ARIF EJUPI: SHKËLQIMI I JETMIR KRASNIQIT NË FUSHËN E FUTBOLLIT NË ZVICËR

 Gjenevë, 16. 11. 2014 – Zvicra padiskutueshëm është bërë parajsë e talenteve të futbollit. Vargut të djelmoshave me origjinë shqiptare që po shkëlqejnë në Ligat e futbollit zviceran gjatë këtyre ditëve i është shtuar edhe Jetmir Krasniqi. Jetmiri ecjen e nisi bashkë me topin. Atë e pati edhe lodrën e tij të vetme të preferuar. Krahas regjistrimit në Arsimimin e detyrueshëm ai regjistrohet edhe në Klubin Futbollistik “STADE NYONNAIS” të Nyonit. Krasniqi gjakftohtë e i durueshëm çdo këshillë e sugjerim të trajnerëve të tij e zbaton me saktësi.
Pikërisht trajneri Julien Barut është ai që e vështron me shumë vëmendje lojën e tij, dhe shpejt heton se kemi të bëjmë me një talent të rrallë të futbollit. Barut pas konsultimeve me kolegët e Klubit “Stade Nyonnais” vlerëson që pavarësisht moshës së re, Jetmiri mund të kontribuoj edhe në ekipin e parë të Nyonit. Propozimi i trajnerit Barut aprovohet nga të gjithë dhe Jetmiri bëhet pjesë e njëmbëdhjetëshit të parë në skuadrën e Nyonit. Ky favorizim e obligon atë që edhe në të ardhmen të angazhohet maksimalisht. Falë punës së pakursyer dhe plot seriozitet brenda një harku të shkurtër kohor ai bëhet forcë motorike e këtij ekipi. Shkëlqimi i tij u bije shpejt në sy fqinjëve nga Llozana, të cilët pa hezituar Krasniqin atëbotë vetëm 16vjeç e sjellin në radhët e veta.

Jetmir Krasniqi duke përgatitur rivendosjen e topit në lojë nga vija anësore e fushës (Foto. Pascal Muller)
Besimplotë në vetvete dhe i cytur nga dashuria për lojën këtë vit Krasniqi ka arritur që të jetë titullar i KF ”LAUSANNE SPORT” dhe i shpresave U-20 të Zvicrës. Loja e bukur e tij në pozitën e qendërmbrojtësit ka rritur oreksin e bashkëlojtarëve dhe të Shtabit Teknik të KF ”LAUSANNE SPORT” për rikthim të sërishëm në ”Raiffeisen Super League” të Zvicrës.
Në anën tjetër detyrën e mbrojtësit të majtë Krasniqi po e kryen me mjaft sukses edhe në seleksionin U-20 të Zvicrës. Përzgjedhësi i këtij grupi të moshave, Gerard Castella, njëkohshëm edhe kritik sportiv i futbollit në ”RTS Sport”, ndihet i kënaqur me lojën dhe formën jashtëzakonisht të mirë të Krasniqit. Përveç të arriturave në futboll Krasniqi së shpejti do të marrë edhe Diplomë Pjekurie në Shkencat Ekonomike në Llozanë. Mirëpo tani për tani ky i ri 19 vjeçar gjithçka ka orientuar kah futbolli.

Jetmir Krasniqi në aksion me fanellën bardhë e kaltër i ndjekur nga dy lojtarë kundërshtarë (Foto. Pascal Muller)
Aktualisht djaloshi me origjinë nga Drenoci i Klinës së Kosovës, objektiv ka inkuadrimin e KF ”Lausanne Sport” në elitën e Futbollit zviceran, e pastaj kalimin i tij në ndonjërën nga skuadrat e Bundesligës gjermane. Pa i përfunduar mirë këta pak rreshta, morëm lajmin që përzgjedhësi i grupmoshave U-21 të Zvicrës Pierluigi Tami i ka dërguar ftesë edhe Jetmir Krasniqit për të qenë pjesë e këtij seleksioni në takimin e nesërm ku Zvicra do të luajë si mysafire përballë Gjermanisë. Krasniqi në këtë seleksion është shqiptari i tretë i natyralizuar pas Florent Hadergjonajt dhe Shani Tarashajt që mbron ngjyrat e kombëtares zvicerane në kategorinë U-21 të Zvicrës. Kalimi në këtë grup për Krasniqin, është motiv shtesë që ai së shpejti të rreshtohet përkrah: Shaqirit, Mehmedit, Behramit, Xhakës e Xhemailit në reprezentacionin e parë të Zvicrës. Këto synime të Jetmir Krasniqit i konsiderojnë të arsyeshme edhe krejt reale të gjithë ekspertët e futbollit. Ata thonë: ”Krasniqi posedon të gjitha cilësitë për të qenë pjesë e ekipeve të mëdha të futbollit evropian”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura