Durrës, 19 shtator 2018: Si ta kuptojmë pushtetin dhe Qeverinë e Shqipërisë sot kur Kosova ballafaqohet me një problem të madh me rëndësi gjithëkombëtare, me problemin e kufirit me Serbinë dhe me atë të Kosovës Lindore, problem i cili është bërë edhe si një agjendë europiane dhe më gjërë , e ndërsa Shqipëria si gjithnjë “indiferente” por madje edhe perkundër kësaj ajo gjen “preokupimin” dhe kohën duke vendosur një taksë ndarjeje Shqipëri-Kosovë që njihet tashmë si Taksa e “Rrugës së Kombit”?!
Greqia përkujdeset aq shumë për minoritarët grekë në Shqipëri sa që edhe ku ka tre minoritarë ajo e ka detyruar Tiranën të hapë shkolla greke, gjithashtu Greqia u akordon edhe ndihma finanaciare dhe pensione minoritarëve grek në Shqipëri.
Serbia me gjithë gjëndjen dhe krizën që e ka mbërthyer atë, ajo u jep mbi 40 mijë rroga familjeve serbe të Kosovës, dhe megjithë gjëndjen jo të mirë as politike, as financiare dhe as ekonomike: dhe pavarësisht kësaj, Serbia investon qindra miliona euro për zhvillimin e komunave me shumicë popullsie serbe në Kosovë, pra i ndihmon ata.
Ndërsa Shqipëria jo vetëm se nuk e ndihmon Kosovën si shtet i ri i cili doli nga lufta e rrënuar , e djegur dhe e shkatërruar , e prapambetur dhe e pazhvilluar si pasojë e regjimit kolonialist genocidist serb, por përkundrazi sot Tirana i vë pengesa, vendos atë që tashmë quhet me të drejtë gjoba e madhe për qytetarët dhe për biznesin kosovar, për ata shqiptarë të cilët vizitojnë dhe vinë të pushojnë në Shqipëri. Po kështu politika e Tiranës kundërshton edhe Bashkimin e Kosovës Lindore me Kosovën kur ajo nuk ka bërë asgjë , asnjë ndihmë dhe jo më investim për komunat shqiptare të Luginës së Preshevës, dhe me këtë taksën e Rrugës së gjobës së Kombit i gjobit edhe ata kur vijnë si dhe shqiptarët nga Maqedonia që udhëtojnë në Shqipëri në këtë rrugë.
Pra taksa e Rrugës që është një taksë shumë e lartë dhe aq më tepër e imponueshme për tu paguar edhe nga ata të cilët nuk e përballojnë dot, kjo pasi nuk ka alternativë tjetër dytësore për të udhëtuar, e cila është edhe si tarifë për tu paguar për një rrugë të papërfunduar ,një taksim i lartë si një gjobë për të gjithë shqiptarët sidomos dhe veçanërisht për Shqiptarët e Kosovës dhe të Luginës së Preshevës.
A Kjo është ajo se çfarë Shqipëria duhet të bëjë për “integrimin” gjithkombëtar të shqiptarëve?
Pra, në çfarë roli e kontributi mund t’i besohet që mund të luajë si qeveria por edhe opozita në Shqipëri të cilat nuk lobojnë dhe as nuk ndihmojnë financiarisht jo se jo ,por as politikisht e diplomatikisht seriozisht për njohjet ndërkombëtare për Kosovën; për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi; për integrimin e serbëve të Kosovës Veriore në Shtetin e Pavarur të Kosovës, dhe as për liritë dhe të drejtat kombëtare apo edhe për Bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, kjo si e drejtë kombëtare e tyre e deklaruar erdhe me Referendum , por që politika pozitë-opozitë në Shqipëri është kundër saj?!
“Patriotizmi“ politik djathtist PD-ist, kundërshtimi dikur “antikorrupsion” majtist politik PS-ist për ndërtimin e Rrugës së Kombit, buja dhe zhurma e madhe për dhe kundra ndërtimit të “Rrugës së Kombit” e cila ka një emërtesë patriotike dhe kombëtare , por në të vërtetë me këtë rrugë u spekullua shumë, u vodh dhe u abuzua shumë rreth 200-230 milion euro.
Një Rrugë që kushtoi shumë shtrenjtë e që nuk ka përfunduar akoma dhe as që nuk dihet se kur do të përfundojë, Rrugë e cila nuk ofron shërbimin e duhur dhe nuk plotëson as standartet.
Kjo Rrugë që u ndërtua për dhe në emër të Kombit, që reklamohej më shumë si sukses patriotik dhe si Rrugë politike e Berishës dhe e Partisë Demokratike , e qeverisë së Partisë Demokratike por e ndërtuar jo me paratë e tyre por me paranë publike ,me paratë e taksapaguesve shqiptarë, por që edhe u vodh dhe u abuzua aq shumë me të.
Me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste nuk është ndërtuar as edhe një kilometër e kësaj Rruge.
Tashmë Partia Socialiste, qeverisja e saj duke mos gjetur e siguruar para për ndërtimin e kësaj Rruge , pas “vuajtjesh e mundimesh” , “përkushtimi” e “shqetësimesh” të mëdha për të gjetur para e fonde për “Rrugën e Kombit”, që prej një viti më në fund shpiku dhe gjeti zgjidhjen, jo si ishpushteti i mëparshëm i cili e ropi dhe e vodhi popullin shqiptar, paranë publike për këtë rrugë, por Partia dhe qeverisja socialiste tashmë ka vendosur tarifën apo taksën e lartë për shqiptarët e Kosovës të cilët duhet të paguajnë për “mirëmbajtjen” e kësaj Rruge, por realisht kjo taksë është një gjobë që u vihet qytetarëvë të Kosovës të cilët vijnë dhe e vizitojnë Shqipërinë, madje duhet për të paguar për një shërbim që kjo rrugë nuk u ofron atyre , sepse kjo rrugë as nuk plotëson standartet dhe as nuk ka përfunduar , por edhe që është një taksë shumë, shumë e lartë.
Ky provokim dhe ky antikosovarizëm i Qeverisë shqiptare mund të marrë me të drejtë edhe një si kundërpërgjigje reciprociteti nga Kosova e cila edhe ajo pse të mos vendosë taksë për Rrugën, për autostradën e saj edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe për bizneset nga Shqipëria që operojnë në Kosovë, veprim ky që i imponohet Kosovës nga Tirana dhe që provokon dhe nxit një distancim çintegrues dhe largesë kombëtare mes dy shteteve shqiptare.
Kjo taksë e Qeverisë “Rama” është trau i ri ndarjes politike, tregëtare dhe ekonomike të Kombit , mes Shqipërisë dhe Kosovës, si trau i korrupsionit dhe si barrierë e pengesë për komunikimin, afrimin dhe bashkimin e Kombit.
Pyesim se përse hesht edhe opozita dhe pse ajo mjaftohet me një kundërshtim të cekët e vetem sa për dukje, përse opozita “patriotike” e PD nuk kundërshton dhe nuk deklarohet se kur të vijë në pushtet do ta rishikojë apo edhe do ta heq “Gjobën e Kombit” për “Rrugën e Kombit”.
Apo u arrit ujdija ,marrëveshja e konsensusi politik , korruptiv e antikombëtar i politikës opozitë- pozitë së Tiranës që:” mos na hetoni ne për vjedhjen që kemi bërë me paratë e “Rrugës së Kombit” në emër të Kombit , dhe tani vazhdoni ju që të gjobisni e të grabisni qytetarët dhe shqiptarët e Kosovës me tarifën , taksën apo me gjobën e Rrugës me emër të Kombit ”.