SKËNDER SADRI KAPITI: POPULLI QË PAJTOHET ME TË KËQIJAT, I MERITON PASOJAT QË VIJNË PREJ TYRE!

Durrës, 28 shtator 2018: Shqiptarët sot në demokraci ankohen vazhdimisht dhe gjithnjë për padrejtësitë, për varfërinë, për papunësinë, për arsimimin , për shendetsinë, për infrastrukturën , për çmimet e larta si dhe për keqqeverisjen, keqpolitikën dhe për drejtësinë e për krimin,hajdutërinë dhe korrupsionin e tyre; pra, ankohet për të gjitha këto të këqijat demokratike. Themi të keqijat demokratike pasi demokracia në Shqipëri keqfunksionon ose funksionon si mirëkorrupsion demokratik i mirëorganizuar nga politika.
Por, pse shqiptarët vetëm sa ankohen?!
Të ankohesh dhe kur nuk të dëgjon kush është njëlloj sikur pajtohesh me të këqijat përderisa nuk vepron dhe nuk kundërshton me protesta , me mosbindje civile në emër të ligjit dhe për drejtësinë, në emër të moralitetit njerëzor; për lirinë, për drejtësinë, demokracinë e mirëqënien .
Dhe kur nuk vepron e nuk reagon kundër të këqijave dhe kundër keqbërjes politike dhe kundër keqbërësve publikë atëhere i meriton ato dhe pasojat e tyre me meritë.
Partitë shqiptare janë me koncesion si prona të kryetarëve të tyre; Shteti Shqiptar: pasuritë publike, kombëtare e strategjike u janë dhënë me koncesion privatëve të pushtetit dhe të bizneseve të tyre e atyre pranë tyre me lidhje nepotike ,klanore e korrupotivo-kriminale, apo edhe e kanë nxjerrë Shtetin në ankand sipas politikës “Shqipëria një euro”.
Edhe qeverisja është dhënë me koncesion pasi funksionon për interesa të një grupi të ngushtë interesi të pushtetit e te qeverise.

Kapitali njerëzor: aftësia e profesionalizmi ,intelektualizmi dhe kapacitetet fizike, ekonomike e intelektruale largohen nga Shqipëria.
Populli duron ,vuan dhe e pëson; kjo sepse populli as nuk lëviz, as nuk kundërvepron por bindet dhe paguan dhe bën çfarë pushteti e politika dëshiron.
Madje është për ta përmendur edhe faktin se shoqëria shqiptare as nuk i mbëshjtet e as nuk i nderon, as nuk i dëgjon e as nuk i inkurajon , dhe as nuk i zgjedh e as nuk i voton as ata të cilët marrin guximin dhe shkruajnë, denoncojnë dhe kritikojnë kundër korrupsionit, krimit, padrejtësive dhe poshtërsive të politikës e të pushtetit. Shoqëria indiferente është edhe egoiste përderisa i lë ata të izoluar dhe të vetmuar , pasi shumëpakkush u shkon pas atyre të cilët marrin guximin për ndryshimin dhe për të mirën e interesit publik e kombëtar.
Një popull i cili duron dhe nuk reagon kunder padrejtësive, as kundër korrupsionit; një popull që nuk ndëshkon krimin dhe krimet ; që nuk ndëshkon hajnat dhe hajninë; që nuk ndëshkon as politikën, as drejtësinë dhe as pushtetin e keq por vetëm sa flet dhe bën moralin dhe jep leksionin poshtë e lart klubeve, kafeneve e lokaleve; i cili vetëm kritikon me të drejtë por edhe shan prej inateve dhe nga smira, egoizmi e xhelozia; i cili tradhëton e lehtëmashtrohet per një interes e përfitim të vogël dhe prej mashtrimeve politike e mediatike të mëdha e të vogla; një komuniteti të tillë as nuk i kuptohet as se cilin realitet kërkon dhe nuk i lexohet e as nuk i kuptohet as vizioni i së ardhmes se kah do të shkojë.
Populli jorezistent dhe i cili toleron të padurueshmen, që “normalizon” anormalitetet, që ligjëson e “pajtohet” me antiligjin dhe me padrejtësitë e që nuk reziston kundër të këqijave ai popull i vuan pasojat e padrejtësive me meritë. Populli shqiptar akoma nuk nxjerr mësime nga realiteti e vetevetja por ama nuk merr as shëmbullin e përvojën e mirë dhe të vyer botërore për të ndryshuar dhe për tu bërë e për të arrirë kombet dhe shtetet e zhvilluara, të përparuara me demokraci, me drejtësi dhe me mirëqënie.
Ka 106 vjet Shtet Shqipëria ku politika dhe pushteti bëjnë çfarë të duan me shtetin dhe me shoqërinë; ku politika e pushteti bëjnë e vendosin ligjin për të bërë zullumin ,padrejtësinë dhe vetëgjyqësinë; ku shpronësojnë e pronësojnë si të duan; ku taksojnë, vjedhin e korruptojnë dhe kurrë as nuk janë ndëshkuar; politikë e pushtet që tallen e luajnë me interesin publik e kombëtar; politikë e pushtet që vjedhin e vetëm bëjnë tradhëtinë; politikë e pushtet injorant që ndëshkon ,përjashton e dëbon patriotizmin, profesionalizmin dhe meritokracinë; politikë e pushtet që ka prodhuar gjithnjë krimin dhe burimin e krimeve , varfërinë e mjerimin.
E megjithë të gjitha këto: shqiptarët përsëri durojnë , binden, i nënshtrohen dhe pajtohen me këtë realitet vazhdimisht e që përkeqësohet si perspektivë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura