësaj ideje, bazuar në përvojat 200 vjeçare, shqiptarët kanë dy qasje:
a) Nuk është urryer dhe as e urrejmë helenizmin, pavarësisht akuzave të qëllimshme që ka hedhur dhe hedh kisha ortodokse Greke;
b) Nuk i kemi dhe nuk do ti pranojmë asnjëherë predikimet apo veprimet e ç’fardollojshme që diktojnë helenizimin e vendit tonë. Veprime të kishës ortodokse dhe segmenteve zyrtare të shtetit Grek, të cilat fatkeqësisht na kanë shoqëruar dhe na shoqërojnë historikisht, teorikisht dhe praktikisht. Kjo duhet të kuptohet qartë!
Brezit të ri, të sotëm dhe atij të nesërm: Mos harroni. Të vërtetën e madhe e keni mes jush, tek ata që janë më të mëdhenj se ju, ata mbartin edhe të vërtetat e brezit para tyre. Të gjitha ngjarjet e shkuara, për ju janë të reja, ndërsa për ata jo!. Mbani parasysh se ngjarjet para se ti lexoni, apo dëgjoni, krijoni kujtesën se etnia shqiptare, e kudo ndodhur në Gadishullin e Ballkanit, i ka ndierë, si i thonë fjalës, në “mishin dhe thoin“ e tij të gjitha mashtrimet, përbuzjet, diferencimet profane (përdhosëse), deri edhe spastrimet etno-fetare, shpërnguljet me dhunë, të cilat kanë hyrë në vetëdijen e traumatizuar (fizike dhe shpirtërore) të brezave para jush.
Këto jo vetëm të dihen, por gjithmonë e në vazhdimsi të rritet vigjilenca!
Fahri Dahri, Itali 12.11. 2018
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura