Prishtinë, 30 shtator 2018: Maskarada në OKB –ë , me striptizeten Pacolli në krye : Delegacioni nga Kosova në Kombe të Bashkuara kishte 41 veta në përbërje aq sa nuk ishin të pranishëm as në ditën kur u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara . Po duket se për botën ishte me rëndësi të veçantë delegacioni nga Kosova , në këtë përbërje dhe në këtë numër. Dhe se ky takim në KB –ë nuk kishte mundësi të mbahej pa delegacionin nga Kosova andaj , për hirë të sigurisë dhe paqes globale janë të papërfillshme shpenzimet e këtij delegacioni sepse , paramendojeni se si do të zhvilloheshin ngjarjet pa formacionin nga Kosova !! Realisht , presidenti i Republikës së Kosovës , Shkëlqesia Vezulluese e tij , Lartmadhëria e vet , zotëri Hashim Thaçi i Parë , që heret pati angazhuar mësit , duke paguar një mësitëri të lartë për t’u takuar me Donald Tramp por se u takua me një Donald tjetër , me Donald Task të BE-së i cili e “ qortoi “ për afërsi me bombën nga Kroacia e quajtur Kolinda . Me Donald Trump u fotografua për kujtim dhe biografi , pa e ndërruar një fjalë të vetme. Hashimi u takua edhe me Johanes Han që po e përkrahë për “ korigjim “ të kufijve sikur edhe me kongresmenin Eliot Engel të cilin nuk po e lënë të qetë as në ditët si pensionist . Realisht , Hashim Thaçi , presidenti ynë legjendar , në planin diplomatik pësoi fatin e Titanikut , nuk bëri asgjë dhe nuk e realizoi asnjë takim që do të mbahej mend. Po ta dija se Hashimi do të kënaqej vetëm me një fotografi me presidentin Tramp do ta lusja Kastriotin , fqinjin tim t’ia mundësoi një kënaqësi të tillë , pa pasur nevojë të bëjë shpenzime të panevojshme aq më parë që kohë më parë Kastrioti , nga Washingtoni ma pati dërguar një foto me Donald Trampin ku Kastrioti dukej shumë zanzi krahasuar , edhe me Trampin por edhe me Hashimin.
Kryeministri i Kosovës , Ramush Haradinaj në këtë kontekst ishte shumë më i suksesshëm sepse pati takime me njerëz shumë të afërt me presidentin Tramp dhe se nga këto takime pati premtime dhe mbështetje konkrete , si për transformimin e FSK-së në forcë mbrojtëse ashtu edhe për mosndryshim të kufijve. Uroj të jetë kështu. Kryeministri Haradinaj këto vizita i kaloi pa trauma të mëdha dhe pa pasur nevojë për një pompozitet . Realisht , edhe Ramushi u takua me do kujdestarë me të cilët takohen gjithmonë dhe çdokund liderët kosovarë kur në takime të rëndësishme ndërkombëtare mbesin të vetmuar.
Po del se “ylli“ i kësaj vizite me rëndësi globale ishte Behgjet Pacolli i cili e dorëzoi një raport se paska realizuar mbi 50 takime brenda ndërtesës së OKB-së dhe nga kjo del se ishin dy takime jashtëzakonisht të rëndësishme , ai me presidentin Tramp të cilit Begja , përkundër traditës fisnike shqiptare i zuri pritën dhe vetëm mungoi edhe ndërkëmbëza e që ta detyroi Trampin të ndalet para Begjes , t’ia shtrijë dorën “ burrërisht “ dhe t’ia bëjë me dije se , jo që nuk e ka harruar por se për të mendon më shumë se për Melaninë. Pastaj , ishte takimi antologjik me zonjën e “ kompletuar “ dhe të “ nderuar “ në Kosovë , duket se Pacolli e ka identifikuar Kosovën me veten e tij , kryeministren e Serbisë Ana Bërnabiq e cila e bëri Begjen gazë të botës duke luajtur koçe me te kurse Begja , me një dinjitet as të përmasave minimale jargitej para saj. Realisht , edhe me kryeministrin e Marokut pati një komunikim skandaloz i cili nuk do t’i falej as të ndjerit Sahit Fyellit që bënte muzikë udhëkryqeve të Prishtinës. Prej këtyre 50 takimeve , besoj se Begja i ka llogaritur nja 35 hyrje – dalje në WC-të e Kombeve të Bashkuara , ku është pëshurrur light, pas infekcioneve akute të prostatës . Po të ishte një situatë normale , Begja as në ëndërr nuk do të bëhej ministër për punë të jashtme ose , pas skandaleve në KB , edhe sa të ishte në WC-ë do të duhej të shkarkohej duke mos ia paguar as biletën e kthimit në Kosovë. Kështu , po na tregon përralla duke na teshur prapanicën se ka shpenzuar kohë , mund dhe mjete vetanake për ta bindur një superfuqi botërore si Burkina Faso që të mos e kthej mbrapsht njohjen e Kosovës në vend se ta kryej punën për çka po keqpërdorë mjete të buxhetit të Kosovës , sigurimin e sa më shumë njohjeve e që nuk e ka siguruar asnjë deri më tani. Përveç se ka siguruar mundësi tjera biznesi për veten dhe kompanitë që i ka , mbi tokë dhe nëntokë ! Uroj që këtë kërcënim ndaj Begjes të mos e lexoj prokuroi Rexhë se më çon në fllad sikur Milaimin dhe Shkumbinin. Apo , sigurisht më bënë dyshe me Goran Rakiqin pasi ai e pati një kërcënim bukur të fortë ndaj Hashimit , Abelardit , Shpendit , Rashitit dhe Bedri Hamzës që e kaluan fundjavën në detin ( për Kosovën ) të Ujman Gazivodës . Se Begja po e shkarkon testosteronin mbi ne impotentët , disi kuptohet , sepse ashtu bëhet biban politik . Po se një djalë i një njeriu që ka kontribuar shumë për lirinë e Kosovës e që tani është në shërbim të striptizetës politike Begj-rie Kurcolli duke ia mbuluar , me shumë shkathtësi mbrapështitë që i bënë ! Ndalu pak o Jetlir dhe kujtoje sa shumë mund dhe sakrificë na ka kushtuar që të të quhesh Jetlir ! Ose , vazhdoje kështu , deri në theqafje !
Trizhvillime dhe takime historike dhe potencialisht dramatike.
Hashim Thaçi me lozhën e tij në New Yuork, shtator 2018
Takimi apo zhvillimi i parë
Lëvizja Vetëvendosje më 29 shtator 2018 organizoi një protestë krejtësisht paqësore për ta kundërshtuar Hashim Thaçin si kryenegociator , kryegjeodet dhe kryeshef i kadastrës për kufinj të Kosovës . Ishte kjo shpatë me dy teha aq më parë që LV ishte e vetmuar në këto protesta sa i përket organizimit përjashtuar këtu deputeten Vjosa Osmani që ishte në protestë dhe deputetin Korab Sejdiu që ishte gjithashtu në protestë. “ Hasan Prishtina “ i Mitrovicës , Agim Bahtiri nuk dukej se ishte aty sikur edhe urryesi i madh i UÇK-së , mjeku “ humanist “ dhe deputet i partisë me së paku 10 kryetarë , Haxhi Avdyli nuk u duk fare në të kundërtën Albin Kurti do t’i përshëndeste me shumë respekt dhe dashuri siç bëri me Vjosën dhe Korabin. Protestat ishin shembullore , në çdo aspekt. Paqësore , si nga ana e protestuesve ashtu edhe të policisë që bashkëpunuan shumë mirë. Edhe kërkesat ishin të arsyeshme dhe të drejta dhe pa folklorizëm dhe populizëm sikur që ndodhte më parë . Organizimi ishte shumë i mirë. Realisht kishte rrezik se do të dilte një numër i vogël i protestuesce meqë LV shkonte e vetmuar mirëpo ishte një vlerësim i drejtë dhe i saktë sepse ishte një kohë dhe moment shumë i përshtatshëm për protesta , për shkak të veprimeve donkishoteske të Hashim Thaçit dhe patericave që e shoqëronin. E dini që , edhe para protestës LV u sulmua se është kundër shtetësisë së Kosovës kurse Eugjeni shumë Piccola e sulmoi Albinin si të pafytyrë duke listuar arsyet që ndikojnë drejtpërdrejtë në pafytyrësinë e Albinit. Ai që ia ka shkruar atë diagnozë të pafytyrësisë për Albinit zonjës Eugjeni shumë Piccola , dëmin më të madh ia ka bërë pikërisht Eugjenisë dhe jo Albinit. Po e përfundoj me kaq për këtë diversion të moralit , përballë imoralitetit ! Në bazë të përvojës “ shekullore “ në këtë fushë vlerësoj se në protestë ishin midis 35- 40.000 qytetarë por se më së paku kishte protestues nga Prishtina. LV nuk duhet të distancohet nga ata që duan të protestojnë siç ishte rasti me ata që u ndanë nga LV dhe e formuan apo ringjallën PSD e Kaçusha Jasharit. Dhe LV duhet ta ketë të qartë se nuk ishin të gjithë protestuesit anëtarë të LV. Kjo protestë nuk e krijon asnjë ndryshim nëse nuk formohet një masë kritike që do të ishte në gjendje të bënte presion të përditshëm apo , së paku të përjavshëm duke ruajtur , apo edhe duke rritur numrin e protestuesve . Nëse në çdo 2 muaj bëhen protesta të tilla atëherë , si përgjigje do ta kenë ekskursionin e Thaçit në Ujman , gjatë protestës tjetër ndoshta në Brezovicë kurse ate të radhës në Kopaonik por , pa e rrezikuar fare Hashimin e Madh dhe hashimët e vegjël. Kjo protestë kishte publicitet dhe mbulim të madh medial , sikur atij vendorë ashtu edhe atij ndërkombëtar. Dikush e konsideron si mangësi dhe mashtrim se protesta u bë në mbrojtje të Republikës , duke injoruar simbolet e Republikës. Madje edhe Ganja që edhe çorapat e dimrit e mos të flasë të verës i ka kuq e zi , po e sulmon Albinin dhe LV për shkak të injorimit të simboleve të Republikës .
Zhvillimi apo takimi i dytë
Hashim Thaçi po i hedh zaret e fundit , jo për ta kaluar Rubikonin por të mos mbytet në te. Të dielen , para protestave të organizuara nga LV , fillimisht shkoi në FSK , ku , si komandant suprem i forcave të armatosura e bëri mobilizimin e përgjithshëm duke i vënë në gjendje gatishmërie dhe duke e shpallur një gjendje lufte rezervë . Pastaj , së bashku me Abelardin , skajshmërisht të radikalizuar dhe Bedri Hamzën , të shoqëruar nga shefi i AKI –së , Shpend Maxhuni dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës , Rashit Qalaj , e morën një kombajn të ujit të cilin e drejtonte Hashimi , si në kohën e të korrave të grurit. Në sfond dëgjohej dueti Abelard dhe Bedri duke kënduar këngën : “ Vijnë vaporat moj nëne , përtej detit ….” Hashimi tha se kjo ishte një vizitë krejtësisht transparente , e ligjshme si dhe dëshmi e lëvizjes së lirë ……me një dyzinë policësh të armatosur , sikur Xhejms Bondi . Më shumë kishte policë në eskortën e Hashimit se që kishte policë që mbikëqyrnin protestën e LV-së. Goran Rakiqi , një pion i Marko Gjuriqit , Ivica Daçiqit , Vojisllav Sheshelit dhe Aleksandar Vuçiqit e kërcënoi haptas presidentin Thaçi , ministrat Tahiri dhe Hamza si edhe krerët kosovarë për siguri , Maxhuni dhe Qalaj që po e vizitojnë Ujmanin , pa lejen e Serbisë sikur që Ujmani të ishte pjesë e Serbisë apo Liqeni i Paliqit afër Suboticës e jo pjesë integrale dhe e patjetërsueshme e Kosovës. Ku janë tani prokurorët e Kosovës që nuk merren me deklaratën kërcënuese të Goran Rakiqit në ndërkohë që deputetët Zeka dhe Demalijaj po pëshurrin në qyp të burgut për kërcënime beninje krahasuar me këto të Rakiqit ?! Pse do të duhej Hashimi apo dikush tjetër të merrte leje nga pizevengët e Serbisë që nuk lanë të zezë pa bërë në Kosovë dhe pse për këtë duhet të merren leje nga KFOR apo BE ?! Po Hashimi e gjeti një ditë krejtësisht të gabuar për ta vizituar Ujmanin dhe kjo vizitë konsiderohet si përpjekje për ta relativizuar protestën gjithëpopullore të organizuar nga LV. Ky ishte , jo gabimi i Thaçit por përpjekja për manipulim përmes improvizimit në bazë të së cilës e ka marrë , po e mbanë dhe do të bëjë përpjekje ta mbajë pushtetin edhe në të ardhmën , së paku deri te mesi i vitit 2019 e që nënkupton se lehtësisht mund ta përfundojë mandatin një vit para afatit kushtetues nëse edhe në të ardhmën do të sillet në mënyrë të papërgjegjshme duke konsideruar se , shteti ( Kosova ) jam unë , dhe se pas meje vetëm vjen kijameti , disi sikur mbreti Luigj i Francës. Hashim Thaçi duhet të lëshohet në tokë dhe vetëm pasi t’i prekë prapanica në tokën e përgjakur me shekuj të Kosovës , mund të flasë për Kosovën dhe në emër të Kosovës. Nuk mund ta ketë më të afërt Vuçiqin se Albinin e as Daçiqin se komandant Dullën sikur që , në aspektin kombëtar , politik e shtetërorë nuk mund ta ketë më të afërt Behgjetin se Behxhetin ! Kur t’i kuptojë këto fakte atëherë mund të kthjellet , nëse nuk bëhet vonë ! Mbështetja ekskluzivisht te ndërkombëtarët është sikur të mbahesh për degë , mbështetja në popull është sikur të kapesh pas rrënjëve . Hashimi , deri më tani po e bënë të kundërtën dhe ka mbetur sikur Don Kishoti me Sanço Pançon ( Bekimin ) dhe , për këtë domosdoshmërisht po e bënë luftën kundër mullinjve të erës. Përpjekjet për ta shantazhuar qeverinë Haradinaj me rrëzimin e saj vetëm sa do ta rrënojnë politikisht . Edhe kjo vizitë kishte publicitet të madh medial. Dhe ,
Takimi apo zhvillimi i tretë ishte vizita historike e kryetarit të Kuvendit të Kosovës , Kadri Veseli në fshatin Burojë ku u takua me Haxhi Thaçin. Ky takim nuk kishte kurrfarë mbulimi mediatik andaj mendoj se këtu janë rrahur tema të rëndësisë së madhe për Kosovën , rajonin dhe botën ! Në mungesë të informatave për këtë takim , u lëshova në spekulime prandaj me aq edhe po e përfundoj këtë shkrim.
Zoti e bekoftë Kosovën , Zoti e bekoftë presidentin tonë që aq shumë e duam sidomos këta që po e kërkojnë kokën e tij politike ! Dhe jo vetëm politike !